Data e zgjedhjeve: Haxhiu takon sot partitë politike

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

Takimi pritet të mbahet sot në ora 15:00.

Një ditë më parë, Haxhiu ka zhvilluar takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin, me të cilin kanë diskutuar për procesin zgjedhor që, sipas afateve kushtetuese, duhet të organizohet brenda 45 ditësh.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e partive politike.

Konsultimet vijnë pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë presidentin brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, ku dita e fundit ishte 28 prilli.

Sipas vendimit të Kushtetueses, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërbërja e Parlamentit./Albinfo.ch

Afro 8 milionë euro fatura e zgjedhjeve të reja

Pas një cikli të përsëritur zgjedhjesh brenda vetëm 16 muajve, Kosova pritet të përballet edhe me një proces të ri elektoral, i cili do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 8 milionë euro. Zgjedhjet e reja vijnë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes automatike të Kuvendit, duke krijuar edhe një barrë të re financiare për taksapaguesit, përcjell albinfo.ch.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të ketë një kosto të konsiderueshme, në një kohë kur vendi tashmë ka kaluar disa procese zgjedhore në një periudhë të shkurtër.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth 7.1 milionë euro, ndërsa ato të 28 dhjetorit rreth 7.4 milionë euro, duke e shndërruar procesin zgjedhor në një faturë të përsëritur miliona euroshe.

Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe 8.8 milionë euro të shpenzuara për dy raundet e zgjedhjeve lokale, të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thonë se pas caktimit të datës së zgjedhjeve, do të miratohet edhe planifikimi i buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre.

“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor dhe kjo do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së të ndarë me ligjin e buxhetit, nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në rrethana të tilla, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, shpenzimet reale në zgjedhjet e fundit kanë qenë më të ulëta sesa planifikimet fillestare. Për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte paraparë buxheti prej 8.7 milionë euro, por sipas raporteve financiare janë shpenzuar 7.1 milionë euro. Ndërsa për zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte planifikuar shuma prej 11.5 milionë euro, por shpenzimet reale, sipas raporteve jopërfundimtare, kanë qenë rreth 7.4 milionë euro.

Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve të reja vetëm disa muaj pas atyre të fundit është shpenzim i panevojshëm.

“Ka raste kur zgjedhjet e jashtëzakonshme shërbejnë për t’u dhënë epilog disa proceseve, që i bën ato të kuptimta dhe në funksion të demokracisë. Por këto të ardhshmet, që po mbahen veç 3-4 muaj pasi i përfunduam një palë të tilla, nuk i shërbejnë asgjëje përmbajtjesore, e paratë e përdorura për mbajtjen e tyre janë para të çuara dëm. Para publike që po paguajnë për egon, pamaturinë e mungesën e lidershipit të liderëve politikë”, ka theksuar Hasaj.

Ai ka përmendur edhe alternativa se ku mund të investoheshin këto mjete nëse nuk do të shpenzoheshin për zgjedhje, duke përfshirë projekte për rritjen e efiçiencës së energjisë, ndërtimin e mbi 20 çerdheve brenda një viti, riciklimin, si dhe investime në inteligjencë artificiale.

Me dështimin e zgjedhjes së presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë automatikisht, duke hapur rrugë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme./Albinfo.ch

Prezentohen zyrtarisht skena dhe risitë e Eurovision 2026 në Vjenë

Është prezantuar zyrtarisht skena e edicionit të 70-të të Festivalit Evropian të Këngës Eurovision, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Wiener Stadthalle në Vjenë, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia u hap nga presidenti federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili e cilësoi Eurovision-in si një festë të diversitetit dhe bashkimit kulturor në Evropë.

Skena e këtij viti është ndërtuar nga transmetuesi publik austriak ORF në bashkëpunim me ekipet organizative, duke u cilësuar si një nga projektet më të mëdha teknike në historinë e festivalit. Ajo shtrihet në rreth 2.000 metra katrorë dhe peshon rreth 210 tonë, ndërsa për realizimin e saj janë angazhuar rreth 300 persona në punë intensive disaditore, raporton Zeri.info.

