Ekspozita “Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me shoqatën “Sali Çekaj” në Zvicër dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka kënaqësinë të ju ftojë në ekspozitën tematike-muzeore:

“Kontributi atdhetar, intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit”

E shtunë, 9 maj 2026

Ora 18:00

Adresa: Katzenbachstrasse 4, 8052, Zürich

Ftohen bashkatdhetarët, miqtë dhe të gjithë të interesuarit që me pjesëmarrjen e tyre të nderojnë figurën dhe veprën e akademik Fehmi Aganit.

Pjesëmarrjen tuaj mund ta konfirmoni në e-mailin: [email protected]

Mirë se vini!

Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku sjellin lexim skenik në Cyrih mbi migrimin dhe kujtesën e luftës në Kosovë

Në kuadër të festivalit letrar “Zwischentext”, në Cyrih  do të mbahet një lexim skenik me autorë shqiptarë me titull “Çka ka mbetur mes nesh”, një performancë e realizuar nga Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja ndërthur tekstin, tingullin dhe performancën, duke sjellë kujtime dhe rrëfime që lidhen me migrimin, luftën në Kosovë dhe përjetimin e jetës mes dy vendeve e dy realiteteve.

Përmes një qasjeje artistike, leximi skenik synon t’i afrohet asaj që thuhet dhe asaj që mbetet e pathënë, duke hapur hapësirë për reflektim mbi kujtesën, identitetin dhe përvojat personale.

Ngjarja do të mbahet në Cyrih, në adresën Kirchgasse 14, ndërsa biletat mund të sigurohen përmes faqes zyrtare të festivalit, zwischentext.ch. Këtu

 

Sat, May 2, 2026, 17:15  – 18:00 

Kirchgasse 14, Stadtkreis 1 Altstadt, Zürich, CH, 8001

Debattierhaus Karl der Grosse

OVL e UÇK-së kërkon respektim të Kushtetutës dhe stabilitet institucional

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe funksionimit të rregullt të institucioneve demokratike.

Në reagimin e saj, organizata ka kërkuar që të gjitha veprimet institucionale të jenë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke paralajmëruar se çdo proces që cenon bashkëpunimin institucional mund të rrezikojë stabilitetin demokratik dhe besimin e qytetarëve.

OVL UÇK i ka bërë thirrje shumicës parlamentare që të veprojë me maturi dhe përgjegjësi, duke siguruar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvend.

Po ashtu, organizata ka theksuar se veteranët e luftës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, janë ndërtuar mbi sakrificën e luftës çlirimtare.

Kosovë: Seanca për presidentin shtyhet sërish

Seanca u ndërpre për herë të dytë brenda ditës, ndërsa kryetarja e Kuvendit kërkon pjesëmarrjen e deputetëve opozitarë, përcjell albinfo.ch.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për zgjedhjen e presidentit, e cila u ndërpre për herë të dytë brenda ditës, do të vazhdojë sërish në orën 19:00.

Haxhiu u ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i procesit të votimit./Albinfo.ch 

Shqiptari Kristian Prenga përballet në ring me ish-kampionin e botës Anthony Joshua

Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, do të përballet me ish-kampionin e botës Anthony Joshua më 25 korrik në Riad, në një meç që pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Joshua, i cili po rikthehet në ring pas një pauze, tha se ndihet i përgatitur për këtë fazë të re të karrierës së tij dhe se është i kënaqur me marrëveshjen e re për disa ndeshje. Ai theksoi se synon të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt majës së boksit profesional.

Nga ana tjetër, Kristian Prenga është shprehur i bindur në aftësitë e tij, duke deklaruar se është i gatshëm për një fitore të madhe dhe se kjo përballje mund të ndryshojë rrjedhën e karrierës së tij dhe të kundërshtarit.

Pas këtij meçi, Joshua pritet të përballet me një tjetër duel të madh, atë ndaj britanikut Tyson Fury, një ndeshje e shumëpritur mes dy ish-kampionëve të botës në peshat e rënda që nuk janë përballur më parë në ring.

Sipas promotori Eddie Hearn, marrëveshja për meçin Joshua–Fury tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për një nga përballjet më të mëdha në historinë e boksit profesionist./Albinfo.ch

Rinis seanca, Haxhiu i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në votim

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës rreth 30 minuta pas orarit të paralajmëruar për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Edhe kësaj radhe, në sallë nuk është parë asnjë deputet i opozitës, duke vazhduar bojkotin e procesit të votimit.

Në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje sërish deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet ligjore për pjesëmarrje në punimet parlamentare.

Ajo u referua në aktgjykime të ndryshme dhe në Ligjin për Deputetët, sipas të cilit deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat.

