Tiranë: Albchef hap një kapitull të ri për gastrodiplomacinë shqiptare

Tirana u kthye në një pikëtakim të rëndësishëm të gastronomisë dhe turizmit me organizimin e edicionit të parë të Albite Fest, një iniciativë e Albchef, që solli në qendër të vëmendjes potencialin e gastronomisë shqiptare si një instrument zhvillimi ekonomik dhe promovimi ndërkombëtar, duke mbledhur ekspertë vendas dhe të huaj, përfaqësues institucionesh dhe profesionistë të industrisë për të diskutuar mbi konceptin e gastrodiplomacisë dhe rolin e ushqimit si një gjuhë universale që ndërton ura mes kulturave, raporton albinfo.ch.

Albchef hap një kapitull të ri për gastrodiplomacinë shqiptare

“Shqiptarët e të gjitha trojeve tona, që jetojnë sot në Evropë dhe më gjerë, janë lider në sektorin e mikpritjes dhe ne kemi si objektiv një aleancë që, së bashku, ta bëjmë gastronominë shqiptare të njohur në botë”, u shpreh Ismail Ademi, një ndër organizatorët e eventit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm.

Në panelin e parë, i fokusuar në rolin e kulturës dhe eksperiencës në formësimin e turizmit modern, u theksua nevoja për të ndërtuar produkte turistike autentike që lidhen drejtpërdrejt me identitetin lokal , ndërsa Erik Wolf, themelues i World Food Travel Association, këshilloi që “duhet të mësoni nga gabimet e vendeve të tjera evropiane dhe të krijoni një model tuajin”, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje origjinale shqiptare.

Në të njëjtën linjë, Zana Çela, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, theksoi se “Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në fuqizimin e turizmit, sidomos me aplikacionin TEA”, duke vënë në dukje përpjekjet institucionale për modernizimin e sektorit, ndërsa Laura Saro, drejtoreshë e përgjithshme e AIDA-s, u shpreh se “promovimi i produkteve tipike jashtë kufijve është një nga sfidat ku po fokusohemi dhe aleanca me botën e gastronomisë është thelbësore”.

Paneli i dytë solli në vëmendje ushqimin si element identiteti dhe standardizimi, ku zv.ministrja e Jashtme Megi Fino nënvizoi rolin e diasporës duke deklaruar se “diaspora është një aset dhe ne jemi gjithnjë e më shumë duke fuqizuar marrëdhëniet me këtë segment të shoqërisë, sikundër ndodhi dhe në samitin e katërt të diasporës që u mbajt në muajin prill në Tiranë”, duke e lidhur kështu gastrodiplomacinë me politikat e jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Një moment i veçantë i ditës së parë ishte edhe darka e organizuar në Shkollën e Mesme të Turizmit dhe Hotelerisë në Tiranë, e cila bashkëpunon me shkollën EHL në Lozanë, ku studentët, të koordinuar nga shefat Sokol Prenga dhe Gentian Skëndaj, prezantuan një eksperiencë kulinare që ndërthurte traditën me interpretimet bashkëkohore, duke dëshmuar rëndësinë e edukimit dhe përgatitjes së brezit të ri për sektorin HORECA.

Dita e dytë e festivalit vijoi me diskutime mbi rolin e verës dhe produkteve lokale si pjesë e identitetit kulturor dhe si element kyç në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm , ndërsa në panelin për “zërat e rinj të kuzhinës” u bashkuan shumë shefa nga Shqipëria dhe diaspora për të diskutuar mbi balancën mes traditës dhe inovacionit; “normalisht që nuk kemi pretendimin që kjo tryezë të ezaurojë gjithë temën e diskutimit, ama jam i bindur se mund të jetë një fillim i mbarë i një rrugëtimi që do të vazhdojë gjatë”, u shpreh gazetari Enkel Demi gjatë hapjes së diskutimit, ndërsa shefi i njohur Sokol Prenga theksoi vazhdimësinë e këtij misioni duke deklaruar se “ne e kemi nisur që shumë vite më parë, me iniciativën ‘Shije Shqiptare’, këtë rrugëtim dhe tashmë me Albchef do të vazhdojmë në të njëjtin drejtim, duke çuar kulinarinë shqiptare në një nivel tjetër jashtë trojeve tona”.

Nga ana tjetër, mbështetja ndërkombëtare nuk mungoi, ku Gianluca de Cristofaro, përfaqësues i shoqatës italiane Ambasciatori del Gusto, u shpreh se “Italia dhe shoqata që ne përfaqësojmë do të jetë krah Albchef në këtë mision të promovimit të gastronomisë shqiptare në botë”, duke ofruar eksperiencën italiane si model bashkëpunimi.

Në këtë frymë, shefi shqiptar Bledar Koçibelli,i cili drejton restorantin Seegarten në Basel, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulinar duke theksuar se “tradita është shumë e rëndësishme në kulinari, të ruajmë recetat dhe përbërësit, por në të njëjtën kohë t’i lëmë hapësirë fantazisë së shefave që të shpalosin krijimtarinë e tyre”.

Albite Fest dëshmoi kështu se gastronomia shqiptare nuk është vetëm një trashëgimi kulturore, por një motor real zhvillimi që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomitë lokale, duke lidhur prodhuesit, sektorin e turizmit, institucionet dhe diasporën në një vizion të përbashkët, ndërsa edicioni i parë i këtij festivali shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të gastrodiplomacisë shqiptare dhe pozicionimit të saj në arenën ndërkombëtare.