Organizatorët kanë bërë të ditur se gjatë ndërtimit janë përdorur mbi 5.000 metra katrorë materiale të riciklueshme, si dhe një sistem i avancuar ndriçimi që përfshin 2.135 pajisje dhe mbi 8.500 LED të kontrollueshme individualisht.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është përdorimi i kamerave kinematografike “ARRI Alexa 35”, të cilat synojnë të sjellin një pamje më filmike dhe më të avancuar vizualisht të performancave live.

Sipas producentëve, skena e dizajnuar nga Florian Wieder dhe Tim Routledge do t’u ofrojë artistëve nga 35 shtete pjesëmarrëse mundësi të reja kreative për performanca më dinamike.

Provat zyrtare me artistët do të fillojnë në fillim të muajit maj, në prag të netëve live që do të mbahen më 12, 14 dhe 16 maj./Albinfo.ch

Neuchâtel bëhet kantoni i parë në Zvicër që ndalon lëshimin e balonave në ajër

Kantoni i Neuchâtel është bërë i pari në Zvicër që ka vendosur të ndalojë lëshimin e balonave në ajër, një praktikë e zakonshme në festa dhe aktivitete publike, përcjell albinfo.ch.

Ndalimi përfshin si balonat klasike, ashtu edhe balonat prej letre me ajër të nxehtë, të njohura ndryshe si “sky lanterns” ose fenerë fluturues.

Autoritetet kantonale e kanë arsyetuar këtë vendim me shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit dhe rrezikun e zjarreve.

Deputetja e Partisë së Gjelbër, Cloé Dutoit, e cila është iniciatorja kryesore e propozimit ligjor, theksoi se edhe pse ndalimi mund të duket i vogël, ndikimi i tij në mjedis është i rëndësishëm.

“Sado i parëndësishëm mund të duket ky ndalim, lëshimi i balonave në atmosferë në fakt nënkupton shpërndarjen e mbetjeve plastike në mjedis,” deklaroi ajo.

Sa i përket fenerëve fluturues, Dutoit paralajmëroi se ato përbëjnë edhe rrezik serioz për zjarr, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur temperaturat janë më të larta dhe rreziku për përhapjen e zjarreve rritet./Albinfo.ch

Profesori shqiptar fiton bursën prestigjioze SHER Fellowships në Austri

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB) ka bërë të ditur se Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkini është përfitues i bursës prestigjioze SHER Fellowships Post-Doc Grant, e ndarë nga OeAD – Agjencia Austriake për Arsim dhe Internacionalizim, transmeton albinfo.ch. 

Ai do të zhvillojë kërkimet e tij shkencore në Universitetin e Graz-it në Austri, në periudhën 20 qershor deri më 19 korrik 2026.

Sipas njoftimit, projekti i tij mban titullin “The Constitutional Position of EU Law in Kosovo: A Multilevel Constitutionalism Analysis” dhe trajton procesin e integrimit evropian si dhe marrëdhënien e së drejtës së BE-së me sistemin kushtetues të Kosovës.

Ky angazhim vlerësohet si një arritje e rëndësishme akademike dhe shkencore në fushën e së drejtës kushtetuese dhe integrimeve evropiane./Albinfo.ch

 

Alesia, shqiptarja nga Firence që spikat në fushën e inxhinierisë biomjekësore dhe inteligjencës artificiale

Alesia Tahsinit,  24-vjeçare shqiptare e lindur dhe rritur në Firence, po ndërton një karrierë premtuese në inxhinierinë biomjekësore, transmeton albinfo.ch.

Alesia tregon se e ruan me krenari identitetin shqiptar, duke theksuar se gjithmonë prezantohet si shqiptare nga Vlora. Prindërit e saj emigruan në fund të viteve ’90, duke nisur gjithçka nga e para në Itali, sakrificë që ajo e konsideron bazën e suksesit të saj.

Aktualisht, ajo ndjek studimet master dhe po specializohet në mjekësinë e personalizuar dhe inxhinierinë rigjeneruese, duke punuar në projekte që përfshijnë analiza 3D të organeve për të ndihmuar kirurgët në identifikimin e tumoreve.