Ndërkohë, është rikujtuar edhe sqarimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, ku thuhet se nuk është kriter kushtetues pjesëmarrja e të gjithë 120 deputetëve, por kërkohet përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh./Albinfo.ch

Zvicra mban rezerva ekskluzive të karburantit në kohë krize energjetike

Zvicra disponon rezerva të posaçme të karburantit që përdoren në rast mungese dhe janë të dedikuara vetëm për vendin. Këto rezerva nuk ndahen me shtete të tjera, ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht tensioneve ndërkombëtare dhe krizave energjetike, furnizimi me benzinë dhe naftë në Zvicër vazhdon normalisht. Megjithatë, situata me kerozinën për avionë mbetet më e ndjeshme.

Autoritetet zvicerane vlerësojnë se furnizimi i aeroporteve është i sigurt deri në maj 2026, ndërsa në rast nevoje qeveria mund të lirojë rezervat nga depot shtetërore.

Zvicra nuk është pjesë e mekanizmit të solidaritetit energjetik të BE-së, por ka marrëveshje të veçanta për bashkëpunim në sektorin e gazit me disa vende fqinje.

Në situata ekstreme, qeveria mund të japë prioritet fluturimeve emergjente, ndërsa ushtria mban rezerva të veçanta të karburantit për përdorim të saj.

Ushtria zvicerane bashkon kuajt dhe dronët në patrullime moderne

Ushtria zvicerane po ndërthur traditën me teknologjinë moderne duke përdorur kuajt dhe dronët në operacionet e patrullimit në terren. Kjo qasje e re është pjesë e një trajnimi të veçantë në Shkollën Rekrute, ku një grup i vogël rekrutësh të rinj mësojnë të punojnë me të dyja sistemet, përcjell albinfo.ch.

Rekrutët trajnohen si patrullues kalorës dhe kryejnë misione vëzhgimi në zona të ndryshme, përfshirë edhe pyjet dhe terrenet e vështira. Sipas tyre, bashkëpunimi mes kalit dhe dronit kërkon stërvitje të kujdesshme, pasi kafshët fillimisht reagojnë me frikë ndaj teknologjisë së re dhe duhet të ambientohen gradualisht.

Ushtria zvicerane ka një traditë të gjatë në përdorimin e kuajve. Dikur, para rreth 100 vitesh, ajo kishte dhjetëra mijëra kuaj, ndërsa sot numri i tyre është rreth 300. Këto kafshë përdoren kryesisht për mbikëqyrje të zonave të gjera dhe objekteve kritike, siç është edhe Aeroporti i Cyrihut, ku terreni nuk lejon shumë rrugë të aksesueshme.

Sipas komandantit Kim Schätti, kuajt kanë avantazhe të veçanta në terrene të vështira, pasi mund të lëvizin më shpejt se patrullat këmbësore dhe të reagojnë në mënyrë relativisht të qetë në mjedise të paqarta.

Nga ana tjetër, dronët përfaqësojnë teknologjinë më të re ushtarake. Ata mund të përdoren për vëzhgim edhe gjatë natës, falë kamerave termike që zbulojnë nxehtësinë e njerëzve dhe kafshëve, duke i bërë të dallueshëm edhe në errësirë.

Kombinimi i kuajve dhe dronëve shihet si një qasje inovative që bashkon përvojën tradicionale me aftësitë moderne të mbikëqyrjes./Albinfo.ch

Cyrihu kontribuon me një të pestën e GDP-së së Zvicrës

Kantoni i Cyrihut vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë zvicerane, duke kontribuar me rreth 21 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP) të Zvicrës. Këto të dhëna janë publikuar në një studim të Bankës Kantonalë të Cyrihut, përcjell albinfo.ch.

Sipas studimit, Cyrihu shquhet veçanërisht për fuqinë e tij në sektorin e shërbimeve, i cili përbën rreth një të katërtën e të gjitha shërbimeve në nivel kombëtar. Ky sektor përfaqëson gjithashtu bazën kryesore të ekonomisë së kantonit, duke gjeneruar afërsisht 70 për qind të GDP-së së tij.

Këto shifra e pozicionojnë Cyrihun si një qendër ekonomike të rëndësishme jo vetëm për Zvicrën, por edhe për rajonin më të gjerë, duke luajtur rol kyç në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të vendit./Albinfo.ch

Zvicër: Kërkohet ndalim më i rreptë i cigareve elektronike në platformat e trenave

Në stacionet hekurudhore të Zvicrës, pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike lejohet vetëm në zona të caktuara pranë hiriçeve, brenda një rrezeje prej dy metrash. Megjithatë, përdorimi i vape-it jashtë këtyre hapësirave po shkakton gjithnjë e më shumë ankesa nga pasagjerët, përcjell albinfo.ch.

