Kosova

Apostolova u bën thirrje institucioneve të respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka organizuar sot aktivitetin kryesor për shënimin e 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Me këtë rast nga të pranishmit në këtë aktivitet u tha se fëmijët në Kosovë po shfrytëzohen për punë dhe të njëjtit në vazhdimësi janë viktima të dhunës në familje, andaj është obligim i institucioneve vendore që të respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, duke folur rreth Konventës për të drejtat e fëmijëve, tha se çdo fëmije duhet të jetë i barabartë pavarësisht dallimeve etnike apo racore.

Drejtori i Save the Children, Ahmet Kryeziu tha se në Kosovë ka shumë sfida për t’u realizuar të drejtat e fëmijëve.

Sipas tij, dita e sotme ofron një mundësi për qeverinë, shoqërinë civile, për prindërit e fëmijët që të reflektojnë mbi arritjet dhe sfidat në zbatim dhe jetësim të Konventës të së drejtave të fëmijëve.

Sipas tij, çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt, të jetë i mbrojtur dhe të ketë qasje në arsim.

Një gjë të tillë e tha edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila mes tjerash ka theksuar se edhe në Kosovë ka shumë raste kur fëmijët janë viktima të dhunës, e të njëjtit punojnë në rrugë.