25-vjeçari nga Kosova humb jetën aksidentalisht në Gjermani

Një i ri nga Kosova ka humbur jetën aksidentalisht në Gjermani. Viktima është 25-vjeçari me inicialet S.P., me origjinë nga fshati Dumosh i Podujevës, i cili jetonte pranë qytetit të Frankfurtit, transmeton albinfo.ch.

Këtë informacion e ka konfirmuar policia gjermane dhe organet shëndetësore në shtetin e Gjermanisë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur para disa ditësh, ndërsa lajmi për vdekjen e tij është bërë publik edhe nga familjarët në rrjetet sociale.

Familjarë, kolegë dhe miq të të ndjerit janë mbledhur në vendin e ngjarjes për ta kujtuar dhe nderuar atë. S.P. përshkruhet si një person i urtë dhe human, i njohur për sjelljen e tij të mirë dhe ndihmën ndaj të tjerëve./Albinfo.ch

Zhegrova drejt largimit nga Juventusi, klubi po shqyrton shitjen e tij

Rrugët e Juventus me futbollistin kosovar Edon Zhegrova po duken gjithnjë e më afër ndarjes, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, përfshirë Calciomercato, klubi po e shqyrton seriozisht mundësinë e shitjes së lojtarit pas një sezoni të parë të konsideruar zhgënjyes.

Raportimet theksojnë se Zhegrova nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, duke pasur pak minuta në fushë dhe ndikim të kufizuar në lojë. Një nga momentet e kritikuara ka qenë ndeshja ndaj Bolognas më 19 prill, ku disa gabime të tij në posedim thuhet se kanë irrituar stafin teknik.

Në total, sulmuesi kosovar ka regjistruar një numër të kufizuar paraqitjesh gjatë sezonit, me mesatare të ulët minutash për ndeshje.

Klubi italian, sipas raportimeve, po e vlerëson edhe aspektin financiar, duke mos përjashtuar shitjen e tij për rreth 11.4 milionë euro për të shmangur humbje më të mëdha, pasi ai ishte blerë për një shumë më të lartë.

Megjithatë, Zhegrova thuhet se mbetet i fokusuar për të fituar më shumë minuta deri në fund të sezonit dhe për të ndryshuar opinionin e klubit. Ndërkohë, për të është raportuar interesim nga disa klube të Premier League, përfshirë Everton./Albinfo.ch

Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër

Një shtetas nga Kosova ka humbur jetën në një aksident trafiku në Zvicër. Viktima është identifikuar me inicialet F.H., i cili ishte me origjinë nga Gjilani dhe jetonte prej vitesh në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e sigurisë dhe institucionet shëndetësore zvicerane, si dhe nga familjarët e të ndjerit.

Sipas të dhënave të para, F.H. ka humbur jetën si pasojë e aksidentit rrugor, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë bërë ende publike.

Autoritetet në Zvicër kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit./Albinfo.ch

Shqipëria, ndër destinacionet kryesore turistike të Evropës në vitin 2026

Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më premtuese dhe më emocionuese për udhëtime në Evropë gjatë vitit 2026, falë zhvillimeve të mëdha në turizëm, investimeve në infrastrukturë dhe lehtësimit të procedurave për vizitorët ndërkombëtarë, përcjell albinfo.ch.!

Sipas platformës ndërkombëtare “Travel and Tour World”, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë për shkak të kombinimit unik që ofron: trashëgimi kulturore, natyrë të paprekur, bregdet mesdhetar dhe oferta në rritje për turizëm luksoz.

Tirana – kryeqyteti që po kthehet në qendër turistike rajonale

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, po përjeton një zhvillim të hovshëm dhe po shndërrohet në pikën kryesore hyrëse për turistët që duan të eksplorojnë vendin. Qyteti ofron një ndërthurje të veçantë të historisë osmane, ndikimeve italiane dhe trashëgimisë së periudhës komuniste, duke u pasuruar me art rrugor, tregje të gjalla dhe muze bashkëkohorë.

Atraksione të njohura si Piramida e Tiranës, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe dhe muzetë e shumtë, ofrojnë një pasqyrë të thellë mbi historinë dhe zhvillimet e Shqipërisë. Ndërkohë, kultura e kafenesh dhe jeta e natës në rritje e bëjnë kryeqytetin tërheqës për turistët e rinj dhe aventurierët urbanë.

Riviera Shqiptare – bregdeti që po konkuron destinacionet mesdhetare

Riviera Shqiptare po shndërrohet me shpejtësi në një nga zonat më të preferuara bregdetare në Evropë. Me plazhe të pastra, ujëra të kristalta dhe fshatra të vegjël piktoreskë, ky rajon po tërheq turistë që kërkojnë pushime larg destinacioneve të mbipopulluara mesdhetare.

Qytete si Saranda dhe Vlora ofrojnë kombinim të jetës bregdetare me trashëgimi kulturore, ndërsa plazhe më të fshehura si Gjipeja dhe Filikuri ofrojnë qetësi dhe natyrë të paprekur.

Në këtë zonë ndodhet edhe Parku Kombëtar i Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i cili konsiderohet një ndër atraksionet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të vendit.

Aeroporti i ri i Vlorës pritet të rrisë fluksin e turistëve

Një nga zhvillimet kryesore infrastrukturore është ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili pritet të hapet në fund të vitit 2026. Aeroporti, i vendosur rreth 10 kilometra në veri të Vlorës, pritet të krijojë qasje direkte për turistët drejt jugut dhe Rivierës Shqiptare, duke e bërë rajonin më të arritshëm për udhëtarët ndërkombëtarë.

