CH-Ballkani

Ziadin Sela në Zvicër: “Jam kryetar i toskëve e gegëve”

Mërgata shqiptare e Maqedonisë në Zvicër, i jep mbështetje të fortë liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës. Takimi i mbajtur në Winterthur, ka tubuar mbi 700 bashkëkombas të Selës, të cilët përmes një debati të hapur, kërkonin nga ai të qëndrojë i paluhatur drejt rrugës për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

 

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela po qëndron këtë fundjavë në Zvicër bashkë me bartësin e listës,  Aleanca për Shqiptarët,  Imer Imerin, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 tetor në Maqedoni.

Zgjedhjet e vitit të kaluar, tha ai, nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe ne nuk kemi realizuar ende misionin tonë politik. Sela kërkoi nga mërgata shqiptare edhe një mobilizim në këto zgjedhje, në mënyrë që të rirregullohet skena politike duke sjell ndryshimin.

„Njerëzit që e sjellin ndryshimin e skenës politike jemi ne të gjithë pa përjashtim, ne që jemi këtu, ata që s’janë këtu dhe shqiptarët atje në Maqedoni; nga Likova deri në Strugë e Manastir dhe prandaj ne na duhet një angazhim dhe mobilizim maksimal për këto zgjedhje në mënyrë që të arrijmë të sjellim ndryshimin“, u shpreh ai.

Një grup të rinjsh nga gjenerata e dytë, kërkuan nga të interesuarit që dëshirojnë të dëgjohet zëri i tyre në Maqedoni, ta japin votën e tyre me 15 tetor, të prejnë bileta avioni dhe ta votojnë Aleancën për Shqiptarët.

Shpresat e struganëve dhe jo vetëm të tyre, janë orientuar nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, u shprehën të rinjtë e gjeneratës së dytë që jetojnë në Zvicër, të organizuar përmes organizatës “Diaspora për Struganët”.

„E them me ndërgjegjen më të madhe që, Aleanca për Shqiptarët, do të bëjë kompromis aty ku është e nevojshme dhe këtë e kemi dëshmuar me tërheqjen e kandidatit tonë për Kërçovën, në mënyrë që atje të fitojë kandidati tjetër shqiptar, por ne kemi dëshmuar gjithashtu që nuk bëjmë aspak kompromis me çështjet që janë jetike dhe primare për ardhmërinë e shqiptarëve në Maqedoni“, veçoi Sela duke drejtuar një pyetje, publike, siç tha ai, për kundërshtarët e tij politik. „Kur ne bëjmë kompromise dhe nuk nxjerrim kandidat që të mos fitojë një maqedonas në Kërçovë“,  pse nuk e bëni edhe ju të njejtën në Strugë, i drejtohej Sela kundërkandidatit nga radhët e BDI-së, Ramiz Merkos.

„Ju keni dëgjuar për 20 e ca vite për nevojën e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në nivel lokal e qendror dhe në të gjithë shtetin, ju drejtohej Sela bashkëkombësve. „E pra, ne na u deshën vetëm dy vjet aktivitet politik bashkë me ju dhe sot zyrtarizimi i gjuhës shqipe të jetë akt i kryer dhe maksimalisht në kuadër të asaj që lejon kushtetuta.  Në zgjedhjet e tjera parlamentare ju premtoj se edhe kushtetuta do të ndryshojë dhe Maqedonia duhet patjetër të jetë shtet bilingual e mbi nacional“, zotohej kryetari i Aleancës për Shqiptarët para një mase të madhe njerëzish të viseve të ndryshe që i duartrokisnin politikanit nga Livadhia e Strugës.

Mes tjerash ai tha se ligji për përdorimin e gjuhëve kaloi në Qeveri dhe tani është çështje ditësh kur do të kalojë edhe në parlament. Duke vënë theksin në rolin e vendosmërisë së vetë shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre dhe jo duke pritur mbështetje nga jashtë.

„Atentati i 27 prillit, nuk ishte i drejtuar vetëm ndaj meje, ai  është atentat ndaj nevojave politike të cilat i kanë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë“, tha ai duke vlerësuar,  situatën politike në Maqedoni, me krijimin e Qeverisë së re me Zaevin, si me stabile, por ende larg një shteti ku qytetarët shqiptarët mund të ndjehen të barabartë edhe në planin ekonimik të investimeve në komunat me shumicë shqiptare.

„Situata politike në Maqedoni aktualisht është pak më e qetë, por nuk do të thotë se janë përmbushur objektivat të cilat ne i kemi vënë vetvetës si subjekt politik. Megjithatë jemi në rrugë të mbarë për ta përmirësuar situatën çdo ditë e më tepër. Vazhdojmë si Aleancë për Shqiptarët ti ngelim përcaktimit për shtet mbinacional,  për decentralizim të mirëfilltë të pushtetit dhe vazhdojmë me planin ekonomik për ndarjen e buxhetit me prerje lokale“, tha Sela.

Për të ndodhur kjo kërkohet fuqi politike, kërkohet vota juaj, u shpreh ai.

„Në ndërgjegjën e përgjegjësinë e gjithësecilit prej nesh, këto punë nuk bëhen vetë, por bashkërisht mund të kthehemi në një forcë që do të sjell ndryshime të mëdha“.

Prandaj ejani me 15 tetor, toskë e votoni Aleancën për Shqiptarët, kërkoi edhe një mandaj kryetari i komunës së Strugës , Ziadin Sela.