Kreu i gjigantit zviceran, Migros thotë se imigracioni është çelësi i së ardhmes së industrisë

Industritë zvicerane të ushqimit dhe shitjes me pakicë janë veçanërisht të varura nga imigracioni, paralajmëron CEO i Migros, Mario Irminger në Schweiz am Wochenende.

“Ndryshimi demografik është një çështje e madhe në Zvicër. Kjo është arsyeja pse do të na duhet thjesht një sasi e caktuar imigracioni për të ruajtur nivelin aktual të performancës në sektorin e shitjes me pakicë”, tha ai në një intervistë të transmetuar të shtunën. Ai gjithashtu theksoi se shumë punonjës do të dalin në pension në vitet e ardhshme, gjë që do ta rrisë më tej nevojën.

Irminger nuk e mohon se imigracioni krijon probleme dhe sfida. Por ai beson se një kufizim i popullsisë, siç kërkohet në iniciativën e imigracionit “Jo 10 milionëve” të Partisë Popullore Zvicerane të krahut të djathtë, e cila do të hidhet në votim më 14 qershor, do të krijonte probleme të reja.

Aktualisht, 60% e punonjësve në kompaninë e përpunimit të mishit Micarna janë shtetas të huaj, dhe shifra është deri në 90% në fabrikën e prerjes, thekson menaxheri.

“Ne varemi prej tyre, tani dhe në të ardhmen, për të mbushur boshllëqet që na presin”.

Pa imigracion, ka shumë mundësi që shërbimi dhe furnizimi të bien, për shkak të orarit më të shkurtër të hapjes, më pak dyqaneve ose më pak zgjedhjeve, vëren menaxheri i Migros, duke theksuar se ka 1,000 vende të lira pune që janë tashmë të vështira për t’u plotësuar, transmeton albinfo.ch.

“Ne po kërkojmë kryesisht staf dyqanesh, punonjës për furrat e brendshme dhe në përpunimin e mishit dhe qumështit”.

Shqipëria ratifikon marrëveshjen me Poloninë për sigurimet shoqërore

Shqipëria ka ratifikuar marrëveshjen me Poloninë për sigurimet shoqërore, duke hapur rrugën për njohjen e viteve të punës dhe kontributeve të qytetarëve shqiptarë dhe polakë në të dy vendet, përcjell albinfo.ch.

Kjo marrëveshje pritet të sjellë më shumë siguri dhe të drejta të garantuara për qytetarët që jetojnë dhe punojnë mes Shqipërisë dhe Polonisë, duke lehtësuar proceset e pensioneve dhe përfitimeve sociale.

Sipas njoftimit, kjo është marrëveshja e 21-të e Shqipërisë me vendet ku ka diasporë shqiptare dhe e 10-ta me shtetet e Bashkimit Evropian.

Ky hap vlerësohet si një avancim i rëndësishëm në mbështetjen e diasporës shqiptare dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë./Albinfo.ch

Rinia shqiptare në Berlin organizon për herë të parë Albanian Film Festival

Një grup të rinjsh dhe të rejash shqiptare në Berlin, së bashku me të tjerë, kanë arritur që me vetëiniciativë dhe punë vullnetare të organizojnë për herë të parë Albanian Film Festival në Berlin, transmeton albinfo.ch. 

Qëllimi i këtij festivali ishte dhe mbetet promovimi i kulturës, fuqisë krijuese dhe kinematografisë shqiptare para një publiku ndërkombëtar, objektiv që sipas organizatorëve është arritur me sukses.

Ky angazhim u vlerësua si një shembull i fortë i organizimit dhe energjisë krijuese të diasporës shqiptare, e cila po kontribuon në promovimin e identitetit kulturor në skenën ndërkombëtare.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka theksuar se ky shpirt organizativ dhe kjo energji kreative pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen./Albinfo.ch 

Lea Ypi prezanton librin “Indignity” në LSE Library

Në Bibliotekën e London School of Economics (LSE Library) është mbajtur një pasdite e veçantë me profesoren dhe autoren Lea Ypi, e cila prezantoi librin e saj më të ri “Indignity”, përcjell albinfo.ch. 

Ypi ishte e ftuar nga rrethi letrar “Book Beavers” në kuadër të takimit “Meet the Author” (“Takohu me autorin”), ku u zhvillua një bisedë rreth temave dhe mesazheve që trajton vepra.

