Shkurt.ch

Zviceranët bëjnë dorëzimin vullnetar të armëve

Në kantonin e Cyrihut, të Thurgaut dhe në atë të Solothurnit, gjatë ditës së sotme qytetarët kanë dorëzuar rreth 550 armë zjarri dhe rreth 150 armë të ftohta

Qytetarët e tre kantoneve të Zvicrës kanë pasur sot ditën e aksionit të dorëzimit vullnetar të armëve. Me këtë rast ata kanë dorëzuar qindra armë në vendgrumbullimet e përgatitur për këtë aksion, njofton srf.ch.

Në kantonin e Cyrihut, të Thurgaut dhe në atë të Solothurnit, siç njoftojnë policitë përkatëse kantonale, gjatë ditës së sotme qytetarët kanë dorëzuar rreth 550 armë zjarri dhe rreth 150 armë tjera si thika ose shkopinj.

Kur përmenden armët e zjarrit, sipas policisë bëhet fjalë në shumicën e rasteve për pushkë të vjetra të shërbimit, që qytetarët i kanë pasur në shtëpi nga shërbimi ushtarak, transmeton albinfo.ch. Siç dihet, sistemi zviceran i mbrojtjes u lejon shërbyesve ushtarakë edhe pas mbarimit të shërbimit aktiv, të mbajnë në shtëpi armët e ushtrisë.

Po ashtu gjatë aksionit të sotëm janë dorëzuar disa qindra kilogramë municion, detonatorë si dhe një gjysmë kilogrami lëndë shpërthyese.

Policitë e kantoneve ku sot është zhvilluar aksioni flasin për një sukses. Armët e gruzmbulluara do të kontrollohen dhe do të shkatërrohen.