“Jemi lodhë, Parlament, Qeveri, të kujt jeni?” – protestë e punëtorëve të sektorit privat në Prishtinë

Në Prishtinë po zhvillohet protestë e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, përcjell albinfo.ch.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për kushtet e punës dhe mungesën e sigurisë në vendet e punës.

Me pankarta në duar, ata kanë dërguar mesazhe të drejtpërdrejta drejtuar institucioneve, përfshirë edhe thirrjen: “Jemi lodhë, Parlament, Qeveri, të kujt jeni?”, si dhe kërkesa për më shumë mbrojtje në punë.

Protesta është paralajmëruar të vazhdojë me marshim drejt sheshit “Skënderbeu”, ku pritet të artikulohen edhe kërkesat kryesore të sindikatës lidhur me përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë për punëtorët e sektorit privat./Albinfo.ch

Rihapet lëvizja e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ka hyrë këtë të premte në fuqi sërish marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë dhe më të lehtësuar të qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Marrëveshja do të jetë aktive deri në muajin tetor, ndërsa parashikohet të ripërtërihet edhe gjatë muajve dhjetor dhe janar, si dhe në fundjavë, në varësi të fluksit të lëvizjeve.

Ajo synon të shmangë pritjet e gjata në kufi dhe të lehtësojë procedurat e kalimit, duke mundësuar kalim pa kontrolle të detajuara të dokumenteve identifikuese, përveç rasteve kur ka dyshime të veçanta nga autoritetet kufitare.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë mëngjesit të sotëm rreth 15 mijë shtetas kanë hyrë në territorin e Shqipërisë, ku pjesa më e madhe janë qytetarë nga Kosova.

Për të përballuar fluksin, në pikën kufitare të Morinës janë vënë në funksion 11 sportele, duke mundësuar zbatimin e marrëveshjes pa pengesa.

Burime nga kjo pikë kufitare bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar rreth 37 mijë qytetarë, prej të cilëve 25 mijë kanë hyrë në Shqipëri, duke reflektuar një rritje të dukshme të lëvizjes mes dy vendeve./Albinfo.ch

Milani ia beson Ardon Jasharit mesfushën pas lëndimit të Modriqit

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari pritet të marrë rol kyç te Milani në fundin e këtij sezoni, pas lëndimit të rëndë të Luka Modriqit, transmeton albinfo.ch. 

Mesfushori 40-vjeçar pësoi frakturë të dyfishtë të mollëzës në barazimin pa gola ndaj Juventusit, të dielën mbrëma, duke e lënë Milanin pa një nga figurat kryesore në repartin e mesfushës.

Sipas “milanpress.it”, Jashari pritet të marrë përgjegjësi të madhe në katër ndeshjet e mbetura, ku do të ketë mundësinë të fitojë besimin e trajnerit Massimiliano Allegri.

“Pas lëndimit të Modriqit, Jashari ka katër ndeshje të mbetura për të fituar besimin e trajnerit Allegri”, shkruan mediumi italian.

Edhe media të tjera në Itali kanë raportuar se 23-vjeçari është favorit për të startuar si titullar te Milani në ndeshjet e fundit të edicionit aktual, në një periudhë ku klubi po lufton për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Jashari iu bashkua Milanit verën e kaluar nga Club Brugge për shumën prej 35 milionë euro, por në sezonin e tij të parë ka pasur hapësirë të kufizuar, edhe për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë fushave për një periudhë.

Deri më tani, ai ka zhvilluar 14 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion./Albinfo.ch 

Kosovë: Protestohet për 1 Maj, 10 të vdekur në vende pune sivjet

Sot në Kosovë shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, një ditë që tradicionalisht lidhet me kërkesat për kushte më të mira pune dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka paralajmëruar protestë, duke ngritur shqetësime për gjendjen e sigurisë në vendet e punës. Sipas të dhënave të përmendura nga sindikatat, deri më tani këtë vit 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.

Ndërkohë, më 13 prill, ministri për Punë, Andin Hoti, ka marrë vendim për një aksion të jashtëzakonshëm inspektimesh në vendpunishte, me qëllim rritjen e kontrollit mbi kushtet e sigurisë në punë. Si rezultat i këtyre kontrolleve, në 17 vendpunishte janë ndalur punimet me vendim të Inspektoratit Qendror të Punës.

Megjithatë, sipas të dhënave të deritanishme, në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës janë shqiptuar kryesisht dënime minimale, kryesisht në formë gjobash.

Bazuar në aktgjykime të publikuara nga Këshilli Gjyqësor, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, gjykatat kanë shqiptuar kryesisht gjoba, ndonëse Kodi Penal parasheh dënime deri në 10 vjet burgim në rastet me pasoja të rënda trupore, pa alternativë gjobe.

