Shkurt.ch

Zvicra kërkon të dhëna edhe për pasagjerët nga Prishtina

Zgjerohet lista e vendeve që duhet të raportojnë linjat ajrore që kanë destinacion Zvicrën, përcjell albinfo.ch.

Sekretariati Shtetëror për Migrim (SEM) kërkonte kontrolle për fluturimet nga Algjeria, Beogradi, Johanesburgu, Kajro, Cape Town, Montreal, Rio de Janeiro, Toronto dhe Tunis, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Qeveria federale dëshiron të përmirësojë kontrollet kufitare dhe të luftojë hyrjen e paligjshme.

Detyrimi i raportimit për fluturimet nga disa destinacione ka ekzistuar që nga viti 2011. SEM përcakton fluturimet, në të cilat linjat ajrore janë të detyruara të raportojnë të dhënat e pasagjerëve të transportuar dhe detajet e fluturimit menjëherë pas nisjes. SEM gjithashtu i përcjell informacionin shërbimit federal të inteligjencës.

Tashmë duhen të dhënat në lidhje me fluturimet nga Sao Paulo, Abu Dhabi, Doha, Pekini, Shanghai, Dubai, Dar es Salaam, Nairobi, Prishtina, Stambolli, Moska, Casablanca, Marrakech, Nju Delhi, Hong-Kongu, Mumbai, Muscat dhe Singapori.

Detyrimi i zgjeruar i raportimit do të nisë të zbatohet nga 29 tetori.