Kultura

“Burrnesha” e Albana Agajt dhe Jeton Nezirajt vjen në Teatrin e Bernës

Në nëntor të vitit 2016, aktorja Albana Agaj udhëtoi për në Shqipëri, ku intervistoi Dranden, një “burrneshë”. Më 1 maj në "Schlachthaus Bern" jepet premiera e "Swor Virgin - Burrnesha"

“Betohem se prej sot e tutje, burrë kam me u ba me rrnu si burrë, e me dekë si burrë“. Ky është betimi i një ish gruaje e cila diku në malësitë e veriiut të Shqipërisë vendos, sipas një tradite të lashtë,  të “bëhet” burrë. Një betim me tension kaq dramatik nuk lë gjakftohtë askë. Aq më pak një artiste, grua si Albana Agaj.

Në nëntor të vitit 2016, aktorja Albana Agaj udhëtoi për në Shqipëri, ku intervistoi Dranden, një “burrneshë”. Nga kjo intervistë dhe pas hulumtimeve intensive të bëra për këtë temë nga Jeton Neziraj, u krijua baza për dramën ”Sworn Virgin – Burrnesha”, tregon Agaj historinë e lidhjes së saj me “Burrneshat”.

 

Ndërsa lidhur me motivin që e ka shtyrë të realizojë shfaqjen më të re, atë për “burrneshat” Albana Agaj thotë për albinfo.ch se “ky projekt realizohet pasi Burrneshat si fenomen gjithmonë më kanë fascinuar. Por shfaqja nuk ka asgjë të bëjë me filmin…”, ka sqaruar ajo duke iu referuar filmit të njohur “Sworn Virgin” të regjisores italiane Laura Bispuri. “Madje as që e kam parë fare atë film sepse nuk dua të ndikohem shumë, duke qenë se unë, në këtë dramë që ka autor Jeton Nezirajn,  e luaj pikërisht rolin e Burrneshës”, thotë ajo.

Përse “Burrneshat”?

Me shfaqjen e radhës, Albana me ekipin e saj i “Forever Productions” i rreket një fenomeni i cili në shikim të parë duket sikur qëndron shumë larg nga kultura evropiane perëndimore, shkruan albinfo.ch. “Por në shikim të dytë ne mund të mësojmë nga ky. Sepse Burrneshat nuk janë fenomen ekskluzivisht shqiptar. Të tilla ka edhe në perëndim por ekzistimi i tyre kushtëzohet nga tjera shkaqe kulturore dhe ato jetojnë një identitet të brendshëm  e të jashtëm i cili duket se nuk ngjan më me atë të Burrneshave”, thotë veç tjerash Albana Agaj në prezantimin e shfaqjes së pritshme.

Ndërsa subjekti i shfaqjes me pak fjalë është ky: Zonja Durham, një angleze blogiste me gjendje te mirë, ndodhet në një udhëtim eksplorues në Shqipëri, ku përpiqet të hulumtojë rolet e gjinive në sfondin e kushtëzimeve me bazë kulturore. Në këtë e sipër ajo takon një Burrneshë të re e cila jeton në një fshat malor të Shqipërisë dhe në komunitetin e atjeshëm ushtron funksionin e një burri. Ndërkohë paraqitet Julian Eodd, një burrë transvestit dhe regjiosor ambicioz teatri. Ai është në kërkim të aktorëve të përshtatshëm të performancës së tij me të cilën dëshiron të bëjë revolucion në skenat teatrore të Londrës. Ai është fascinuar nga ajo që ka parë në tekstet e zonjës Durham dhe dëshiron që të angazhojë patjetër nje burrneshë në shfaqjen e tij. Dhe, ai e arrin këtë por, në saje të kërkesave të tij jorealiste, shfaqja përfundon me një fiasko…

Kush është Albana Agaj

Pas dramës “Kosovo for Dummies”, është kjo pjesa e dytë e përbashkët e autorit kosovar me produksionin “Forever Productions”, që udhëhiqet nga Albana Agaj. Agaj është aktore e diplomuar e teatrit, e cila prej disa vitesh krijon artin e saj në teatro të ndryshme në Zvicër në Gjermani, Austri e gjetiu. Ka afër dy vjet që drejton edhe një trupë teatrore që mban emrin “forever productions” (foreverproductions.ch).

E lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe e ardhur në Zvicër me familjen në moshën 11 vjeçare, Albana në vitin 2007 ka mbaruar studimet për aktrim në Shkollën e Lartë të arteve në Bernë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ajo është angazhuar si aktore në teatrin “Theater an der Ruhr” (Mühlheim, Gjermani).

Para dhe pas kësaj ka luajtur me sukses një numër shfaqjesh në disa projekte teatrore në Vjenë, Bernë, Mynih, etj. Në vitin 2006 ajo ka marrë çmimin e parë “Max-Reinhardt dhe çmimin e publikut në takimet e studentëve gjermanishtfolës të aktrimit. Ndërsa në periudhën si aktore në “Theater an der Ruhr”, ajo ka pasur angazhim të rregullt dhe në role të rëndësishme në shumë shfaqje të inskenuara në këtë teatër.

Në vitin 2013 Albana ka themeluar trupën teatrore “Forever Productions”, me të cilën ka realizuar edhe shfqaje që lidhen me Kosovën dhe me shqiptarët. Motivin që e ka shtyrë për të realizuar projekte të tilla ajo e shpjegon kështu: “Si kosovare dhe zvicerane, unë përmes profesionit tim si aktore kam pasur shansin e madh të punoj me dallimet kulturore. Që kësaj nevoje t`i jap më shumë zë, në vitin 2013 kam krijuar trupën teatrore “forever productions”. Kjo trupë e konsideron veten si një sizmograf të fenomeneve dhe konflikteve kulturore. Detyrën tone e shohim në nxitjen, promovimin e një dialogu ndërkulturor”.

Premiera, më 1 maj në “Schlachthaus Theater” Bern

Premiera do të jepet në “Schlachthaus Theater” Bern, më 1 maj 2018, me fillim në orën 19.00. disa shfaqje tjera në po këtë teatër jepen edhe më 3,4,5 maj, secilën herë në orën 20.30 ndërsa e fundit do të jetë shfaqja më 8 maj, me fillim në orën 19.00. Infos & Tickets: www.schlachthaus.ch.

Në teatrot tjerë, që janë pjesë e koproduksionit, shfaqjet do të jepen: Në teatrin “Kleintheater, Luzern më 14, 16 dhe 17 nëntor 2018. Në “Kellertheater” Winterthur më 23, 24, 25, 28 dhe 30 nëntor 2018, nga ora 20.00. ndërsa në “Theater Winkelwiese” të Cyrihut shfaqja “Burrneshat” do të jepet vitine  ardhshëm, gjegjësisht më 7, 9, 14, 15 dhe 16 mars 2019, me fillim nga ora 20.00.

 

Ekipazhi

Ideja dhe koncepti: “Forever Productions”; teksti: Jeton Neziraj; -Regjia: Johannes Mager. Aktorët: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Johanna Dähler etj. Shfaqja do të jetë një koproduksion në mes të teatrove: “Schlachthaus Theater” Bern, “Theater Winkelwiese”, Zürich, “Kleintheater”, Luzern dhe “Kellertheater”, Winterthur.

 

Fotot:  Yoshiko Kusano