Lajme

Referendumi i 14 qershorit: Çfarë parasheh iniciativa për kufizimin e popullsisë së Zvicrës në 10 milionë banorë?

Një nga votimet më të rëndësishme të viteve të fundit

Më 14 qershor, qytetarët zviceranë do të votojnë për iniciativën popullore “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë”, e njohur edhe si “Iniciativa për Qëndrueshmëri”. Propozimi kërkon që popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës të mos e kalojë shifrën prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa është propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi infrastrukturën, transportin publik, tregun e banesave, mjedisin dhe shërbimet publike.

Çfarë do të ndodhë nëse iniciativa miratohet?

Sipas tekstit të iniciativës, nëse popullsia e Zvicrës kalon 9.5 milionë banorë para vitit 2050, Qeveria Federale dhe Parlamenti do të jenë të detyruar të marrin masa për të frenuar rritjen demografike, veçanërisht në fushat e azilit dhe bashkimit familjar.

Nëse numri i banorëve kalon 10 milionë për dy vite radhazi, Zvicra do të duhet të ndërmarrë hapa për të kufizuar imigracionin, përfshirë mundësinë e ndërprerjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimin Evropian.

Frika nga një “Brexit zviceran”

Kundërshtarët e iniciativës paralajmërojnë se një “Po” në referendum mund të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe politike. Ata argumentojnë se kufizimi i imigracionit do të vështirësonte gjetjen e fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorë si shëndetësia, hoteleria, ndërtimtaria dhe industria farmaceutike.

Po ashtu, ekziston frika se prishja e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me BE-në mund të rrezikojë edhe marrëveshje të tjera dypalëshe me partnerin më të madh tregtar të Zvicrës. Për këtë arsye, disa analistë dhe media e kanë cilësuar referendumin si një lloj “Brexiti zviceran”.

Çfarë thonë sondazhet?

Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e votuesve janë të prirur ta refuzojnë iniciativën, megjithëse gara mbetet e ngushtë. Një anketë e publikuar nga SRG tregon se 52 për qind e të anketuarve janë kundër kufizimit të popullsisë, ndërsa 45 për qind e mbështesin atë.

Megjithatë, tema e imigracionit vazhdon të mbetet një nga çështjet më të debatueshme në Zvicër, duke reflektuar ndarjet mes atyre që shqetësohen për mbipopullimin dhe atyre që e konsiderojnë migracionin thelbësor për ekonominë dhe tregun e punës.

Popullsia është rritur me afro dy milionë banorë në dy dekada

Popullsia e Zvicrës ka kaluar nga rreth 7.3 milionë banorë në vitin 2002 në mbi 9.1 milionë sot, ndërsa më shumë se një e katërta e banorëve janë shtetas të huaj. Pikërisht kjo rritje e shpejtë është në qendër të debatit që do të vendoset nga votuesit më 14 qershor.