Lajme

Zekiri: Më sulmoi banda e Mijallkovit

Muhamd Zekiri është sulmuar mbrëmë në një lokal nate në Shkup, nga rojat e ish shërbimit informativ maqedonas, Sasho Mjallkov

Deputeti shqiptar, që ka fituar mandatin nga radhët e LSDM-së, Muhamd Zekiri është sulmuar mbrëmë në një lokal nate në Shkup, nga persona, siç ka thënë ai, të afërm me ish- kryeministrin Nikolla Gruevski. Zekiri, ish-gazetar, ka raportuar në Polici se është sulmuar nga rojat e ish shërbimit informativ maqedonas, Sasho Mjallkov.

“Në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup nga Qendra Urgjente “Nëna Tereza”, në orën 1 e 10 minuta, ka ardhur denoncimi se tek ata me lëndime është paraqitur personi me iniciale M.Z, duke thënë se ka pasur sulm fizik në një objekt hotelerik nga ana e një personi të panjohur, deri tani”

Kështu kanë thënë nga SPB Shkup, në pyetjen e TV Shenja, në lidhje me sulmin që ka denoncuar deputeti Muhamed Zekiri, gjatë ditës së djeshme. Ata kanë shtuar se po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Deputeti Zekiri, denoncoi se është sulmuar nga truproja e ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa ky i fundit ka demantuar këto pohime.

“Elhamdulilah jam shendosh e mire, tani edhe me i fortë dhe më i vendosur se kurdo herë për të vazhduar betejën kundër zullumqarëve. Ju faleminderit miq të gjithëve për kujdesin dhe përkrahjen!!!”, ka shkruar Zekiri në rrejtin e tij social facebook

Ai thotë se në këtë rrugë nuk është vetëm, “por ka shumë e shumë Muhameda që do luftojnë zullumqarët dhe drejtësia padyshim do të fitojë dhe kriminelët do të japin llogari”

“Dëshpëruese është që ende ka policë të cilët në vend se të jenë në shërbim të qytetarëve vazhdojnë të jenë në shërbim të kriminelëve si Mijallkovi dhe banda e tij. Nuk arrita edhe pas qëndrimit disa orësh të jap deklaratën në Stacionin e Policisë pasi që polici kujdestar kishte frikë të shkruaj deklaratën time kur përmenda emrin e ish drejtorit te DSK-së Sasho Mijallkov”, thotë Zekiri.