Sport

Zbulohet motivi i dhunimit të gruas shqiptare nga Robinho

Ngjarja kishte ndodhur pesë vjet më parë kur braziliani po luante për Milanin, dhe kishte dhunuar një grua shqiptare (22 vjeç), ndërsa mediat italiane kanë zbardhur edhe motivimin e dënimit të gjykatës

Futbollisti i njohur brazilian, Robinho, 33-vjeçar, së bashku me mikun e tij, Rikardo Falko, kanë shfaqur “një sjellje përçmuese për kushtet e viktimës së tyre”, pas dhunës seksuale, autorë të së cilës janë dy të sipërpërmendurit. Është kjo ajo që shkruan Gjykata e Milanos, në motivimin e vendimit të tyre për të dënuar Robinhon me 9 vite heqje lirie dhe 60 mijë euro dëmshpërblim ndaj viktimës, një vajze shqiptare, të cilën ata e përdhunuan, raportojnë mediat shqiptare.

Ngjarja kishte ndodhur pesë vjet më parë kur braziliani po luante për Milanin, dhe kishte dhunuar një grua shqiptare (22 vjeç), ndërsa mediat italiane kanë zbardhur edhe motivimin e dënimit të gjykatës, ku ndër të tjera thuhet: “Robinho dhe miqtë e tij kanë pasur që në fillim të bisedës me vajzën qëllime vulgare. Termat e përdorur për ta fyer dhe nënvlerësuar, të qeshurat, por edhe kërcënimet janë tregues i qartë i planit të tyre ndaj viktimës. Veprimet e tyre, përveç përdhunimit, u karakterizuan edhe nga dhuna e paraushtruar ndaj vajzës, e cila pas aktit ka pasur edhe trauma të tjera në trup, siç evidentohen në raportin mjekësor”, përcjell albinfo.ch.

“Sipas rindërtimit të ngjarjes të bërë nga gjykata, më 22 janar të vitit 2013, vajza shqiptare po festonte ditëlindjen në një lokal të njohur milanez. Gjendja e dehur e saj ka lehtësuar qasjen e Robinhos, i cili ka qenë i pari që ka përfituar. Pikërisht alkooli i konsumuar e ka penguar vajzën të bëjë rezistencë edhe ndaj Rikardo Falkos, 35-vjeçar dhe mik i futbollistit. Dyshja i ka ‘huazuar’ viktimën edhe katër bashkëkombësve të tjerë, të cilët deri në atë moment kishin asistuar në skenë pa ndërhyrë”, thuhet tutje në raport.