Lajme

Zvicra mbështet Kosovën në integrimin Euro-atlantik

Ambasadori i Zvicrës në NATO, Christian Meuwly ka garantuar mbështetje për proceset integruese të Kosovës. Ai u prit në Ministrinë e FSK-së nga ministri Demolli

Ambasadori i Zvicrës në NATO, Christian Meuwly e siguroi ministrin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), Haki Demollin se shteti i tij do të vazhdoj mbështetjen për Kosovën në proceset Euro-atlantike. Ambasadori helvetik në Bruksel i ka bërë këtë deklarata gjatë një vizite që i bëri FSK-së në Kosovë.

Diplomati zviceran bashkë me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, kryesonin delegacionin nga Zvicra në vitine zhvilluar në MFSK.

Ministri Demolli, në takim ka falënderuar ambasadorin e Zvicrës në NATO, Meuwly për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria e Zvicrës për  Kosovën dhe në kuadër të saj edhe për FSK-në, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kanë dy shtetet në të gjitha fushat.

Ministri Demolli me këtë rast, e ka njoftuar ambasadorin Meuwly me të arriturat e përgjithshme të FSK-së; zhvillimet aktuale, për procesin e transformimit të FSK-së, ku ka qenë i angazhuar DIRI (Iniciative e rishikimit të Institucioneve të Mbrojtjes) nga SHBA, pastaj Ekipet Këshilluese të NATO-s (EKN) në MFSK, Ekipet Këshilluese Ndërlidhëse të NATO-s (ENKN) në FSK dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar.

Gjithashtu ministri Demolli bisedoi edhe për letrën që kryeministri i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa, i ka dërguar NATO-s, për mbështetjen e saj, për transformimin e FSK-së dhe të avancimin e mëtutjeshëm të partneritetit të Kosovës me NATO-n.

Në Fjalën e tij ministri Demolli i siguroi mysafirët nga Zvicra se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të përbëjë kërcënim për fqinjët. Ajo do të jetë Forcë që synon anëtarësimin në NATO, Forcë që një ditë do të jetë pjesë e misioneve paqësore kudo që e kërkon nevoja.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Selinë e NATO-s, në Bruksel, Meuwly shprehi kënaqësinë e tij, për pritjen në Ministrinë e FSK-së, si dhe premtoi për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Ai tha se Zvicra ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në integrimet  Euro-Atlantike.

Në takim morën pjesë edhe shefi i kabinetit të ministrit Latif Leka dhe drejtori i Ekipi Këshillues të NATO-s në MFSK zoti Dominic Braithawaite.