Diskutimi u moderua nga menaxherja e bibliotekës, Dafina Rama, dhe u karakterizua me një debat të gjallë e të thelluar akademik. Në sallën e mbushur plot, ku ishin të pranishëm edhe kolegë të LSE-së, pjesëmarrësit u angazhuan me pyetje dhe reflektime të shumta mbi librin./Albinfo.ch 

Siparantum Choir nga Kosova dhe ARTyn Choir nga Lituania në koncert të përbashkët në Pejë

Siparantum Choir nga Kosova dhe ARTyn Choir nga Lituania do të mbajnë një koncert të përbashkët më 2 maj 2026, në ora 20:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë, transmeton albinfo.ch.

Në koncert do të performojnë nën drejtimin e dirigjentëve Memli Kelmendi dhe Iveta Valickienė, si dhe dirigjentit të korit Dominykas Kazimieras Krulikovskis.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm ka uruar sukses këtij bashkëpunimi artistik, i cili vlerësohet se forcon lidhjet kulturore ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë.

Koncerti është i hapur për publikun dhe hyrja është falas./Albinfo.ch

 

“Defi i Syriganës” ekspozita e Petrit Halilajt sjell artin bashkëkohor me elemente folklorike shqiptare në Berlin

Në Berlin është prezantuar ekspozita e artistit Petrit Halilaj, e cila ka sjellë një koncept të veçantë artistik, duke ndërthurur artin bashkëkohor me elemente të folklorit dhe muzikës tradicionale shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita, e titulluar “Who does the earth belong to while painting the wind?!”, krijoi një atmosferë unike përmes melodive tradicionale dhe referencave kulturore, duke sjellë një reflektim mbi identitetin, emancipimin dhe rrugëtimin kolektiv ndër vite.

Në këtë projekt u përfshinë edhe këngë tradicionale, gojëdhëna dhe elemente folklorike, të cilat u shkrinë natyrshëm me artin modern, duke ofruar një përjetim të veçantë për publikun e artit dhe kulturës në Gjermani.

“Defi i Syriganës” u prezantua si pjesë e kësaj ekspozite, duke u bërë pjesë edhe e skenës artistike të Berlinit.

Ngjarja u mbështet edhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani./Albinfo.ch 

VIDEO

Liqeni i Ohrit renditet ndër vendet më të bukura në Evropë

Liqeni i Ohrit, i shtrirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është përzgjedhur nga gazetarët e udhëtimeve të “Time Out” si një nga vendet më të bukura në Evropë, duke u vlerësuar si një destinacion natyror ende i nënvlerësuar.

Në raport, Ohri krahasohet me destinacione të njohura si Liqeni i Komos në Itali, por theksohet se ofron një përvojë më të qetë dhe më të përballueshme, pa humbur bukurinë natyrore.

I konsideruar ndër liqenet më të vjetër dhe më të thellë në Evropë, Liqeni i Ohrit karakterizohet nga ujëra të kristalta, peizazhe malore dhe një trashëgimi të pasur historike.

Në anën e Maqedonisë së Veriut, qyteti i Ohrit mbetet qendra kryesore turistike, i njohur për rrugicat me kalldrëm dhe kishat e shumta mesjetare. Ndërsa në anën shqiptare, fshatra si Lini ofrojnë një përvojë më të qetë dhe autentike, me mozaikë të lashtë dhe natyrë piktoreske buzë liqenit.

Në listën e “Time Out” përfshihen edhe destinacione të tjera të njohura evropiane si fjordet norvegjeze, Kopshtet Kew në Londër dhe Casa Batlló në Barcelonë./Albinfo.ch

KQZ-ja në Kosovë hap afatet për listat zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit

Në Kosovë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur afatet për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve politike, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, nga 2 deri më 10 maj 2026, subjektet e reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë aplikimin për certifikim në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar. Ai ka sqaruar se, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces vlen vetëm për subjektet e reja politike.

