Bota

Piloti pëson sulm në zemër, panik te pasagjerët

Dëshmitarët kanë përshkruar skena të tensionuara gjatë zbritjes së shpejtë të avionit

Një fluturim i linjës ajrore britanike Jet2, me 220 pasagjerë në bord, u detyrua të bëjë një ulje emergjente në Porto të Portugalisë, pasi piloti pësoi një atak në zemër gjatë fluturimit nga Tenerife drejt Birminghamit.

Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në rreth 30,000 metra lartësi, duke shkaktuar momente paniku në kabinë. Ekuipazhi i avionit reagoi menjëherë, duke kërkuar ndihmë mjekësore mes pasagjerëve, ndërsa bashkëpiloti mori kontrollin e avionit dhe nisi uljen emergjente.

Dëshmitarët kanë përshkruar skena të tensionuara gjatë zbritjes së shpejtë të avionit. Një pasagjer për “The Sun” tha se shumë udhëtarë u zgjuan të tronditur nga situata, ndërsa stjuardesat po kërkonin një mjek në bord dhe fëmijët po qanin nga frika, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

“Ne ishim në gjumë kur filloi kaosi. Dritat u ndezën dhe ekuipazhi dukej shumë i shqetësuar,” tha ai.

Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Portos në orën 02:11 të mëngjesit të së premtes. Piloti u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pasagjerët u transportuan më pas drejt Mbretërisë së Bashkuar me një fluturim zëvendësues dhe ekuipazh të ri.

Linja ajrore Jet2 deklaroi se siguria e pasagjerëve nuk ishte rrezikuar në asnjë moment dhe kërkoi falje për shqetësimin e krijuar, duke ofruar gjithashtu ndryshime falas për udhëtarët në fluturimet e ardhshme.