Sport

Alban Pnishi: Kosova më ftoi dy herë

Një mbrojtës shqiptar po shkëlqen në Zvicër. Ky është Alban Pnishi me prejardhje nga Gjakova që luan për Grasshoppersin, ku luajnë shumë shqiptarë. Ai është i kënaqur me paraqitjet e tij këtë sezon.

“Unë jam shumë i kënaqur me paraqitjet e mia, sepse nuk e kam pritur se do të luaj kaq shumë kur kam ardhur në Grasshoppers. Shpresoj se do të vazhdoj kështu”, deklaroi Pnishi në fillim për albinfo.ch.

Ai erdhi nga Wohlen ku kishte luajtur për gjashtë vjet.

“Synimet e klubit janë të vazhdojmë kështu dhe të jemi në pjesën e epërme të tabelës, derisa personalisht shpresoj se do të luaj kështu dhe të përmirësohem edhe më shumë”, thotë mbrojtësi, i cili ka shënuar një gol këtë sezon.  Në klubin e Grasshoppersit ka shumë shqiptarë, si Mërgim Brahimi, Florian Kamberi e Shani Tarashaj.

“E ndi vetën shumë mirë ku ka shqiptarë, pasi edhe në klubin tim të kaluar kemi qenë nëntë shqiptarë dhe atmosfera ka qenë shumë e mirë. Prapë se prapë edhe pse jemi shqiptarë duhet shikuar të integrohemi se ekipi është zvicerian dhe jo shqiptar”, rrëfehet 25-vjeçari, i cili shpreson të luajë në të ardhmen për një klub më të madh.

“Këto janë shpresat e mia, megjithatë edhe këtu jam shumë i kënaqur dhe do të japë 100 % nga vetja. Ne shqiptarët kemi raporte shumë të mira njëri me tjetrin. Prej kur është kualifikuar Shqipëria në Francë interesimi është edhe më i madh dhe shumë lojtarë në ekip na pyesin për Shqipërinë dhe Kosovën.  Ne shqiptarët komunikojmë shqip shumë herë kur jemi vet, por ka ndodh edhe në ndeshje që të flasim shqip që të mos na kuptojnë kundërshtarët”, shprehet Pnishi.

Në fund ai flet për Kombëtaren shqiptare dhe Kosovën. “Për mua është një dëshirë e madhe që të shkojë të luajë në Francë për Shqipërinë, por edhe për vendlindjen time Kosovën të luaj ndonjë ditë. Kosova më ka bërë ftesë dy herë dhe për fat të keq nuk kam mundur të luaj, pasi kam qenë i lënduar”, përfundoi Alban Pnishi.

Tashmë ai është një nga lojtarët më stabil të Grasshoppersit dhe synimi i tij është të vazhdojë me paraqitje të mira.

 


 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriAlban Pnishi
  • Prejardhja:Gjakovë
  • Vendi ku vepron:Wohlen
  • Profesioni:futbollist