Ndërkaq, KQZ ka caktuar periudhën nga 2 deri më 12 maj 2026 për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Ky afat 11-ditor vlen për të gjitha subjektet politike, përfshirë partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Dorëzimi i listave do të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedurat mbeten të njëjta me ato të zbatuara në zgjedhjet e fundit të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar./Albinfo.ch

Kërkohet 13-vjeçari Eduart Arifi në Radolfzell të Gjermanisë

Autoritetet në Radolfzell të Gjermanisë janë vënë në kërkim të 13-vjeçarit Eduart Arifi, i cili është raportuar i zhdukur që nga mëngjesi i sotëm në vendbanimin e tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas familjes, Eduarti është parë për herë të fundit në orët e para të ditës dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer në shtëpi. Ai vuan nga autizmi dhe ADHD, gjë që e bën situatën edhe më shqetësuese për familjarët dhe autoritetet.

Në momentin e zhdukjes, ai ka qenë i veshur me një xhaketë varsity me ngjyrë bardh e zi, me shkronjën “N”, si në fotografinë e shpërndarë nga familja.

Policia lokale në Radolfzell ka nisur kërkimet intensive në zonë, ndërsa familja u ka bërë apel qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion të mundshëm që mund të çojë në gjetjen e tij.

Për çdo informacion të dobishëm, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Radolfzell ose babain e tij në numrin: +49 178 2057076.

Familja kërkon ndihmën e publikut dhe lutet që çdo shikim apo informacion të raportohet menjëherë tek autoritetet./Albinfo.ch

Kori i Filharmonisë së Kosovës hap Festivalin “4 Tradita” në Kraków

Filharmonia e Krakówit ka ftuar audiencat në koncertet e edicionit të gjashtë të Festivalit “4 Tradita”, i cili po mbahet nga 30 prill deri më 10 maj 2026. Ky festival synon të prezantojë pasurinë e krijimtarisë artistike polake të frymëzuar nga traditat orientale, hebraike, ortodokse dhe latine, transmeton albinfo.ch. 

Festivali u hap mbrëmë me një performancë të veçantë të Ansamblit Vokal të Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi.

Ansambli solli një program të pasur muzikor, ku përfshiheshin edhe këngë tradicionale shqiptare, duke u bërë pjesë e atmosferës së festivalit që promovon trashëgiminë dhe diversitetin kulturor përmes muzikës./Albinfo.ch

Bebe Rexha shkëlqen në tapetin e kuq të “Billboard Women in Music 2026” në Los Angeles

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka qenë në qendër të vëmendjes në tapetin e kuq të eventit prestigjioz Billboard Women in Music 2026, i mbajtur më 29 prillHollywood Palladium në Los Angeles, transmeton albinfo.ch. 

Ngjarja, e organizuar nga Billboard, nderon gratë më me ndikim në industrinë muzikore dhe këtë vit u moderua nga Keke Palmer. Në mesin e të ftuarave dhe të vlerësuarave ishin edhe emra të njohur si Teyana Taylor, Zara Larsson, Kehlani, Tate McRae, Thalía dhe Laufey.

Në paraqitjen e saj, Rexha u dallua me një stil elegant dhe të guximshëm, duke zgjedhur një fustan të zi të ngushtë, të kombinuar me detaje pelushi në nuanca rozë-gri mbi supe. Ajo e kompletoi dukjen me çorape rrjete, taka elegante dhe aksesorë modernë, ndërsa flokët bionde në stil bob dhe grimi i theksuar i dhanë një pamje të fuqishme dhe karizmatike.

Pjesëmarrja e saj në këtë event vjen në një periudhë të rëndësishme të karrierës, pasi këngëtarja po përgatitet për publikimin e albumit të ri “Dirty Blonde”, që pritet të dalë më 12 qershor. Ndërkohë, ajo po shijon suksesin e këngës “New Religion”, në bashkëpunim me Faithless, e cila po pritet mirë nga publiku dhe po ngjitet në toplistat ndërkombëtare./Albinfo.ch 

 

“United FestivAlb” bashkon diasporën shqiptare në Nju-Jork

Në zemër të Nju-Jorkut, më 16 dhe 17 maj 2026, do të mbahet festivali “United FestivAlb”, një nga ngjarjet më të mëdha që synon të bashkojë diasporën shqiptare në Amerikën e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Me pjesëmarrjen e 23 artistëve shqiptarë dhe nën prezantimin e Alketa Vejsiut, festivali pritet të mbledhë mijëra shqiptarë nga shtete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanadaja, duke u shndërruar në një simbol të unitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.