Përveç studimeve, Alesia punon edhe si mësuese në fushat STEM dhe inteligjencë artificiale, duke theksuar se teknologjia është një ndihmë e madhe, por nuk duhet të zëvendësojë mendimin kritik.

Edhe pse jeton në Itali, ajo kthehet shpesh në Shqipëri dhe shpreh shqetësim për ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj të diasporës. Në të ardhmen, synon të bëhet pedagoge universitare dhe të krijojë një startup në fushën e teknologjisë dhe mjekësisë./Albinfo.ch

Moutier: Afati i fundit për ndërrimin falas të targave të Bernës me ato të Jura-s

Në Moutier kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për të bërë falas ndërrimin e targave të automjeteve nga kantoni i Bernës në ato të Jura-s. Ky operacion i pazakontë lidhet me kalimin e komunës nga kantoni i Bernës në kantonin e Jura-s dhe po i afrohet fundit.
Sipas të dhënave të siguruara nga RTS, deri tani janë shpërndarë më shumë se 4,260 targa të reja të Jura-s. Më pak se 500 mbeten ende për t’u zëvendësuar. Sipas shifrave zyrtare të publikuara në janar, rreth 4,730 automjete duhej të kalonin këtë proces, që do të thotë se afërsisht 90% e tyre tashmë e kanë përfunduar ndërrimin.

Shërbim i posaçëm për qytetarët

Në Zyrën e Regjistrimit të Automjeteve në Delémont, e cila menaxhon terminet për marrjen e targave, agjenda është e mbushur deri të enjten, dita e fundit kur ofrohet shërbimi falas. Ndërrimi mund të bëhet edhe në Moutier, në sportelin e vendosur nga kantoni i Jura-s.

Drejtoresha e Zyrës së Regjistrimit të Automjeteve, Karine Marti, e vlerëson pozitivisht këtë proces. “Ndryshimet kanë shkuar mirë. Ka pasur shumë pyetje, jo vetëm për tarifat e targave, por edhe për shërbime të tjera. Por në përgjithësi mund të themi se është një operacion shumë pozitiv,” deklaroi ajo për RTS.

Nga 1 maji – ndryshojnë kushtet

Nga e premtja, 1 maj, kushtet ndryshojnë për ata që nuk e kanë kryer ende ndërrimin. Kantoni i Bernës do të marrë përsipër trajtimin e rasteve, ndërsa shërbimi falas i Jura-s përfundon.

“Procesi vazhdon, por tashmë sipas rregullave të zakonshme: paguhet tarifa për targat e reja dhe për lejen e qarkullimit. Nga maji, kantoni i Bernës do t’u dërgojë letra atyre që nuk e kanë bërë ende ndërrimin,” shpjegon Marti.

Masa ndaj vonesave

Disa nga targat që ende nuk janë ndërruar mund t’u përkasin automjeteve të shitura ose personave që janë larguar nga Moutier pa njoftuar autoritetet. Ata që vazhdojnë të mos e kryejnë ndërrimin rrezikojnë të marrin paralajmërim zyrtar nga autoritetet e Bernës, apo edhe konfiskim të targave.
Në raste të tilla, policia e Jura-s mund të ndërhyjë për të rikuperuar targat e mbetura të Bernës që ende qarkullojnë.

Zvicra nga viti 2028 me platformë digjitale për AVS dhe AI

Qytetarët në Zvicër pritet që nga viti 2028 të kenë qasje online në të dhënat e tyre të sigurimeve shoqërore për pensionin (AVS) dhe sigurimin e invaliditetit (AI), përmes një platforme të re digjitale.

Këshilli Kombëtar ka miratuar bazën ligjore për digjitalizimin e plotë të këtyre sistemeve, duke synuar modernizimin e shkëmbimit të të dhënave dhe reduktimin e procedurave me dokumente fizike.

Përmes platformës, qytetarët do të mund të kontrollojnë kontributet e tyre pensionale, të identifikojnë boshllëqet eventuale dhe të marrin një pasqyrë vjetore të llogarisë së tyre. Gjithashtu, do të mund të bëhet edhe një llogaritje paraprake e pensionit të ardhshëm, ndërsa dokumentet zyrtare do të dërgohen në mënyrë elektronike.