Shoqata Zvicerane për Parandalimin e Duhanit ka kërkuar që kompania hekurudhore SBB të ashpërsojë masat ndaj shkeljeve, duke përfshirë edhe ndalimin e përdorimit të cigareve elektronike në pjesë të tjera të platformave dhe madje edhe brenda trenave.

Drejtori i shoqatës, Luciano Ruggia, ka propozuar që për shkeljet e ndalimit të vendoset një gjobë prej 500 frangash, duke e cilësuar këtë masë si të arsyeshme dhe të nevojshme për zbatimin e rregullave.

Po ashtu, ai ka kërkuar që sinjalistika në stacione të jetë më e qartë, duke përfshirë shenja që tregojnë si cigaret tradicionale ashtu edhe ato elektronike, si dhe shënime në dysheme për të identifikuar zonat e lejuara për pirje duhani.

Sipas tij, mungesa e qartësisë aktuale po çon në mosrespektim të rregullave dhe përdorim të pakontrolluar të produkteve të duhanit në hapësira publike./Albinfo.ch

Bashkëpunimi nga diaspora shqiptare në Zvicër forcon kujdesin mjekësor në Viti dhe Gjilan

Disa institucione shëndetësore në Kosovë, përfshirë spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, QKUK-në në Prishtinë, si dhe QKMF-të në Ferizaj,  Viti, Kamenicë, Kaçanik, Han të Elezit, Shtime dhe Novobërd kanë pranuar një donacion të rëndësishëm që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së trajtimit të pacientëve. Ky donacion është realizuar falë bashkëpunimit me Shoqatën “Zentrum Parandalo” dhe Xhaminë “Shtëpia e Paqes” në Cyrih të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Në QKMF në Viti, donacioni do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimet e urgjencës primare. Ai përfshin 20 bartëse për pacientë të lënduar, të cilat do të përdoren në QMF-në e Pozheranit dhe në autoambulanca. Këto pajisje pritet të lehtësojnë punën e stafit shëndetësor dhe të rrisin sigurinë dhe efikasitetin gjatë trajtimit të rasteve emergjente, veçanërisht në situata traume dhe aksidentesh.

Drejtoresha e QKMF-së në Viti, dr. Vjollca Kadolli Halili, shprehu mirënjohje të thellë për donatorët, duke vlerësuar kontributin e tyre në avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunë. Në shenjë falënderimi, ajo ndau mirënjohje institucionale për Shoqatën “Parandalo” dhe Xhaminë “Shtëpia e Paqes”. Ajo gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me këto organizata ka vazhduar edhe në të kaluarën përmes aktiviteteve vetëdijesuese në komunitet.

Ndërkohë, edhe Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ka përfituar nga ky donacion. Drejtori i spitalit, dr. Afrim Cana, falënderoi donatorët nga Cyrihu, duke theksuar se mbështetja e tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve dhe kujdesit ndaj pacientëve.

Ky kontribut nga diaspora shqiptare në Zvicër vlerësohet si një ndihmë e rëndësishme për sistemin shëndetësor në Kosovë, duke synuar kujdes më efikas, më të sigurt dhe më cilësor për qytetarët.

Bëhet fjalë për një donacion prej 200 copë pëlhurë ngritjeje (Tragetücher) për spitalet dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kosovë, me vlerë totale prej 3,200 frangash zvicerane.

Donacioni synon të mbështesë institucionet shëndetësore, të përmirësojë kushtet për pacientët dhe të lehtësojë punën e stafit mjekësor. Pajisjet janë shpërndarë në disa institucione shëndetësore, përfshirë spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, QKUK-në në Prishtinë, si dhe QKMF-të në Ferizaj, Gjilan, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Han të Elezit, Shtime dhe Novobërdë.

Planifikoi sulm në koncertin e Swift: Fillon gjyqi për shqiptarin në Austri

Duke filluar nga e marta, Beran A, (shqiptari me origjinë nga Gostivari) nga Austria e Poshtme, do të dalë në gjyq për planifikimin e dyshuar të sulmeve në një koncert të Taylor Swift në vitin 2024. Arda K., i cili akuzohet gjithashtu se është pjesë e rrjetit terrorist, akuzohet së bashku me të. Të dy përballen me deri në 20 vjet burg, përcjell albinfo.ch.

Gjatë katër ditëve të gjyqit, që fillojnë të martën, gjykata do të përcaktojë nëse Beran A. dhe Arda K. janë fajtorë. Sipas aktakuzës, një qelizë e rrezikshme terroriste u formua rreth të riut nga Ternitz ( Neunkirchen). Në vitin 2024, Beran A., Arda K. dhe bashkëpunëtori i tyre i tretë, Hasan E., dyshohet se planifikuan sulme të njëkohshme në Lindjen e Mesme – konkretisht në Stamboll, Dubai dhe Mekë.

