Kosova

Zvicra prezanton Strategjinë e Bashkëpunimit me Kosovën 2017-2020

Zotimi financiar për periudhën 2017-2020 arrin në 85 milionë franga. Zvicra është partneri bilateral i tretë më i madh i zhvillimit në Kosovë

Me rastin e vizitës së zëvendëssekretares së Shtetit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, Krystyna Marty Lang në Kosovë, shteti zviceran do të lansojë Strategjinë e Bashkëpunimit me Kosovën 2017-2020 në një ceremoni, që do mbledhë partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Viti 2018 shënon 20 vjet bashkëpunimi dhe 10 vjet marrëdhënie diplomatike midis Zvicrës dhe Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Duke u mbështetur në frymën e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis qeverive të Zvicrës dhe Kosovës, Strategjia Zvicerane për Bashkëpunim me Kosovën 2017-2020 synon të kontribuojë në progresin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit rajonal dhe evropian, duke promovuar një sistem politik demokratik, një shoqëri paqësore dhe të bashkuar, duke ofruar qasje gjithëpërfshirëse në shërbimet themelore, sundimin e ligjit dhe një ekonomi sociale të tregut. Në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, mbështetja zvicerane në periudhën 2017-2020 fokusohet në temat prioritare si në vijim: Qeverisje demokratike dhe siguria njerëzore, Ekonomia dhe punësimi, Uji dhe përshtatshmëria ndaj ndryshimeve klimatike, Shëndetësia”, thuhet në njoftimin për media të ambasadës zvicerane.

Zotimi financiar për periudhën 2017-2020 arrin në 85 milionë franga. Zvicra është partneri bilateral i tretë më i madh i zhvillimit në Kosovë.