Xherdan Shaqiri lëndohet në stërvitje, mungon ndaj FC Sion

Kapiteni i FC Basel, Xherdan Shaqiri, ka pësuar lëndim gjatë stërvitjes së zhvilluar të martën, më 21 prill 2026, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të klubit, Shaqiri ka pësuar një dëmtim të lehtë strukturor muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, duke bërë që ai të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme në shtëpi ndaj FC Sion.

FC Basel ka bërë të ditur se mungesa e tij mund të zgjasë disa javë, varësisht nga rikuperimi dhe gjendja fizike e lojtarit.

Shaqiri është një nga figurat kryesore të skuadrës dhe mungesa e tij pritet të ndihet në ndeshjet e ardhshme./Albinfo.ch 

Macron njofton tërheqjen nga politika pas përfundimit të mandatit në 2027

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se nuk do të vazhdojë më angazhimin politik pas përfundimit të mandatit të tij të dytë në vitin 2027, përcjell albinfo.ch.

Macron ka theksuar se pas largimit nga Pallati Elysee planifikon të tërhiqet plotësisht nga jeta politike, duke kujtuar se përfshirja e tij në politikë ka nisur relativisht vonë, vetëm pak kohë para kandidimit për president.

Ai ka folur gjithashtu për sfidat gjatë udhëheqjes së tij, duke përmendur nevojën për të ruajtur një balancë mes reformave të reja dhe arritjeve të deritanishme.

Deklarata e Macron vjen në një kohë kur Franca po përballet me debate të vazhdueshme politike dhe sociale, ndërsa vendi pritet të hyjë në një fazë të re politike pas vitit 2027./Albinfo.ch

Kuvendi i Kosovës nderon Eliot Engelin, vlerësohet kontributi i tij për lirinë dhe shtetndërtimin

Krerët institucionalë dhe përfaqësuesit politikë në Kosovë kanë vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, në historinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar në nderim të Engel, i cili vdiq më 10 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë e senatorë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, ka deklaruar Haxhiu, në seancën që nisi me një minutë heshtje.

Ajo ka theksuar se Engel gjatë gjithë karrierës së tij kërkoi vazhdimisht drejtësi për popullin e Kosovës, sidomos në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Edhe kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar lartë figurën e Engel, duke thënë se ai ishte njeriu që i dha zë Kosovës në çdo periudhë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

“Ai donte atë që ne e duam për vete. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë”, ka thënë Kurti.

Në këtë seancë kanë folur edhe përfaqësues të partive politike, të cilët kanë përkujtuar angazhimin e Engel në Kongresin amerikan për të mbështetur Kosovën gjatë luftës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Në emër të Vetëvendosjes, Liza Gashi tha se Engel ishte një mik i madh që kuptoi dhimbjen e Kosovës dhe qëndroi pranë saj në rrugën drejt lirisë.

Nga PDK, Vlora Çitaku u shpreh se Engel krijoi dhe përhapi narrativën e Kosovës në SHBA, duke lënë gjurmë në ndërgjegjen politike amerikane.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cilësoi Engelin si “zërin më të fuqishëm të lirisë së Kosovës”, duke shtuar se për të kjo ishte një çështje morale.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që Kuvendi të themelojë çmimin “Eliot Engel”, i cili do t’u ndahet personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë për Kosovën.


Seanca përkujtimore u zhvillua në shenjë nderimi për ish-kongresistin amerikan, i cili konsiderohet një nga mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës në Washington./Albinfo.ch

Humb jetën në aksident trafiku në Gjermani një 30-vjeçar nga Kosova

Një 30-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Viktima, B.F, nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të rënda të marra në aksidentin që ndodhi të enjten.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe familja nga Prishtina, e cila ka shprehur dhimbje të madhe për humbjen e të dashurit të tyre.