Organizatorët theksojnë se “United FestivAlb” shkon përtej muzikës, duke synuar të lidhë brezat dhe të promovojë identitetin shqiptar në një skenë ndërkombëtare./Albinfo.ch

Violinistja Alda Dizdari mahnit publikun londinez në koncertin në “St. James Piccadilly”

Mbrëmjen e djeshme, në ambientin historik të kishës “St. James Piccadilly” në zemër të Londrës, u mbajt një koncert i nivelit të lartë nga London International Concert Orchestra (LICO), transmeton albinfo.ch.

Në qendër të këtij koncerti ishte violinistja shqiptare Alda Dizdari, e cila performoi si soliste dhe u prit me duartrokitje të shumta nga publiku i pranishëm.

Alda Dizdari, e shoqëruar nga LICO dhe nën drejtimin e dirigjentit Alexander Walker, interpretuan një program të pasur me vepra nga kompozitorët e njohur Dvorak, Sibelius dhe Tchaikovsky, duke krijuar një mbrëmje të veçantë artistike.

Ky koncert shënon rikthimin e Dizdarit në “St. James Piccadilly”, në kuadër të serisë së koncerteve në këtë vend, ndërsa ajo dhe dirigjenti Walker kanë bashkëpunuar në projekte të shumta, përfshirë edhe një incizim të publikuar në nëntor 2025 me muzikë të kompozitorit britanik Robin Holloway, realizuar me Orkestrën Kombëtare të BBC-së së Uellsit./Albinfo.ch

“Dy Emra / Two Names”, filmi nga Toronto që sfidon heshtjen mbi lirinë e gruas shqiptare

Nga rrugët e Torontos vjen filmi i shkurtër “Dy Emra / Two Names”, një rrëfim i fuqishëm që shkon përtej historisë së emigrimit dhe prek plagë të thella shoqërore, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të filmit është historia e një gruaje shqiptare në Kanada, e cila përballet me presionin e bashkëshortit për të abortuar. Përmes kësaj dileme, filmi trajton luftën e heshtur të një gruaje për të mbrojtur fëmijën dhe veten, duke vënë në pah konfliktin mes traditës, mbijetesës dhe lirisë personale.

“Dy Emra” guxon të prekë tema të ndjeshme si autonomia e gruas dhe identiteti interseks, duke sfiduar normat patriarkale dhe duke hapur debat mbi kufijtë e sakrificës dhe të drejtën për vendimmarrje.

Filmi është produksion i Action Production, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke krijuar një bashkëpunim mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kanadasë.

Projekti realizohet nga një ekip i njohur artistësh:

Regjia dhe skenari nga Florenc Papas, producente Gerta Qurku, drejtor fotografie Ilias Adamis, ndërsa në rolet kryesore shfaqen Rina Krasniqi dhe Afrim Muçaj.

Pavarësisht se ngjarja zhvillohet në emigrim, mesazhi i filmit është universal, duke shërbyer si thirrje për reflektim dhe dialog mbi të drejtat gjinore dhe integritetin njerëzor./Albinfo.ch

Njihuni me Flamur Ademin, talentin shqiptar që i bashkohet St. Gallen U15

Flamur Ademi, është përzgjedhur si pjesë e skuadrës së njohur zvicerane St. Gallen U15, pasi në një konkurrencë me rreth 200 fëmijë, ai u rendit në mesin e 22 futbollistëve më të talentuar, transmeton albinfo.ch.

Flamuri ka lindur më 21 dhjetor 2012 dhe futbollin e nisi që në moshën 6-vjeçare në Kreuzlingen. Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, ndërsa talenti i tij u dallua shpejt nga trajnerët, duke e çuar më pas në zhvillim profesional edhe në Burglen.

 

 

Me përkushtim dhe stërvitje intensive, përfshirë edhe punë shtesë me trajner të posaçëm, Flamuri tashmë ka arritur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Si çdo i ri, edhe ai ka ëndrra të mëdha: një ditë synon të vesh fanellën e klubeve si Bayern Munich dhe AC Milan, ndërsa idhujt e tij janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo./Albinfo.ch 

Mashtrim me investime në Shqipëri: Policia shkatërron rrjetin me qendra thirrjesh në Tiranë

Autoritetet në Shqipëri kanë shkatërruar një rrjet kriminal që operonte mashtrime të mëdha financiare përmes investimeve të rreme, duke përdorur edhe video të falsifikuara (deepfake) me politikanë, sportistë dhe gazetarë të njohur.