Kjo situatë ka rikthyer debatin për sigurinë në punë dhe zbatimin e ligjit në sektorin e punës në Kosovë./Albinfo.ch

Historia e 1 Majit në botë dhe Zvicër

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, një datë që simbolizon luftën historike të punëtorëve për të drejtat, liritë dhe kushte më të mira të punës dhe jetesës, përcjell albinfo.ch.

Kjo ditë lidhet me kërkesat e para të organizuara të punëtorëve, të cilat janë regjistruar në Australi në vitin 1885, me sloganin: “8 orë punë, 8 orë dëfrim dhe 8 orë gjumë”.

Megjithatë, 1 Maji lidhet më së shumti me protestat masive dhe të përgjakshme të punëtorëve në Çikago të Shteteve të Bashkuara në vitin 1886, të cilat shënuan një pikë kthese në historinë e lëvizjes punëtore. Një vit më vonë, më 1 maj 1887, në të njëjtin qytet u mbajt një manifestim edhe më i madh, duke e forcuar më tej këtë lëvizje.

Këto ngjarje u bënë bazë për përhapjen e lëvizjes sindikaliste në mbarë botën, e cila synonte përmirësimin e pozitës socio-ekonomike të punëtorëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji nisi të marrë formë si ditë proteste dhe organizimi përmes Internacionales së Parë në Gjenevë. Më pas, në vitin 1890, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë në Paris vendosi që 1 Maji të shpallet zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Një vit më vonë, në Kongresin e tretë të mbajtur në Bruksel, u vendos që kjo ditë të kremtohet në mënyrë të përhershme në të gjitha vendet, si një simbol i luftës për të drejtat e punëtorëve, duke përfshirë kërkesat për paga të drejta, pushim ditor, javor e vjetor dhe kushte më të mira pune./Albinfo.ch

Shaqiri starton sot ndaj Thunit pas lëndimit

U mendua se sezoni kishte përfunduar për Xherdan Shaqirin pas lëndimit në muskul, por rikthimi i tij mund të ndodhë më herët se sa pritej, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediumit zviceran “4-4-2”, 34-vjeçari mund të paraqitet në ndeshjen e së shtunës kundër Thunit, e cila zhvillohet në stadiumin St. Jakob-Park.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Shaqiri është përshkruar si “i dyshimtë”, e jo “jashtë loje”, çka lë të hapur mundësinë që ai të jetë pjesë e skuadrës së Baselit.

Baseli ka nevojë për rikthimin e liderit të ekipit, sidomos pas paraqitjes së dobët në humbjen ndaj Sionit. Vendimi përfundimtar pritet të merret të shtunën në mbrëmje, kur do të mësohet nëse Shaqiri do të jetë në fushë.

Ndërkohë, Thuni ka mundësinë që me një fitore ndaj kampionit në fuqi të sigurojë titullin e kampionit.

Te skuadra e Thunit aktivizohen edhe dy futbollistë kosovarë: Valmir Matoshi dhe Kastriot Imeri./Albinfo.ch

Dy vlerësime të rëndësishme për poeten Irma Kurti në Zvicër

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti është nderuar me dy vlerësime të rëndësishme në Lugano të Zvicrës, duke konfirmuar edhe një herë rolin e saj të spikatur në fushën e letërsisë dhe kulturës, transmeton albinfo.ch. 

Ajo është emëruar “Akademike Nderi” nga Universum Academy, si vlerësim për angazhimin e saj në veprimtari kulturore, sociale dhe humanitare. Motivacioni i këtij vlerësimi thekson kontributin e saj në promovimin e vlerave të dashurisë, solidaritetit dhe vëllazërisë mes njerëzve, në përputhje me idealet e këtij institucioni.

 

 

Ndërkohë, Irma Kurti ka marrë edhe një tjetër sukses, duke fituar çmimin e tretë në edicionin e gjashtë të Konkursit Ndërkombëtar Letrar “Veritatis Splendor”, i organizuar nga Akademia Ndërkombëtare Universum nën patronazhin e Universitetit Ndërkombëtar të Paqes, Federatës së Shoqatave Kulturore Evropiane dhe Korpusit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Paqen.

 

 

Çmimi i është ndarë për librin me poezi “L’alba tinge tutto di luce” (Agimi lyen çdo gjë me dritë), një përmbledhje e pasuruar edhe me imazhe të fotografit italian Biagio Fortini. Libri është botuar nga Youcanprint, në edicion nën kujdesin e ImagineArte nga Maria Grazia Vai.

