E-Diaspora

Arnold Gjergjaj:”Grushtin e përdor vetëm në ring”

Intervistë ekskluzive me boksierin shqiptaro-zviceran, Arnold Gjergjaj.

Arnold Gjergjaj duket se nuk njeh kundërshtar para vetes. Nga 24 ndeshje në boksin profesionist, ka radhitur 24 fitore, 18 prej tyre në KO. Fitorja e fundit ishte ajo ndaj boksierit argjentinas Emilio Ezequiel. Boksieri nga Gjakova, i cili njihet me nofkën “The Cobra” në Zvicër dhe në trojet shqiptare, aktualisht konsiderohet si boksieri më i mirë në peshat e rënda. Në intervistën ekskluzive dhënë për albinfo.ch Gjergjaj flet për fëmijërinë e tij, shpërnguljen për të jetuar në Zvicër, vështirësitë për të arritur sukses dhe për ëndrrën e tij që një ditë të bëhet kampion i botës në boksin profesionist të peshës së rëndë.

albinfo.ch: Arnold, fitoret në boks për ju tashmë janë bërë rutinë. Duket se nuk po njeh kundërshtar para vetes, apo?

Arnold Gjergjaj: Faleminderit! Unë gjithmonë në ring hyj me mendimin për fitore. Përgatitem shumë fizikisht, por edhe psikikisht, prandaj edhe deri më tash kam pasur këtë sukses. Që kur kam filluar me boksin profesionist, mendimi im ka qenë fitorja dhe asnjëherë nuk më ka interesuar kundërshtari se a është i gjatë, i shkurtë apo kush mund të jetë ai.

albinfo.ch:Çfarë i duhet një boksieri për të pasur sukses?

Arnold Gjergjaj: T`i ketë të gjitha atributet. Dikush mund ta këtë fuqinë, dikush tjetër talentin, por boksieri duhet të ushtrojë sa më shumë për të përfituar atë që i mungon. Tek unë Zoti ma ka falur fuqinë, por çdo ditë punoj shumë për të mbajtur në formë kondicionin, për të qenë i përgatitur gjithmonë për 12 runde, nëse është e nevojshme.

albinfo.ch: Njihesh me nofkën “The Cobra”. Nga e ke marrë këtë emër?

Arnold Gjergjaj: Kur kam fituar të drejtën për të kaluar në boksin profesionist, trajneri im më ka thënë se do ta japë emrin “The Cobra”. Fillimisht e kam refuzuar, sepse nuk më pëlqente dhe gjithashtu edhe vetë kam frikë nga gjarpri. Por, ai më bindi, duke më thënë se ky emër më përshtatet më së miri, ngase sipas tij, unë jam një lojtar që e blej kundërshtarin dhe një goditje imja lë pasoja te kundërshtari. Tash jam mësuar me këtë nofkë dhe po më pëlqen.

albinfo.ch: Ke pasur ndonjë rast, qoftë si fëmijë, kur je frikësuar nga gjarpri?

Arnold Gjergjaj: Natyrisht, kur kam qenë në Kosovë derisa dilnim më fëmijët e kushërinjve nëpër fushat dhe lumenjtë, kur shihnim ndonjë gjarpër iknim të gjithë, madje unë isha i pari që ikja (qesh).

albinfo.ch: Meqë përmende fëmijërinë, në cilin vit keni migruar në Zvicër?

Arnold Gjergjaj: Ka qenë muaj korrik i vitit 1999 kur kam ardhur në Zvicër. Pas tre-katër muajve kam filluar të merrem me Kik – boks dhe boks. Pas shtatë ndeshjeve që zhvillova në kick–boks vendosa të merrem vetëm me boks. Pas shumë fitoreve në boksin amator, më është mundësuar të kaloj në boksin profesionist. Tash që katër vjet jam në boksin profesionist dhe në 24 ndeshje kam fituar 24 fitore.

albinfo.ch: Kush ju shtyri të merreni me boks?

