Sport

Zyrtare: Sadiku te Lugano

Sulmuesi kuqezi do të qëndrojë te Lugano i huazuar deri në fund të këtij sezoni

Klubet e Luganos dhe Zurichut e kanë bërë zyrtar tashmë transferimin e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, nga kryesuesit e ligës së dytë zvicerane te skuadra e Luganos, që tashmë drejtohet nga Paolo Tramezzani, shkruan albinfo.ch.

Sulmuesi kuqezi do të qëndrojë te Lugano i huazuar deri në fund të këtij sezoni. Ai është një nga transferimet e para të Tramezzanit për të realizuar synimin e mbijetesës në Superligën e Zvicrës. Sadiku ka luajtur edhe më parë me Luganon, para se të transferohej te Zurichu në janarin e viti 2014.

Në fund të këtij sezoni, futbollisti shqiptar do të rikthehet te klubi që zotëron kartonin e tij deri në qershor të 2018-s. Në sezonin e ardhshëm, Zurichu me shumë gjasa do të rikthehet të luajë në Superligën e Zvicrës, pasi kryeson ligën e dytë me 12 pikë diferencë nga ndjekësi më i afërt vetëm pas gjysmës së kampionati.

Armando Sadiku kishte shënuar golin e vetëm për Shqipërinë në Kampionatin Evropian në Francë. Goli ndaj Rumanisë bëri që ai të jetë idhull për tifozët shqiptarë.