Shkurt.ch

Zvicra nuk do t`i ndalojë qeset plastike

Në vend të kësaj, do të angazhohet për marrëveshje vullnetare në mes të shitësve me pakicë që do të çonte drejt reduktimit të shfrytëzimit të qeseve me një përdorim deri në 80 për qind krahasuar me sot

Qeset e holla të plastikës për një përdorim, në Zvicër mund të përdoren edhe më tej. Pas heqjes dorë të Dhomës Nacionale të Parlamentit, nga kërkesa për ndalim të tyre ka hequr dorë edhe Komisioni për Ambient i Dhomës së Kantoneve, njofton shërbimi për informim në kuadër të parlamentit.

Siç shkruan srf.ch duke iu referuar njoftimeve nga parlamenti, politika tash e tutje do të angazhohet për marrëveshje vullnetare në mes të shitësve me pakicë. Një marrëveshje e tillë do të çonte drejt reduktimit të shfrytëzimit  të qeseve me një përdorim deri në 80 për qind krahasuar me sot.

Më tutje, duke filluar nga viti 2018 konsumatorët do të  detyrohen të paguajnë për qeset e vogla të cilat sot jepen falas nëpër arkat e shitoreve.

Marrëveshja e synuar do të vlejë vetëm për shitoret që shesin kryesisht artikuj ushqimorë.