Sport

Zvicra përballë gjigantëve të Evropës

Zvicra ndodhet në Grupin A, apo atë më të fortin, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania, Portugalia, Belgjika, Spanja, Franca, Anglia, Italia, Polonia, Kroacia, Islanda dhe Uellsi

UEFA ka dhënë dritën e gjelbër për krijimin e Ligës së Kombeve, ku do të marrin pjesë 55 Kombëtaret e Evropës në futboll, shkruan albinfo.ch.

Ky kampionat do të ketë katër divizione (A, B, C e D), nga skuadrat më të forta tek ato më të dobëta, të cilat do të përcaktohen nga renditja e UEFA-s e 55 vendeve përfaqësuese pas përfundimit të fazës kualifikuese për Rusi 2018.

A dhe B do të kenë katër grupe me nga tri skuadra, C një me tri skuadra dhe tre me nga katër skuadra, D do të ketë katër grupe me nga katër skuadra.

Zvicra ndodhet në Grupin A, apo atë më të fortin, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania, Portugalia, Belgjika, Spanja, Franca, Anglia, Italia, Polonia, Kroacia, Islanda dhe Uellsi. Pra, Zvicra në grupin e saj pritet të ketë gjigantë të futbollit evropian.

Shqipëria do të luajë në divizionin C, ku do të jenë edhe Sllovenia, Mali i Zi, Skocia, Republika Çeke, Rumania, Greqia, Bullgaria, Izraeli, Norvegjia, Qipro, Finlanda, Estonia dhe Azerbajxhani.

Ndërkohë, Kosova ndodhet në Grupin D, ku janë edhe Lituania, Bjellorusia, Gjeorgjia, Armenia, Maqedonia, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Letonia, Moldavia, Kazakistani, Lihtenshtajni, Andorra, Malta, San Marino dhe Gjibraltari.

Edicioni i parë i Ligës Kombëtare do të garantojë edhe katër vende për “Euro 2020”. Më 24 janar do të hidhet në Lozanë shorti për katër divizionet. Java e parë e ndeshjeve do të luhet më 7 shtator.