Shkurt.ch

Zvicra u heq azilin 231 personave si dënim pse kanë vizituar vendet e prejardhjes

Ministrja që mbulon azilin, Simonetta Sommaruga ka propozuar që të bëhet një përshtatje e ligjit, me ç`rast ndalimi i udhëtimit në vendin e prejardhjes do të përmendet në mënyrë eksplicite

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) gjatë vitit të kaluar ua ka hequr statusin e azilit 231 personave me azil të pranuar, si ndëshkim për udhëtimet e tyre në vendet e prejardhjes. Siç shkruan gazeta “Schweiz am Wochenende”, ky numër në krahasim me atë të vitit 2016 ka qenë për 86 raste më i madh. Shkak për këtë rritje është se gjatë vitit 2017 është sensibilizuar më shumë opinioni lidhur me ndëshkimin e këtyre personave, transmeton albinfo.ch. Veç kësaj, autoritetet kufitare kanë bërë verifikim më të saktë të të dhënave nga fluturimet.

Të huajt që janë prekur më së shpeshti nga anulimi i statusit të azilit kanë qenë shtetasit e Vietnamit, në 71 raste. Pas tyre vijnë irakianët me 60 dhe boshnjakët me 30 raste të tilla.

Duke e konsideruar këtë si një problem serioz për vendin, ministrja që mbulon azilin, Simonetta Sommaruga ka propozuar që të bëhet një përshtatje e ligjit, me ç`rast ndalimi i udhëtimit në vendin e prejardhjes do të përmendet në mënyrë eksplicite, transmeton albinfo.ch. Pra, kushdo nga refugjatët me azil të pranuar që udhëton në vendin e vet në mënyrë vullnetare, do ta humbë statusin e azilit në Zvicër.

Nga ana tjetër SVP ka kërkuar që personat të cilët zbulohen se kanë qëndruar në vendin e prejardhjes të dënohen menjëherë dhe në secilin rast me heqjen e statusit të azilit. Parimisht, sipas SVP-së, ata që kanë fituar azilin në Zvicër mbi bazën e përndjekjes që kanë pasur në vendin e prejardhjes, nuk guxojnë të udhëtojnë në atë vend

Ndërsa organizata që mbron refugjatët “Schweizerische Flüchtlingshilfe” hedh poshtë këtë automatizëm, përcjell albinfo.ch. Sipas saj, personat e prekur duhet të kenë mundësinë që të kundërshtojnë një vendim të tillë.