Përdorimi i platformës do të jetë vullnetar për qytetarët, por institucionet e sigurimeve do të jenë të detyruara të komunikojnë në mënyrë digjitale. Qeveria thekson se sistemi do të rrisë efikasitetin dhe transparencën, duke kursyer deri në 35 milionë franga në vit.

Kostoja e projektit vlerësohet rreth 15 milionë franga dhe platforma do të menaxhohet nga Qendra e Kompensimit. Projekti është miratuar me shumicë në Këshillin Kombëtar dhe tani kalon në Këshillin e Shteteve.

Çfarë është kadmiumi, elementi toksik që mund të kontaminojë ushqimin tonë?

Kadmiumi, një metal i rëndë i pranishëm në mjedis, mund të përfundojë në zinxhirin ushqimor dhe të kontaminojë ushqimin që konsumojmë. Pas disa alarmeve shëndetësore në Francë, lind pyetja: a duhet të shqetësohemi edhe në Zvicër? Emisioni Le Point J e analizon këtë çështje me David Vernez, drejtues i Departamentit të Shëndetit, Punës dhe Mjedisit në Unisanté në Lozanë.

Sipas David Vernez, “kadmiumi është një toksinë e njohur prej kohësh”. Ky metal i rëndë u klasifikua në vitin 2012 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin si substancë kancerogjene e njohur. Ai hyn në organizmin e njeriut përmes dy rrugëve kryesore: inhalimit dhe gëlltitjes, transmeton albinfo.ch.

Inhalimi lidhet kryesisht me ekspozimin në vendin e punës dhe me tymin e cigareve. Ndërsa gëlltitja, përmes ushqimit, përbën më shumë se 90% të marrjes së kadmiumit tek personat jo-duhanpirës.

“Është një bombë me sahat”

Në Francë, disa mjekë në verën e vitit 2025 folën për një “bombë shëndetësore me sahat” në gazetën Le Monde. David Vernez e përshkruan situatën në mënyrë të ngjashme: “Nëse është një bombë, është një bombë me sahat.” Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një fenomen akut, por për një proces të ngadalshëm që lidhet me rritjen graduale të përqendrimeve dhe me uljen e vlerave referuese.

Si përfundon kadmiumi në mjedis?

Kadmiumi çlirohet në mjedis përmes aktiviteteve industriale dhe mund të përhapet në tokë dhe ujë, duke hyrë më pas në zinxhirin ushqimor përmes bimëve dhe kafshëve.

Po ashtu, lindin pyetje të tjera të rëndësishme: pse gratë mund të jenë më të ekspozuara se burrat? dhe a duhet të shqetësohemi edhe në Zvicër?

Si të kufizohet ekspozimi ditor

Ky raport gjithashtu përfshin këshilla praktike për të reduktuar ekspozimin ndaj kadmiumit në jetën e përditshme, kryesisht përmes kujdesit në ushqyerje dhe shmangies së burimeve kryesore të ndotjes.

Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se gjatë muajit maj 2026 nuk do të ofrojë shërbime konsullore në disa data, për shkak të festave zyrtare në Kosovë dhe në shtetin pritës, Austri.

Sipas njoftimit, shërbimet konsullore do të jenë të pezulluara në këto data:

1 maj (e premte) – Dita Ndërkombëtare e Punës

11 maj (e hënë) – Dita e Evropës (9 maj)

14 maj (e enjte) – Christi Himmelfahrt (festë zyrtare në Austri)

25 maj (e hënë) – Pfingstmontag (festë zyrtare në Austri)

27 maj (e mërkurë) – Bajrami i Vogël (dita e parë)

Ambasada thekson se gjatë këtyre ditëve, si dhe gjatë fundjavave, numri i zakonshëm i telefonit nuk do të jetë aktiv.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë përmes email-it zyrtar [email protected] ose në numrin emergjent +43 (0) 676 646 81903.

Në fund, Ambasada ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin.

