Kalon afati kushtetues, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë Presidentin 

Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka përfunduar pa u arritur marrëveshje në Kuvend, duke e futur vendin në një situatë të re institucionale dhe politike.

Gjatë seancave të mbajtura deri në minutat e fundit të afatit, nuk është arritur kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, për shkak të mungesës së pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës. Procesi është shtyrë disa herë gjatë ditës, por pa rezultat.

Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të procesit dhe për tentativë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka deklaruar se qeveria ka qenë e gatshme për kompromis, por opozita ka refuzuar bashkëpunimin politik dhe ka ndjekur, siç tha ai, vetëm interesin për pushtet.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së fundit ka bërë thirrje që deputetët opozitarë të marrin pjesë në votim deri në momentet e fundit, por pjesëmarrja nuk është siguruar, transmeton albinfo.ch.

Albulena Haxhiu në përmbyllje tha se kjo seancë shënon fundin e kësaj legjislature dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues.

Reagim nga Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përfundimit të afatit kushtetues, duke vlerësuar se është shmangur, siç thuhet në deklaratë, një nga shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë.

PDK thekson se përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, duke shtuar se institucionet dhe rendi kushtetues janë mbrojtur.

Sipas kësaj partie, pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar politike, ekonomike dhe institucionale, duke e cilësuar atë si rezultat të keqqeverisjes dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

PDK ka kërkuar që, në përputhje me Kushtetutën, të caktohet data e zgjedhjeve të reja brenda afateve ligjore dhe ka bërë thirrje për një proces zgjedhor të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Në përmbyllje të reagimit, partia ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në procesin e ardhshëm zgjedhor, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional dhe një drejtim të ri për vendin.

Emiratet e Bashkuara Arabe tërhiqen papritur nga OPEC duke filluar nga maji

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar të martën tërheqjen e tyre të papritur nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), e udhëhequr nga Arabia Saudite, si dhe nga aleanca OPEC+, ku bën pjesë edhe Rusia. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 maj, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve WAM.

Sipas njoftimit, ky hap pasqyron “vizionin strategjik dhe ekonomik afatgjatë të Emirateve të Bashkuara Arabe” dhe lidhet me zhvillimin e profilit të tyre energjetik, përfshirë rritjen e investimeve në prodhimin e brendshëm të energjisë.

Ministri i Energjisë i Emirateve deklaroi për Reuters se largimi nga OPEC dhe OPEC+ i jep vendit më shumë fleksibilitet, duke hequr detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia në këto organizata. Ai shtoi gjithashtu se vendimi është marrë pa konsultime direkte me vende të tjera, përfshirë Arabinë Saudite.

Goditje për unitetin e OPEC-ut

Tërheqja e Emirateve të Bashkuara Arabe – anëtare e OPEC-ut që nga viti 1967 – konsiderohet një zhvillim i papritur që mund të dobësojë kohezionin e kartelit të naftës, i cili historikisht përpiqet të veprojë me një qëndrim të unifikuar pavarësisht dallimeve të brendshme.

OPEC dhe OPEC+ kanë përballuar prej kohësh tensione lidhur me kuotat e prodhimit dhe çështjet gjeopolitike, ndërsa vendet e Gjirit po përballen edhe me sfida në transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit – një arterie strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Rritje e pasigurisë në tregjet globale

Situata në rajon është përkeqësuar nga tensionet ushtarake, të cilat kanë ndikuar në çmimet e naftës dhe kanë shtuar pasigurinë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Analistët vlerësojnë se largimi i Emirateve mund të çojë në një dobësim afatgjatë të aftësisë së OPEC-ut për të stabilizuar tregun, sidomos nëse Abu Dhabi rrit prodhimin e tij në mënyrë të pavarur.

Sipas ekspertit të energjisë Jorge Leon nga Rystad, Emiratet dhe Arabia Saudite janë ndër vendet e pakta me kapacitet të madh rezervë prodhimi, një faktor kyç për ndikimin e OPEC-ut në tregun global.

