Integrimi

4 kandidatë shqiptarë për Parlamentin e Glattbrugg-ut

Shaban Haliti, Taulant Foniqi, Qëndresa Sadriu dhe Fatlum Kastrati janë kandidatët të cilët do të kandidojnë për këshilltarë komunalë në Glattbrugg

Glattbruggu i Cyrihut ka mbi 16000 banorë, prej të cilëve mendohet se janë rreth 2500 shqiptarë. Shqiptarët janë njëherësh komuniteti më i madh i të huajve që jetojnë në këtë qytezë. 

Në vitin që do të vijë, në vitin 2014 do të mbahen zgjedhjet komunale në shumë komuna në tërë Zvicrën. Edhe shqiptarët kanë mundësinë që të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë që t`i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në vendin ku jetojnë.

Vetëm në Glattbrugg janë 4 kandidatë shqiptarë të Partise Socialdemokrate (PS) të Zvicrës, të cilët dëshirojnë që nëpërmes rrugës politike t’i përfaqësojnë interesat e përbashkëta shqiptare.

Shaban Haliti, Taulant Foniqi, Qëndresa Sadriu dhe Fatlum Kastrati janë kandidatët të cilët do të kandidojnë për këshilltarë komunal ne Glattbrugg.

“Ne si komunitet shqiptar në këtë komunë jemi shumicë nga të huajt dhe kemi provuar në mënyra të ndryshme përmes organizimeve kulturore në bashkëpunim me organet komunale që sadopak ta përmirësojmë imazhin tonë si shqiptarë. Duke prezantuar kulturën dhe traditat tona kemi arritur një bashkëpunim më të afërt mes komunitetit shqiptar dhe atij vendor. Tani kemi arritur që nëpërmes Partisë Socialdemokrate të përfshihemi edhe në jetën politike të Opfikon-Glattbruggut por gjithherë me qëllim të përfaqësimit të komunitetit shqiptar. Po ashtu kemi arritur të kemi 4 kandidatë relevantë shqiptarë në listën zgjedhore. Mendoj se është një sukses i madh edhe nëse vetëm në listë figurojnë emrat shqiptarë ndërsa po qe se votohemi, suksesi do të jetë edhe më i madh.” – tha Shaban Haliti kandidat për këshilltar komunal nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës në Glattbrugg.

I pyetur se si mendon se do ta marrin përkrahjen e shqiptarëve të Glattbruggut, Haliti shtoi: “Ne do të organizohemi dhe gjithsesi do të kërkojmë përkrahjen në rend të parë nga bashkëkombësit tanë dhe gjithashtu edhe nga vendësit sepse nëse kemi vizione të qarta edhe një pjesë e tyre shpresojmë se do të na votojnë”.

Qëndresa Sadriu po ashtu kandidate për këshilltare komunale shprehu bindjen e saj për një sukses të socialdemokratëve. “Mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe të rinjtë të inkuadrohen në politikë sepse kështu mundemi t`i prezantojmë më mirë problemet e ankesat e të rinjve. Besoj që kemi me pas sukses në zgjedhjet e vitit 2014” tha Sadriu.

Kandidati tjetër Taulant Foniqi u shpreh me shumë besim se do të kenë përkrahjen e shqiptarëve dhe janë disa arsye që e kanë shtyrë atë të merret me politikë.

“Qëllim kryesor i imi është integrimi i komunitetit shqiptar qoftë në jetën sociale, ekonomike, në atë politike apo kulturore – për mua si aktivist dhe person, e ardhmja e komunitetit shqiptar këtu është më se e rëndësishme. Mendimi im është se njerëzit do të duhej të jenë më aktivë në vendimet politike, sidomos në Zvicër, ku edhe gëzojmë një demokraci direkte. Posedimi i pasaportës zvicrane nuk na garanton të drejta ekstra. Por edhe ato të drejta që na jep kjo gjë, shumica prej nesh nuk i shfrytëzojnë. E kam fjalën për të drejtën e votës. Sa i përket kësaj, shtrohet pyetja sa shqiptarë njohim në parlamente të kantoneve? Shumë pak, mendoj unë. Mbrojtja e interesave të komunitetit shqiptar është ndër prioritetet kryesore. Kështu që le të jetë kjo votë, shenjë e një barazie më të madhe.” – tha Foniqi.

Kandidatët shqiptarë kanë shumë besim në përkrahjen e shqiptarëve të Glattbruggut në këto zgjedhje, dhe presin pjesëmarrje më të madhe ne votime. Mirëpo një numër i madh i shqiptarëve me të drejtë vote në Zvicër deri më tash nuk kanë marrë pjesë fare në votime. Kjo ndodhë ndoshta për shkaqe të mos organizimit dhe njoftimit më të mirë. Pjesëmarrja në zgjedhje do ta forconte pozitën si shqiptarëve në këtë vend.

Si përfundim vijmë se duhet të bëhet një organizim i mirë nga kandidatët shqiptarë për këshilltarë komunalë në mënyrë që shqiptarët të marrin pjesë në votime në numër sa më të madhe dhe ta kenë përkrahjen e tyre.

Visar Kryeziu


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI