Bota

Reagon edhe Trump pas ngjarjes pranë Shtëpisë së Bardhë

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbuluar motivet e autorit dhe për të verifikuar nëse ai kishte bashkëpunëtorë të tjerë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi pas incidentit të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, ku një 21-vjeçar u qëllua për vdekje nga oficerët e Shërbimit Sekret pasi tentoi të hynte në kompleksin presidencial.

Në një postim në Truth Social, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj personit të armatosur, për të cilin tha se kishte një histori dhune dhe një “obsesion të mundshëm” me Shtëpinë e Bardhë.

“Falënderojmë Shërbimin Sekret të mrekullueshëm dhe Zbatimin e Ligjit për veprimin e shpejtë dhe profesional që ndërmorën sonte kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori të dhunshme dhe një obsesion të mundshëm me ndërtesën më të dashur të kombit tonë”, shkroi Trump, transmeton albinfo.ch.

Presidenti amerikan e lidhi ngjarjen edhe me shqetësimet për sigurinë në Uashington, duke theksuar se incidenti tregon nevojën për krijimin e hapësirave edhe më të sigurta për presidentët amerikanë në të ardhmen.

Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite jashtë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, kur 21-vjeçari tentoi të kalonte përmes një pike kontrolli sigurie. Oficerët e Shërbimit Sekret iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke e vrarë sulmuesin në vend. Gjatë incidentit mbeti i plagosur rëndë edhe një kalimtar.

Pas të shtënave, alarmet u aktivizuan brenda dhe jashtë kompleksit presidencial. Gazetarët që ndodheshin në sallën e shtypit u urdhëruan të qëndronin të mbuluar për rreth 40 minuta, ndërsa zona u izolua nga forcat e sigurisë.

Korrespondentja e ABC News, Selina Wang, e cila ndodhej pranë vendngjarjes, regjistroi momentin e sulmit me telefonin e saj celular. Në videon e publikuar në rrjetin social X dëgjohen dhjetëra të shtëna dhe zëra që u bërtasin njerëzve të shtrihen në tokë për t’u mbrojtur.

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbuluar motivet e autorit dhe për të verifikuar nëse ai kishte bashkëpunëtorë të tjerë. Ndërkohë, masat e sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë mbeten të përforcuara.