Universum Academy është një shoqatë kulturore e themeluar në kantonin Ticino të Zvicrës në vitin 1990, me departamente në shumë vende të botës. Ajo njihet për organizimin e konkurseve prestigjioze letrare, ekspozitave të artit dhe mbrëmjeve kulturore me autorë zviceranë dhe ndërkombëtarë. President i saj është Dr. Valerio Giovanni Ruberto./Albinfo.ch

30-vjeçari shqiptar ndërron jetë në Gjermani në vendin e punës

Një 30-vjeçar shqiptar nga Podujeva, i identifikuar me inicialet G.T., ka ndërruar jetë në Hanover të Gjermanisë,  në vendin ku ishte i angazhuar në punë, shkrun albinfo.ch.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga autoritetet gjermane, përfshirë policinë dhe organet shëndetësore, të cilat kanë bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar zyrtarisht.

Ndërkohë, rrethanat që çuan në vdekjen e të riut ende nuk janë bërë të ditura, pasi hetimet janë në zhvillim nga prokuroria dhe policia gjermane.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave hetimore./Albinfo.ch

Fjolla Zhubi mbron doktoraturën në Semmelweis University në Budapest

Një arritje e rëndësishme në fushën e shkencave mjekësore vjen nga Dr. Fjolla Zhubi, e cila ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës (PhD) në universitetin prestigjioz Semmelweis University në Budapest, transmeton albinfo.ch.

 

 

Mbrojtja publike e doktoraturës konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha në rrugëtimin e saj profesional, krahas specializimit në Mjekësi Interne dhe Kardiologji. Ky proces akademik, i cili nisi në vitin 2020, është shoqëruar me angazhim të lartë, punë kërkimore intensive dhe sfida të shumta.

Dr. Zhubi ka theksuar rëndësinë e mentorëve të saj, Attila Kovács dhe Alexandra Fábián, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen profesionale dhe udhëzimin e vazhdueshëm gjatë gjithë procesit të doktoraturës.

 

 

Ajo ka shprehur mirënjohje edhe ndaj institucionit ku kreu studimet, duke vlerësuar Semmelweis University si një universitet me standarde të larta akademike dhe mundësi të mëdha zhvillimi.

Po ashtu, Dr. Zhubi ka falënderuar familjen e saj për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm gjatë këtij rrugëtimi.

Ndryshe, Dr. Fjolla Zhubi vjen nga një familje e njohur në Mitrovicë, duke qenë vajza e mjekes Luljeta Zhubi dhe profesorit e trajnerit Nexhat Zhubi./Albinfo.ch

 

Zvicër: Rritje e madhe e vjedhjes së identitetit online

Vjedhja e identitetit online është rritur ndjeshëm në Zvicër, duke u kthyer në një nga format më shqetësuese të krimit kibernetik. Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë rritur nga 478 në vitin 2023 në 8,102 raste vetëm dy vjet më vonë.

Autoritetet thonë se mashtruesit përdorin të dhëna të vjedhura dhe dokumente të falsifikuara për të kryer blerje, kontrata dhe kredi në emër të viktimave, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Raste konkrete nga kantone të ndryshme tregojnë dëme që shkojnë deri në dhjetëra mijëra franga, përfshirë faturime të rreme, makina me qira të marra me identitet të rremë dhe borxhe për shërbime të pakërkuara. Edhe rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë për mashtrime, përfshirë krijimin e profileve të rreme me inteligjencë artificiale.

Policia zvicerane vlerëson se vetëm rreth 20% e rasteve të krimit kibernetik zgjidhen, por thekson rëndësinë e denoncimit, pasi kjo ndihmon në hetime dhe parandalim.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se të dhënat personale po tregtohen në “dark web”, ku dokumente si pasaportat zvicerane arrijnë vlera të larta.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të forcojnë sigurinë digjitale, duke përdorur fjalëkalime të forta, verifikim me dy hapa dhe kujdes në ndarjen e të dhënave personale online.

A po i vë në shënjestër administrata Trump “Migros” dhe “Coop”?

Një artikull i publikuar së fundmi nga Tages-Anzeiger ngriti pretendimin se administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump po synon zinxhirët zviceranë të shitjes me pakicë, Migros dhe Coop. Ky pohim bazohet në një raport të ri të Departamentit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara mbi barrierat globale tregtare.

Gazetari ekonomik i SRF-së, Damian Rast, ka analizuar raportin e titulluar “Foreign Trade Barriers Report”, duke nxjerrë në pah pikat kryesore.

Si përmenden Migros dhe Coop?

Raporti nuk i përmend drejtpërdrejt Migros dhe Coop, as nuk i akuzon në mënyrë të qartë. Megjithatë, ai i referohet dominimit të dy shitësve kryesorë në Zvicër—një aludim i qartë për këto dy kompani.