Sipas raportimeve, më 17 prill, policia ka kryer bastisje në tre qendra thirrjesh (call center) në kryeqytetin Tiranë, duke goditur një organizatë që dyshohet se ka mashtruar qytetarë në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, me një dëm që vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 891 mijë e 735 euro para të gatshme, 449 kompjuterë dhe 238 telefona mobilë, ndërsa 10 persona janë arrestuar.

Hetuesit bëjnë të ditur se rrjeti vepronte i organizuar si një kompani normale, me strukturë të plotë pune, duke përfshirë menaxherë, orare të ndërrimeve, departament të burimeve njerëzore, si dhe mbështetje teknike.

Sipas të dhënave, deri në 450 punonjës punonin në ekipe prej gjashtë deri në tetë personash dhe ishin të ndarë sipas gjuhëve të synuara, përfshirë gjermanishten, anglishten, italishten, greqishten dhe spanjishten. Punonjësit paguheshin rreth 800 euro në muaj, si dhe merrnin komision për çdo “kontratë” të realizuar.

Rrjeti, sipas hetimeve, i joshte viktimat përmes reklamave dhe videove të rreme të figurave publike, duke i shtyrë të investonin në platforma të dyshimta. Shumë viktima dyshohet se nuk e kanë raportuar rastin, gjë që mund të nënkuptojë se dëmi real është edhe më i madh se shifra e përmendur.

Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet po vazhdojnë dhe priten arrestime të tjera në lidhje me këtë rast./Albinfo.ch 

https://brnw.ch/21x257s

Zvicrës po i mbarojnë kombinimet e targave, Parlamenti kërkon lejimin e targave të personalizuara

Zvicra po përballet me një problem praktik: kombinimet e disponueshme për targat e automjeteve po shkojnë drejt përfundimit, çka ka shtyrë autoritetet të kërkojnë zgjidhje të reja, tranameton albinfo.ch. 

Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar ka shprehur mbështetje për lejimin e targave të personalizuara, duke miratuar një mocion që do t’u mundësonte qytetarëve të zgjedhin kombinime të veçanta për targat e tyre.

Mocioni është paraqitur nga deputeti Lorenzo Quadri dhe është miratuar me rezultat të ngushtë votash, 95 vota pro dhe 91 kundër.

Megjithatë, kjo nismë nuk mbështetet plotësisht nga Zyra Federale e Rrugëve (Bundesamt für Strassen), e cila ka paralajmëruar se lejimi i targave të personalizuara do të ishte një proces i kushtueshëm dhe kërkon organizim të ndërlikuar administrativ.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, vendimi i Këshillit Kombëtar tregon se autoritetet po e shohin këtë opsion si një zgjidhje të mundshme për mungesën e kombinimeve të reja të targave në Zvicër./Albinfo.ch 

Lucern: Gruaja gjendet në banesën e saj disa muaj pasi kishte vdekur

Një rast që ngre shumë pyetje. Një grua 61-vjeçare u gjet e vdekur në apartamentin e saj në fund të janarit. Vdekja e saj mbeti e pazbuluar për muaj të tërë, pavarësisht se kishte një kujdestar dhe vazhdonte “të merrte” pagesa, transmeton albinfo.ch.

Sipas gazetës, gruaja u zbulua vetëm pasi kujdestari i saj i ri nuk mundi ta kontaktonte. Ai më pas njoftoi policinë në konsultim me Autoritetin e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve (KESB). Policia e gjeti gruan të vdekur në apartamentin e saj, raporton “Luzerner Zeitung”.

Koha dhe shkaku i saktë i vdekjes janë ende të panjohura. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Cyrih po heton aktualisht. Raporti pritet brenda dy deri në tre javësh, tha zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik të Lucernës për gazetën.

Arsyeja pse askush nuk e zbuloi vdekjen e gruas më parë është pjesë e një hetimi të jashtëm nga një firmë avokatësh. Autoriteti i Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve (KESB) nisi hetimin në mesin e shkurtit në konsultim me Drejtoreshën e Shërbimeve Sociale Melanie Setz. Rezultatet priten këtë verë.

Setz e përshkruan atë si një rast veçanërisht të pazakontë. Megjithatë, ajo thotë se aktualisht nuk ka asnjë tregues për ndonjë sjellje të keqe nga stafi që do të justifikonte veprime nga personeli.