Ndërsa Arda K. dhe Beran A. nuk i zbatuan planet e tyre, Hasan E. plagosi pesë persona në Mekë dhe u arrestua. Ai dyshohet se goditi me thikë në qafë një roje sigurie në një xhami. Kur forcat e tjera të sigurisë e nënshtruan, ai vazhdoi t’i godiste dhe t’i priste me thikë, duke i plagosur edhe ata. Deri më sot, pak dihet për gjendjen e tij shëndetësore dhe dënimi i kërkuar mbetet i panjohur, sipas Ministrisë së Jashtme në përgjigje të një kërkese nga noe.ORF.at.

Kontributi në tentativën e vrasjes

Beran A. dhe Arda K. tani përballen me akuza për këtë sulm të dyshuar terrorist, pasi akuzohen për inkurajimin e Hasan E. në qëllimet e tij terroriste dhe secili për kontributin psikologjik në vrasjen e mbetur në tentativë në Mekë. Avokatët mbrojtës të të dy të pandehurve njoftuan paraprakisht se klientët e tyre do të deklarohen të pafajshëm për këto akuza.

Tre djemtë, të cilët më vonë do të bëheshin mbështetës të grupit terrorist Shteti Islamik (IS), u takuan për herë të parë në vitin 2020. Ata ishin 15 vjeç në atë kohë dhe ndiqnin të njëjtën shkollë biznesi në lagjen Favoriten të Vjenës. Pasi braktisi shkollën dhe kaloi një vit në Turqi, Hasan E. u kthye në Austri në vitin 2022 me një interpretim më të rreptë të Islamit, ku më pas përqafoi ideologjinë e ISIS-it, raporton orf.at, percjell albinfo.at.

Rrëfim në lidhje me planet e sulmit në koncertin e Swift

Ndërkohë, Beran A. synon të rrëfejë për sulmin e planifikuar në një koncert të Taylor Swift. Megjithatë, avokatja e tij, Anna Mair, deklaroi se këto plane ishin “të paqarta” – veçanërisht në lidhje me zgjedhjen e metodave.

Mair aludon në faktin se klienti i saj, në bisedat që pati me anëtarë të tjerë të ISIS disa ditë para koncertit të Swift, shprehu pasiguri dhe frikë nga vdekja. Madje thuhet se ai ka konsideruar trajtimin Ruqyah (një metodë shërimi shpirtëror duke përdorur magji) për të kapërcyer këto frikëra.

Zyra e prokurorit publik thekson se, që nga mesi i korrikut 2024, 21-vjeçari riafirmoi planet e tij të sulmit para disa partnerëve në bisedë dhe madje pyeti veten nëse i duhej miratimi i ISIS-it për këtë (“A kam nevojë për konfirmim prej tyre apo nuk ka rëndësi nëse ata e dinë se çfarë do të bëj (…). Apo duhet t’i kontaktoj dhe t’u njoftoj se ku planifikoj të bëj çfarë?”.

Sipas aktakuzës, ai madje u përpoq të bindte një djalë 15-vjeçar gjerman që t’i bashkohej: “A doni të kryeni një sulm të njëkohshëm… Ju me ju, unë do të jem këtu.” Për më tepër, aktakuza e akuzon atë për marrjen e udhëzimeve për prodhimin e bombave, përpjekjen për të blerë armë të paligjshme dhe në fund për t’i betuar besnikëri ISIS-it.

Arrestim në Ternitz

Në një operacion policor në shkallë të gjerë, Beran A. u arrestua më në fund në Ternitz në gusht 2024 pas një informacioni nga FBI-ja. Pas marrjes në pyetje fillestare, u tha se ai kishte lënë të kuptohej “se kishte ndërmend ta kryente sulmin duke përdorur eksplozivë, si dhe armë me teh, dhe qëllimi i tij ishte të vriste veten dhe një turmë të madhe në koncert sot ose nesër”, sipas Omar Haijawi-Pirchner, ish-kreut të Drejtorisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Shtetërore. Të tre koncertet e Taylor Swift u anuluan më pas.

Për muaj të tërë pas arrestimit, hetuesit hetuan me kujdes rrjetin terrorist që rrethonte Beran A. Që atëherë, disa persona nga rrethi i tij janë dënuar – përfshirë edhe të dashurën e tij të atëhershme. Tani, Beran A. dhe Arda K. përballen me deri në 20 vjet burg. Të martën, e para nga katër ditët e gjyqit, do të lexohet aktakuza dhe do të merren në pyetje të pandehurit. Raportohet se ende nuk janë thirrur dëshmitarë./Albinfo.at

Procedura e re në Aeroportin e Prishtinës, si të bëni check-in online që nga ky muaj?

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar për disa përditësime në procedurat e udhëtimit, të cilat kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli 2026, me synim përshpejtimin dhe lehtësimin e procesit të fluturimeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online dhe të mbajnë kartën e imbarkimit në telefon ose të printuar. Pasagjerët pa bagazh të regjistruar mund të shkojnë direkt në portën e nisjes.

