Lajme

2022, vera e dytë më e nxehtë në histori të Zvicrës

Vera e vitit 2022 ishte gjithashtu e dukshme për luhatje të mëdha të temperaturës

Vera e vitit 2022 ishte e dyta më e nxehta në Zvicër që nga fillimi i matjeve më 1864, sipas parashikuesit të motit Meteo Swiss. E vetmja verë më e nxehtë u regjistrua në vitin 2003, përcjell albinfo.ch.

Tre muajt e fundit ishin jashtëzakonisht të thatë, veçanërisht në Zvicrën perëndimore, me valë të përsëritura të të nxehtit dhe orë me diell shumë mbi normën, shkruante Meteo News. Temperaturat mesatare në qershor, korrik dhe gusht ishin 2.3 gradë më të larta se mesatarja e 30 vjetëve të fundit, duke tejkaluar verën e vitit 2018, një periudhë tjetër jashtëzakonisht e nxehtë. I vetmi vit me një verë më të nxehtë ishte viti 2003, përcjell tutje albinfo.ch.

Përtej mesatares, një numër rekordesh të nxehtësisë u thyen këtë verë, sipas Meteo News. Më 19 qershor 2022 temperatura arriti në 36.5 gradë në Neuchâtel. Jo vetëm që ky ishte një rekord i qershorit për qytetin, por edhe temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë atje përpara solsticit të verës. Më 4 gusht 2022, temperatura në Gjenevë arriti në 38.3 gradë, duke thyer rekordin për ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qytet. Rekordi i mëparshëm (37.6 gradë) ndodhi më 13 gusht 2003.

Vera e vitit 2022 ishte gjithashtu e dukshme për luhatje të mëdha të temperaturës. Më 19 korrik 2022, temperatura në Gjenevë filloi në 21.8 para se të ngjitej 16.4 gradë në 38.2 përpara se të binte përsëri në 21.6 deri në fund të ditës. Vetëm dy ditë në vitin 1962 kanë pasur paqëndrueshmëri më të lartë të temperaturës se 19 korriku 2022.

Gjatë korrikut 2022, kufiri i lartësisë zero u rrit më shumë se 400 metra mbi normën nga 3,800 metra në afër 4,300 metra. Kjo ka përshpejtuar shkrirjen e akullnajave të Zvicrës dhe ka prodhuar më shumë ujë të shkrirë sesa mund të përdorin disa instalime hidroelektrike.