Zbulohet në Zvicër një rrjet mashtruesish të “romance scam”, arrestohen 10 persona

Policia zvicerane ka arrestuar dhjetë persona të martën në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti mashtruesish që kryenin të ashtuquajturat “romance scams”, një formë mashtrimi ku viktimat, kryesisht gra, manipulohen emocionalisht për të dërguar para, përcjell albinfo.ch.

Arrestimet lidhen me një grup të dyshuar nigerian që vepronte në disa pjesë të Zvicrës. Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle dhe bastisje në gjashtë kantone të vendit.

Operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Publike e Cyrihut, ndërsa hetimet janë zhvilluar për një kohë të gjatë nga policia kantonale dhe ajo komunale e Cyrihut.

Sipas autoriteteve, hetimet kishin në shënjestër anëtarë të një grupi kriminal që dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimin e grave duke u premtuar lidhje romantike dhe më pas duke u kërkuar para./Albinfo.ch

Shkurtime masive të vendeve të punës në Lucernë: Mbi 100 persona humbin vendin e punës

Mbi 100 punonjës do të mbesin pa vend pune në kantonin e Lucernës, pasi dy kompani kanë njoftuar për shkurtime të konsiderueshme të stafit, përcjell albinfo.ch.

Kompania Andritz Beutler AG në Gettnau ka bërë të ditur se do të largojë nga puna 50 punonjës, ndërsa Serge Ferrari Tersuisse SA në Emmenbrücke do të shkurtojë 62 vende pune. Në total, 112 persona pritet të preken nga këto masa.

Sipas raportimeve, këto vendime lidhen me strategjitë dhe vendimet e marra nga kompanitë mëmë të këtyre ndërmarrjeve, të cilat ndodhen jashtë Zvicrës.

Ky njoftim vjen vetëm një ditë pasi kompania e kartave të kreditit Swisscard bëri të ditur se do të shkurtojë edhe 40 vende pune në zyrën e saj në Cyrih. Shkurtimet në këtë kompani pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Në këtë mënyrë, brenda pak ditësh janë paralajmëruar dhjetëra humbje të vendeve të punës në sektorë të ndryshëm në Zvicër, duke ngritur shqetësime për situatën e punësimit në disa kompani ndërkombëtare që operojnë në vend./Albinfo.ch

Në Lozanë hapet ekspozita “Trésors Vestimentaires”, kushtuar veshjeve tradicionale shqiptare

Më 2 maj 2026, në ambientet e Universitetit të Lozanës (UNIL), do të mbahet ekspozita “Trésors Vestimentaires”, një ngjarje kulturore e veçantë kushtuar pasurisë së veshjeve tradicionale shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita do të zhvillohet nga ora 13:00 deri në 18:00, në ndërtesën Géopolis, salla 1612, dhe do të sjellë para publikut një koleksion të rrallë me kostume tradicionale shqiptare nga treva të ndryshme.

Përmes kësaj ekspozite, vizitorët do të kenë mundësinë të shohin nga afër larminë, elegancën dhe identitetin kulturor shqiptar, të ruajtur ndër shekuj përmes veshjeve popullore.

Ngjarja organizohet me koleksionin e Flora Balaj, ndërsa programi do të përfshijë edhe një intermezzo me valle tradicionale shqiptare, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë autentike.

Ky aktivitet pritet të mbledhë komunitetin shqiptar në Zvicër, studentë, studiues dhe dashamirës të kulturës, duke promovuar trashëgiminë kombëtare shqiptare në një prej universiteteve më të njohura evropiane.

Hyrja në ekspozitë është e hapur për publikun./Albinfo.ch

Gjermania vendos taksë për pijet me sheqer nga viti 2028

Gjermania do të vendosë një taksë për pijet me sheqer duke filluar nga viti 2028, si pjesë e një pakete të gjerë reformash për kujdesin shëndetësor, e miratuar nga qeveria të mërkurën. Masa synon të luftojë rritjen e shkallës së obezitetit dhe të lehtësojë presionin në rritje mbi sistemin shëndetësor të vendit.

Sipas raportimeve, të ardhurat vjetore nga kjo taksë pritet të arrijnë rreth 450 milionë euro, të cilat do të derdhen në sistemin ligjor të sigurimeve shëndetësore. Këto mjete do të përdoren për financimin e programeve parandaluese, përfshirë promovimin e shëndetit në vendet e punës dhe iniciativa komunitare që synojnë përmirësimin e mirëqenies së popullsisë.