Po ashtu, është theksuar se pasagjerët duhet të paraqiten në aeroport të paktën tri orë para nisjes së fluturimit, për shkak të procedurave të imbarkimit dhe mbylljes së check-in-it në kohë.

“Aeroporti u bën thirrje të gjithë pasagjerëve që të respektojnë oraret e përcaktuara sipas politikave të linjave ajrore”, thuhet në njoftim.

Autoritetet gjithashtu kanë kërkuar që gjatë regjistrimit online të plotësohen saktë të dhënat personale dhe dokumentet e udhëtimit, pasi gabimet mund të shkaktojnë vonesa ose probleme gjatë imbarkimit.

Udhëtarëve u rekomandohet të informohen paraprakisht për fluturimet e tyre dhe të ndjekin udhëzimet e linjave ajrore për një udhëtim më të shpejtë dhe më të lehtë./Albinfo.ch

Orët e fundit për presidentin, seanca shtyhet për në orën 14:00

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit ka nisur me rreth një orë vonesë, pasi ishte paraparë të fillonte në orën 10:00.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka hapur seancën duke bërë thirrje për pjesëmarrje të deputetëve nga partitë e tjera, megjithatë në sallë është e pranishme vetëm Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa opozita ka munguar sërish.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se po bëhen përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se mbetet të shihet nëse opozita do të marrë pjesë në proces.

“Ne po bëjmë përpjekjet maksimale, tash do shohim a po vinë deputetët e opozitës, që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin”, ka thënë Kurti para nisjes së seancës.

Procesi për zgjedhjen e presidentit po vazhdon nën një klimë të tensionuar politike, me mungesë konsensusi mes pozitës dhe opozitës./Albinfo.ch

Kosova drejt rekordit evropian për ciklin më të shpeshtë zgjedhor

Kosova rrezikon të hyjë në një rekord të pazakontë në Evropë, duke u shndërruar në një nga vendet me ciklin më të shkurtër zgjedhor, si pasojë e krizave të vazhdueshme politike dhe mungesës së konsensusit institucional, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave krahasuese, shumica e shteteve evropiane zhvillojnë tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare brenda një periudhe prej 7 deri në 10 vjet, pasi mandatet zakonisht përfundojnë në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, Kosova po shkon drejt një situate krejtësisht të kundërt.

Nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja, atëherë tri zgjedhjet e fundit parlamentare do të përfshiheshin brenda vetëm një viti e katër muajsh – një periudhë që do ta bënte Kosovën rast unik në kontinent.

Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare, ndërsa tani po përballet me mundësinë reale të një procesi të tretë zgjedhor. Zgjedhjet e dhjetorit 2025 u organizuan pas një ngërçi të gjatë politik dhe pas pamundësisë për krijimin e institucioneve stabile nga zgjedhjet e mëparshme të po atij viti.

Kriza e tanishme lidhet me pamundësinë e Kuvendit për të zgjedhur presidentin e vendit, proces i cili kërkon kuorum të caktuar dhe pjesëmarrje të gjerë të deputetëve. Dështimet në rundet e para dhe afatet kushtetuese e kanë shtyrë Kosovën drejt një momenti vendimtar, ku mungesa e kompromisit politik mund të prodhojë sërish zgjedhje të parakohshme.

Nëse skenari i zgjedhjeve të reja realizohet, Kosova do të hynte në një cikël të rrallë zgjedhor për standardet evropiane, duke reflektuar edhe më shumë pasigurinë politike dhe vështirësitë në ndërtimin e stabilitetit institucional./Albinfo.ch

Zvicra mes vendeve kryesore në Evropë për qendra të të dhënave

Zvicra po forcon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një pikë strategjike në Evropë për qendrat e të dhënave (data centers), një infrastrukturë që sot konsiderohet thelbësore për zhvillimin e inteligjencës artificiale, cloud-it dhe ekonomisë digjitale, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Cloudscene, të cilat përdoren edhe në analizat e Euronews Next, Zvicra ka gjithsej 121 qendra të të dhënave, duke u renditur ndër vendet evropiane me mbi 100 objekte të këtij lloji. Për nga numri, ajo qëndron pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës, Italisë, Spanjës dhe Polonisë, por mbetet përpara shumë shteteve të tjera të kontinentit.

Qendrat e të dhënave janë baza ku ruhen dhe përpunohen informacionet që përdoren çdo ditë nga miliona përdorues: nga videot online dhe shërbimet cloud, deri te platformat e inteligjencës artificiale dhe chatbot-et. Raporti “AI Index 2026” i Institutit Stanford thekson se këto objekte janë “vendi ku strehohet kompjuteri”, duke ndikuar drejtpërdrejt se ku dhe si mund të ndërtohen sistemet e IA-së.