Arnold Gjergjaj: Që nga fëmijëria e kam pasur në qejf boksin. I shikoja të gjitha ndeshjet e boksit, e shpesh herë përlesheshim edhe më fëmijët e tjerë. Kur erdha në Zvicër disa shokë ushtronin në një klub boksi dhe ata më ftuan të shkoj me ta për të ushtruar. Kështu filloj të më pëlqej dhe vazhdova pa e ndërprerë më. Ende vazhdoj të shoqërohem më ta, ani pse ata tashmë nuk ushtrojnë boks më.

albinfo.ch: Sa ishte e vështirë adaptimi juaj në Zvicër dhe në shoqërinë zvicerane?

Arnold Gjergjaj: Çdo fillim është i vështirë. Kur kam ardhur në Zvicër unë nuk e njihja fare gjuhën gjermane. Kisha lënë në Kosovë një shoqëri tjetër, me të cilët isha rritur, ndërsa këtu më është dashur të krijoj shoqëri krejt tjetër. Në Zvicër kam ardhur në moshën 14-vjeçar dhe nuk ishte aq e lehtë të adaptohem me një rreth të ri dhe një jetë krejt të re. Mirëpo, kisha vullnetin për të ecur përpara. Gjatë ditës shkoja në shkollë, ndërsa pas mësimit shkoja për t’ u ushtruar boks. Shumë shpejt u mësova me kulturën dhe njerëzit në Zvicër dhe kuptova se e vetmja gjë për të ecur përpara është puna, pavarësisht nga vjen apo kush je. Kështu edhe veprova.

albinfo.ch: Në Kosovë tashmë ke përkrahjen e të gjithëve, por në Zvicër?

Arnold Gjergjaj: Përveç boksit, unë jam “ambasador” i një shoqate në Zvicër, e cila merret me të rinjtë që kanë sjellje devijante. Ne zhvillojmë debate të rregullta me të rinj, kur flas për jetën time, fëmijërinë dhe vështirësitë nëpër të cilat kam kaluar për të arritur sukses. Mundohem t’ i bind që të rinjtë të merren sa më shumë me sport dhe të largohen nga sjelljet devijante dhe të jenë sa më larg dhunës në rrugë apo kudo që mund të ndodhë.  Gjithsesi e kam përkrahjen edhe të zviceranëve. Ata më ftojnë në secilën festë që bëhet, sidomos në Bazel, ku edhe jetoj. Aktualisht jam boksieri më i mirë në Zvicër në secilën kategori. Kam pasur përkrahjen edhe të medieve zvicrane, ku të gjitha mediet kanë shkruar rregullisht për arritjet e mia.

albinfo.ch: Mendoni se jeni shembull i integrimit në Zvicër, apo si një “ambasador” i shqiptarëve në këtë shtet?

Arnold Gjergjaj: Gjithmonë e kam përkrahjen e shqiptarëve në Zvicër dhe unë jam shumë i lumtur kur shoh në çdo ndeshje time numër aq të madh të shqiptarëve, për çka edhe i falënderoj nga zemra. Por, besoj se edhe ata ndihen të lumtur me sukseset e mia dhe mendoj se jam një shembull që duhet ndjekur se si duhet të ecin përpara, ashtu siç janë shembull edhe shumë shqiptarë të tjerë në Zvicër që kanë emër dhe respektohen nga zviceranët. Duhet ta kuptojmë se jemi në një shtet tjetër dhe ky shtet po na i jep të gjitha mundësitë, andaj përveç se duhet ta falënderojmë, duhet edhe të sillemi mirë dhe të tregojmë kulturë të mirë. Shqiptarët në përgjithësi duhet të jemi shembull për popujt tjerë se si duhet të integrohemi, të tregojmë se jemi popull punëtorë dhe që e duam punën me nder.

albinfo.ch: Në fillimet tuaja a e keni ndier veten ndonjëherë të diskriminuar se jeni shqiptar?