Megjithatë, detajet e taksës – përfshirë normën dhe mënyrën e aplikimit – mbeten ende në diskutim.

Vendimi për taksimin e pijeve me sheqer vjen pas rritjes së mbështetjes publike dhe ndërpartiake për masa më të rrepta kundër konsumit të tepërt të sheqerit dhe sëmundjeve të lidhura me të.

Një sondazh i institutit Forsa, i publikuar në muajin shkurt, ka treguar se rreth 60 për qind e qytetarëve gjermanë mbështesin vendosjen e një takse mbi pijet e buta me sheqer.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 100 vende në botë, përfshirë rreth gjysmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, tashmë aplikojnë taksa për pijet me sheqer.

Studime të zhvilluara në Britani dhe Meksikë kanë treguar se masa të tilla mund të ndikojnë në uljen e konsumit të sheqerit dhe të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve si diabeti.

Kosova në zgjedhje, Haxhiu takon kryesuesin e KQZ-së

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka takuar të mërkurën kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, përcjell albinfo.ch.

Takimi zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike në vend, pas zhvillimeve të fundit dhe mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin institucional dhe zgjedhor në Kosovë.

Sipas raportimeve, situata e krijuar pas përpjekjeve për të përmbyllur proceset brenda afateve kushtetuese ka shtuar diskutimet për hapat e ardhshëm institucionalë, përfshirë edhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare brenda afateve të përcaktuara ligjore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar 7 qershorin si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kjo datë është diskutuar edhe gjatë takimit mes kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Kosova, sipas procedurave në raste të tilla, mund të përballet me organizimin e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh, nëse plotësohen kushtet kushtetuese dhe ligjore përkatëse.

Takimi mes Haxhiut dhe Radoniqit shihet si pjesë e konsultimeve institucionale në një moment me rëndësi për stabilitetin dhe zhvillimet e mëtejshme politike në vend./Albinfo.ch

Presidenti i Zvicrës Guy Parmelin pritet nga presidentja Siljanovska-Davkova

Presidenti i Zvicrës Guy Parmelin po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, përcjell albinfo.ch.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, dy presidentët zhvilluan një takim “tet-a-tet”, i cili u pasua nga një mbledhje plenare e delegacioneve përkatëse. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe, forcimi i bashkëpunimit ekonomik si dhe procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Presidentja Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian, si dhe për kontributet në fusha kyçe si sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve demokratike dhe mbrojtja e burimeve natyrore. Ajo theksoi rëndësinë e kritereve të Kopenhagës, duke nënvizuar se vendi i saj është gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht pjesë e Evropës dhe meriton trajtim të barabartë në procesin e integrimit.

“Ajo që kërkojmë është të përqendrohemi në reformat dhe të mos humbim energjinë në çështje joracionale,” u shpreh presidentja.

Nga ana e tij, presidenti zviceran Guy Parmelin theksoi se vizita ka në fokus edhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve për shkëmbime tregtare. Ai vlerësoi rëndësinë e sundimit të ligjit, funksionimit efikas të institucioneve dhe stabilitetit politik si parakushte për zhvillim të qëndrueshëm.

“Zvicra i kushton rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Integrimi evropian mbetet faktor kyç për paqen dhe prosperitetin e rajonit,” deklaroi Parmelin.

Gjatë vizitës, presidenti zviceran u takua edhe me kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, si dhe me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në vijim të agjendës u zhvillua edhe një takim mes përfaqësuesve të biznesit nga Zvicra dhe Maqedonia e Veriut, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve./Albinfo.ch

Guy Parmelin viziton sot Maqedoninë e Veriut, vizita e parë presidenciale zvicerane në histori

Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, po zhvillon sot, më 29 prill, vizitën e parë presidenciale zvicerane në Maqedoninë e Veriut, një ngjarje që sipas autoriteteve zvicerane nënvizon lidhjet gjithnjë e më të ngushta ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.ch. 

Sipas njoftimit zyrtar nga Berna, Parmelin do të pritet në Shkup nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa gjatë ditës do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarë të qeverisë.

Në agjendën e vizitës është paraparë edhe një takim me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Presidenti zviceran po shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion ekonomik i nivelit të lartë, me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe teknologjisë.