Në rang global, megjithatë, dominimi i Shteteve të Bashkuara është i pakrahasueshëm. SHBA kryeson me 5,427 qendra të të dhënave në vitin 2025, më shumë se dhjetë herë krahasuar me çdo vend tjetër. Pas saj renditen Gjermania me 529 dhe Mbretëria e Bashkuar me 523, të cilat tejkalojnë edhe Kinën me 449 qendra.

Në total, vendet e Bashkimit Evropian së bashku kanë 2,269 qendra të të dhënave, që përbëjnë vetëm 42% të nivelit të SHBA-së. Kur përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, kjo shifër rritet në rreth 51%, duke treguar hendekun e madh mes Evropës dhe Amerikës në këtë sektor.

Ekspertët theksojnë se numri i qendrave të të dhënave nuk është gjithçka, pasi rëndësi ka edhe kapaciteti i tyre, madhësia dhe fuqia kompjuterike. Sipas Bankës Botërore, investimet në këtë fushë varen kryesisht nga katër faktorë: energjia e qëndrueshme dhe e lirë, interneti i fuqishëm, qasja në tokë dhe stabiliteti politik e ekonomik.

Zvicra, me infrastrukturën e zhvilluar, stabilitetin dhe reputacionin e saj si vend i sigurt për të dhënat, vazhdon të jetë një nga destinacionet më të favorshme në Evropë për këtë industri, e cila po bëhet gjithnjë e më vendimtare për të ardhmen digjitale./Albinfo.ch

Dita vendimtare: Zgjedhja e presidentit ose zgjedhje parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit, ndërsa në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit, përcjell albinfo.ch.

Seanca e së hënës përfundoi pa rezultat, pasi partitë opozitare bojkotuan votimin, duke pamundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm. Opozita e ka cilësuar procesin si shkelje kushtetuese, duke kritikuar nisjen e seancës pa praninë e 80 deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra të rinj për kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Ndërkohë, kandidatët e mëparshëm të propozuar më 5 mars, Glauk Konjufca dhe Xhelal Mulhaxha, janë tërhequr nga gara.

Në rundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në mesnatë, vendi do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare./Albinfo.ch

“Nyjet e Kohës” hapet në Leipzig: Një mbrëmje arti që bashkon kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë

Në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Leipzig është hapur ekspozita “Nyjet e Kohës”, një ngjarje e veçantë kulturore që mblodhi artdashës, artistë dhe përfaqësues institucionalë në një atmosferë dialogu dhe reflektimi artistik, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita, e kuruar nga Simon Kurti, sjell para publikut veprat e tre artistëve të talentuar: Rina Krasniqi, Kemil Bekteši dhe Denys Shantar. Përmes qasjeve të tyre unike, artistët trajtojnë tema të rëndësishme si kujtesa, identiteti dhe trashëgimia kolektive, duke krijuar një rrëfim vizual që fton vizitorët të mendojnë mbi kohën dhe lidhjet e saj me përvojën njerëzore.

Një dimension të veçantë kësaj mbrëmjeje i dha edhe pjesëmarrja dhe mbështetja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, e përfaqësuar nga diplomatja Blerta Ademi. Prania e saj u vlerësua si një sinjal i rëndësishëm për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e artit bashkëkohor nga rajoni në skenën ndërkombëtare.

Ekspozita “Nyjet e Kohës” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 23 gusht 2026, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë nga afër një prezantim artistik me mesazh të thellë dhe vlerë kulturore.

Vizitorët në Leipzig kanë tashmë një arsye më shumë për të mos e humbur këtë ekspozitë, e cila dëshmon se arti vazhdon të ndërtojë ura të fuqishme komunikimi mes kulturave dhe shoqërive./Albinfo.ch

Kurseni tani deri në 70% në trajtime mjekësore në Turqi

Duke pasur parasysh rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor dhe kohët e gjata të pritjes në Evropë, gjithnjë e më shumë pacientë po zgjedhin trajtime jashtë vendit. Veçanërisht Turqia është shndërruar vitet e fundit në një destinacion tërheqës për shërbime mjekësore cilësore dhe njëkohësisht me kosto më të ulët.

Kompania me seli në Bernë, MedicalTravel, ndërmjetëson me sukses që nga viti 2006 trajtime në klinika të njohura në Turqi. Shërbimet ofrohen kryesisht në qytete si Stambolli, Izmiri dhe Antalia – të gjitha të njohura për infrastrukturën e tyre moderne mjekësore.