Fund i një epoke: SWISS ndalon shitjet “duty-free” në avionë

Kompania ajrore zvicerane SWISS International Air Lines ka vendosur të ndërpresë përfundimisht shitjet “duty-free” në bord të avionëve, duke filluar nga fundi i shtatorit 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja kryesore është rënia e kërkesës nga pasagjerët, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po blejnë produkte online ose në aeroporte para nisjes së udhëtimit, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

“Gjithnjë e më pak pasagjerë po blejnë në bord… blerjet spontane janë bërë përjashtim dhe jo më rregull”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Ky vendim reflekton ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, ku krahasimi i çmimeve në internet dhe blerjet paraprake kanë zëvendësuar praktikën tradicionale të blerjeve gjatë fluturimit.

SWISS, që është pjesë e grupit Lufthansa, po përshtat strategjinë e saj ndaj këtij realiteti të ri, duke hequr një shërbim që për dekada ka qenë standard në aviacion.

Megjithatë, shitjet “duty-free” do të vazhdojnë të jenë të disponueshme në aeroporte, ndërsa pasagjerët do të kenë më pak mundësi për blerje gjatë fluturimit.

Ky ndryshim shënon një tjetër hap drejt dixhitalizimit dhe transformimit të industrisë ajrore, ku komoditeti dhe planifikimi paraprak po zëvendësojnë blerjet spontane në bord.

Zvicra synon lehtësimin e aksesit në pilulën e emergjencës

Parlamenti zviceran po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e shpërndarjes së kontraceptivëve emergjentë, si pilula e njohur “e ditës pas”. Këshilli Kombëtar ka miratuar një mocion që kërkon që këto barna të jenë më lehtë të arritshme për gratë, duke u mundësuar shitjen e tyre pa kufizime të mëtejshme administrative.

Sipas propozuesve, aktualisht pilula mund të blihet vetëm pas një konsulte të detyrueshme në farmaci, një praktikë që ata e konsiderojnë pengesë për vendimmarrjen e shpejtë dhe autonome të grave në raste emergjente. Nismëtarja e mocionit, Corina Gredig (Partia Liberale e Gjelbër), theksoi se gratë duhet të kenë më shumë vetëvendosje dhe qasje të thjeshtuar, pa procedura që vonojnë përdorimin e trajtimit.

Mocioni u miratua në Këshillin Kombëtar me 113 vota pro dhe 73 kundër dhe tani i kalon për shqyrtim Këshillit të Shteteve.

Qeveria federale është shprehur kundër ndryshimit, duke argumentuar se kontraceptivët emergjentë mund të shkaktojnë efekte anësore dhe se këshillimi nga profesionistët shëndetësorë është i rëndësishëm për të garantuar përdorimin e sigurt dhe të informuar.

Nëse miratohet edhe nga dhoma tjetër e parlamentit, Zvicra mund të kalojë drejt një modeli më liberal të aksesit në pilulën e emergjencës, duke e bërë atë më të lehtë për t’u marrë në farmaci pa konsultim të detyrueshëm paraprak.

BE mbështet reformën për përfitimet e papunësisë për punëtorët ndërkufitarë, kosto shtesë të mundshme për Zvicrën

Këshilli i ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka mbështetur një reformë të skemës së sigurimit të papunësisë për punëtorët ndërkufitarë. Sipas ndryshimeve të propozuara, këta punëtorë do të përfitojnë kompensimet e papunësisë në vendin ku kanë punuar, dhe jo më në vendin e tyre të banimit. Ky ndryshim pritet të sjellë kosto shtesë për Zvicrën.

Sistemi aktual, që daton nga viti 2004, parashikon që punëtorët të kontribuojnë në sigurimin e papunësisë në vendin ku punojnë, edhe nëse jetojnë në një shtet tjetër. Megjithatë, në rast papunësie, përfitimet u paguhen nga vendi i banimit. Ky mekanizëm shpesh ka shkaktuar vonesa në pagesa dhe mospërputhje mes kontributeve të paguara dhe përfitimeve të marra, për shkak të vështirësive në koordinimin mes sistemeve kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Sipas reformës së re, përfitimet do të jepen nga shteti ku punëtori ka qenë i punësuar për herë të fundit. Një diplomat evropian në Bruksel bëri të ditur se 21 shtete anëtare e mbështesin këtë ndryshim.