Aktualisht, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet pika kryesore e hyrjes në vend, por zgjerimi i infrastrukturës dhe modernizimi i rrugëve pritet të ndikojnë në rritjen e numrit të vizitorëve.

Lehtësimi i vizave – Shqipëria më e hapur se kurrë për turistët

Një faktor tjetër që po e bën Shqipërinë më tërheqëse është procesi i thjeshtuar i vizave. Sistemi eVisa, i lansuar nga qeveria shqiptare, u mundëson shtetasve të shumë vendeve të aplikojnë online për vizë, duke e bërë më të lehtë hyrjen në vend.

Ndërkohë, shtetasit e vendeve të BE-së, zonës Shengen dhe Britanisë së Madhe mund të hyjnë pa vizë për qëndrime afatshkurtra. Po ashtu, vizitorët që posedojnë viza të vlefshme shumëhyrëse Shengen, amerikane ose britanike mund të përfitojnë nga procedurat e lehtësuara.

Rritet turizmi luksoz me hotele dhe resorte të reja

Viti 2026 pritet të sjellë rritje të ndjeshme të turizmit luksoz në Shqipëri. Në Tiranë po hapen hotele butik të nivelit të lartë si “Adorn Tirana”, ndërsa përgjatë Rivierës Shqiptare po shtohet oferta me resorte dhe hotele si “Green Coast Hotel” dhe “Crowne Plaza Durrës”.

Këto investime synojnë të përmbushin kërkesën në rritje për shërbime të standardeve të larta, përfshirë plazhe private, spa, pishina dhe turizëm mirëqenieje.

Alpet Shqiptare – destinacion ideal për aventurë dhe natyrë

Përtej bregdetit, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë edhe në veri, ku Alpet Shqiptareofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për ecje, eksplorim dhe ekoturizëm.

Shtegu i njohur Valbonë-Theth konsiderohet ndër më të bukurit në Ballkan, duke u ofruar vizitorëve pamje mahnitëse, ujëvara dhe përvoja autentike në fshatra tradicionale si Thethi dhe Valbona.

Shqipëria në 2026 – kombinim i kulturës, natyrës dhe luksit modern

Me zhvillimin e shpejtë të sektorit turistik, Shqipëria po pozicionohet si një destinacion që ofron gjithçka: kulturë dhe histori, plazhe të mrekullueshme, aventura malore dhe akomodim luksoz.

Sipas “Travel and Tour World”, viti 2026 mund të jetë momenti ideal për turistët ndërkombëtarë që të zbulojnë Shqipërinë, e cila po bëhet gjithnjë e më e aksesueshme dhe më tërheqëse për udhëtime në Evropë./Albinfo.ch

PDK-ja s’do të propozojë emra për president

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të propozojë emra për president, pas ofertës së Lëvizjes Vetëvendosje që PDK-ja dhe LDK-ja të nxjerrin nga tre emra për kandidatë për president, përcjell albinfo.ch.

Hamza e ka quajtur këtë propozim si manovër të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se çështja e presidentit për PDK-në tashmë është “e mbyllur”.

Ai ka theksuar se propozimi i VV-së nuk është aspak serioz dhe se kjo temë është dashur të trajtohej me seriozitet në kohën kur partitë kishin qenë në diskutime.

“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka kujtuar se në diskutimet e mëhershme PDK-ja kishte propozuar që të japë dy emra për president, të cilët do të mbështeteshin nga Vetëvendosje, por sipas tij, nuk ka pasur vullnet dhe seriozitet për marrëveshje./Albinfo.ch

VV-ja fton PDK-në e LDK-në t’i propozojnë tre emra për president

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që së bashku të propozojnë tre kandidatë për presidentin e ri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të VV-së, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike. Nga këta tre emra, sipas propozimit, do të zgjidhej presidenti i ri i vendit me mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.

VV ka bërë të ditur se është e gatshme të sigurojë nënshkrimet e deputetëve të saj dhe ka paralajmëruar tërheqjen e kandidaturave aktuale të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në rast të arritjes së një marrëveshjeje.

Partia në pushtet thotë se për këta tre kandidatë do të siguroheshin të paktën 90 vota në Kuvend.

VV ka kërkuar që përgjigjja nga PDK dhe LDK të jepet deri të dielën në mbrëmje, duke theksuar se vendi duhet të gjejë një zgjidhje brenda afatit kushtetues.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Zgjedhja e presidentit kërkon fillimisht dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të paktën 80 deputetë. Negociatat mes partive deri tani nuk kanë sjellë marrëveshje./Albinfo.ch

Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër

Një mbrëmje e veçantë artistike është mbajtur në Musée du Louvre në Paris, ku Paris Opera Ballet ka performuar nën piramidën ikonike të muzeut, në kuadër të ekspozitës “Michel-Angel Rodin. Living bodies”, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të kësaj nate të jashtëzakonshme ishte koreografi me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj, i cili u prezantua me veprën e tij të njohur “Le Parc”, e mirëpritur me entuziazëm nga publiku për elegancën, ndjeshmërinë dhe forcën artistike që përcolli në skenë.

Prania e Preljocajt në një nga hapësirat më prestigjioze kulturore në botë konsiderohet një moment i rëndësishëm, jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për prezantimin e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

I shoqëruar nga muzikantët e Paris Opera Orchestra, aktiviteti solli dy shfaqje që u vlerësuan si të paharrueshme, duke krijuar një ndërthurje të veçantë mes vallëzimit dhe artit skulpturor. Mbrëmja vuri në pah fuqinë shprehëse të lëvizjes, bukurinë e trupit në dinamikë dhe dialogun intim mes kërcimit dhe skulpturës.