Në një njoftim të publikuar në rrjete sociale, familjarët kanë bërë të ditur se B.F. do të kujtohet për mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve, ndërsa detajet për ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“B.F. do të kujtohet gjithmonë për zemrën e tij të madhe, mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook./Albinfo.ch

Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë

Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e Jack Thorne, vjen për publikun në Vjenë, nga Teatri i qytetit “Hadi Shehu” – Gjakovë, shkruan albinfo.at

Nën regjinë e Zana Hoxhës, kjo shfaqje sjell një rrëfim tronditës për njeriun në kufijtë e tij mes varfërisë, presionit dhe shpërbërjes shpirtërore.

Sipas njoftimit të grupit organizativ “Ká-grup”, shfaqja do të jepet më 2704.2026 në “Akzent Theater” në Vjenë, duke filluar nga ora 19:00.

“’Vojçek’ është një udhëtim shpirtëror dhe psikologjik që shqyrton kufijtë e vuajtjes njerëzore, tensionet e brendshme dhe marrëdhëniet e shkatërruara nga shqetësimet e jetës.” thuhet në njoftim.

Në shfaqje luajnë: Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari, Eden Kastrati.

Shfaqja është realizuar nga teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë, në partneritet me Qendrën për Art dhe Komunitet “Artpolis.

📍 Akzent Theater, Vjenë

🗓 27 Prill 2026

🕖 Ora 19:00

🎟 Hyrja: Freie Spende (rezervimi: [email protected])

Donjeta Sadiku sot në ring për medalje në Kupën Botërore të Boksit

Në kuadër të “World Boxing Cup”, që po mbahet në Foz do Iguaçu nga 20 deri më 27 prill 2026, sot (24 prill) në ring do të ngjitet medalistja botërore dhe evropiane, Donjeta Sadiku, përcjell albinfo.ch.

Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, do të përballet me boksieren nga Polonia, Aneta Elżbieta Rygielska, në një duel vendimtar për sigurimin e medaljes.

Trajnerja e saj, Marjola Sallauka, është shprehur optimiste për paraqitjen e boksieres kosovare, duke besuar se Sadiku do të dalë fituese edhe nga ky duel dhe do të sigurojë medalje. Megjithatë, synimi kryesor mbetet medalja e artë.

Kjo Kupë Botërore ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e grumbulluara në këtë garë ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”./Albinfo.ch

Ftesë për lexim letrar dhe diskutim me autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj

Është bërë thirrje për pjesëmarrje në një lexim letrar dhe diskutim me dy autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj, të cilat përmes veprave të tyre trajtojnë me ndjeshmëri temat e luftës, kujtesës dhe ndikimit të saj në shoqëri, transmeton albinfo.ch.

Edhe kur lufta nuk përjetohet drejtpërdrejt, gjurmët e saj mbeten të pranishme në historitë familjare, në kujtime, por edhe në heshtjet që bartin brezat njëri pas tjetrit. Pikërisht ndërmjet kujtesës dhe harresës lindin rrëfime të pathëna, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e kuptojmë veten dhe botën përreth.

Në këtë aktivitet, autorët do të sjellin perspektivën e tyre mbi luftën në Kosovë, një kapitull që edhe pse ka përfunduar para më shumë se 25 vitesh, vazhdon të jetojë në përvojat personale dhe identitetin kolektiv të shoqërisë sonë.

Ngjarja synon të hapë hapësirë për reflektim, dialog dhe kujtesë përmes letërsisë, duke sjellë një diskutim të rëndësishëm mbi temat që ende prekin thellë shoqërinë kosovare./Albinfo.ch

Për më shumë të dhëna klikoni në linkun në vijim:

https://www.flucht-vertreibung-versoehnung.de/de/veranstaltung/e-mit-jehona-kicaj-und-und-wir-kamen-jeden-sommer-mit-elona-beqiraj

Albian Hajdari rinovon me Hoffenheim, kontratë e re deri në vitin 2031

Futbollisti shqiptar Albian Hajdari ka rinovuar kontratën me klubin gjerman Hoffenheim, duke zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2031, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, Hajdari në marrëveshjen e re do të përfitojë edhe rritje të pagës, çka tregon besimin e klubit ndaj tij dhe rolin që pritet të ketë në të ardhmen.