KESB mbikëqyr kujdestarinë e shërbimeve sociale. Sipas Presidentes së KESB, Angela Marfurt, këto mandate normalisht rishikohen çdo dy vjet. Vdekja e gruas dhe zbulimi i mëvonshëm ndodhën pikërisht brenda këtij afati kohor. Për shkak se nuk ishte planifikuar asnjë shqyrtim i rregullt gjatë kësaj periudhe, KESB gjithashtu nuk e vuri re vdekjen e saj.

Që nga pandemia, hendeku mes pagave gjithnjë në rritje

Hendeku në mes të pagave midis menaxherëve të lartë dhe punonjësve është zgjeruar ndjeshëm që nga pandemia COVID-19.

Ky është përfundimi i një analize të realizuar nga organizata e zhvillimit Oxfam dhe Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave, e publikuar në Ditën e Punës, 1 maj, shkruan srf.ch.

Analiza ka zbulur se pagat e drejtorëve ekzekutivë, të përllogaritur për paritetin e fuqisë blerëse, janë rritur me një mesatare prej 54 për qind midis viteve 2019 dhe 2025.

Por, gjatë së njëjtës periudhë, pagat reale për punonjësit kanë shënuar ulje me 12 për qind në të gjithë botën, trnsmeton albinfo.ch. Prandaj, Oxfam po bën thirrje për taksa më të larta për super të pasurit në nivel global.

Sipas Oxfam, analiza është mbështetur mbi vlerësimin që u ka bërë 1,500 kompanive me pagat më të larta në 33 vende.

Mundësi me rrënjë shqiptare, Naim Fejzaj kthehet në ring pas sulmit në tru

Naim Fejzaj është një emër i njohur në skenën e mundjes tradicionale zvicerane, sport që njihet  me emrin “Schwingen”. Përpos për sukseset e konsiderueshme që ka arritur në këtë disiplinë të “rezervuar” për zviceranët autoktonë, Naimi është bërë i njohur për faktin se ka thyer tabunë, që duke qenë me prejardhje të huaj ka zgjedhur këtë sport “kaq zviceran”, shkruan albinfo.ch.

Por, ka një kohë që nuk është raportuar asgjë për Naim Fejzajn, biri i një shqiptari ng Kosova dhe i një kroateje. Albinfo.ch pati bërë prezantimin e Nimit vite më parë, kur ai ishte në fillimet e sukseseve të tij sportive. Tani mësohet se ai kishte pësuar goditje në tru.

Pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, mundësi Naim Fejzaj është rikthyer në ringun e “miellit të sharrës” (materiali i “ringut” ku zhvillohet ky sport, v.j.). Kosovari është mirënjohës që është gjallë.

Të dielën, Naim Fejzaj (31 vjeç) u rikthye në garë në ringun. Dhe kjo pak më shumë se një vit pasi ai mund të kishte vdekur. “Ndjeva një mirënjohje të madhe që mund të luftoj dhe të jem ende gjallë. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjenjë”, shpjegoi ai të nesërmen, shkruan blick.

I riu me rrënjë kosovare dhe kroate, fitues i njëmbëdhjetë kurorave do ta shënojë datën 17 mars 2025, për pjesën tjetër të jetës së tij. Fejzaj po qëndronte përpara nënës së tij kur ajo papritmas shpërtheu në lot. “Nuk mund të flisja më. Gjithçka tingëllonte normale në kokën time, por vetëm fjalë pa kuptim më dilnin nga goja.”Besimi si Burim Force

Në të njëjtën kohë, Fejzaj humbi të gjitha ndjesitë në krahun e djathtë. “Ishte sikur të kishte vdekur.” Fejzaj e kuptoi se nuk mund të lexonte ose të shkruante më vetëm pasi shkoi në spital. Atje, ai mori diagnozën e një goditjeje në tru.

“Qava sepse kisha frikë se do të isha i varur nga kujdesi për pjesën tjetër të jetës sime.” Por kjo nuk ndodhi sepse Fejzaj nuk u dorëzua kurrë. Ai luftoi për t’u rikthyer, hap pas hapi, trnsmeton albinfo.ch.