Arnold Gjergjaj: Asnjëherë nuk e kam ndier veten të diskriminuar nga shoqëria zvicerane, por vetë fakti se në fillim nuk e njeh gjuhën, nuk i njeh njerëzit për rreth, nuk njeh asgjë, vetvetiu diskriminohesh nga të tjerët.

albinfo.ch: E dimë që jeni i fejuar. A vjen e fejuara juaj të përcjellë ndeshjet tuaja?

Arnold Gjergjaj: Deri më tash nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk besoj se vjen për të më shikuar, sepse ka frikë të më shohë duke boksuar. Babai im ka qenë dy – tri herë dhe e kam lutur që të mos vijë të më shikojë, sepse e di se si mund të ndihet në ato raste, kurse vëllezërit vijnë rregullisht.

albinfo.ch: Llogaritesh si boksieri që ka grushtin më të rëndë në botë. E ke përdorur ndonjëherë edhe jashtë lojës?

Arnold Gjergjaj: Prej që njihem si boksier nuk më ka ndodhur kurrë ta përdor dhe shpresoj që të mos më ndodhë kurrë në jetë. Për të krijuar një problem duhet të janë të gatshëm dy njerëz t’ i futën problemit. Nëse njëri nuk dëshiron të hyjë në problem, atëherë ka rrugë për t’ i ikur problemit. Unë, kurrë nuk kam pasur probleme në rrugë, përpos ndoshta ndonjëherë kur jemi rrokur më fëmijë në Kosovë.

albinfo.ch: A ke pasur ndonjëherë provokime nga të tjerët për t’u futur në probleme?

Arnold Gjergjaj: Në radhë të parë unë jam sportist dhe ne duhet të sillemi si sportistë e të tregojmë kulturë dhe edukatë. Pavarësisht se mund të kemi provokime, ne duhe të gjejmë rrugë dhe mundësi për t’ iu ikur problemeve. Duhet të kem kujdes, sepse një goditje imja mund të shkaktojë plagë të madhe tek tjetri.

albinfo.ch: Kam dëgjuar se thonë se je krejtësisht tjetër në jetën e përditshme. I qetë dhe mjaft i shoqëruar, apo?

Arnold Gjergjaj: Të gjithë kur rrinë me mua për herë të parë më thonë se qenke ndryshe siç shihesh në ring. Unë kur rri me shoqëri apo familjarë, kam dëshirë të flas për tema të ndryshme, ndërsa më së paku për boks.

albinfo.ch: Në ndeshjen e fundit, kur vëllai juaj i madh, Jetoni, hyri në ring, gazetari zviceran ju pyeti se a mund ta rrahni vëllain, ndërsa ju i thatë: “S’ka shans”. Është kjo një respekt që ua bëni të tjerëve dhe atyre që janë më të moshuar se ju?

Arnold Gjergjaj: Kam respekt për të gjithë njerëzit që më rrethojnë, aq më shumë për familjen time. Sigurisht se nuk kisha përgjigje tjetër, sepse edhe po të jam njeriu më i fortë në botë, unë nuk hedh dorë ndaj njerëzve të familjes sime, aq më shumë ndaj vëllait. Ai më ka rrahur me qindra herë, por ka të drejtë të më rrahë edhe qindra herë të tjera, sepse e kam vëlla.

albinfo.ch: Me kë e ke ëndërr të boksosh dhe cili është synimi juaj?

Arnold Gjergjaj: Ëndrra ime është të boksoj me Vladimir Kliçkov. Do të punoj në maksimum që të arrij të fitoj edhe kundër tij. Ndërsa, synimi im është të bëhem kampion bote.  Sikur ta dija që nuk do të bëhem kampion bote, unë që nga sot do të heqja dorë nga boksi.

albinfo.ch: A mund të na japësh një premtim, brenda sa kohësh do të shohim si kampion bote?

Arnold Gjergjaj: Jam duke punuar intensivisht dhe nëse do të vazhdoj me këtë sukses, atëherë shpresoj se për dy–tri vjet do të luftoj për kampion bote.