Ky dominim paraqitet si një nga faktorët që vështirëson hyrjen e furnizuesve të huaj në tregun zviceran.

Pse ky dominim shihet si problematik nga SHBA?

Raporti, i cili përmban mbi 500 faqe, i kushton vetëm një fjali kësaj çështjeje, duke lënë hapësirë për interpretim. Sipas këtij interpretimi, SHBA beson se Migros dhe Coop mund të përdorin fuqinë e tyre në treg për të kufizuar qasjen e produkteve amerikane në Zvicër.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes lidhet me sektorin e bujqësisë: prodhuesit amerikanë, përfshirë edhe ata të produkteve organike, përballen me kufizime në hyrjen në treg. Kjo kritikë nuk është e re, pasi bujqësia ka qenë prej kohësh një temë e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka ndikuar në dështimin e një marrëveshjeje për tregti të lirë gjatë dy dekadave të fundit.

Si funksionojnë tarifat doganore në Zvicër?

Disa produkte mund të importohen lirshëm, pasi nuk prodhohen ose prodhohen shumë pak në Zvicër—si specat, fiqtë apo qiqrat.

Ndërsa për produkte të tjera, si frutat dhe perimet sezonale (p.sh. luleshtrydhet), zbatohet një sistem kompleks kuotash. Ky sistem synon të mbrojë bujqësinë vendase, duke garantuar njëkohësisht furnizimin e tregut.

Në praktikë, kjo nënkupton se në periudha të caktuara prodhuesit e huaj nuk mund të eksportojnë në Zvicër, për shkak të tarifave të larta doganore.

A janë të justifikuara kritikat ndaj proteksionizmit zviceran?

Nga këndvështrimi amerikan, këto kritika janë pjesërisht të kuptueshme, pasi SHBA dhe vende të tjera kërkojnë akses më të madh në tregun zviceran. Megjithatë, hapësira e manovrimit për Zvicrën mbetet e kufizuar.

Ky proteksionizëm pasqyron vullnetin e qytetarëve: shumica e popullsisë dëshiron të ruajë bujqësinë vendase dhe të sigurojë një nivel të caktuar vetë-mjaftueshmërie.

Gjithashtu, ekziston një besim i fortë tek produktet zvicerane, për të cilat konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë, si përmes çmimeve më të larta ashtu edhe përmes mbështetjes publike për bujqësinë.

Reagimet e Migros dhe Coop

Të kontaktuara nga SRF, të dy kompanitë kanë hedhur poshtë kritikat e raportit amerikan.

Migros thekson se sektori i shitjes me pakicë në Zvicër është “më konkurrues se kurrë” dhe se rreth 80% e produkteve ushqimore që ofron vijnë nga prodhimi vendas, në përputhje me kërkesën e konsumatorëve. Sipas saj, standardet organike zbatohen njësoj për të gjithë furnizuesit.

Edhe Coop nënvizon konkurrencën e fortë në tregun zviceran dhe rëndësinë që klientët i kushtojnë origjinës vendase të produkteve.

Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Së shpejti lajme të mira

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë “lajme të mira” pas një takimi që ka zhvilluar me ish-presidenten Vjosa Osmani në mbrëmjen e së enjtes.

Ai e ka quajtur takimin një “darkë mes miqsh”, duke theksuar se nuk është hera e parë që diskutojnë për bashkëpunim politik.

Në takim, sipas raportimeve, kanë qenë të pranishëm edhe disa figura të afërta politike, ndërsa vetë Osmani ka shmangur deklaratat, duke e përshkruar takimin si një kafe mes miqsh.

Iniciativa për demokracinë drejt dështimit në Zvicër

Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, propozimi synon që kompetencat për dhënien e shtetësisë të kalojnë nga kantonet dhe komunat në nivel federal, si dhe të lehtësojë procedurat për marrjen e shtetësisë, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa parasheh që të huajt të mund të fitojnë shtetësinë zvicerane pas vetëm 5 vitesh qëndrimi të ligjshëm, nëse plotësojnë disa kushte bazë, si njohja e një gjuhe kombëtare dhe mungesa e dënimeve të rënda.

Megjithatë, kjo ide po has në rezistencë të madhe politike. Partitë kryesore të qendrës dhe të djathtës kanë krijuar një front të përbashkët kundër saj, duke argumentuar se:

do të cenonte sistemin federal të Zvicrës,

do të dobësonte kriteret e integrimit,

dhe mund të çonte në dhënie më të lehtë të shtetësisë.

Edhe Këshilli Federal dhe një komision parlamentar kanë rekomanduar refuzimin e iniciativës, duke theksuar se ndryshimet e propozuara do të ndryshonin ndjeshëm balancën e kompetencave në vend.