Në kuadër të programit në Shkup do të organizohet edhe një pritje zyrtare për shënimin e themelimit të Dhomës Zvicerane të Tregtisë në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se marrëdhëniet bilaterale janë shumë të mira, duke veçuar edhe diasporën e madhe nga Maqedonia e Veriut në Zvicër, e cila numëron mbi 100 mijë persona./Albinfo.ch 

Nis hulumtimi për diasporën e Maqedonisë së Veriut, hapet anketa për shqiptarët jashtë vendit

Instituti për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Juridike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, në bashkëpunim me Westminster Foundation for Democracy, ka nisur një hulumtim me qëllim mapimin e diasporës nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të këtij procesi, diaspora nga Maqedonia e Veriut, përfshirë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, ftohen të plotësojnë një pyetësor, i cili synon të kontribuojë në krijimin e politikave më të mira për diasporën.

Organizatorët kanë bërë thirrje që pyetësori të shpërndahet edhe tek të njohurit me origjinë nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në diasporë, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes dhe përfshirjes.

Sipas njoftimit, anketa synon të hulumtojë mënyrat se si anëtarët e diasporës së RMV-së ruajnë lidhjen me vendlindjen, si dhe format e mundshme të kontributit të tyre përmes njohurive, investimeve apo bashkëpunimit profesional.

Përgjigjet e pjesëmarrësve pritet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave të ardhshme që lidhen me përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit.

Anketa është e destinuar për persona mbi 18 vjeç, është anonime dhe plotësimi i saj zgjat afërsisht 8 deri në 12 minuta./Albinfo.ch

LINKU: ANKETA

Remitancat në rritje, diaspora vazhdon të mbështesë ekonominë shqiptare

Remitancat nga diaspora shqiptare po vazhdojnë trendin rritës, duke dhënë një sinjal pozitiv për ekonominë e vendit dhe duke dëshmuar edhe një herë rolin kyç të emigrantëve në mbështetjen financiare të familjeve dhe zhvillimit ekonomik, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara, remitancat kanë shënuar rritje në vitin 2025, duke arritur në 1.1 miliard lekë, krahasuar me 1.0 miliard lekë sa ishin në vitin 2024.

Kjo paraqet një rritje vjetore prej +5.9%, duke reflektuar jo vetëm lidhjen e fortë të diasporës me vendlindjen, por edhe një burim të qëndrueshëm të ardhurash për shumë familje në Shqipëri.

Ekspertët vlerësojnë se remitancat mbeten një faktor i rëndësishëm për stabilitetin ekonomik, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në konsumin familjar, mirëqenien sociale dhe qarkullimin financiar në vend.

Rritja e vazhdueshme e këtyre dërgesave konsiderohet një tregues i besimit të diasporës dhe një mbështetje e rëndësishme në kohë sfidash ekonomike./Albinfo.ch

Vjosa Osmani: Populli i Kosovës di të ngrihet edhe nga momentet më të rënda

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke dërguar një mesazh shprese dhe qëndrueshmërie për qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Osmani ka theksuar se, pavarësisht situatave të vështira dhe krizave institucionale me të cilat është përballur Kosova, qytetarët kanë dëshmuar gjithmonë forcë për t’u ngritur dhe për të ecur përpara.

“Populli i Kosovës di të ngrihet edhe nga momentet më të rënda”, ka deklaruar Osmani.

Në reagimin e saj, ajo ka bërë thirrje për më shumë unitet dhe bashkim, duke kërkuar që në diskursin publik të largohet gjuha e urrejtjes dhe përçarjes.

Mesazhi i Osmanit vjen në kohën kur vendi po kalon një periudhë të tensionuar politike, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa pritet të caktohet data për zgjedhje të reja./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/1CrzbvTMjm/?mibextid=wwXIfr

Dështon zgjedhja e presidentit në Kosovë, kur priten zgjedhjet?

Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese, duke e thelluar krizën politike dhe institucionale në vend, përcjell albinfo.ch.

Pas disa tentimeve në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë politike nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka futur vendin në një situatë të re politike, ku zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen si epilogu i vetëm institucional për dalje nga ngërçi.

Gjatë ditës, përfaqësues të partive politike shkëmbyen akuza reciproke për përgjegjësinë e këtij dështimi. Pushteti fajësoi opozitën për mungesë bashkëpunimi dhe bojkot të seancave, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit dhe tentativa për ta përdorur krizën për kalkulime elektorale.

Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke e futur Kosovën në një tjetër cikël zgjedhor.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të jenë një test i ri politik për partitë kryesore, në një kohë kur vendi përballet me pasiguri institucionale dhe polarizim të thelluar politik, ndërsa data e saktë e mbajtjes së tyre pritet të bëhet e ditur në ditët ose javët në vijim nga institucionet përkatëse./Albinfo.ch

UNITA lansohet në Zvicër, platforma që synon të lidhë bizneset në nivel global

Platforma ndërkombëtare UNITA është lansuar së fundmi në Zvicër, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti global bashkëpunimi mes bizneseve. Me një qasje që kombinon teknologjinë, verifikimin dhe rrjetëzimin strategjik, UNITA synon të thjeshtojë hyrjen në tregje të reja dhe të krijojë mundësi konkrete për partneritete ndërkombëtare.

Në një intervistë për albinfo.ch, themeluesi Sokol Çili flet për arsyet e zgjedhjes së Zvicrës, potencialin e platformës dhe mundësitë që ajo hap për bizneset nga rajoni dhe diaspora. Në Zvicër, UNITA përfaqësohet nga kompania Raumkultur GmbH në Cyrih.

 albinfo.ch: Së fundmi keni lansuar UNITA në Zvicër. Çfarë përfaqëson ky moment për ju dhe për platformën?

Sokol Çili: Lansimi i UNITA në Zvicër përfaqëson një hap strategjik dhe një moment kyç për platformën tonë. Zvicra është një nga ekonomitë më të besueshme në botë, dhe prezenca jonë këtu konfirmon që UNITA është gati për një rol global në lidhjen e bizneseve.

albinfo.ch: Pse zgjodhët Zvicrën si pikënisje për lansimin e UNITA-s?

Sokol Çili: Zvicra ofron stabilitet, transparencë dhe një ekosistem biznesi shumë të zhvilluar. Kjo e bën një terren ideal për të ndërtuar dhe testuar një platformë që synon të krijojë standarde të reja në bashkëpunimin ndërkombëtar.

albinfo.ch:Eventi i lansimit në Cyrih shënon fillimin e një faze të re. Çfarë mund të presin konkretisht bizneset pas këtij hapi?

Sokol Çili: Bizneset mund të presin një platformë funksionale që u jep mundësi reale për zgjerim: lidhje të verifikuara, partneritete konkrete dhe promovim të strukturuar. UNITA nuk është vetëm një rrjet, por një mjet aktiv për rritje dhe ndërkombëtarizim.

albinfo.ch: Si pritet të ndikojë UNITA në lidhjen e bizneseve zvicerane me tregjet ndërkombëtare?

Sokol Çili:UNITA do të thjeshtojë ndjeshëm hyrjen në tregje të reja. Përmes kombinimit të teknologjisë dhe verifikimit, bizneset zvicerane do të kenë akses më të shpejtë dhe më të sigurt në partnerë ndërkombëtarë.

albinfo.ch: Çfarë mundësish konkrete hap kjo platformë për bizneset nga Ballkani dhe diaspora?

Sokol Çili: UNITA krijon një urë të drejtpërdrejtë drejt tregjeve të zhvilluara. Bizneset nga Ballkani dhe diaspora përfitojnë nga rritja e besueshmërisë, akses në rrjete ndërkombëtare dhe mundësi për bashkëpunime strategjike me kompani të konsoliduara.

albinfo.ch: Pas këtij lansimi, cilat janë hapat e radhës për zhvillimin e platformës?

Sokol Çili: Fokusi ynë është zgjerimi i rrjetit dhe forcimi i funksionaliteteve të platformës, veçanërisht në drejtim të inteligjencës artificiale dhe matchmaking-ut biznesor. Paralelisht, po punojmë për rritjen e prezencës fizike në tregje kyçe.

albinfo.ch: A do të pasohet lansimi me evente të tjera apo zgjerim në tregje të reja?

Sokol Çili: Po, ky është vetëm fillimi. Do të organizohen evente të tjera në Zvicër dhe në tregje të tjera strategjike, duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Evropën, për të ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm global.

albinfo.ch: Çfarë e bën UNITA-n të gatshme për tregun pikërisht tani?