Programi artistik përfshiu gjithashtu edhe vepra të njohura si “Rhapsody” nga Frederick Ashton, “Three Gnossiennes” nga Hans van Manen dhe “Supercorps” nga Yvon Demol.

Ky aktivitet i pazakontë konfirmoi edhe një herë rolin e Parisit si një qendër botërore e kulturës, ndërsa suksesi i “Le Parc” dëshmoi ndikimin dhe kontributin e artistëve me origjinë shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Dy të tretat e perimeve përmbajnë mbetje kimikatesh të rrezikshme

Një test i publikuar nga revista zvicerane e konsumatorëve K-Tipp tregon se pothuajse dy të tretat e perimeve të freskëta që shiten në tregun zviceran përmbajnë mbetje të kimikateve PFAS, përcjell albinfo.ch.

Nga 25 produkte të analizuara në laborator, 16 rezultuan me prani të acidit trifluoroacetik (TFA), një substancë që i përket grupit të kimikateve PFAS.

Sipas testit, më të prekura ishin patatet dhe karotat e prodhuara në Zvicër, ndërsa niveli më i lartë i ndotjes u gjet në domatet “Extra Tasty” të shitura nga Migros, të importuara nga Italia.

Analiza tregoi gjithashtu se edhe perimet bio mund të përmbajnë gjurmë të këtyre kimikateve, megjithëse zakonisht në nivele më të ulëta. Substancat PFAS mund të arrijnë në bujqësi përmes ujërave të shiut ose ujërave nëntokësore, duke ndotur tokën dhe kulturat bujqësore./Albinfo.ch

Oficerja e parë e FSK-së po ndjek kursin e avancuar të inxhinierisë ushtarake në Britani

Togerja e dytë Gabriella Hajdaraj nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të bëhet oficerja e parë e kësaj force që do të ndjekë kursin profesional 7-mujor për Komandantë Toge të Inxhinierisë MbretëroreMbretërinë e Bashkuar, transmeton albinfo.ch.

Ky kurs i avancuar synon t’u ofrojë oficerëve të rinj njohuri të thelluara në aspektin teknik, taktik dhe komanduese, të domosdoshme për udhëheqjen e njësive ushtarake në role të inxhinierisë mbështetëse.

Pjesëmarrja e togeres Hajdaraj në këtë trajnim po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit në rritje ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe si dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme britanike për zhvillimin e kapaciteteve të inxhinierisë luftarake të FSK-së.

Trajnimi zhvillohet në kuadër të programeve profesionale të njësisë 3 RSME Regt, e specializuar në trajnimin e personelit ushtarak në fushën e inxhinierisë ushtarake./Albinfo.ch

Mbyllet restoranti tradicional “Rössli” në Erlenbach pas 14 vitesh

Një tjetër restorant tradicional në Zvicër do të mbyllë dyert së shpejti. Restoranti i njohur Restaurant Rössli në komunën Erlenbach do të ndalojë aktivitetin në fund të prillit 2026, duke shënuar kështu fundin e një periudhe 14-vjeçare për pronarët aktualë, përcjell albinfo.ch.

Restoranti, i cili konsiderohej një nga “beiz”-et tipike të fshatit përgjatë bregut të Liqenit të Cyrihut, menaxhohej që nga viti 2012 nga çifti Denis dhe Beni Fehr-Menzi. Ata njiheshin për kuzhinën tradicionale zvicerane dhe çmimet e përballueshme, që tërhiqnin shumë banorë lokalë dhe vizitorë të rregullt.

Në menynë e restorantit gjendeshin pjata klasike zvicerane si sallata me sallam dhe djathë, entrecôte “Café de Paris” me patate të skuqura ose sallatë, si dhe cordon bleu nga mishi i viçit apo derrit. Një element i veçantë i lokalit ishte edhe tavolina e rrumbullakët e klientëve besnikë, e cila shërbente si pikë takimi për komunitetin.

Lajmi për mbylljen e restorantit u bë i ditur nga komuna e Erlenbach, ndërsa sipas raportimit të Zürichsee-Zeitung, kontrata e qirasë do të kishte vazhduar edhe më tej. Megjithatë, çifti që menaxhon restorantin vendosi në fund të verës së kaluar ta ndërpresë kontratën para kohe dhe ta mbyllë lokalin në fund të këtij muaji.

Para restorantit është vendosur një tabelë ku pronarët falënderojnë klientët për mbështetjen ndër vite. “Me gjithë zemër faleminderit për 14 vite të paharrueshme”, thuhet në mesazhin e publikuar edhe në rrjetet sociale.

Mbyllja e “Rössli”-t konsiderohet një tjetër shembull i fenomenit të njohur si zhdukja e restoranteve tradicionale në Zvicër. Vetëm gjatë vitit 2025 janë mbyllur rreth 1200 restorante në vend, rreth 35 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, e ardhmja e hapësirës ku ndodhej restoranti mbetet ende e paqartë./Albinfo.ch

Lea Ypi zgjidhet anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave

Akademikja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi është zgjedhur anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, një nga organizatat më prestigjioze intelektuale dhe akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ypi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e ka cilësuar këtë zgjedhje si një nder të madh, por edhe si një përgjegjësi për të mbrojtur rolin e dijes dhe vlerat e iluminizmit, në një periudhë kur këto parime, sipas saj, po vihen në provë.

