Shkurt.ch

Zvicra ka kompjuterin e tretë më të shpejtë në botë

Vetëm në Kinë ndodhen dy kompjuterë që janë më të fuqishëm se ai i Zvicrës. SHBA për herë të parë mbetet jashtë Top treshit

Super kompjuteri Piz Daint që gjendet në Qendrën Nacionale të Llogaritjeve, në Lugano, është i treti në botë për nga fuqia gjegjësisht shpejtësia. Ai në fakt është më i fuqishmi në gjithë botën përveç Azisë, pasi që në atë kontinent, gjegjësisht në Kinë ndodhen dy kompjuterë që janë më të fuqishëm se ai i Zvicrës, shkruan srf.ch

Këtë radhitje e nxjerr top lista e 500 kompjuterëve më të shpejtë në botë. Sipas saj, kompjuteri nga Lugano, vendin e tretë e meriton me 19.6 PetaFLOPS, ose “Floating Point Operations Per Second” siç njihet masa për matjen e shpejtësisë së kompjuterëve.

Dy kompjuterët kinezë, që janë të parët në listë kanë 93 gjegjësisht 33.9 PetaFLOPS.

Zvicra kësaj here e ka lënë mbrapa SHBA-në, e cila për herë të parë nga viti 1996 nuk bën pjesë në mesin e tri vendeve të para me kompjuterë më të fuqishëm.