Debati në parlament është intensiv, me dhjetëra deputetë që kanë kërkuar fjalën, por sinjalet aktuale tregojnë qartë se iniciativa ka pak gjasa të kalojë.

Nëse refuzohet, kjo do të konfirmojë edhe një herë qasjen e kujdesshme të Zvicrës ndaj çështjeve të shtetësisë dhe integrimit, ku procesi konsiderohet si rezultat i integrimit të suksesshëm dhe jo si një e drejtë automatike.

Bëhu pjesë e elitës akademike të inxhinierisë shqiptare në Zvicër, apliko tani!

Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës, Albanian Engineering of Switzerland tashmë për herë të dytë ndan Çmimin për Përsosmëri Akademike në Zvicër

Ke një temë diplome (Bachelor, Master apo PhD), një projekt inovativ apo punim kërkimor me ndikim?

Gara për Çmimi për Përsosmëri Akademike nga Albanian Engineering of Switzerland (AES) është tashmë e hapur për aplikime!

Një mundësi e shkëlqyer për të marrë vlerësim zyrtar, për të rrjetëzuar me profesionistë shqiptarë në Zvicër dhe për të fituar deri në 3’000 franga!

Pse është shumë me rëndësi të aplikoni për këtë çmim?

Deri në 3’000f franga për temën më të mirë

Vlerësim nga Albanian Engineering of Switzerland

Mundësi rrjetëzimi me profesionistë shqiptarë në Zvicër

Jeni studente apo student shqiptare në Zvicër me një temë diplome që ia vlen të vlerësohet? Apliko tani dhe fito deri në 3’000 franga!

Afati: 31 korrik 2026.

Donatori i çmimit “AES Award 2026” është kompania Halili + Partner Ingenieure.

Linku: APLIKO TANI

 Për herë të parë Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë AES,  ka ndarë vitin e kaluar çmimin “Academic Excellence Award”, që shkoi për Advije Rizvanin. Ajo u vlerësua për kërkimet e saj shkencore në fushën e sigurisë kibernetike në tregjet financiare – punë me ndikim të madh potencial në mbrojtjen e ekonomisë dhe shoqërisë.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Boom teknologjik në Kosovë: Si po e mban IT-ja rininë në vend dhe po ndryshon ekonominë

Bloomberg i ka kushtuar një artikull zhvillimit të sektorit të teknologjisë në Kosovë, duke theksuar se ky sektor po ndikon ndjeshëm në uljen e papunësisë tek të rinjtë dhe në frenimin e largimit të tyre nga vendi.

Në Prishtinë, nga Qendra e Inovacionit në Kosovë, përfaqësues të industrisë së IT-së tregojnë se qyteti ka ndryshuar dukshëm vitet e fundit, me ndërtesa moderne ku po zhvillohen kompani të shumta teknologjike, përfshirë edhe startup-e që synojnë tregun ndërkombëtar.

Sipas tyre, zhvillimi i teknologjisë nuk ka sjellë vetëm transformim urban, por edhe ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, duke ulur ndjeshëm papunësinë e të rinjve – një nga problemet kryesore pas luftës. Papunësia e kësaj grupmoshe ka rënë nga rreth 61% në vitin 2014 në afërsisht 10% në vitin 2025.

Rritja e punës online gjatë pandemisë ka përshpejtuar më tej këtë trend, duke krijuar më shumë mundësi për punësim në sektorin e IT-së. Aktualisht, mijëra persona janë të angazhuar në kompani teknologjike në Kosovë, ku pagat janë dukshëm më të larta se mesatarja kombëtare.

Megjithatë, vendi ende nuk ka arritur të tërheqë gjigantë globalë të teknologjisë, ndërsa zhvillimi mbetet i mbështetur kryesisht nga kompani vendore dhe diaspora.

Një rol të rëndësishëm në rritjen e sektorit kanë luajtur edhe investimet ndërkombëtare, si dhe qendrat e inovacionit që kanë trajnuar mijëra të rinj dhe kanë ndihmuar në krijimin e qindra startup-eve.

Pavarësisht progresit, sfida mbeten në arsim, aftësim profesional dhe infrastrukturë. Ekspertët theksojnë se kompanitë shpesh detyrohen të trajnojnë vetë punonjësit për shkak të mungesës së aftësive të kërkuara në treg.

Autoritetet dhe përfaqësuesit e industrisë besojnë se me investime më të mëdha dhe reforma, Kosova mund të forcojë edhe më shumë pozicionin e saj si qendër rajonale e teknologjisë dhe inovacionit

Ekonomia zvicerane jep sinjale pozitive, por perspektiva mbetet e dobët

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti KOF në Cyrih, barometri ekonomik është rritur në muajin prill 2026, duke reflektuar një përmirësim të moderuar të pritjeve në sektorë të caktuar, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, pavarësisht këtij rikuperimi, treguesi mbetet nën mesataren afatgjatë, çka tregon se ekonomia zvicerane ende nuk është rikthyer plotësisht në një ritëm të fortë rritjeje.

