Shkurt.ch

Zvicra, përfituesja më e madhe nga Marrëveshja e Dublinit

Zvicra ua ka dorëzuar gjatë vitit 2016 vendeve tjera të Dublinit 3750 azilkërkues ndërkohë që prej tyre ka marrë vetëm 469 sish

Zvicra është vendi që përfiton më së shumti në kontekst të krizës së refugjatëve nga e ashtuquajtura  Marrëveshja e Dublinit. Kështu, siç shkruan gazeta “SonntagsZeitung”, Zvicra ua ka dorëzuar gjatë vitit 2016 vendeve tjera të Dublinit 3750 azilkërkues ndërkohë që prej tyre ka marrë vetëm 469 sish.

Sa për krahasim: Gjermania gjatë periudhës së njëjtë ka dorëzuar te tëm tjerët 3968 azilkërkues ndërsa ka marrë nga të tjerët katër fish më shumë, gjegjësisht 12.091 të tillë.

Në një situatë si kjo, Amnesty International ka kritikuar Zvicrën, transmeton albinfo.ch. Sipas kësaj organizate, “Zvicra ndërmerr gjithçka që është e mundur që sa më shumë refugjatë t`i përcjellë në vendet tjera, nënshkruese të Marrëveshjes së Dublinit”.

Siç dihet, marrëveshja në fjalë parasheh që personat të cilët vijnë në vendin e tretë, mund të kthehen në vendin në të cilin janë regjistruar për herë të parë si azilkërkues. Dhe Zvicra e ka shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi, duke qenë se shumica e madhe e refugjatëve të ardhur në Zvicër, paraprakisht kanë qenë të regjistruar në ndonjë vend tjetër, transit, si azilkërkues.