E-Diaspora

Artistja Marina Sula, ambasadorja e trojeve shqiptare

Në një bisedë për albinfo.ch, Marina tregon për vendlindjen e saj dhe shpërnguljen nga Shqipëria për në Itali dhe më pas zhvendosjen e saj në Austri

Deri para pak javësh ajo ishte e panjohur për publikun shqiptar. Ndonëse ishte një artiste me plot merita, mediat tona nuk kishin dëgjuar dhe as shkruar ndonjëherë për të.

Por, sukseset e saj nuk shpëtuan pa u vërejtur nga media të njohura botërore. Marina Sula, shqiptare nga Austria, u bë e njohur vetëm kur revista prestigjioze “Forbes” e renditi në listën e 30-të personazheve më me ndikim në Evropë nën moshën 30 vjeç, në kategorinë “Art dhe kulturë”.

Në një bisedë për albinfo.ch, Marina tregon për vendlindjen e saj dhe shpërnguljen nga Shqipëria për në Itali dhe më pas zhvendosjen e saj në Austri, ku edhe tani jeton.

“Jam lindur në vitin 1991 në Lezhë të Shqipërisë. Deri në vitin 1996 kam jetuar në Shëngjin. Në moshën pesëvjeçare, së bashku me familjen kemi migruar për në Alto Adige të Italisë. Që nga viti 2010 jam zhvendos në Vjenë të Austrisë, për të studiuar për histori artesh. Pas diplomimit, tre vjet më vonë, pra në vitin 2013 kam filluar studimet për art dhe fotografi në Akademinë e Arteve të Bukura, ku jam edhe në prag të diplomimit”, shprehet Marina, para se të na tregojë për gëzimin që ka përjetuar kur e ka parë veten në mesin e 30-të personazheve më të suksesshme në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që puna ime është shpërblyer me këtë sukses. Gjëja më e bukur për mua ishte të shoh prindërit e mi: Florën dhe Zamirin, që janë krenarë për mua. Ata më kanë mbështetur gjatë gjithë jetës sime për gjithçka që unë kam dashur të bëj. Gëzim i papërshkruar ishte, po ashtu, kur kam marrë mesazhe të panumërta në Facebook dhe Instagram nga njerëz krejtësisht të panjohur, nga shqiptarë anembanë botës, të cilët më kanë përgëzuar për këtë arritje. Jam e lumtur kur shoh edhe të tjerë që janë krenarë për suksesin tim. I falënderoj të gjithë”, thekson ajo për albinfo.ch.

Përpos Marinës, revista “Forbes” ka vlerësuar edhe pesë femra të tjera shqiptare. Në kategorinë “Ligj/politikë” nën moshën 30-vjeçare janë klasifikuar edhe Blerta Thaçi, Dafina Olluri e Blinera Metaj, nga organizata joqeveritare “Open Data Kosovo”, ndërkohë në kategorinë “Muzikë/sport” gjenden dy vajzat kosovare, Rita Ora dhe Dua Lipa.

“Femrat e fuqishme janë modeli më i mirë për mua. Rita Ora dhe Dua Lipa janë aktualisht dy vajza shumë të fuqishme dhe që po i prezantojnë me shumë sukses trojet tona: Shqipërinë dhe Kosovën. Po ashtu u gëzova kur pashë edhe tri femra të tjera nga Kosova që ishin pjesë e revistës. Mendoj se ishte e mrekullueshme që gjashtë femra shqiptare të jemi në listën e “Forbes”, veçanërisht në një botë ku gratë ende duhet të luftojnë për barazi”.

Deri më tani Sula ka realizuar disa ekspozita me instilacione në Vjenë, po ashtu në Itali dhe në “Zeta Galeri” në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Ekspozita e saj e fundit “Soft Power” u duartrokit nga të pasionuarit e artit. Me stilin minimalist, ku ndërthuren imazhe të botës dixhitale dhe shpirtërore, 26-vjeçarja tërhoqi për dy muaj publikun vjenez te galeria “Gabriele Senn Galerie”.

“Puna ime ka të bëjë me strukturat sociale të krijuara nga njeriu. Unë përpiqem të shqyrtoj këto struktura të pushtetit dhe pafuqisë dhe si ato ndikojnë në identitetin. Gjithashtu, si teknologjia dhe komunikimi kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, dhe si ndikojnë në ndërveprimin njerëzor dhe vetë qeniet njerëzore. Unë punoj shumë me stilin minimalist mes fotografisë, instalimeve, skulpturës dhe videos. Është e rëndësishme për mua që në artin tim të zhvilloj sisteme alternative dhe të besueshme që mund të ofrojnë siguri dhe rehati në këto kohë”, thotë 26-vjeçarja Sula.

Në fund të bisedës Marina theksoi për albinfo.ch se gjatë verës së këtë viti ajo do të qëndrojë për disa ditë në Shkodër, ku është e ftuar nga Shtëpia e Artit.