Sokol Çili: Sepse bizneset sot kërkojnë më shumë se prezencë digjitale – kërkojnë rezultate konkrete. UNITA kombinon teknologjinë, verifikimin dhe komunitetin në një platformë të vetme, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kësaj nevoje.

albinfo.ch: Sa i madh është interesi që keni parë deri tani nga bizneset në Zvicër?

Sokol Çili: Interesi ka qenë i konsiderueshëm dhe në rritje. Shumë kompani kanë shprehur gatishmëri për t’u bërë pjesë e platformës që në fazën e hershme, duke e parë UNITA si një avantazh strategjik për zgjerimin e tyre.

Nerisa Duraj: „Guximi i grave në gjithë botën është më i madh se çdo kancer“

Në një botë ku diagnozat shpesh lindin nga e padukshmja, Nerisa e ka ndërtuar misionin e saj mbi vëzhgimin e hollësishëm dhe përgjegjësinë ndaj jetës. Ajo punon në Institutin e Patologjisë Klinike pranë Ordensklinikum Linz Barmherzige Schwestern në Linz, ku çdo ditë qelizat tregojnë histori që kërkojnë sy të stërvitur dhe mendje të përqendruar. “Që në fillim më ka intriguar ajo që nuk shihet me sy të lirë, por që ka ndikim vendimtar në shëndetin e njeriut. Biokimia dhe mjekësia laboratorike përfaqësojnë pikën ku shkenca takohet me jetën reale”, shprehet ajo.

Nerisa Duraj, një grua me arritje profesionale, një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, përbën si shumë të tjera gra shqiptare një grup me të cilin krenohemi, por njëkohësisht e ndjejmë edhe sakrificën dhe punën e madhe që fshihet pas këtij rrugëtimi.

Shpërngulja e saj nga Tirana në Linz është një proces i vazhdueshëm zhvillimi profesional dhe personal. Formimi i parë akademik në fushën e gjuhës dhe letërsisë i dha ndjeshmëri njerëzore dhe qartësi mendimi; më pas, studimet në shkencat mjekësore e orientuan drejt dimensionit praktik dhe shkencor të profesionit. “Pas çdo analize laboratorike qëndron përgjegjësia për jetën e një pacienti”, thekson ajo, duke e përkufizuar kështu peshën morale të profesionit të saj.

Puna në një sistem shëndetësor si ai austriak ka qenë një sfidë dhe një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi. Integrimi në një kulturë tjetër profesionale i ka forcuar disiplinën, standardet e larta të cilësisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në ekip multidisiplinar. “Ky rrugëtim më ka bindur se profesionalizmi nuk njeh kufij gjeografikë. Ai kërkon përkushtim të vazhdueshëm, guxim për të dalë nga zona e komfortit dhe gatishmëri për të mësuar çdo ditë”, thotë Nerisa për albinfo.at

Në laboratorin e citologjisë gjinekologjike, ku analizohen qelizat e qafës së mitrës përmes Pap-testit, puna e saj është një akt i përditshëm besimi tek detaji. Një ndryshim mikroskopik mund të ketë rëndësi vendimtare klinike. “Kjo punë kërkon përqendrim maksimal, saktësi dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie profesionale. Shpesh, një ndryshim shumë i vogël qelizor mund të ketë rëndësi të madhe klinike”, shpjegon ajo. Për Nerisën, kjo fushë është më shumë se profesion: është një kontribut i drejtpërdrejtë në parandalimin e kancerit dhe në mbrojtjen e shëndetit të grave. “Guximi i grave në gjithë botën është më i madh se çdo kancer”, shton ajo me bindje.

Diagnostikimi laboratorik, sipas saj, është themeli i mjekësisë moderne. “Shumica e vendimeve klinike bazohen në rezultate laboratorike, të cilat orientojnë diagnozën dhe trajtimin. Teknologjia rrit efikasitetin, por përgjegjësia përfundimtare mbetet tek profesionisti”, thekson ajo, duke nënvizuar rëndësinë e kompetencës njerëzore në epokën e automatizimit.

