Kosova

Zvicra mbështet dikasterin e Inovacionit në Kosovë

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet u shpreh i lumtur për themelimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të fokusimit tek sektori privat dhe ndërmarrësia

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet me të cilin ka biseduar për përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes promovimit të bizneseve, si ambasadorë më të mirë të vendit, si dhe shkëmbimi i përvojave, trajnimet dhe konsulenca.

Ministri Beqaj me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin Lebet për përkrahjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës në zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq diplomati zviceran u shpreh i lumtur për themelimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të fokusimit tek sektori privat dhe ndërmarrësia.

Ministri Beqaj dhe ambasadori Lebet u dakorduan për bashkëpunim dhe nisma të përbashkëta drejt zhvillimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit, promovimit të eksporteve, rritjen e kapaciteteve dhe konkurrueshmërinë në sektorin privat.