Autotech

Zuckerberg: “Facebook” do të punojë në mbrojtjen e të dhënave

Themeluesi i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, ka pranuar se kompania bëri gabime, të cilat çuan që miliona përdoruesve t’u eksploatohen të dhënat nëpërmes një kompanie britanike. Kompania “Cambridge Analytica” akuzohet se ka përdorur të dhënat e përdoruesve në emër të klientëve të tyre politikë.

E, në njoftimin e publikuar, Zuckerberg ka thënë se në këtë rast u shkel besimi. Në një intervistë të mëvonshme për CNN, ai shtoi se i vjen shumë keq për këtë skandal dhe tha se kompania ka ndërmarrë masa të ashpra kundër aplikacioneve mashtruese, përcjell albinfo.ch.

Mes tjerash, shtoi se do të jetë i lumtur të dëshmojë në Kongres lidhur me këtë, nëse kjo do të vlerësohet si gjëja e duhur për ta bërë. Ai premtoi edhe disa hapa të tjerë që Facebook duhet të ndërmarrë, duke hetuar të gjitha aplikacionet që kanë shfrytëzuar sasi të mëdha informatash nga rrjeti social përpara se t’i nënshtrohej reduktimit drastik të qasjes në vitin 2014.