Lëvizja e lirë e personave

Sipas Presidencës qipriote të Këshillit të BE-së, personat që humbasin vendin e punës mund të marrin përfitime nga shteti ku kanë punuar për herë të fundit për një periudhë deri në gjashtë muaj.

Kjo rregullore lidhet me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, miratimi i saj mund të ndodhë vetëm “me pëlqimin e qartë të Zvicrës”, theksoi Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike.

Presidenti zviceran takohet me kryeministrin maqedonas, bisedojnë për marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot pasdite u takua edhe me kryeministrin e vendit, Hristijan Mickoski.

Pas takimit, Mickoski theksoi se pret që bashkëpunimi në planin ekonomik të thellohet dhe të forcohet shkëmbimi tregtar.

“Biseduam për të gjitha mundësitë, për sfidat, por edhe për gjithçka që na lidh dhe si t’i rrisim dhe forcojmë ato në periudhën që vjen. Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të arrijnë nivelin që presim, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar”, tha Mickoski.

Kryeministri shprehu mirënjohje të madhe ndaj Parmelit për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që Zvicra i jep Maqedonisë së Veriut, transmeton albinfo.ch.

Goditje për qeverinë zvicerane: Parlamenti dobëson reformën për infermierët

Parlamenti zviceran i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë, duke dobësuar ndjeshëm projektligjin që synonte përmirësimin e kushteve të punës për personelin shëndetësor.

Sipas SRF, një shumicë e djathtë në Këshillin Kombëtar (Nationalrat) ka hequr elementët kryesorë të reformës së propozuar nga qeveria, duke e lënë projektin shumë më të kufizuar në ndikim, transmeton albinfo.ch.

Ligji kishte për qëllim zbatimin e “Iniciativës për kujdesin shëndetësor” të miratuar nga qytetarët në vitin 2021, me masa konkrete për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të frenuar mungesën e infermierëve.

Megjithatë, deputetët hoqën disa nga propozimet kryesore, përfshirë:

mos uljen e orarit maksimal të punës javore,

kompensime më të ulëta për punën gjatë fundjavës dhe festave,

rregulla më të buta për oraret dhe orët shtesë.

Shumica parlamentare argumentoi se masat e propozuara nga qeveria do të sillnin kosto shumë të larta dhe rritje të mundshme të primeve të sigurimeve shëndetësore, duke kërkuar një qasje më fleksibile dhe më pak të rregulluar.

Shumica e zviceranëve mbështesin iniciativën “Jo për 10 milionë banorë”

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Zvicër po mbështesin iniciativën e diskutueshme që synon kufizimin e popullsisë së vendit në maksimum 10 milionë banorë.

Sipas raportimeve të fundit nga Swissinfo, iniciativa “No to ten million Switzerland” do të dalë në votim më 14 qershor 2026, duke u bërë një nga temat më të rëndësishme politike të vitit në ven, transmeton albinfo.ch.

Propozimi, i shtyrë nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), parasheh që popullsia e përhershme të mos kalojë 10 milionë deri në vitin 2050. Nëse shifra arrin mbi 9.5 milionë, autoritetet do të detyrohen të ndërmarrin masa për ta ndalur rritjen, kryesisht përmes kufizimit të imigracionit.

Sondazhet e fundit tregojnë se një shumicë e lehtë e qytetarëve është në favor të iniciativës, e nxitur nga shqetësimet për rritjen e shpejtë të popullsisë, presionin mbi banesat, transportin dhe shërbimet publike.

Megjithatë, qeveria zvicerane dhe shumica e partive politike janë kundër këtij propozimi, duke paralajmëruar se ai mund të dëmtojë ekonominë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, sidomos nëse prek marrëveshjen për lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Debati mbetet i fortë në vend, pasi përkrahësit e iniciativës e shohin atë si një mënyrë për të mbrojtur cilësinë e jetës dhe infrastrukturën, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë pasoja serioze për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.

Rriten shpërblimet në Kupën e Botës, kombëtaret e nisin me fitim 10 milionë dollarë

Shpërblimi për 48 skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e këtij viti rritet.