Po ashtu, bëhet e ditur se kontrata e re nuk përmban klauzolë largimi, duke e bërë edhe më të vështirë transferimin e tij pa marrëveshje direkte me Hoffenheim.

Ky rinovim konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e Hajdarit dhe një sinjal i qartë për stabilitetin e tij në Bundesligë./Albinfo.ch

Sot shpallet aktgjykimi për tre të akuzuarit në rastin “Banjska”

Sot, më 24 prill, do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për rastin “Banjska”, Vlladimir Toliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, përcjell albinfo.ch.

Shpallja e vendimit vjen pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi terrorist në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator 2023.

Javën e kaluar, prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit. Ndërkohë, Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq i kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen.

Përveç tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ngriti aktakuzë në mungesë edhe ndaj 42 personave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Millan Radoiçiq, i cilësuar si kryeterrorist, i cili ende nuk është kapur nga organet e drejtësisë.

Prokuroria kishte kërkuar më herët gjykim në mungesë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, por kërkesa ishte hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, duke u cilësuar si e pabazë.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe ta bashkojnë me Serbinë.

Në sulmin e shtatorit 2023 u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan edhe disa zyrtarë të tjerë. Në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër u largua pasi qëndroi për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Millan Radoiçiq më pas kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Serbia ende nuk ka dorëzuar të dyshuarit e këtij rasti, përfshirë edhe Radoiçiqin, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare./Albinfo.ch

Nisin homazhet në nderim të akademikut Rexhep Qosja

Në hollin e Kuvendit të Kosovës sot do të organizohen homazhe përkujtimore dhe do të hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, homazhet do të mbahen nga ora 08:45, ku do të bëhen edhe shënime në Librin e Zisë.

Ndërkohë, është shpallur edhe një ditë zie shtetërore për të nderuar figurën dhe kontributin e akademikut Qosja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.

Përditësim

Kanë nisur homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

Nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazh përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre./Albinfo.ch

Diaspora shqiptare në Argjentinë, tradita që ruhet brez pas brezi

Diaspora shqiptare në Argjentinë vazhdon të mbajë gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare edhe mijëra kilometra larg atdheut, transmeton albinfo.ch.

Në qytetin Berisso, në provincën Buenos Aires – i njohur si Kryeqyteti i Emigracionit – komuniteti shqiptar “Bashkimi” ka prezantuar një program të veçantë kulturor në kuadër të Festivalit të 47-të të Emigracionit, 2024.

Në këtë paraqitje, shqiptarët e Berissos sollën në skenë traditën, kujtesën dhe shpirtin e një populli që nuk harron rrënjët e veta, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë me identitetin kombëtar.

Ky moment i veçantë është realizuar nga Mihal Ciko dhe u transmetua të martën në Albania TV, në ora 19:00./Albinfo.ch

Melisa Ibrahimi shpallet Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë

Pianistja e re nga Mitrovica, Melisa Ibrahimi, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u shpallur “Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë”, transmeton albinfo.ch.

 

Melisa Ibrahimi

 

Ajo është nderuar gjithashtu me çmimin prestigjioz “Award of Supreme Excellence” nga organizata World Piano Association Spain, një vlerësim që dëshmon talentin dhe përkushtimin e saj në muzikën klasike.

Ky sukses konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për promovimin e kulturës dhe talentit kosovar në skenën globale.

Përmes punës së saj artistike dhe pasionit ndaj muzikës, Melisa Ibrahimi po kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Spanjës, duke përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Egzona Veseli diplomon në Master për Drejtësi në Bern

Egzona Veseli nga Krusha e Madhe e Rahovecit ka diplomuar me sukses në programin master për Drejtësi në Bern të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Ky arritje përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, duke dëshmuar se të rinjtë nga Kosova, e në veçanti vajzat, po shënojnë suksese të vazhdueshme në universitetet më prestigjioze të Evropës.

