Shkurt.ch

Zvicra vendos të mos e shtrenjtojë benzinën

Fillimisht ishte menduar që ngritja e çmimit të benzinës të bëhej në vitin 2019 ose 2020. Por, ministrja kompetente (për komunikacion), Doris Leuthard ka deklaruar sot shtyrjen e kësaj ngritjeje

Qeveria Federale, njëherë për njëherë nuk e ka ndërmend të shtrenjtojë çmimin e benzinës. Fillimisht ishte menduar që ngritja e çmimit të benzinës të bëhej në vitin 2019 ose 2020, shkruan srf.ch.

Kjo ngritje ishte menduar të shërbente për financimin e punimeve për zgjerimin e rrjetit të autostradave, transmeton albinfo.ch. Por, siç ka thënë sot ministrja kompetente (për komunikacion), Doris Leuthard, mjetet shtesë për autostradat nuk do të jenë të nevojshme para vitit 2024. Në këtë mënyrë, hë për hë, nuk shtrohet nevoja e grumbullimit të mjeteve që do të bëhej përmes shtrenjtimit të benzinës.

Veç kësaj, është paraparë që, duke filluar nga viti 2020, te hyjë në fuqi një taksë e re për automjetet elektrike. Dhe kjo taksë për fillim do të pasurojë arkën e shtetit me rreth 90 milionë franga, përcjell albinfo.ch. Ende është e kontestueshme se në ç`mënyrë dhe kur saktësisht do të vihet kjo taksë.

Për federatën, më e thjeshtë do të ishte që të vihej në formë paushalli. Por, nga perspektiva e ambientalistëve kjo do të ishte shkelje e parimit sipas të cilit “ndotësi duhet të paguajë”. E makinat elektrike sigurisht nuk janë ndotëse të ambientit.