Ky është vendimi i marrë nga Këshilli i FIFA në mbledhjen e zhvilluar në Vancouver në prag të Kongresit të këtij institucioni që do të mbahet këtë të enjte, transmeton albinfo.ch.

Rritja e shpërblimit është me 15% dhe lidhet me të ardhurat më të mëdha komerciale që kanë derivuar nga edicioni i Kupës së Botës së këtij viti.

Shpërblimi total është rritur nga 727 milionë dollarë në 871 milionë dollarë. Çdo skuadër do të ketë një kontribut minimal prej 2.5 milionë për përgatitjen dhe prej 10 milionë dollarësh vetëm për pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Pjesa tjetër e shpërblimit do të jepet në varësi të ecurisë së skuadrave gjatë kampionatit botëror të futbollit. Skuadra që do të fitojë titullin botëror do të përfitojë 50 milionë dollarë.

Ndërkaq, Këshilli i FIFA ratifikoi edhe normën që ndëshkon me karton të kuq lojtarët që mbyllin gojën gjatë një debati me kundërshtarin duke marrë shkas edhe në rasti Prestianni. Po kështu do të ndëshkohet me karton të kuq që lë fushën e lojës në shenjë proteste kundër një vendimi arbitrar, një masë kjo që u mor pas rastit të Senegal në finalen me Marokun në Kupën e Afrikës.

Po kështu do të zerohen kartonët e verdhë të lojtarëve pas fazës së grupeve dhe pas çerekfinaleve

Ndërkaq, zgjedhja e presidentit të FIFA për periudhën 2027-2031, ku presidenti aktual Gianni Infantino ka vendosur kandidaturën do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Kongresin e 77 të FIFA, ndërsa fushata elektorale do të nisë që këtë të enjte.

Ndërkaq, FIFA ka nisur konsultmet për të bërë të detyrueshme për klubet që të kenë në fushë të paktën një futbollist që vjen nga ekipet U20 apo U21.

UBS fitim mbi pritjet: 3.04 miliardë dollarë në tremujorin e parë

Banka më e madhe zvicerane, UBS, ka raportuar rezultate shumë të forta financiare për tremujorin e parë të vitit 2026, duke tejkaluar pritjet e analistëve.

Sipas të dhënave zyrtare, UBS ka realizuar një fitim neto prej 3.04 miliardë dollarësh, rreth 80% më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa pritjet e tregut ishin dukshëm më të ulëta, transmeton albinfo.ch.

Rritja është nxitur nga performanca e fortë në disa sektorë kyç, përfshirë bankimin investues dhe menaxhimin e pasurisë, si dhe nga aktiviteti i lartë në tregjet financiare gjatë periudhës.

Të ardhurat totale të bankës u rritën me rreth 13%, duke arritur në mbi 14 miliardë dollarë, ndërsa kostot mbetën relativisht stabile. Kjo ka ndikuar në përmirësimin e efikasitetit financiar të institucionit.

Një faktor tjetër i rëndësishëm mbetet edhe procesi i integrimit të ish-bankës Credit Suisse, i cili është drejt përfundimit dhe po kontribuon në kursime të konsiderueshme dhe optimizim të operacioneve.

Gjithashtu, UBS ka tërhequr miliarda në asete të reja nga klientët, duke treguar besim të lartë në treg, sidomos në segmentin e menaxhimit global të pasurisë. Rezultatet pozitive vijnë në një periudhë kur sektori bankar global përballet me pasiguri dhe ndryshime rregullatore, ndërsa UBS vazhdon të konsolidojë pozicionin e saj si një nga institucionet më të fuqishme financiare në botë.

Avdullahu vazhdon kontratën me Hoffenheim

Mesfushori shqiptar Leon Avdullahu ka rinovuar kontratën me Hoffenheim.

Ai do të qëndrojë te kjo skuadër, të paktën deri në vitin 2031.

Për Avdullahun ka folur drejtori sportiv i klubit gjerman, Andreas Schicker.

“Leoni është një shembull kryesor se si mund të duket zhvillimi i një lojtari të ri këtu te TSG. Jam shumë i lumtur që ai dëshiron të vazhdojë këtë rrugë të suksesshme me ne dhe që skuadra mban një nga figurat e saj kryesore.

