Kosova

Zvicra kundërshton ndarjen e territoreve në Ballkan

Pacolli kërkoi ndihmë për sjelljen e modelit zviceran të funksionimit të komunave të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, është takuar me zëvendëssekretaren e shtetit të Zvicrës, Krystyna Marty Lang, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gjatë takimit me diplomaten e lartë zvicerane, në kuadër të konsultimeve politike mes dy vendeve, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe për iniciativa të reja në intensifikim të këtij bashkëpunimi.

“Ne e falënderojmë Zvicrën, në mënyrë të veçantë si vend që e ka mbështetur historikisht Kosovën. Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka bërë thirrje që herët, që Kosova të bëhet e pavarur dhe ajo e ka vendin në historinë moderne të Kosovës”, është shprehur Pacolli, përcjell albinfo.ch.

Diplomatja e lartë zvicerane, e shoqëruar nga Ambasadori i Konfederatës Helvetike në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, konfirmoi vullnetin e Zvicrës për të vijuar me ndihmën e fuqishme.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, ajo nënvizoi se Zvicra kundërshton çdo ide shkëmbimi territoresh në Ballkan, qëndrim që u mbështet nga ministri Pacolli, i cili tha se “kjo ide do të sillte hapjen e kutisë së Pandorës në rajonin tonë”.

Në vijim të takimit, Pacolli kërkoi ndihmë për sjelljen e modelit zviceran të funksionimit të komunave të Kosovës.