Shqipëria

Dy turistë gjermanë zhduken në malin e Polisit, nisin kërkimet në Librazhd

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar në terren, ndërsa mungesa e sinjalit telefonik po vështirëson komunikimin me turistët e zhdukur.

Dy turistë nga Gjermania rezultojnë të zhdukur që nga mbrëmja e së hënës në zonën malore të Polisit, në Librazhd, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve paraprake, një grup turistësh që udhëtonin me automjete të tipit “off-road” kishin dalë për të eksploruar terrenin malor, kur dy prej pjesëtarëve të grupit humbën kontaktet me të tjerët.

Pas raportimit të rastit, ekipet e kërkim-shpëtimit janë nisur drejt zonës së Polisit për të ndërmarrë operacionin e kërkimit të turistëve të zhdukur.

Autoritetet bëjnë të ditur se komunikimi me turistët është i pamundur për shkak të mungesës së mbulimit me rrjet telefonik në disa prej zonave më të thella malore të rajonit.

Kërkimet po vijojnë intensivisht, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion lidhur me fatin e dy turistëve gjermanë./Albinfo.ch