 

Përmes “Allianz für Kinder” vullnetarisht ndihmon në shërimin e fëmijëve shqiptar

Përtej laboratorit, dimensioni human i profesionit merr formë konkrete përmes angazhimit të saj vullnetar në shoqatën “Allianz für Kinder”, ku prej vitesh kontribuon në nisma që u japin fëmijëve shqiptarë mundësi trajtimi në Austri. “Për mua çdo buzëqeshje e një fëmije të sëmurë është një fitore e vogël çdo ditë”, shprehet ajo. Për Nerisen, suksesi nuk matet vetëm me arritje personale, por me kontributin që i jepet komunitetit dhe jetës së të tjerëve.

Përvoja në administratë i ka dhënë një perspektivë të gjerë mbi funksionimin e institucioneve shëndetësore, duke e bërë më të vetëdijshme për rëndësinë e organizimit, standardeve dhe përgjegjësisë profesionale. Filozofia e saj e punës lidhet fort me simbolikën e mikroskopit. “Mikroskopi më kujton se e vërteta shpesh fshihet në detaje shumë të vogla dhe se detyra jonë është t’i zbulojmë ato me integritet dhe profesionalizëm.”

Kur flet për suksesin, Nerisa mbetet e thjeshtë dhe e qartë: “Çelësi i suksesit qëndron në këmbënguljen afatgjatë dhe në gatishmërinë për të mësuar vazhdimisht. Suksesi është rezultat i disiplinës, përkushtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm personal e profesional.”

Puna laboratorike mund të jetë e heshtur, por ndikimi i saj është i thellë. “Të dish që kontributi yt ndihmon në diagnostikim të hershëm dhe në mbrojtjen e jetës është motivim i përditshëm”, thotë ajo. Mesazhi i saj për lexuesit është i thjeshtë dhe i fuqishëm: “Mos kini frikë të ndryshoni horizontin – profesionalizmi dhe përkushtimi do t’ju çojnë gjithmonë atje ku meritoni të jeni.”

Historia e Nerisa Durajt është dëshmi se pas çdo suksesi qëndron një rrugë e ndërtuar me përkushtim, sakrificë dhe dashuri për profesionin.

Rina Januzi përzgjedhet të performojë në festivalin “Louhela Jam 2026” në Finlandë

Rina Januzi nga Kosova, e cila jeton dhe vepron në Finlandë, është përzgjedhur të performojë në festivalin “Louhela Jam 2026”, që do të mbahet më 31 maj në Jokiuomanpuisto, Louhela, në qytetin Vantaa, transmeton albinfo.ch.

Përzgjedhja e saj në këtë festival konsiderohet një tjetër dëshmi e talentit dhe përkushtimit të bashkatdhetarëve tanë në diasporë, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Festivali “Louhela Jam 2026” është falas dhe i hapur për të gjithë publikun.

Artistja kosovare ka falënderuar publikun dhe mbështetësit e saj përmes një mesazhi, duke ftuar të gjithë që të marrin pjesë në këtë ngjarje muzikore.

“I dashur publik, e kemi bërë këtë të mundur të gjithë së bashku falë jush. Tani jeni të gjithë të ftuar në festivalin Louhela Jam 2026 në Jokiuomanpuisto, Louhela, Vantaa më 31.5 dhe është falas! Ju faleminderit për mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithëve – kjo ka shumë rëndësi dhe shumë vlerë për mua, nuk do ta harroj kurrë në jetë. Shpresoj se do ta shijoni në maksimum muzikën dhe performancën time,” ka shkruar Januzi.

Performanca e saj pritet të jetë një nga momentet e veçanta të festivalit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se publiku do të ketë mundësi të shijojë muzikë live dhe atmosferë festive gjatë gjithë ditës./Albinfo.ch

 

Festivali i Filmit Shqiptar “Fly Like an Eagle” mbahet në Berlin nga 7 deri më 13 maj 2026

Festivali i Filmit Shqiptar “Fly Like an Eagle” do të mbahet në Berlin nga data 7 deri më 13 maj 2026, në ambientet e kinemasë prestigjoze dhe historike Kino Babylon, e vendosur në Rosa-Luxemburg-Straße 30, 10178 Berlin, transmeton albinfo.ch.

Hapja zyrtare e festivalit do të zhvillohet më 7 maj, duke filluar nga ora 19:30, ku do të shfaqet filmi “Vdekja e Kalit”.

I ftuar special i natës së hapjes do të jetë aktori i njohur Timo Flloko, një ndër figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare. Pas shfaqjes së filmit, do të organizohet edhe një bisedë e hapur me publikun, ku Flloko do të ndajë përvojën e tij artistike, ndërsa diskutimi do të moderohet nga regjisorja Odeta Çunaj.