Ajo ka theksuar se misioni i Akademisë për të avancuar interesin, dinjitetin dhe mirëqenien e një shoqërie të lirë është veçanërisht i rëndësishëm në kohët e sotme, kur liria akademike dhe autonomia e universiteteve po përballen me presione të vazhdueshme.

Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave është themeluar në vitin 1780 dhe ndër anëtarët e saj ndër vite kanë qenë figura të njohura botërore si Benjamin Franklin, Alexander Hamilton, Charles Darwin, Albert Einstein, Martin Luther King Jr. dhe Jacques Derrida.

Ky është një tjetër vlerësim ndërkombëtar për Lea Ypin, e cila në vitin 2024 ishte zgjedhur gjithashtu Fellow e British Academy, duke forcuar më tej profilin e saj në botën akademike dhe intelektuale ndërkombëtare/Albinfo.Ch 

Zjarr i madh në një fermë kuajsh në Zvicër, 10 të lënduar, dy në gjendje të rëndë

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një fermë kuajsh në Hombrechtikon të kantonit të Cyrihut në Zvicër, duke lënë të lënduar dhjetë persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, përcjell albinfo.ch.

Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, flakët përfshinë një shtëpi banimi me stallë të bashkangjitur, e cila u përfshi plotësisht nga zjarri. Dy persona të plagosur rëndë u transportuan me helikopter shpëtimi drejt spitalit, ndërsa tetë persona të tjerë pësuan lëndime më të lehta.

Dy nga të lënduarit lehtë u dërguan në spital për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa gjashtë të tjerë morën trajtim mjekësor në vendin e ngjarjes.

Alarmi për zjarrin u dha të premten rreth orës 18:30, kur qendra e emergjencës së Schutz & Rettung Zürich mori njoftimin se kishte shpërthyer zjarr në fermën Gestüt Niederfeld. Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, të gjithë personat që ndodheshin në ndërtesë kishin arritur të dilnin jashtë vetë.

Megjithatë, një burrë 73-vjeçar dhe një grua 84-vjeçare pësuan lëndime të rënda nga zjarri.

Në stallë ndodheshin rreth 100 kuaj, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk u lëndua. Zëdhënësi i Policisë Kantonale të Cyrihut, Ralph Hirt, deklaroi se të gjitha kafshët arritën të shpëtohen pa pasoja.

Sipas autoriteteve, në momentin kur mbërritën ekipet e emergjencës, shtëpia e banimit ishte tashmë e përfshirë plotësisht nga flakët. Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur dhe hetimet janë në vazhdim.

Zjarri u vu shpejt nën kontroll nga zjarrfikësit, por dëmet materiale në shtëpi dhe në stallën e bashkangjitur vlerësohen rreth një milion franga zvicerane. Ndërtesa aktualisht është e pabanuar.

Banorët e zonës kanë raportuar se pak para shpërthimit të zjarrit kanë dëgjuar një “shpërthim të fortë”. Sipas tyre, objekti fillimisht kishte qenë stallë me një ndërtesë ndihmëse, e cila më vonë ishte shndërruar në shtëpi banimi.

Ferma Gestüt Niederfeld është e njohur për mbarështimin e kuajve islandezë – një racë e njohur për qëndrueshmërinë, karakterin e butë dhe aftësinë e mirë për terrene të vështira, çka i bën shumë të preferuar për kalërim rekreativ dhe shëtitje në natyrë./Albinfo.ch

Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ka nënshkruar marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me homologen e saj belge, ministren Annelies Verlinden, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Gërvalla ka deklaruar se kjo marrëveshje mes dy vendeve mike pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit transnacional.

“Marrëveshja krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

Ministrja ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, përfshirë kushtet e ofrimit të ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen gjatë kërkesave për bashkëpunim.

Në fund, Gërvalla ka falënderuar ministren belge Verlinden për mikpritjen dhe bisedën konstruktive, duke vlerësuar angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Belgjikës./Albinfo.ch

Eurovizion: 1000 artistë, me letër të hapur për pjesëmarrjen e Izraelit

Më shumë se një mijë artistë jnë shprehur kundër bojkotit të Konkursit të Këngës në Eurovision, që shumë artistë të tjerë e kanë paralajmëruar për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur duke kundërshtuar qartë thirrje të tilla.

Apeli u iniciua nga organizata “Komiteti Krijues për Paqe” dhe u nënshkrua nga yje të Hollivudit si Helen Mirren, Liev Schreiber, Amy Schumer, Mila Kunis, Selma Blair dhe Jennifer Jason Leigh, si dhe nga muzikantë si bashkëthemeluesi i Kiss, Gene Simmons.

Në letër, nënshkruesit shprehin zhgënjimin e tyre ndaj thirrjeve për bojkot nga industria e argëtimit.

Qeveria Gjermane: Bundesveri do të mbetet në Kosovë

Më 22 prill 2026, Kabineti Federal Gjerman miratoi zgjatjen e dy misioneve të Forcave të Armatosura Gjermane në Ballkanin Perëndimor: pjesëmarrjen në misionin e NATO-s KFOR në Kosovë dhe në operacionin e udhëhequr nga BE-ja EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Të dy mandatet ende duhet të debatohen dhe miratohen nga Bundestagu Gjerman.

Misioni i KFOR-it (Forca e Kosovës) është në veprim që nga viti 1999, duke e bërë atë misionin më të gjatë të jashtëm të Forcave të Armatosura Gjermane, trnsmeton albinfo.ch. Kabineti Federal vendosi më 22 prill 2026 të zgjasë pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura Gjermane në praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë për një vit tjetër, shkruan suv.report.de. Kufiri i personelit deri në 400 ushtarë gjermanë mbetet i pandryshuar.

Zbulimi dhe këshillimi janë fokusi kryesor i punës së KFOR-it. Baza e tij ligjore sipas ligjit ndërkombëtar është rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e 10 qershorit 1999. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, misioni është përqendruar në mbështetjen e zhvillimit të strukturave profesionale, demokratike dhe shumëetnike.

Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë. Në vitin 2023, ndodhën incidente të dhunshme në të cilat ushtarë dhe civilë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë. Në fund të nëntorit 2024, një sulm me bombë u krye në furnizimin qendror me ujë dhe energji elektrike të vendit.

Situata mbetet veçanërisht e tensionuar në veri të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga serbë etnikë. Prandaj, kontributi i Forcave të Armatosura Gjermane në KFOR është përforcuar nga një kompani shtesë operative që nga prilli 2024.

Në të dyja rastet, pas vendimit të kabinetit, Bundestagu gjerman duhet të debatojë dhe të votojë për zgjatjet e mandatit në leximin e parë dhe të dytë. Mandati i KFOR-it është, në parim, i pacaktuar, por duke ndjekur praktikën parlamentare, ai vihet në votim çdo vit.

Presidenti Parmelin viziton Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin do të udhëtojë për në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut javën e ardhshme. Vizita e tij në Beograd të martën, më 28 prill 2026, me ftesë të Serbisë për një vizitë shtetërore, do të shënojë 110-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe midis Zvicrës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e Qeverisë Federale.

Programi i ri i bashkëpunimit do të lançohet gjithashtu me këtë rast. Në Maqedoninë e Veriut, vizita e parë presidenciale nga Zvicra do të zhvillohet më 29 prill. Kjo vizitë nënvizon lidhjet gjithnjë e më të ngushta midis dy vendeve.

Presidenti do të shoqërohet nga një delegacion biznesi i rangut të lartë.

Për të nisur programin, Presidenti Guy Parmelin do të takohet me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Temat kryesore të diskutimit janë lidhjet e ngushta midis Zvicrës dhe Serbisë, të karakterizuara pjesërisht nga diaspora e konsiderueshme serbe në Zvicër (rreth 130,000 njerëz) dhe procesi i integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Marrëdhëniet dypalëshe midis Zvicrës dhe Serbisë janë shumë të mira. Për më tepër, Serbia është partneri më i rëndësishëm tregtar i Zvicrës në Ballkanin Perëndimor. Vizita në Serbi ofron gjithashtu një mundësi për të theksuar angazhimin e Zvicrës ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.

Gjatë vizitës në Serbi, do të lançohet programi i ri i bashkëpunimit për vitet 2026 deri në 2029. Ai përqendrohet në qeverisjen demokratike, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban. Një theks i veçantë do t’i vihet inovacionit. Në këtë kontekst, do të nënshkruhet një marrëveshje për një program dypalësh inovacioni midis Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Ministrisë Serbe të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (NITRA).

Presidenti i Konfederatës Zvicerane do të takohet gjithashtu me Kryeministrin Đuro Macut, do të vizitojë parkun shkencor dhe teknologjik të mbështetur nga Zvicra dhe do të takohet me udhëheqës biznesi nga të dy vendet.

Një moment historik në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut

Në vizitën e parë presidenciale nga Zvicra në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Konfederatës Zvicerane do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova të mërkurën, më 29 prill. Presidenti Parmelin do të diskutojë marrëdhëniet dypalëshe, potencialin ekonomik dhe situatën në Ballkanin Perëndimor me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarët e qeverisë.

Është planifikuar gjithashtu një takim me Kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi. Programi në Shkup do të plotësohet nga një pritje për të shënuar themelimin e Dhomës së Tregtisë Zvicerane në Maqedoninë e Veriut.

Marrëdhëniet dypalëshe midis Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira. Elementet kryesore përfshijnë programin e bashkëpunimit dhe diasporën e madhe të Maqedonisë së Veriut në Zvicër (mbi 100,000 njerëz). Shkëmbimi ekonomik ofron potencial shtesë, veçanërisht në fushat e dixhitalizimit dhe teknologjisë.

Sarnen (Obwalden): I burgosuri vdes pas zjarrit në qeli

Të hënën pasdite, një zjarr shpërtheu në një qeli në burgun pranë stacionit të policisë në Sarnen. Një i burgosur pësoi lëndime kërcënuese për jetën dhe u dërgua në spital, ku më vonë vdiq, transmeon albinfo.ch.

Autoritetet refuzuan të jepnin detaje të mëtejshme rreth rrethanave të zjarrit, duke përmendur hetimin në vazhdim.

Burgu ndodhet pranë stacionit të policisë në Foribach, shkruan srf.ch. Kjo ndërtesë dhe një tjetër u evakuuan si masë paraprake, njoftoi zyra e prokurorit publik të Obwalden.

Brigada e zjarrfikësve arriti ta vinte shpejt zjarrin nën kontroll dhe ta shuante atë. Nuk pati persona të tjerë të lënduar.