Lidhje mes pacientëve dhe klinikave më të mira

MedicalTravel shërben si urë lidhëse midis pacientëve dhe klinikave ndërkombëtare, si dhe mjekëve specialistë. Qëllimi është të bëhen të aksesueshme trajtimet cilësore – shpesh me kosto dukshëm më të ulët dhe me kohë pritjeje më të shkurtra se në Zvicër.

Në gamën e shërbimeve përfshihen ndër të tjera:

Ndërmjetësimi i trajtimeve në klinikat kryesore në Turqi

Organizimi i udhëtimeve, akomodimit dhe transporteve

Mbështetje për dokumentacionin mjekësor dhe këshillim individual

Kujdes dhe ndjekje në Zvicër para, gjatë dhe pas ndërhyrjes

Kompania bashkëpunon ekskluzivisht me klinika partnere të certifikuara, për të garantuar standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë.

Konsultime direkt në Zvicër

Një avantazh i veçantë i MedicalTravel është kujdesi personal para dhe pas trajtimit, i cili ofrohet drejtpërdrejt në Zvicër:

Një mjek specialist estetik nga Stambolli ofron rregullisht konsultime në Zug. Ky mjek është filmuar madje edhe nga SRF1.

Një klinikë partnere dentare në Cyrih merret me kontrollet para dhe pas trajtimit

Ofron kontrolle të shkurtra falas për trajtimet me laser të syve

Selia e kompanisë ndodhet në Bernë.

Trajtimet më të kërkuara

Në parim ofrohen të gjitha llojet e trajtimeve. Ndër më të kërkuarat janë:

Operacione estetike

Korrigjime dentare

Transplantime të flokëve

Trajtime me laser për sytë undimplantime të lenteve

Përveç kësaj, MedicalTravel organizon të gjithë procesin – duke përfshirë transferet mes aeroportit, hotelit dhe klinikës, si dhe shërbime përkthimi gjatë konsultave me mjekët.

 

Cilësi e lartë me kosto dukshëm më të ulëta

Sipas kompanisë, pacientët mund të kursejnë deri në 70% të kostove – duke ruajtur njëkohësisht një cilësi të lartë të shërbimeve.

“Qëllimi ynë është t’u ofrojmë pacientëve tanë trajtime të sigurta dhe profesionale dhe t’i shoqërojmë ata gjatë gjithë procesit”, shpjegon Serdar Kara, drejtor i MedicalTravel.

Këshillim pa obligim

Të interesuarit mund të përfitojnë nga një konsultë falas dhe pa obligim.

Kontakt:
WhatsApp: +41 78 737 35 41
E-mail: [email protected]
Web: www.medicaltravel.ch
MedicalTravel GmbH – Länggassstrasse 8, 3012 Bern

Hoffenheimi rikthehet në Ligën e Evropës, Asllani, Hajdari dhe Avdullahu vendimtarë në suksesin historik

Hoffenheimi nuk konsiderohet ndër klubet e mëdha të futbollit gjerman, por historia e tij mbetet një nga rrëfimet më të veçanta të rritjes së shpejtë në Bundesligë. Në vitin 2000, skuadra luante në kategorinë e pestë gjermane, ndërsa në vitin 2008 arriti për herë të parë në Bundesligë, ku ka mbetur vazhdimisht deri më sot, përcjell albinfo.ch.

Edhe në garat evropiane, Hoffenheimi është klub me histori relativisht të re. Për herë të parë në Evropë u paraqit në edicionin 2017/18, ndërsa debutimin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve e realizoi në edicionin 2018/19, që mbetet deri tani paraqitja e vetme në këtë nivel. Më pas, klubi u rikthye në Evropë në Ligën e Evropës në edicionin 2020/21 dhe sërish në 2024/25.

Tani, Hoffenheimi ka siguruar pjesëmarrjen për herë të pestë në histori në garat evropiane, duke konfirmuar kualifikimin për edicionin 2026/27. Liga e Evropës tashmë është e garantuar, ndërsa objektivi i radhës është një vend që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Interesimi në Kosovë për ecurinë e këtij klubi është rritur dukshëm për një arsye të qartë: Hoffenheimi ka në përbërje tre reprezentues të Kosovës, që tashmë konsiderohen ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit – sulmuesin Fisnik Asllani, mesfushorin Leon Avdullahu dhe mbrojtësin Albian Hajdari.

Në fitoren e fundit 2:1 ndaj Hamburgut në udhëtim, ndeshje që vulosi kualifikimin evropian, Asllani shënoi gol, ndërsa Hajdari asistoi, duke qenë direkt të përfshirë në suksesin e skuadrës.

“Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në histori të klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, shkroi klubi në faqen zyrtare pas ndeshjes.

Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, e quajti këtë sukses një shpërblim të merituar për punën e gjithë klubit. “Kualifikimi evropian është e arritur fantastike dhe shpërblim shumë i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit të trajnerëve dhe të gjithë të përfshirëve”, deklaroi ai, duke shtuar se ekipi mbetet i uritur për më shumë.