Biletat për natën e hapjes janë të disponueshme online, ndërsa informacione të tjera rreth festivalit mund të gjenden në faqen zyrtare të Kino Babylon.

Organizatorët bëjnë të ditur se programi i plotë i festivalit do të publikohet së shpejti, ndërsa kurator i programit është Elson Zguri.

Ky festival synon të sjellë një përzgjedhje filmash që reflektojnë historinë e pasur dhe evolucionin e kinematografisë shqiptare, duke krijuar një dialog të rëndësishëm mes trashëgimisë filmike dhe krijimtarisë bashkëkohore.

Festivali realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Berlin, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Organizatorët ftojnë publikun që të bëhet pjesë e kësaj përvoje të veçantë kulturore dhe artistike në zemër të Berlinit./Albinfo.ch

Jashari, lojtari më i mirë në Belgjikë, te Milani vetëm opsioni i tretë për mesfushën

Ardon Jashari, pavarësisht se është shpallur lojtari më i mirë i kampionatit belg, te Milani vazhdon të konsiderohet vetëm si opsioni i tretë për përforcimin e mesfushës në këtë fazë të sezonit, përcjell albinfo.ch.

Mesfushori zviceran zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Club Brugge, duke u vlerësuar si një nga lojtarët më të spikatur në Jupiler Pro League. Megjithatë, kjo nuk ka ndryshuar plotësisht hierarkinë e objektivave të klubit kuqezi në merkato.

Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Milanit kanë në listë prioritete të tjera për repartin e mesfushës, ndërsa Jashari mbetet një profil i ndjekur dhe i vlerësuar, por jo zgjedhja kryesore për momentin.

Megjithatë, vlerësimi për të brenda klubit mbetet i lartë, sidomos për shkak të cilësive teknike, fuqisë fizike dhe aftësisë së tij për të mbuluar role të ndryshme në mesfushë.

Në Belgjikë, Jashari konfirmoi statusin e tij si lider i ekipit, duke u shpallur lojtari më i mirë i sezonit, çka e bën atë një nga emrat më interesantë në prag të merkatos së verës.

Mbetet të shihet nëse situata do të ndryshojë në javët e ardhshme, por për momentin te Milani ai nuk është prioritet absolut. Ndërkohë, interesim për përfaqësuesin zviceran raportohet se ka shfaqur edhe Juventusi./Albinfo.ch

A do të jetë Vjosa Osmani kandidate për kryeministre e LDK-së?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar mundësinë që ish-Presidentja Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, përcjell albinfo.ch.

Abdixhiku nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, por theksoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar dhe se për këtë çështje duhet të ketë diskutime të drejtpërdrejta me Osmanin.

“Me siguri do të jetë dhe mund të jetë kandidate për presidente, por për këtë çështje më lejoni të diskutoj me të, duke qenë se s’është subjekt i diskutimit sot këtu dhe duhet ta pyesni edhe atë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Deklarata e tij vjen në kohën kur vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe dështimit për zgjedhjen e Presidentit./Albinfo.ch

Feride Rushiti: Pranova kandidaturën për të ndihmuar vendin dhe për të kaluar ngërçin politik

Kandidatja për Presidente të Kosovës, Feride Rushiti, ka deklaruar se e ka pranuar kandidaturën me bindjen se mund të jetë figurë unifikuese dhe të ndihmojë vendin të dalë nga ngërçi politik, përcjell albinfo.ch.

Rushiti tha se kërkesa për kandidimin i ka ardhur nga shumë qytetarë, shoqëria civile, kryeministri Albin Kurti, si dhe partnerët ndërkombëtarë. Ajo theksoi se pas diskutimeve të gjata me Kurtin, ka vendosur ta marrë këtë përgjegjësi me synimin për stabilizimin e institucioneve.

“S’kam pasur asnjëherë ambicie për pushtet. Kjo është një përpjekje e sinqertë për të kontribuar për vendin tim”, u shpreh Rushiti.

Ajo shtoi se që nga viti 1999 ka bashkëpunuar me partitë politike, duke theksuar se gjithmonë ka pasur parasysh mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

E pyetur lidhur me thirrjet e partive opozitare që të tërhiqet nga gara, Rushiti tha se nuk është ndjerë asnjëherë pjesë e kalkulimeve politike dhe se vendimin për të hyrë në garë e ka marrë në momentin e fundit, pasi sipas saj ishin konsumuar të gjitha mundësitë e tjera.