Ai paralajmëron se dalja e Emirateve mund të rrisë paqëndrueshmërinë e tregut të naftës dhe të vërë në pikëpyetje rolin e Arabisë Saudite si stabilizues kryesor i çmimeve.

Vepra e dr. Salih Krasniqit, një akuzë e fortë për krimet e luftës mbi shqiptarët

Afër 27 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, plagët që hapi ajo, janë ende të hapura. Po ashtu përgjegjësia për krimet e bëra vazhdon të mohohet nga autorët e tyre, gjegjësisht shteti serb.

Për të evidentuar këto krime, një kontribut të shquar ka dhënë mjeku dhe pjesëmarrësi i tri luftërave në trojet shqiptare në fund të shekullit të kaluar, prof. dr. Salih Krasniqi. Ai, duke qenë vetë dëshmitar i këtyre krimeve të kryera në fushën e tij, në shëndetësi, ka pasur mundësinë dhe guximin që të bëhet kronisti më besnik dhe bartësi i dëshmive përmes librave të publikuar në këtë cilësi.

Për të prezantuar librat e tij edhe pra publikut të diasporës, të hënën në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është mbajtur një aktivitet kushtuar veprës së Dr. Krasniqit.

Në muret e sallës ku mbahej takimi, ishin vendosur fotografi me pamje nga lufta, të nxjerra nga libri i Krasniqit. Ato flisnin për krimet ende të pandëshkuara mbi personelin mjekësor dhe pacientët shqiptarë në Kosovë.

Mbrëmjen e ka shpallur të hapur nikoqiri, udhëheqësi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha. Ai ka kërkuar nga të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të mbi 370 martirëve shqiptarë të vrarë në Mejë të Gjakovës, pikërisht 27 vjet më parë.

Ai ka prezantuar me pak fjalë veprat e dr. Krasniqit, duke folur për kohën dhe kontekstin specifik në të cilin kanë mbështeten ato. Në këtë vazhdë, z. Berisha ka vënë në pah meritat e veçanta të autorit të librave, i cili ja ka dalë të nxjerrë një numër të madh dëshmish për krimet mbi shqiptarët, duke marrë mbi vete rrezikun e drejtpërdrejtë nga strukturat kriminele serbe.

Në vazhdim, me fjalë përshëndetjeje është paraqitur, shkrimtari dhe veprimtari Muharrem Blakaj nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në cilësinë e bshkorganizatorit. Ai ka përgëzuar dr. Krasniqin për punën e paçmueshme që ka kryer, në shërbim të historisë dhe të drejtësisë për viktimat e luftës, në veçanti ato në mesin e personelit mjekësor dhe pacientëve shqiptarë.

Në emër të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër një fjalë e ka mbajtur Prof. Dr. Alban Y. Neziri. Ai, duke qenë koleg me dr. Krasniqin dhe njëherësh luftëtar dhe ish i burgosur politik i ka bërë një vlerësim të lartë punës së tij në drejtim të dokumentimit të krimeve serbe mbi shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë.

Të theksojmë se dr. Salih Krasniqi ishte ndër themeluesit e shtatë spitaleve ushtarake gjatë tri luftërave çlirimtare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Një koleg tjetër i prof. Dr. Salih Krasniqit, dr. Salih Sefa, ish konsulli i parë i Kosovës në Cyrih, ka folur me konsideratë të lartë për autorin e librave që po  promovoheshin si dhe ka evokuar kujtime nga njohja me të. Dr. Sefa ka vlerësuar lart punën e dr. Krasniqit dhe në veçanti guximin e tij qytetar të treguar në kohën kur punonte në QKUK duke qenë “në gojë të ujkut”, i rrethuar nga kriminelë të njësive paramilitare serbe por edhe nga kolegë të tij serbë që kishin injoruar betimin e hipokratit, duke u bërë bashkëkryes të krimeve më makabre mbi pacientët shqiptarë.

Paraqitja në vazhdim e autorit të librave të promovuar, prof. dr. Salih Krasniqit ka qenë e përshkuar me emocione. Ai ka sjellë në kujtesën e të pranishmëve atmosferën ngjethëse që mbretëronte në QKUK ku ai punonte deri në datën e sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe. Duke folur për aktet kriminale që ndodhnin në spital, ai është ndalur në përshkrimin e atyre më të llahtarshmeve që shkonin edhe deri në vrasjen e pacientëve. Ndër aktet kriminale që kulmonin me absurditete të llojit të vet i ka përmendur formulimin “terrorist” me të cilin kolegët e tij serbë shënonin profesionin e disa pacientëve të tyre shqiptarë. Duke shkelur kështu katërçipërisht betimin e hipokratit, i cili i obligonte për kujdes mjekësor të të gjithë pacientëve, pa paragjykime.

Një dëshmitar dhe viktimë e një absurditeti të tillë ishte edhe atëherë 17 vjeçari, Naim Qufaj, i cili për fat kishte shpëtuar dhe ishte i pranishëm në këtë mbrëmje në Cyrih.

Me një fjalë të frymëzuar i është drejtuar publikut edhe botuesi i librave të dr. Krasniqit, z. Ramiz Tafilaj, nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing Houston”, SHBA. Ai ka folur për rrethanat që kanë sjellë botimin e këtyre librave dhe për njohjen me dr. Krasniqin. Ai ka përshkruar rrugën që veprat e Dr. Krsniqit kanë kaluar ps përkthimit në gjuhën angleze. Ato, falë angazhimit të z. Tafilaj janë prezantuar dhe shpërndarë në shumë biblioteka dhe pika kyçe në SHBA dhe vende të tjera, duke hapur rrugë për njohjen në nivel ndërkombëtar të krimeve serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

Mbrëmja u moderua nga Ramadan Morina.

Veprat e promovuara 

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Rastet e pacientëve dhe personelit mjekësor në QKUK”;

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Vrasja dhe zhdukja e 45 punëtorëve shëndetësorë shqiptarë”

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): 120 pacientë të vrarë në Kirurgji dhe Ortopedi të Spitalit të Prishtinës”

“Kirurgët Abdominalë në QKUK (1998–1999)”.

 

 

 

Orari i majit 2026: Konsullata e Kosovës në Cyrih shpall ditët kur nuk do të ofrojë shërbime

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka bërë të ditur se gjatë muajit maj 2026 nuk do të ofrojë shërbime konsullore në disa data, për shkak të festave zyrtare në Kosovë dhe në Zvicër.

Sipas njoftimit, konsullata do të jetë e mbyllur në këto ditë:

1 maj – Dita Ndërkombëtare e Punës (festë në Kosovë dhe Zvicër)

11 maj – Dita e Evropës

14 maj – Auffahrt (festë zyrtare në Zvicër)

25 maj – Pfingstmontag (festë zyrtare në Zvicër)

27 maj – dita e parë e Bajrami i Vogël

Autoritetet konsullore kanë theksuar se gjatë këtyre ditëve nuk do të jetë aktiv as numri i zakonshëm i telefonit.

Megjithatë, për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë përmes emailit zyrtar ose në numrin emergjent të konsullatës.

Konsullata u bën thirrje bashkatdhetarëve që të planifikojnë shërbimet konsullore paraprakisht, duke marrë parasysh këto ditë pushimi.

PDK me konferencë nga Kuvendi: Çështja e presidentit është e mbyllur për ne

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij ka vepruar në mënyrë konstruktive në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se PDK ka marrë pjesë në procesin e konstituimit të Kuvendit, ka mbështetur marrëveshje ndërkombëtare dhe ka votuar zgjatje buxhetore, duke treguar, sipas tij, qasje bashkëpunuese në çështje me interes shtetëror.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Tahiri theksoi se kjo temë për PDK-në konsiderohet e përfunduar, duke kujtuar se partia ka mbështetur një kandidat konsensual.

“Që nga fillimi kemi pasur qasje konstruktive dhe pozitive, kemi respektuar të gjitha subjektet politike në Kuvend, kemi pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kemi qëndruar në opozitë, por në çështje me interes për vendin kemi treguar bashkëpunim”, u shpreh Tahiri.

AAK në konferencë nga Kuvendi: Nuk bëhemi pjesë e këtij komploti

Grupi parlamentar i AAK-së ka mbajtur një konferencë për media pak orë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për situatën e krijuar rreth këtij procesi. Ai ka thënë se AAK nuk do të përfshihet në atë që e ka quajtur “komplot” ndaj shtetit.

“Qysh flet një kryeministër që don me i dhënë zgjidhje Kosovës, por del e flet në media. Kjo nuk është asgjë tjetër përveç një tentimi për bartje të fajit”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, deputeti Bekë Berisha ka thënë se veprimet e Kurtit tregojnë se zgjedhjet janë të pashmangshme. Sipas tij, çdo cenim i rendit kushtetues do të hasë në kundërshtim.

“Ky nuk ka me arritë me e shkatërru Kosovën. Le të bëjë hajgare, por nuk ka me i dalë ashtu si mendon”, ka thënë Berisha, duke kritikuar edhe mungesën e besimit në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.

LDK i kundërpërgjigjet Kurtit: 15 nënshkrime për kandidatin tonë, jo për skenar me kandidaturë të dytë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se partia e saj ka siguruar 15 nënshkrime për kandidatin e vet, duke theksuar se ai mund të jetë pjesë e një liste unike.

Ajo ka deklaruar se ftesa e bërë nga Vetëvendosje nënkupton krijimin e një kandidature të dytë, me qëllim që, sipas saj, t’i hapet rrugë kandidatit të VV-së për postin e presidentes.

Në një konferencë për media, Lushaku-Sadriu tha se procesi i zgjedhjes së presidentit po zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politike, që sipas saj po dëmton institucionet demokratike.

Ajo kritikoi mënyrën e zhvillimit të procesit, duke thënë se po krijohet hapësirë për përplasje politike dhe për krizë institucionale.

Sipas saj, situata aktuale mund të çojë edhe në dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe eventualisht në zgjedhje të reja.

Lushaku-Sadriu përsëriti se LDK ka dhënë 15 nënshkrime për kandidatin e saj dhe se partia mbetet e qëndrueshme në qëndrimin që presidenti duhet të zgjidhet me marrëveshje politike ose konsensus.

Ajo shtoi se ftesa aktuale, sipas LDK-së, nënkupton krijimin e një kandidature të dytë, gjë që do t’i hapte rrugë kandidatit të Vetëvendosjes për zgjedhje si presidente.

Lushaku-Sadriu e përmbylli deklaratën duke thënë se situata është politike e ndjeshme dhe me rëndësi të madhe për zhvillimet në vend.

Kurti sërish me thirrje LDK-së: Dorëzoni nënshkrimet për kandidatin për president

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka biseduar me kandidaten për presidente, Hatixhe Hoxha, e cila është shprehur e gatshme të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK deponon 15 nënshkrime për kandidatin e saj për president.

Kurti tha në një konferencë për media se tani pritet që LDK të dorëzojë zyrtarisht nënshkrimet me emrin e kandidatit të saj, duke theksuar se ky hap është i domosdoshëm për vazhdimin e procesit.

Sipas tij, pas deponimit të nënshkrimeve nga LDK, mazhoranca është e gatshme të plotësojë edhe pjesën tjetër të nënshkrimeve të nevojshme për të mundësuar zgjedhjen e presidentit.

Kurti shtoi se lista e paraqitur nga LDK nuk kishte të specifikuar emrin e kandidatit, por vetëm mbështetje në parim, ndërsa pas komunikimit me Hoxhën ajo ka pranuar mundësinë e tërheqjes nëse plotësohen kushtet.

Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia për funksionimin e institucioneve i takon të gjitha palëve politike, përfshirë opozitën, dhe se janë bërë përpjekje për marrëveshje, por pa sukses deri tani.

Zvicra shpreh gatishmëri për rol në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, gjatë një vizite në Beograd është takuar me presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin Gjuro Macut.

Sipas autoriteteve zvicerane, diskutimet janë përqendruar në marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe çështje të sigurisë në rajon. Një nga temat kryesore ishte edhe raporti ndërmjet Kosova dhe Serbia.

Parmelin theksoi se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor mbeten prioritet i politikës së jashtme të Zvicrës. Ai vlerësoi përparimet në ekonomi dhe siguri në rajon, por nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për paqe afatgjatë.

Po ashtu, presidenti zviceran rikonfirmoi se vendi i tij është i gatshëm të kontribuojë dhe të marrë pjesë në procesin e dialogut mes dy vendeve.

Kosovë: Sërish shtyhet seanca për Presidentin, vazhdimi caktohet për në orën 23:00

Edhe një herë është shtyrë seanca për zgjedhjen e Presidentit, pasi opozita vazhdon të mos marrë pjesë në sallë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të mbahet në orën 23:00.

Seanca ishte paraparë fillimisht për në orën 10:00, por gjatë ditës u shty disa herë, fillimisht për në 14:00 dhe më pas për në 19:00, për shkak të mungesës së opozitës

Reagime të shumta, shkruhet saktë Prishtina në kompanitë e njohura gjermane

Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit tonë diplomatik, portali i lajmeve t-online dhe kompania ajrore Freebird Airlines kanë korrigjuar pasaktësitë në platformat e tyre.

Tek t-online, Republika e Kosovës tashmë paraqitet në përputhje me kufijtë e saj kushtetues, ndërsa tek Freebird Airlines destinacioni Prishtinë është shënuar saktë, duke zëvendësuar formën e gabuar “Priština” me “Prishtina” ose “Pristina”, njofton ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete. Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen, shkruan tutje Ajeti në rrjetet sociale.

Muriqi nominohet për ekipin e vitit në Spanjë

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi është kandidat për në ekipin e edicionit 2025/2026 të La Ligas spanjolle.

Kështu njoftoi Mallorca, transmeton albinfo.ch.

Muriqi ka shkëlqyer me plot 21 gola dhe tani mund të zë vend në ekipin më të mirë të kësaj kampanje.

Përzgjedhja bëhet përmes votave të publikut. Dhe Mallorca ka bërë thirrje që të votohet 32-vjeçari.

Shqipëri-SHBA nënshkruhet marrëveshja për gazin me vlerë 6 miliardë dollarë

Shqipëria nënshkroi sot Memorandumin për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshjen kuadër 6 miliardë dollarë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor, transmeton albinfo.ch.

“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera Guilfoyle.

Nga ana e tij kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se marrëveshja pritet të sjellë një investim të madh në vend, ku Vlora do të kthehet në një pikë kritikë për energjinë elektrike në Evropën Juglindore.

“Menjëherë pas bisedës sonë mjaft të këndshme me Sekretarin për Punët e Brendshme dhe me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. E nuk mundem përveçse të theksoj, rëndësinë e asaj çfarë përmendi ambasadorja Guilfoyle, pra të nevojës sonë të të dyja palëve, të Shqipërisë e të Greqisë, për të forcuar lidhjen tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike”, deklaroi Rama.

Sipas tij “Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo është diçka që vërtetë na bën shumë krenarë dhe na bën të ndihemi shumë të nderuar”.

Rritet interesi për makinat elektrike

Interesi për makinat elektrike është rritur ndjeshëm, ndërsa çmimet e karburanteve vazhdojnë të rriten dhe konsumatorët kërkojnë alternativa më të lira dhe më të qëndrueshme.

Sipas raportimeve, rritja e çmimeve të naftës – e lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme – ka shtyrë shumë drejtues të automjeteve të konsiderojnë kalimin në makina elektrike, për shkak të kostove më të ulëta të përdorimit.

Në disa vende evropiane, kërkimet dhe interesimi për makina elektrike janë rritur ndjeshëm, ndërsa edhe shitjet kanë shënuar rritje të fortë në muajt e fundit, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë se kjo situatë mund të përshpejtojë tranzicionin drejt automjeteve elektrike, pasi gjithnjë e më shumë konsumatorë po bëhen të vetëdijshëm për kostot afatgjata të përdorimit të makinave me benzinë ose naftë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky interes i rritur do të jetë i qëndrueshëm apo vetëm një reagim i përkohshëm ndaj krizës energjetike.

Gjenevë: Më shumë tramvaje dhe autobusë për verën

Qyteti i Gjenevës po rrit ofertën e transportit publik për sezonin veror, duke shtuar më shumë tramvaje dhe autobusë për të përballuar kërkesën më të madhe gjatë muajve të ngrohtë.

Operatori i transportit publik TPG do të zgjerojë rrjetin e natës edhe në mbrëmjet e së enjtes dhe të premtes, me nisjet e fundit që do të zhvillohen deri rreth orës 03:30 të mëngjesit, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu, linja e njohur “beach line” rikthehet me frekuencë më të lartë dhe me një itinerar të zgjeruar, duke lidhur më mirë zonat pranë liqenit.

Në ditët e diel, do të shtohen edhe shërbimet drejt teleferikut të Salève për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve.

Këto masa synojnë ta bëjnë më të lehtë lëvizjen për banorët dhe vizitorët gjatë verës, sidomos për aktivitete rekreative dhe dalje në natyrë.

Nismë e re në Zvicër: taksë për fluturimet, për të favorizuar trenat

Një iniciativë e re është lançuar në Zvicër që synon vendosjen e një takse mbi transportin ajror, me qëllim mbështetjen e transportit publik dhe reduktimin e ndikimit në mjedis.

Nisma, e quajtur “Për transport publik të fortë dhe çmime të drejta të fluturimeve”, është propozuar nga organizata mjedisore Straffico dhe synon të financojë zgjerimin e rrjetit hekurudhor përmes të ardhurave nga taksimi i biletave ajrore.

Sipas propozimit, taksa do të aplikohej për fluturimet dhe edhe për avionët privatë, ndërsa fondet e mbledhura do të përdoren për të përmirësuar lidhjet hekurudhore, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, dhe për ta bërë transportin publik më të përballueshëm, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Iniciatorët argumentojnë se aktualisht fluturimet shpesh janë më të lira se udhëtimi me tren, pavarësisht se transporti hekurudhor është shumë më miqësor ndaj mjedisit.

Për të çuar përpara këtë nismë, do të nisë mbledhja e nënshkrimeve – një hap i domosdoshëm në sistemin e demokracisë direkte në Zvicër, ku qytetarët mund të propozojnë ndryshime ligjore përmes referendumit.

Kurti në konferencë: Qëllimi i opozitës është bllokimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e presidentit, duke akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të proceseve institucionale.

Ai u shpreh se opozita nuk ka objektiv tjetër përveç pengimit të qeverisë, duke shtuar se kjo po bëhet përmes bllokimit të seancave për çka sipas tij rezulton me “mosnjohje të rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit”.

“Është bërë mjaftueshëm e qartë se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër veçse bllokimin. Ajo është e interesuar vetëm për bllokimin e qeverisë, e cila në këtë mandat ka rezultate historike,” deklaroi Kurti, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, një tjetër tregues i kësaj qasjeje është kundërshtimi i paketës ekonomike për qytetarët, si dhe refuzimi i vazhdueshëm i propozimeve nga ana e partive opozitare.

“Asnjë propozim, veç refuzim. Filluan t’i refuzojnë takimet edhe me mua, nuk erdhën as në debat. U detyruam të flasim me qytetarët, ata nuk erdhën në takime, nuk erdhën në debat, në propozime vetëm refuzime,” theksoi ai.

A paguajnë banorët e Zvicrës më shumë apo më pak taksa se fqinjët?

Banorët e Zvicrës në përgjithësi paguajnë më pak taksa krahasuar me shumicën e vendeve fqinje evropiane, duke e bërë vendin një nga më të favorshmit fiskalisht në rajon, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas analizave ndërkombëtare dhe të dhënave të OECD, një person i vetëm në Zvicër paguan mesatarisht rreth 11.5% të të ardhurave në taksa, një nivel dukshëm më i ulët se në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore.

Ky avantazh lidhet me sistemin fiskal zviceran, i cili është i decentralizuar: taksat vendosen në nivel federal, kantonal dhe komunal. Kjo krijon konkurrencë mes kantoneve dhe shpesh rezulton në norma më të ulëta për tërheqjen e banorëve dhe bizneseve.

Megjithatë, situata nuk është e njëjtë për të gjithë. Niveli i taksave ndryshon ndjeshëm nga një kanton në tjetrin – për shembull, zona si Zug apo Schwyz kanë taksa shumë të ulëta, ndërsa kantone si Gjeneva apo Vaud kanë norma më të larta.

Ekspertët theksojnë se edhe pse taksat janë relativisht të ulëta, kostoja e jetesës në Zvicër është ndër më të lartat në Evropë, çka e balancon disi këtë avantazh fiskal.

Vjena bëhet gati për Eurovision

Sot u zbulua skena për Festivalin e Këngës në Eurovision të këtij viti.

Llogaria zyrtare e ESC në Instagram publikoi një pamje të skenës, shfaqjes së dritave dhe akustikës në sallë

“Vjena është gati, dhe ne jemi gati”, thuhet në postim. Dizajni i skenës u krijua nga dizajneri i njohur i skenës Florian Wieder, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit, Festivali i Këngës në Eurovision feston 70-vjetorin e tij.

Si pjesë e festimeve, Transmetimet Evropiane po kujtojnë edicionet e kaluara.

https://www.instagram.com/orf/?utm_source=ig_embed&ig_rid=aafc4be1-0ee9-4276-afdb-f730ddc2ee3d

 

 

Trumpi i pakënaqur me propozimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur i pakënaqur me propozimin e fundit të Iranit për zgjidhjen e konfliktit dymujor, sipas një zyrtari amerikan, përcjell albinfo.ch.

Propozimi i Teheranit parashikon që diskutimet për programin bërthamor të shtyhen deri pas përfundimit të luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mbi transportin detar në Gjirin Persik. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk pritet ta pranojnë këtë qasje, duke këmbëngulur që çështja bërthamore duhet të jetë pjesë e negociatave që në fillim.

Sipas zyrtarit amerikan, Trump ka shprehur pakënaqësi pikërisht për këtë arsye.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se SHBA nuk zhvillon negociata përmes mediave dhe se vijat e kuqe të Uashingtonit janë bërë tashmë të qarta.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e nënshkruar mes Iranit dhe disa fuqive botërore, kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit, të cilin Teherani e ka cilësuar gjithmonë si paqësor. Megjithatë, ajo marrëveshje u rrëzua pasi SHBA u tërhoq gjatë administratës Trump./Albinfo.ch

Ekspozita “Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka kënaqësinë të ju ftojë në ekspozitën tematike-muzeore:

“Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

E shtunë, 9 maj 2026

Ora 18:00

Adresa: Katzenbachstrasse 4, 8052, Zürich

Ftohen bashkatdhetarët, miqtë dhe të gjithë të interesuarit që me pjesëmarrjen e tyre të nderojnë figurën dhe veprën e akademik Fehmi Aganit.

Pjesëmarrjen tuaj mund ta konfirmoni në e-mailin: [email protected]

Mirë se vini!

Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku sjellin lexim skenik në Cyrih mbi migrimin dhe kujtesën e luftës në Kosovë

Në kuadër të festivalit letrar “Zwischentext”, në Cyrih  do të mbahet një lexim skenik me autorë shqiptarë me titull “Çka ka mbetur mes nesh”, një performancë e realizuar nga Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja ndërthur tekstin, tingullin dhe performancën, duke sjellë kujtime dhe rrëfime që lidhen me migrimin, luftën në Kosovë dhe përjetimin e jetës mes dy vendeve e dy realiteteve.

Përmes një qasjeje artistike, leximi skenik synon t’i afrohet asaj që thuhet dhe asaj që mbetet e pathënë, duke hapur hapësirë për reflektim mbi kujtesën, identitetin dhe përvojat personale.

Ngjarja do të mbahet në Cyrih, në adresën Kirchgasse 14, ndërsa biletat mund të sigurohen përmes faqes zyrtare të festivalit, zwischentext.ch. Këtu

 

Sat, May 2, 2026, 17:15  – 18:00 

Kirchgasse 14, Stadtkreis 1 Altstadt, Zürich, CH, 8001

Debattierhaus Karl der Grosse