Në fakt, Hoffenheimi nuk e ka mbyllur ende garën për objektivin maksimal. Ndeshja e radhës ndaj Stuttgartit pritet të jetë vendimtare për vendin e katërt në Bundesligë, i cili siguron kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Ka gjithashtu mundësi që edhe vendi i pestë të dërgojë në Champions, por kjo varet nga rezultatet e klubeve gjermane në kompeticionet evropiane, si Bayerni në Champions dhe Freiburgu në Ligën e Evropës.

Ndërkohë, edhe lojtarët e Kosovës vazhdojnë të kenë rol të madh në skuadër. Hajdari tashmë ka rinovuar kontratën afatgjatë me kushte të përmirësuara, ndërsa pritet që së shpejti të zyrtarizohet edhe kontrata e re e Avdullahut. Sa i përket Fisnik Asllanit, gjithnjë e më shumë po përmendet mundësia që ai gjatë verës të transferohet në një klub më të madh evropian.

Pas suksesit ndaj Hamburgut, Asllani u shpreh i lumtur për arritjen e skuadrës. “Ndihemi shumë mirë që kemi arritur qëllimin për kualifikim në Evropë. Askush nuk do ta besonte këtë para fillimit të edicionit. Tani duam ta fitojmë edhe ndeshjen me Stuttgartin”, deklaroi sulmuesi kosovar.

Pas duelit me Stuttgartin, Hoffenheimi do të luajë në udhëtim ndaj Werder Bremenit dhe në xhiron e fundit ndaj Borussia Monchengladbachut. Pas javës së 31-të, skuadra ka 57 pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Stuttgarti në pozitën e katërt, duke e bërë garën për Champions jashtëzakonisht të hapur.

Në një sezon ku pak kush e priste, Hoffenheimi jo vetëm që e siguroi Evropën, por falë edhe kontributit të tre reprezentuesve të Kosovës, po synon ta shndërrojë këtë sezon në një nga më të suksesshmit në historinë e klubit./Albinfo.ch

Mërgata pajis Spitalin e Dializës në Strugë me aparatura moderne

Spitali i Dializës në Strugë është pajisur me dhjetëra aparatura moderne mjekësore, të cilat pritet të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve për pacientët, transmeton albinfo.ch.

Në këtë nismë ka luajtur rol kyç mjeku Shkëlqim Reçi, i punësuar në Carl von Basedow Klinikum në Merseburg të Gjermanisë. Bashkëpunimi u iniciua në vitin 2024 pas vizitës së Ambasadorit të RMV-së në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, duke krijuar lidhje direkte mes institucioneve shëndetësore.

Donacioni përfshin makina dialize, respiratorë, aparatura ekografie, monitorë të parametrave jetikë, perfuzorë dhe pajisje të tjera të domosdoshme. Përfitime ka pasur edhe Spitali i Përgjithshëm i Strugës, i cili është pajisur me respiratorë dhe inkubatorë për repartet e kujdesit intensiv.

Ky projekt vlerësohet si një shembull i rëndësishëm i kontributit të diasporës dhe bashkëpunimit institucional në përmirësimin e shëndetësisë lokale./Albinfo.ch

Albulena Uka betohet si avokate në Nju-Jork, një sukses i ri për juristen nga Kosova

Juristja nga Kosova, Albulena Uka, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke u betuar zyrtarisht në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ushtruar profesionin e avokates në Nju-Jork, transmeton albinfo.ch.

Në një reagim publik, Uka e cilësoi këtë moment si një nder të madh dhe një përgjegjësi të veçantë, duke theksuar se do ta ushtrojë profesionin me integritet dhe profesionalizëm.

 

E lindur në Mitrovicë, Albulena Uka ka nisur studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Mitrovicës, ndërsa më pas ka vazhduar studimet master në të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane në Universitetin e Ghentit, ku u diplomua me rezultate të larta “Summa Cum Laude”.

Gjatë angazhimit të saj në Kosovë, ajo ka mbajtur pozita në institucione të rëndësishme shtetërore, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese dhe Ministrinë për Integrim Evropian, si dhe ka kontribuar në akademi si asistente profesoreshë.

Në nivel ndërkombëtar, Uka është angazhuar në aktivitete dhe konferenca akademike, përfshirë edhe organizime të Universitetit Harvard, duke u dalluar në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe raportit ndërmjet të drejtës ndërkombëtare dhe asaj evropiane.

Aktualisht, Albulena Uka shërben si profesoreshë në Brooklyn Law School në New York, një nga institucionet më prestigjioze juridike në SHBA. Arritja e saj shihet si sukses i rëndësishëm jo vetëm personal, por edhe për diasporën akademike shqiptare./Albinfo.ch

 

Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës