Lajme

Zvicra mbështet Kosovën në sektorin e sigurisë

Ambasadori i ri i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet i tha ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni se shteti i Zvicrës do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha fushat

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni falënderoi shtetin e Zvicrës për përkrahjen që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare për siguri, derisa kërkoi mbështetjen e Konfederatës së Zvicrës në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Këtë deklaratë ministri Hyseni e ka bërë gjatë një takimi që zhvilloi në MPB me ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

Me këtë rast ministri Hyseni i uroi ambasadorit Lebet mirëseardhje në Kosovë, duke e njoftuar për progresin që është bërë në Kosovë, si dhe për punën që po bënë MPB, në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Ministri Hyseni veçoi angazhimin e përbashkët të dyja vendeve sa i përket bashkëpunimit në luftimin e krimit të organizuar në përgjithësi dhe në veçanti në veprimet konkrete që janë bërë sidomos në parandalimin e migrimit të pa rregullt dhe fushave me interes të përbashkët.

Ndërsa ambasadori i ri i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, falënderoi ministrin Hyseni për pritjen dhe theksoi se shteti i Zvicrës do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Ai tha se bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.