Rushiti tha se kishte besuar se si figurë unifikuese do të mund të siguronte mbështetjen e të gjithë deputetëve në Kuvendin e Kosovës./Albinfo.ch

Reagon ekipi i Vjosa Osmanit pas shpërndarjes së Kuvendit: Shihemi

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ekipi i ish-Presidentes Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Këshilltarja e saj, Egnesa Vitija, ka publikuar në rrjete sociale një fotografi të Osmanit, duke e shoqëruar me mbishkrimin e shkurtër: “Shihemi”.

Ky reagim vjen në një kohë të zhvillimeve të reja politike, ku vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, në fjalimin e mbajtur mbrëmë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kritikuar ish-Presidenten Osmani, duke deklaruar se ajo kishte tentuar shpërndarjen e Kuvendit përmes një dekreti që ai e cilësoi si jokushtetues.

Deklaratat dhe reagimet e fundit tregojnë për rritjen e tensioneve politike, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera lidhur me procesin zgjedhor dhe pozicionimet e partive politike./Albinfo.ch 

Kurti: Opozita mund të sjellë fytyra të reja, por janë në rënie të lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat ndaj partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve për të sjellë figura të reja politike, opozita sipas tij vazhdon të funksionojë me të njëjtat praktika të vjetra, përcjell albinfo.ch. 

Kurti tha se problemi i opozitës nuk lidhet vetëm me emrat apo figurat që ajo i promovon, por me mënyrën e funksionimit dhe mentalitetin politik të ndërtuar ndër vite.

“Kjo opozitë mundet me sjell ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e kanë të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë, duke rënë vazhdimisht në ciklet elektorale. Sa më shumë zgjedhje, aq më poshtë po shkojnë,” u shpreh Kurti.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur Kuvendi ka kaluar në zhvillime të reja politike, ndërsa vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit./Albinfo.ch 

Abdixhiku: E injoruan Vjosa Osmanin, do ta vulosë populli i Kosovës, do ta zgjedhë vet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje të reja për shkak të, siç tha ai, qasjes së pushtetit që me 51 për qind të votave kërkoi nënshtrim, përcjell albinfo.ch. 

Abdixhiku ka thënë se LDK kishte propozuar emrin e ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe kishte siguruar 15 nënshkrime për kandidaturën e saj, por sipas tij ky propozim u injorua.

“Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se pushteti e kishte parë Vjosa Osmanin vetëm si kuorum, duke e konsideruar atë si numër plotësues për kandidaten e tyre.

“Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre ‘karate’. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, dallimi mes opozitës dhe pushtetit do të vuloset nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“Do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Në një deklaratë publike, Abdixhiku u shpreh se nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike, e cila ka fituar 51% të mbështetjes, të mos arrijë të zgjedhë presidentin, pavarësisht se ka një kandidat dhe mbështetje të deklaruar.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës që një parti me 51% të mos arrijë të zgjedhë presidentin duke pasur kandidat e mbështetje’’, tha ai./Albinfo.ch 

Dështon zgjedhja e Presidentit në Kuvend, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja

Në Kuvendin e Kosovës, dje ka përfunduar afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Deri në orët e fundit të këtij afati, Lëvizja Vetëvendosje tentoi të sigurojë zgjedhjen e Presidentes përmes kandidates Feride Rushiti, por procesi dështoi për shkak të mungesës së mbështetjes nga partitë opozitare, përcjell albinfo.ch. 

Sipas zhvillimeve në sallë, opozita nuk e mbështeti kandidaturën e propozuar dhe, në disa tentativa radhazi, nuk qëndroi në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e procedurave dhe votimin.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) propozoi Vjosa Osmanin për Presidente, duke siguruar edhe 15 nënshkrime për kandidaturën e saj. Megjithatë, ky propozim nuk u mor parasysh dhe nuk u fut në procedurë për shqyrtim.

Pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit ligjor, zyrtarisht Kosova tashmë pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat sipas pritjeve do të mbahen pas disa muajsh.

Ky zhvillim e fut vendin në një fazë të re politike, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të caktojnë datën dhe procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve./Albinfo.ch