Syrigana: Opera e Petrit Halilajt në përmbyllje të ekspozitës së tij në Berlin

Për të përfunduar ekspozitën e tij “Petrit Halilaj. Një Opera Jashtë Kohës” (deri më 31 maj 2026), artisti, së bashku me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, prezanton operën e tij “Syrigana” në një version koncerti në Hamburger Bahnhof.

Vepra u shfaq për herë të parë në natyrë në peizazhin e Kosovës në qershor 2025 dhe tani do të interpretohet në muze si një pjesë koncerti me njëmbëdhjetë muzikantë, dy soprano dhe grupin muzikor  “Don’t Listen to Your Neighbors”, të dirigjuar nga Marco Crispo, në mes të ekspozitës, trnsmeton albinfo.ch.

Vendi mitik Syrigana, një fshat mbi 3,000 vjeç pranë fshatit të lindjes së Halilajt, Runik, formon pikën fillestare konceptuale të operës. Vendi arkeologjik njëherësh vend mitesh lokale bëhet skena për një histori dashurie epike dhe të çuditshme: Në pesë akte, opera rrëfen mbërritjen e Dhelprës dhe Gjelit, të dëbuar nga Parajsa, të cilët arrijnë në vend me helikopter nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, shkruan smb.museum.de.

Versioni instalues ​​i operës, i cili është shfaqur në kuadër të ekspozitës personale të Halilajt në Hamburger Bahnhof që nga shtatori i vitit 2025, tani do të aktivizohet në një formë të re, ëndërrimtare në mbylljen e ekspozitës.

Ndërsa opera origjinale u realizua si një prodhim skenik, këtu ajo shpaloset si një ndërveprim elementësh të ndryshëm: Filarmonia e Kosovës interpreton partiturën, sopranot Nina Guo dhe Urta Haziraj i japin zërat e tyre rrëfimit, dhe kukullat, të luajtura nga Keumbyul Lim, Hanik Soleimani dhe Carlo Silvester Duer, e sjellin historinë në jetë në miniaturë, përcjell lbinfo.ch.

Eventi është kuruar nga Catherine Nichols, kuratore në Hamburger Bahnhof – Galeria Kombëtare e Artit Bashkëkohor.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Hamburger Bahnhof International Companions e. V. dhe Ambasada Italiane në Berlin.

Trimbach SO: Një trafikant shqiptar droge kapet me disa kilogramë heroinë

Në një operacion të koordinuar, Policia e Kantonit të Solothurn ka arrestuar një trafikant të dyshuar droge në Trimbach të enjten, më 23 prill 2026.

Policia gjithashtu ka sekuestruar me atë rast një sasi të madhe droge, agjentë prerës dhe para të gatshme, trnsmeton albinfo.ch.

Si pjesë e një hetimi, Policia e Kantonit të Solothurnit, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Kantonit, arrestoi një trafikant të dyshuar droge në Trimbach të enjten, më 23 prill 2026, shkruan polizeinews.ch.

Gjatë kontrollit të mëvonshëm në shtëpi, u sekuestruan afërsisht 2.5 kilogramë heroinë, rreth 100 gramë kokainë, mbi 2.5 kilogramë agjentë prerës dhe disa mijëra franga zvicerane në para të gatshme.

Burri 30-vjeçar shqiptar është në paraburgim në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Donjeta Sadiku nuk mundi të fitojë medalje në Kupën Botërore

Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që është duke u mbajtur në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 nga boksierja polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia siguronte së paku medaljen e bronztë, nhofton rtk.live.

Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në raundin e dytë Donjeta Sadiku reagoi fuqishëm, duke treguar ritëm më të lartë dhe duke e fituar këtë pjesë 3:2. Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori edhe një vërejtje publike nga gjyqtari i ringut. Në raundin e tretë, gjyqtarët e vlerësuan 3:2 në favor të Rygielskës, në një periudhë ku Sadiku u paraqit aktive dhe kërkoi vazhdimisht iniciativën me goditje të pastra.

Në fund, me vendim të ndarë të gjyqtarëve 3:2, fitorja iu dha boksieres polake.

Kupa Botërore e Boksit ka rëndësi të veçantë në kalendarin ndërkombëtar, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.

“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet

Projektin “The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve- ku çdo vizitor bëhet mik”, një iniciativë e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe e implementuar nga ABSM – Qendra Edukative dhe Këshillimore, e njohën këtë fundjavë pjesëmarrësit e diasporës shqiptare në Zvicër. Projekti synon të trajnojë të rinjtë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke integruar trashëgiminë kulturore dhe turizmin modern, dhe duke vendosur standarde profesionale për shërbimet turistike përmes platformës “Kosova INN”.

Gjatë datave 27–29 mars 2026, tri qytete kryesore të Zvicrës – Gjeneva, Bernë dhe Cyrih – u bënë skena të një fundjave kulturore të pasur me prezantime, pyetje, diskutime dhe sugjerime nga një audiencë shumë interaktive. Publiku nuk ishte thjesht dëgjues, por partner aktiv në dialogun për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kosovës.

Një projekt që e kthen mikpritjen në profesion

Në thelb të kësaj fundjave ishte projekti “The Guestkeepers”, i cili synon të trajnojë të rinjtë në Kosovë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke i pajisur ata me aftësi profesionale për të ofruar përvoja autentike për vizitorët.

Ky projekt ndërthur elemente të trashëgimisë kulturore, zejeve tradicionale dhe turizmit modern, duke synuar që Kosova të pozicionohet si një destinacion unik dhe i qëndrueshëm në hartën turistike ndërkombëtare.

