Zhvillim

Zviceranët të interesuar për investime në Gjilan

Përfaqësuesit e kompanisë zvicerane “Alteco” kanë falënderuar Lutfi Hazirin për përkrahjen, ndërsa premtuan më shumë investime në Gjilan

 

Komuna e Gjilanit do t’u krijoj kushte të favorshme për investime afaristëve zviceran nëse ata duan të investojnë në këtë komunë të Anamoravës. Kështu ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e kompanisë zvicerane “Alteco” Urs Meier dhe Reinard Urfer.

Haziri ka folur për lehtësira që do të kenë bizneset për të operuar suksesshëm në veprimtarinë e tyre. Në këtë mënyrë, kryetari Haziri tha se do të krijohen vende të reja punës në Gjilan, si dhe do të zhvillohet ekonomia e vendit dhe do të rritet mirëqenia e qytetarëve.

Përfaqësuesit e kompanisë zvicerane “Alteco” Urs Meier dhe Reinard Urfer, kanë falënderuar kryetarin Haziri për përkrahjen, ndërsa e informuan për sukseset dhe sfidat e tyre.

Kjo kompani operon në Gjilan që nga përfundimi i luftës dhe fushë veprimtaria e saj kryesore është prodhimi i mjeteve teknologjike, si: tonerë për printerë, për fotokopjues e për skanerë.

Ata thanë se tashmë e mbulojnë 30 për qind të tregut, ndërsa qëllimi i tyre është që të mbulohet mbi 70 për qind e tregut kosovar për produktet e tyre. Kjo kompani ka eksportuar edhe jashtë Kosovës fillimisht me ambalazh, ndërsa synojnë që të eksportojnë edhe tonerë.

Përveç investitorëve zviceran, interesim për Gjilanin kanë shfaqur edhe investitorët francez dhe gjerman.

Përfaqësues të Kompanisë “DesJoyaux”, respektivisht menaxheri i eksportit David Gaillard, thanë se janë të interesuar për investime në Gjilan, kryesisht në pishina olimpike dhe paraolimpike, ambiente rekreative sportive dhe renovime.