Jeta në Zvicër

Zvicra dëbon lesbiken boshnjake pasi ndahet nga e dashura

Diskriminimet dhe sulmet e dhunshme ndaj homoseksualëve dhe lesbikeve në Bosnjë janë një problem. Megjithatë, vendi llogaritet si "vend me prejardhje të sigurt". Gjykata Kantonale e Lucernit, para pak kohësh e ka konfirmuar dëbimin e një të prekure.

Gjithçka filloi si histori dashurie: Në vitin 2014, një grua e ndoqi dëshirën e zemrës së saj dhe erdhi në Zvicër tek partnerja e jetës. Pasi kjo e fundit ishte e pajisur me dokumente të rregullta, edhe mikesha e saj nga Bosnja e Hercegovina ka mundur të qëndrojë në Zvicër, në kuadër të bashkimit familjar.

Por, dy vite më vonë lidhja e tyre u shkatërrua. Enti Zviceran i Migrimit ia pezulloi lejeqëndrimin gruas nga Bosnja, duke e dëbuar nga vendi.

Mirëpo, ajo bëri ankesë në institucione të ndryshme, me pretekst se riintegrimi i saj social në Bosnjë është i rrezikuar, se atje mbretëron shoqëria patriarkale, tradicionale, konsevrative e homofobe.

Për shkak të orientimit të saj seksual, ajo do t’i nënshtrohej ofendimeve dhe poshtërimeve të rënda. Personat homoseksualë janë të diskriminuar, të përjashtuar dhe bile edhe të sulmuar nga shoqëria.

Mundësia për të fshehur orientimin e saj seksual ka qenë e pamundur, pasi partnerja e saj e kishte bërë publike ndarjen përmes Facebook-ut. Ky postim ishte shpërndarë me të madhe në vendlindjen e saj, shkruan “Neue Luzerner Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.

Miqësitë u ndërprenë, kontaktet me familjen e saj i ndërpreu kontaktet dhe në fshatin e saj u shpallë «persona non grata».

Gjykata Kantonale i ka shqyrtuar të gjitha mundësitë e këtij rasti, duke e konfirmuar pezullimin e lejeqëdrimit të boshnjakes. Ajo u mbështet në vendimin e mëhershëm të Qeverisë zvicerane, me të cilin Bosnjën e kishte shpallur si vend “me prejardhje të sigurt” dhe ligjet e miratuara të Bosnjës për të drejtat e homoseksualëve dhe lesbikeve në vend.