Përmes platformës “Kosova INN”, projekti synon gjithashtu të vendosë standarde të reja cilësie në sektorin e mikpritjes, duke krijuar një rrjet të strukturuar të ofruesve të shërbimeve turistike.

Gjeneva: Hapja institucionale e një iniciative me vizion

Aktivitetet nisën në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, ku u bë prezantimi i parë zyrtar i projektit para diasporës. Konsullja znj. Floreta Kabashi e përshëndeti publikun dhe përgëzoi organizatorët për projektin, duke theksuar rëndësinë e promovimit të Kosovës përmes diasporës dhe turizmit kulturor.

Krenare Rizvanolli-Sina dhe Nazmi Jakurti u ndalën tek vizioni i projektit: të trajnojë të rinjtë si ambasadorë të mikpritjes, të lidhë turizmin me trashëgiminë kulturore dhe të krijojë standarde profesionale përmes platformës “Kosova INN”. Reagimet e publikut ishin të menjëhershme – levdata dhe duartrokitje për çdo ide inovative, dhe diskutime të gjalla për mënyra konkrete për të realizuar projektin.

Në këtë takim u theksua rëndësia e përfshirjes së diasporës në promovimin e Kosovës si destinacion turistik dhe roli i saj si urë lidhëse ndërmjet vendit dhe botës.

Atmosfera institucionale e aktivitetit i dha projektit një dimension të qartë diplomatik dhe strategjik.

Bernë: Ndërthurja e kulturës me turizmin

Ndalesa e dytë në Bernë solli një nga momentet më të rëndësishme të fundjavës, ku projekti u prezantua në kuadër të një mbrëmjeje kulturore të mbushur me publik.

Pas promovimit të një libri, vëmendja u zhvendos tek projekti “The Guestkeepers- Miqt e vizitorëve”, i cili u prezantua nga Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti.

Gjatë prezantimit, u theksua se projekti synon jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe krijimin e një identiteti të ri të mikpritjes kosovare – një identitet që bazohet në profesionalizëm, autenticitet dhe përvojë të personalizuar për vizitorët.

Pjesëmarrësit shfaqën interes të madh, duke u përfshirë në diskutime aktive dhe duke ndarë ide e sugjerime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të projektit.

Sugjerimet vërshuan nga çdo cep i sallës: disa ofruan ide për programet e trajnimit, të tjerë për mënyra promovimi tek turistët, dhe të gjithë u shprehën me levdata për iniciativën. Pjesëmarrësit ndiheshin pjesë e projektit – një ndjenjë e veçantë bashkëpunimi që e bëri Bernin qendër interaktiviteti dhe dialogu.

Projekti dëshmoi qartë se kultura dhe turizmi mund të funksionojnë si dy shtylla të ndërlidhura në promovimin e një vendi.

Cyrih: Konsolidimi i vizionit dhe bashkëpunimit

Fundjava u përmbyll në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, ku projekti u prezantua para një audience të angazhuar dhe të interesuar. Konsulli i Përgjithshëm z.Vigan Berisha përgëzoi organizatorët dhe vuri në pah rëndësinë e projektit për promovimin e Kosovës dhe përfshirjen e diasporës.

Në këtë prezantim u theksuan objektivat afatgjata të projektit, përfshirë:

  • profesionalizimin e sektorit të mikpritjes
  • krijimin e standardeve të qëndrueshme në turizëm
  • përfshirjen aktive të diasporës në promovimin e Kosovës

Diskutimet e hapura me pjesëmarrësit sollën perspektiva të reja dhe ide konkrete, duke e bërë këtë event një pikë të rëndësishme reflektimi dhe zhvillimi.

Diaspora si faktor kyç në zhvillim

Një nga elementet më të spikatura të kësaj fundjave kulturore ishte angazhimi i diasporës shqiptare në Zvicër.

Në të tri qytetet u vu re një interes i madh për projektin, si dhe një gatishmëri për të kontribuar në forma të ndryshme – qoftë përmes promovimit, bashkëpunimit apo investimit në sektorin e turizmit.

Interaktivitet i publikut, pyetjet, sugjerimet dhe levdatat e vazhdueshme, tregojnë se mikpritja kosovare ka potencial të jashtëzakonshëm për të lidhur njerëzit, për të ndërtuar komunitete dhe për të promovuar Kosovën në botë. Fundjava nuk ishte thjesht një ngjarje – ishte një përvojë e përbashkët, një histori që po shkruhet live dhe ku çdo pjesëmarrës lë gjurmë.

Ky angazhim dëshmon se diaspora mbetet një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

Një hap drejt promovimit ndërkombëtar të Kosovës

Fundjava kulturore në Zvicër nuk ishte vetëm një seri prezantimesh, por një përpjekje e mirëorganizuar për të ndërtuar një narrativë të re për Kosovën – atë të një vendi me potencial të madh turistik, me kulturë të pasur dhe me njerëz të gatshëm për të mirëpritur botën.

Projekti “The Guestkeepers” vjen si një hap konkret në këtë drejtim, duke ofruar një model inovativ që e kthen mikpritjen nga një traditë në një profesion dhe nga një vlerë kulturore në një aset ekonomik.

Tri eventet në Gjenevë, Bern dhe Cyrih dëshmuan se kur kultura, turizmi dhe diaspora bashkohen, krijohen mundësi të reja për zhvillim dhe promovim ndërkombëtar.

“The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve ” nuk është vetëm një projekt – është një vizion për të ardhmen e turizmit në Kosovë, ku çdo vizitor nuk mbetet thjesht turist, por bëhet mik.