Barometri KOF, i cili mat pritjet për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, kishte rënë ndjeshëm në mars, duke reflektuar një ngadalësim të përgjithshëm në industri dhe kërkesë të jashtme.

Rritja e fundit lidhet kryesisht me:

përmirësime në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve

stabilizim të konsumit privat

sinjale më pozitive në disa industri

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sfidat mbeten:

kërkesa e jashtme vazhdon të jetë e dobët

pasiguritë globale dhe tensionet ekonomike ndikojnë në eksportet

disa sektorë kyç ende janë nën presion

Barometri KOF është një tregues kyç që përdor mbi 300 variabla ekonomikë për të parashikuar zhvillimet e ardhshme, duke ofruar një pamje të hershme të ciklit ekonomik në Zvicër.

Në përfundim, edhe pse ka shenja përmirësimi, ekonomia zvicerane pritet të ecë me ritëm të ngadaltë në muajt në vijim, duke reflektuar një klimë ende të kujdesshme në tregjet ndërkombëtare.

Të rinjtë përdorin e-cigaret po aq sa cigaret tradicionale

Një studim i ri i organizatës Addiction Switzerland tregon se konsumi i nikotinës në Zvicër mbetet i lartë edhe në vitin 2025, ndërsa vihet re një rritje e përdorimit të e-cigaretave tek të rinjtë.

Sipas studimit, rreth 23% e popullsisë mbi 15 vjeç përdor të paktën një herë në muaj një produkt me duhan ose nikotinë. Ndërsa rreth 16% i konsumojnë ato çdo ditë. Këto shifra kanë mbetur të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit, thekson organizata.

Cigaret tradicionale vazhdojnë të jenë produkti më i përdorur në mesin e përdoruesve të duhanit dhe nikotinës. Megjithatë, studimi vë në pah një ndryshim të dukshëm tek të rinjtë e moshës 15–17 vjeç: përdorimi mujor i e-cigaretave (8.4%) është pothuajse i njëjtë me atë të cigareve tradicionale (6.8%).

Rritje e përdorimit të shumëfishtë

Studimi tregon gjithashtu një rritje të përdorimit të disa produkteve njëkohësisht. Mbi 25% e konsumatorëve mujorë përdorin më shumë se një produkt nikotine, nga rreth 22% sa ishte në vitin 2023.

Hulumtimi “Health & Lifestyle 2025” është realizuar nga Zyra Federale e Statistikave të Zvicrës (FSO), me porosi të Fondit për Parandalimin e Duhanit (TPF), dhe është analizuar nga Addiction Switzerland. Në studim janë intervistuar 5,818 persona mbi 15 vjeç gjatë periudhës prill–qershor 2025.

Balfin Real Estate pjesë e Kosova Finance Forum: Çfarë po ndryshon realisht në tregun e pronave në rajon?

 Balfin Real Estate ishte pjesë e edicionit të dytë të Kosova Finance Forum, një platformë e rëndësishme rajonale për diskutimin e zhvillimeve ekonomike dhe trendeve të investimeve. Forumi mblodhi përfaqësues të lartë nga sektori publik, privat dhe  institucionet financiare të Rajonit dhe Europës, duke u kthyer në një hapësirë kyçe për diskutimin e zhvillimeve ekonomike dhe investimeve në rajon.

Në kuadër të panelit “Real Estate Investment Trends in the Western Balkans”, CEO e Balfin Real Estate, Ledia Telhai, theksoi se ecuria e sektorit të pasurive të paluajtshme reflekton stabilitetin ekonomik dhe aftësitë e vendeve për të tërhequr investime afatgjata. Ajo nënvizoi se sipas studimeve të PwC, CBRE, Colliers dhe Knight Frank, tregu global po hyn në një fazë më pozitive, por investitorët po tregohen më selektivë, duke u fokusuar në lokacione, zhvillues të besueshëm dhe projekte me vlerë të qëndrueshme.

Sipas Balfin Real Estate, trendet kryesore përfshijnë rritjen e projekteve të lidhura me turizmin, zhvillimet mixed-use dhe destinacionet lifestyle, ndërsa qëndrueshmëria është kthyer në një kriter thelbësor për investitorët me fokus në “emerging market”. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor po tërheq vëmendje në rritje falë çmimeve konkurruese dhe përmirësimit të infrastrukturës.

