Bankierët shqiptarë në Zvicër

200 bankierë shqiptarë, së shpejti me shoqatën e tyre

Një ndejë spontane e 9 nëpunësve shqiptarë të bankës Credit Suisse, ka rezultuar me rreth 200 nëpunës financiarë dhe bankash, të cilët janë afër themelimit të asociacionit të tyre

Është mbrëmja e 28 Nëntorit. Një grup simpatik festuesish e festuesesh, shumica rreth të tridhjetave, janë mbledhur në lokalin “Ambrosi” të Kastriot Çaushit, në afërsi të stacionit hekurudhor “Hardbrücke”. Kjo pjesë e Cyrihut që kohëve të fundit është shumë në trend, ka bërë bashkë një kategori interesante të shqiptarëve: janë sonte këtu mbi 40 nëpunës shqiptarë bankash dhe institucionesh tjera financiare, që punojnë në regjionin e Cyrihut e më gjerë.

Një ndejë spontane e disa nëpunësve shqiptarë të bankës Credit Suisse para dy vitesh, ka rezultuar me një zgjerim rrethi. Kështu ky rreth sot, edhe pse pa ndonjë protokoll a formalitet tjetër, numëron rreth 200 veta. Kuptohet, këtu  ndërkohë kanë hyrë edhe punëtorë të bankave tjera zvicerane.

“Vetëm në Credit Suisse, ku kam punuar deri para një viti e ca, kemi identifikuar rreth 130 punonjës shqiptarë”, na thotë Përparim Avdili, njëri nga iniciatorët e takimeve të bankierëve shqiptarë të Zvicrës.

“E gjitha nisi nga 9 persona që punonin (dhe ende punojnë) në Credit Suisse në zyrat e Uetlihof-it. Si fillim, qëllimi ishte të dilnin në darkë ata persona që njiheshin dhe punonin bashkë në CS. Dhe, ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët, kërkonim të gjejmë edhe më shumë shqiptarë që punojnë në bankë, fillimisht brenda ndërtesës Uetlihof. Shumë shpejt arritëm të bëhemi rreth 40 persona që u bashkuan në darkën tonë…  Fillimisht, si grup organizativ u mblodhëm për të vendosur disa pika kryesore në lidhje me organizimin e këtyre mbrëmjeve”.

Kështu e përshkroi “historinë” ende të freskët të subjektit në themelim, Përparimi, në fjalimin përshëndetës që mbajti para festuesve.

Ishte interesant edhe vazhdimi. Duke numëruar disa nga pikat e asaj që mund të quhet projekt i shoqatës së ardhshme, Avdili veç tjerash theksoi: “ Vendndodhja që zgjidhet për këto mbrëmje duhet të jetë në pronësi të një shqiptari; Mbrëmjet të organizohen së paku dy herë në vit: në qershor, për Lidhjen e Prizrenit dhe në fund të nëntorit, me rastin e Festës së Flamurit…”

Më tutje Përparimi, në cilësinë e anëtarit të këshillit nismëtar shtoi se “përveç takimeve të këtij lloji jemi duke punuar në krijimin e një asociacioni për shqiptarët e punësuar në sektorin financiar në Zvicër, ka thënë ai para të pranishmëve. “Prandaj ju ftojmë të merrni pjesë në themelimin e këtij asociacioni. Gjithçka do të jetë pa asnjë mesazh politik, pa dallim feje, krahine e ideje”, ka siguruar folësi.

Ndërsa para himnit të Flamurit dhe cakërrimit të gotave, oratori ka përkujtuar me pak fjalë rëndësinë e 28 Nëntorit, ditës për të cilën ishin mbledhur, duke përshkruar rrugën e vështirë e me sakrifica që kanë bërë shqiptarët deri në ditën e sotme.

“Uroj që festa jonë sot këtu, të jetë vazhdim i qëllimit të heronjve tanë, unifikimin e shqiptarëve. Pra për atë që punuan të gjithë ata atdhetarë”, ka përfunduar Përparim Avdili fjalën e tij.

B. SH.