Leoni mund ta lexojë një ndeshje, ai është një strateg dhe vizioni i tij është me rëndësi të madhe për stilin tonë të lojës”, theksoi ai, transmeton albinfo.ch.

 

Takimi Gashi-Parmelin, flitet për bashkëpunimin mes dy vendeve

Kryeparlamentari i Maqedonisë Veriore, Afrim Gashi priti në takim Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup, të cilën e vlerësoi si të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Gashi theksoi se gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra ofron në proceset demokratike dhe reformat në vend.

“Konfirmuam marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe bashkëpunim të qëndrueshëm”, deklaroi Gashi, transmeton albinfo.ch.

Në bisedime u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit bilateral dhe ndërparlamentar, si dhe rëndësia e diasporës në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve.

“Kjo vizitë përbën një dëshmi të përkushtimit të përbashkët për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, shtoi ai.

“Diskutuam për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, si në nivel bilateral ashtu edhe në atë ndërparlamentar, si dhe forcimin e institucioneve demokratike. Theksova se një vend të veçantë në këtë partneritet zë edhe diaspora jonë në Zvicër, e cila përbën një urë të fuqishme lidhëse dhe jep kontribut të çmuar për zhvillimin e marrëdhënieve tona”, theksoi Gashi.

Vdekja e parë nga trotinetët elektrikë në Gjenevë

Një aksident tragjik ka shënuar viktimën e parë në Gjenevë të lidhur me trotinetët elektrikë, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rrugë.

Sipas mediave zvicerane, një burrë rreth të gjashtëdhjetave humbi jetën pas një aksidenti me trotinet elektrik që ndodhi gjatë fundjavës. Ky konsiderohet rasti i parë fatal i këtij lloji në kantonin e Gjenevës, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja vjen në një kohë kur përdorimi i trotinetëve elektrikë është rritur ndjeshëm në qytetet zvicerane, ndërsa bashkë me të edhe numri i aksidenteve.

Statistikat tregojnë se në nivel kombëtar, disa raste fatale me trotinetë elektrikë janë regjistruar vitet e fundit, ndërsa shumica e aksidenteve ndodhin për shkak të gabimeve të vetë drejtuesve.

Ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se këto mjete paraqesin rrezik të lartë për shkak të shpejtësisë, mungesës së mbrojtjes fizike dhe vështirësisë që kanë përdoruesit e tjerë të rrugës për t’i vërejtur në kohë.

Ky rast pritet të rikthejë debatin mbi rregullimin më të rreptë të përdorimit të trotinetëve elektrikë në Zvicër, përfshirë masat për siguri më të madhe dhe ndërgjegjësim për përdoruesit.

Dronët mund të monitorojnë trafikun në Zvicër

Zvicra mund të përdorë dronë për të monitoruar trafikun në të ardhmen, si pjesë e zgjidhjeve të reja teknologjike për menaxhimin e rrugëve dhe shmangien e bllokadave.

Ideja është që dronët të përdoren për të vëzhguar nga ajri rrjedhën e trafikut dhe për të ofruar një pasqyrë më të plotë të situatës në rrugë në kohë reale, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët thonë se kjo teknologji mund të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të kolonave, aksidenteve dhe problemeve të tjera në komunikacion, duke i dhënë autoriteteve mundësi të reagojnë më herët.

Studime të fundit tregojnë se përdorimi i dronëve, i kombinuar me inteligjencën artificiale, mund të përmirësojë ndjeshëm parashikimin e trafikut dhe menaxhimin e tij, pasi ofron një pamje më të gjerë dhe më të detajuar të rrugëve sesa sensorët tradicionalë .

Megjithatë, përdorimi i dronëve në hapësirë publike ngre edhe pyetje për privatësinë dhe rregullimin ligjor, çështje që autoritetet zvicerane pritet t’i trajtojnë përpara zbatimit të plotë të kësaj teknologjie.

Nëse projekti realizohet, Zvicra mund të bëhet një nga vendet e para që përdor në mënyrë më të avancuar dronët për kontrollin dhe optimizimin e trafikut urban.