Balfin Real Estate theksoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë si një nga tregjet më dinamike në rajon, ku rritja e turizmit, përmirësimi i aksesit dhe interesi i investitorëve po nxisin kërkesën, veçanërisht në zonat bregdetare.

Në këtë panoramë, BRE prezantoi projektet e portofolit të saj, të cilat kanë arritur sukses falë konceptimit dhe ndërtimit në përputhje me trendet aktuale dhe kërkesat e tregut. Projekte si Green Coast, Vlora Marina, Valamar Tale dhe New Apollonia u paraqitën si shembuj që reflektojnë zhvillimet më të fundit në turizëm, krijimin e komuniteteve të integruara dhe në qëndrueshmëri.

Green Coast mbetet ndër projektet më të kërkuara, falë kombinimit të një lokacioni strategjik me standarde të larta zhvillimi, ndërsa Vlora Marina pritet të transformojë ndjeshëm ofertën turistike të qytetit të Vlorës. Në të njëjtën linjë zhvillimi po ecën edhe projekti Valamar Tale, i cili përfaqëson një tjetër shembull të investimeve të orientuara drejt turizmit cilësor dhe përvojave të integruara, tashmë edhe në veri të vendit.

CEO e Balfin Real Estate, Ledia Telhai, theksoi se një nga elementët që e diferencon kompaninë është shtrirja e saj ndërkombëtare, me prezencë përmes zyrave në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Zvicër, SHBA dhe bashkëpuntorëve në mbi 18 tregje. Sipas saj, kjo prani i mundëson kompanisë të tërheqë interes më të gjerë nga blerës ndërkombëtarë dhe të kuptojë më mirë nevojat e tregjeve të ndryshme, duke e pozicionuar ndryshe nga operatorët që veprojnë vetëm në nivel lokal.

Telhai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një faktor kyç për rritjen e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ajo u shpreh se e ardhmja e rajonit nuk varet vetëm nga zhvillimi individual i vendeve, por edhe nga aftësia për të bashkëpunuar, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të promovuar Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët për investime afatgjata.

Pjesëmarrja në Kosova Finance Forum konfirmon edhe njëherë rolin e Balfin Real Estate si një aktor i rëndësishëm në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme dhe në orientimin e investimeve në rajon, duke kontribuar në ndërtimin e një vizioni të qëndrueshëm dhe konkurrues për të ardhmen.

albinfo.ch
albinfo.ch

 

 

 

Çfarë duhet të dini për aplikacionin e ri të BE-së për verifikimin e moshës që synon mbrojtjen e fëmijëve online

Evropianët së shpejti do të kenë mundësi të përdorin një aplikacion të ri për të vërtetuar moshën e tyre gjatë përdorimit të platformave online, si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Bashkimit Evropian për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Komisioni Evropian njoftoi se aplikacioni për verifikimin e moshës është gati për t’u shpërndarë në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Sipas këtij institucioni, aplikacioni do të jetë falas, anonim dhe i disponueshëm në çdo pajisje.

Ky mjet synon të mbrojë fëmijët nga materiale të papërshtatshme ose të paligjshme, si dhe nga rreziqe të tilla si manipulimi online (grooming), bullizmi kibernetik dhe dizajni i platformave që nxisin varësi.

Në një kohë kur disa shtete evropiane po shqyrtojnë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin mendor, verifikimi i moshës është kthyer në një element kyç të debatit.

Si funksionon aplikacioni?

Përdoruesit do të mund ta konfigurojnë aplikacionin duke përdorur pasaportën ose kartën e identitetit. Pasi të regjistrohen, ata mund ta përdorin atë për të dëshmuar se janë në moshën e duhur për të aksesuar shërbime të caktuara online, pa qenë nevoja të ndajnë më shumë të dhëna personale sesa është e domosdoshme.

Shtetet anëtare të BE-së duhet ta bëjnë këtë aplikacion të disponueshëm deri në fund të vitit 2026. Qeveritë mund ta ofrojnë atë si aplikacion të veçantë ose ta integrojnë në portofolët digjitalë evropianë të identitetit, të cilët do të lejojnë ruajtjen e dokumenteve zyrtare dhe të dhënave të tjera në një vend të vetëm.

Disa vende të BE-së, si Franca, Gjermania dhe Spanja, tashmë kanë vendosur rregulla që kërkojnë verifikimin e moshës për disa faqe interneti, veçanërisht ato me përmbajtje për të rritur.

Aplikacioni do të jetë gjithashtu “open source”, çka do të thotë se mund të përshtatet edhe nga vende të tjera jashtë BE-së.

Shqetësimet për privatësinë

Megjithatë, ekspertë dhe aktivistë të privatësisë kanë ngritur shqetësime lidhur me verifikimin e moshës në internet.

