Kosova

Fillon verifikimi i 85 mijë pakove me fletëvotime nga diaspora

23 kuti postare janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

Sipas Elezit, gjatë 8 qershorit është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës. Tërheqja është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Ai tha se nga 23 kuti postare janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

“Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pakot që aprovohen do të përfshihen në procesin e numërimit, pas disa ditësh”, tha Elezi.

Sipas të dhënave preliminare të paraqitura nga KQZ, numri i pakove të tërhequra sipas kutive postare është: Berlin 41,561; Bern 23,356; Stokholm 4,633; Paris 3,470; Vjenë 2,570; Prishtinë 2,005; Londër 1,383; Bruksel 1,195; Romë 1,076; Nju Jork 986; Lubljana 891; Oslo 654; Otavë 538; Kopenhagë 348; Hagë 238; Zagreb 210; Stamboll 179; Podgoricë 128; Kanbera 113; Budapest 73; Shkup 63; Pragë 46; dhe Tiranë 9.