Përveç familjes dhe miqve të tij, besimi i tij në Zot gjithashtu i dha mbështetje dhe energji gjatë kësaj kohe të vështirë. “Ndodhën gjëra që më bënë të kuptoja se është dikush tjetër atje jashtë,” shpjegon besimtari mysliman.

Falë mbështetjes nga të gjitha anët, Fejzaj bëri përparim të shpejtë. Ai tani është rikthyer plotësisht në formën e tij të vjetër. Pasi mori pjesë në disa festivale zvicerane të mundjes, ai më në fund ishte në gjendje të garonte vetë.

Në festivalin rajonal të mundjes Toggenburg në Degersheim, St. Gallen, pati padyshim një pritje të madhe. Mirënjohja e tij, e shoqëruar me një dozë entuziazmi, e shoqëroi gjatë gjithë ditës dhe dukej se e frymëzoi.

Fejzaj la një përshtypje të fortë të parë që në fillim. Ai fitoi çuditërisht kundër Pascal Heierli, një kampion rajonal. Ishte e para nga gjithsej pesë fitoreve. Humbja e tij e vetme erdhi kundër fituesit përfundimtar, Werner Schlegel.

Fejzaj e përfundoi festivalin duke zënë një vend të tretë sensacional. “Jam më shumë se i kënaqur me performancën time. Nuk do ta kisha ëndërruar kurrë një rezultat të tillë.” “Falënderoj të gjithë ata që më qëndruan pranë dhe më mbështetën gjatë kësaj kohe të vështirë.”

“Jam kthyer. Por ky është vetëm fillimi.” Qëllimi i tij i madh është ESAF 2028 në Thun. Megjithatë, ai nuk dëshiron të shohë shumë larg përpara.

Që nga viti i kaluar, Fejzaj ka filluar ta vlerësojë çdo moment të vetëm të jetës.

Zvicër: Shitjet me pakicë, në rënie

Shitjet me pakicë në Zvicër kanë shënuar një rënie të vogël në muajin mars krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Të përllogaritura për shitjet dhe efektet e festave, shitjet kanë rënë me 0.1 për qind nominalisht në mars të këtij viti, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, në terma realë, kjo ka rezultuar në një rritje prej 0.5 për qind, siç njoftoi të premten Zyra Federale e Statistikave (BFS) bazuar në shifra të përkohshme.

Statistikat e shitjeve me pakicë sipas BFS-së bazohen në një mostër të rastësishme prej afërsisht 3,000 kompanish.

Anketa kryhet çdo muaj, ku kompanitë më të vogla pyeten për shifrat e tyre mujore të shitjeve çdo tremujor.

Aferë dashurie midis dy gjyqtarëve federalë

Një gjykatëse federale dhe një gjykatës federal dyshohet se kanë qenë në një marrëdhënie romantike mes vete. Dhe, kjo mund të ketë qenë e paligjshme.

Gjykata Supreme Federale konfirmoi se dy gjykatësit kishin një marrëdhënie për një periudhë të caktuar kohore deri vonë, transmeton albinfo.ch. Mbetet e paqartë nëse ata e kanë shkelur ligjin, shkruan revista “Weltwoche”.

Akti i Gjykatës Supreme Federale përcakton që dy gjykatës federalë nuk mund të jetojnë së bashku në një partneritet të përhershëm. Edhe nëse ata kanë shkelur një ligj, ata nuk mund të ndëshkohen në kohën sa shërbejnë në detyrë, pasi baza ligjore për një veprim të tillë aktualisht mungon.

Një mocion për këtë çështje është në pritje në Parlament.

Gjykata Supreme Federale do të ndryshojërRregullat

Në lidhje me marrëdhënien e supozuar romantike midis dy anëtarëve të saj, Gjykata Supreme Federale tani ka lëshuar një deklaratë. Ajo synon ta përdorë çështjen si një mundësi për të shqyrtuar pyetjet që rezultojnë në thellësi më të madhe, deklaroi gjykata.

Rregullat e saj në lidhje me marrëdhëniet midis anëtarëve të gjykatës do të ndryshohen, transmeton albinfo.ch. Gjykata Federale shkruan më tej se, sipas deklaratave të tyre, dy gjyqtarët e përfshirë e filluan marrëdhënien e tyre vetëm pas përfundimit të mandatit të tyre në Komisionin Administrativ dhe e kishin përfunduar atë para publikimit të artikullit në “Weltwoche” që e bëri çështjen publike.