Në muajin mars, qindra akademikë nga 29 vende paralajmëruan përmes një letre të hapur se këto sisteme nuk duhet të zbatohen në rrjetet sociale pa u adresuar më parë rreziqet që lidhen me privatësinë dhe sigurinë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian thekson se aplikacioni është projektuar për të shmangur ndarjen e panevojshme të të dhënave dhe për t’u mundësuar përdoruesve të lundrojnë në internet në mënyrë private.

Ky aplikacion është vetëm një pjesë e përpjekjeve më të gjera të BE-së për të rritur sigurinë e fëmijëve online. Institucionet evropiane kanë ndërmarrë gjithashtu masa ndaj platformave të mëdha digjitale për shkelje të rregullave të sigurisë.

Së fundmi, BE deklaroi se Meta ka shkelur këto rregulla, pasi nuk ka arritur të ndalojë përdorimin e platformave të saj nga fëmijët nën moshën 13 vjeç.

8 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë, IKSHPK apelon për vaksinim urgjent

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16–30 prill 2026, në Kosovë janë konfirmuar tetë raste me fruth, ndërsa dy raste të tjera janë ende të dyshimta.

Sipas njoftimit, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës). Disa prej tyre janë duke marrë trajtim spitalor, çka sipas IKSHPK-së tregon për rrezikun e komplikimeve serioze që mund të shkaktojë kjo sëmundje.

Duke theksuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, instituti ka bërë thirrje urgjente për prindërit që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare.

IKSHPK gjithashtu rekomandon shmangien e kontakteve të panevojshme me persona të dyshuar për fruth dhe që shfaqin simptoma si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë. Personat me shenja të dyshimta këshillohen të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Instituti ka bërë të ditur se është duke e monitoruar në mënyrë aktive situatën epidemiologjike dhe po ndërmerr masa në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve si dhe vaksinimin në komunitet përmes ekipeve mobile në zonat me mbulim të ulët.

Në fund, IKSHPK thekson se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se vonesat në vaksinim rrisin rrezikun e përhapjes së sëmundjes dhe komplikimeve, sidomos tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar, transmeton albinfo.ch.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.

Shqipja në Slloveni: ruajtja e gjuhës dhe identitetit në diasporë

Në Slloveni, gjuha shqipe po vazhdon të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së komunitetit shqiptar, falë angazhimit të mësuesve që punojnë për ruajtjen e saj ndër breza.

Një nga figurat kyçe në këtë proces është mësuesja Vera Haliti, e cila që nga viti 2010 zhvillon mësim të gjuhës shqipe me fëmijët shqiptarë në qytetin e Celjes. Përmes punës së saj, ajo u ka ofruar nxënësve mundësinë të mësojnë gjuhën amtare dhe të forcojnë lidhjen me kulturën dhe identitetin e tyre.

Që nga viti 2024, mësimi zhvillohet në mënyrë të rregullt me rreth 20 nxënës, duke u bazuar në planprogramin e diasporës të hartuar nga Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky program synon të standardizojë dhe të mbështesë mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve më të gjera të diasporës shqiptare për të ruajtur gjuhën, traditat dhe kulturën në vendet ku jetojnë.

Materiali i plotë gjendet në:

https://qbd.gov.al/revista-flasim-shqip-nr-8/⁠

Bllokohen fondet për shqiptarët në Luginën e Preshevës, akuza për diskriminim politik

Kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar nē Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi ka deklaruar se fondet e dedikuara për shqiptarët në Lugina e Preshevës janë bllokuar, duke ngritur akuza për diskriminim dhe ndikim politik në këtë proces.

Sipas tij, donacionet nga Kosova dhe Shqipëria, të destinuara për arsim, zhvillim dhe mbështetje për të rinjtë, janë pranuar fillimisht nga Halkbank, e cila ka kërkuar dokumentacion shtesë. Pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve, fondet janë refuzuar dhe kthyer mbrapsht pa një sqarim të qartë.

Në deklaratë thuhet se ky vendim nuk është teknik, por politik, dhe lidhet me ndikimin e Qeverisë së Serbisë, transmeton albinfo.ch.

Bllokimi i këtyre mjeteve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në disa sektorë: mbi 3,500 nxënës mund të mbesin pa libra falas, më shumë se 700 studentë pa bursa, rreth 100 të diplomuar pa praktikë profesionale, si dhe qindra bujq e dhjetëra organizata pa mbështetje financiare. Në mesin e tyre janë organizata sportive, kulturore, media dhe grupe që merren me të drejtat gjuhësore dhe sociale.

Këshilli thekson se kjo situatë përbën goditje ndaj arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar si një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në rajon.

VIDEO:

https://www.facebook.com/share/v/1BCD9hejQa/