Maqedonia

Zvicra e gatshme të ndihmojë reformat zgjedhore në Maqedoni

Zvicra është e përgatitur të ndihmojë në përforcimin e kapaciteteve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), si dhe në përgjithësi në reformat zgjedhore, theksoi ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni, Sibil Zuter Tehada në takimin që kishte me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë ka informuar ambasadoren Tehada që është formuar një trup koordinativ, i cili do të punojë me përfaqësues nga BE-ja, SHBA-ja dhe përfaqësues të qeverisë zvicerane, si dhe me të gjithë të interesuarit, për përgatitjen dhe implementimin e reformave zgjedhore, përcjell albinfo.ch.

Në takim është diskutuar për çështjet aktuale politike, siç janë përforcimi i kapaciteteve të KSHZ-së dhe reformave zgjedhore, si pjesë e planit të reformave 3-6-9.

“Jemi të përkushtuar fuqishëm në sigurimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të KSHZ-së, si dhe në miratimin e të gjitha reformave të tjera të nevojshme për proces cilësor zgjedhor. Prandaj, për ne është e pranueshme çdo ndihmë dhe bashkëpunim që do të ndikojë në përmirësimin e kapaciteteve të organeve zgjedhore dhe të institucioneve të përfshira në realizimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Zaev.