Suksesi i Veselit konsiderohet si shembull i përkushtimit, punës dhe ambicies, ndërsa arritjet e saj janë një motivim për shumë të rinj të tjerë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen përmes dijes.

Me rezultatet e tyre, studentët kosovarë në diasporë po shndërrohen në ambasadorët më të mirë të vendit, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Ag Apolloni prezanton romanin “Kësulëkuqja” në Universitetin e Harvardit

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Universitetin e Harvardit është organizuar një takim letrar me shkrimtarin shqiptar Ag Apolloni, ku është prezantuar romani i tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” (Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja u mbajt në Menschel Hall, pjesë e Harvard Art Museums, duke shënuar një moment të rëndësishëm për prezantimin e letërsisë shqipe në një nga universitetet më prestigjioze në botë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe studiuesja e njohur Maria Tatar, ndërsa prezantimin e autorit dhe të veprës e realizoi Ekaterina Pirozhenko nga Departamenti i Gjuhëve Gjermanike dhe Letërsive.

Ky promovim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pranisë së letërsisë shqipe në skenën ndërkombëtare dhe në qarqet akademike globale./Albinfo.ch

Zvicër: Kërkesë e lartë për “infermierët forensikë”, Cyrihu e bën shërbimin të përhershëm

Për shkak të kërkesës së lartë, kantoni i Cyrihut ka vendosur që shërbimi i ashtuquajtur “infermierë forensikë” të bëhet i përhershëm dhe të zgjerohet më tej.

Dhuna në familje tashmë konsiderohet një nga problemet më të mëdha për policinë. Vetëm në kantonin e Cyrihut raportohen mesatarisht rreth 22 raste në ditë, ndërsa në gjithë Zvicrën numri i rasteve është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Sipas një studimi të realizuar nga instituti kërkimor GFS, një në pesë gra përjeton dhunë seksuale ose në familje. Megjithatë, vetëm gjysma e viktimave kanë folur ndonjëherë për këtë përvojë.

Shërbimi i infermierëve forensikë tejkalon pritshmëritë

Për të përmirësuar mbështetjen ndaj viktimave, kantoni i Cyrihut dy vite më parë nisi një projekt pilot me infermierë të trajnuar posaçërisht për mbledhjen e provave. Këta profesionistë mund të dokumentojnë dhe ruajnë prova edhe në rastet kur viktimat ende nuk dëshirojnë të bëjnë kallëzim në polici.

Rezultatet kanë tejkaluar pritshmëritë. Nga prilli deri në dhjetor të vitit 2024 u regjistruan 279 raste (krahasuar me 150 të parashikuara), ndërsa në vitin 2025 numri u rrit në 512.

Sipas Nadja Weir nga Zyra e Shëndetësisë e kantonit të Cyrihut, projekti është pritur shumë mirë: “Besojmë se ka nisur shumë suksesshëm dhe është mirëpritur gjerësisht.” Ajo shton se reagimet pozitive kanë ardhur edhe nga qendrat për mbështetjen e viktimave.

Një tregues i rëndësishëm është se në 13 për qind të rasteve, viktimat kanë vendosur më pas të paraqesin kallëzim penal. Sipas Weir, kjo përqindje konsiderohet e lartë krahasuar me praktikat e mëparshme dhe me modele të ngjashme jashtë vendit.

Investime dhe zgjerim i shërbimit

Pas suksesit të fazës pilot, projekti do të kalojë në funksionim të rregullt. Kantoni i Cyrihut planifikon të investojë rreth 8.6 milionë franga për periudhën 2027–2030.

Sipas autoriteteve, ky shërbim mbush një boshllëk të rëndësishëm në kujdesin ndaj viktimave. Bashkëpunimi ndërmjet spitaleve, qendrave të këshillimit për viktimat, policisë dhe prokurorisë vlerësohet si shumë efektiv.

Synimi: më shumë ndërgjegjësim dhe qasje më e lehtë

Autoritetet synojnë që shërbimi të bëhet edhe më i njohur për publikun. Një fushatë informuese e zhvilluar në fund të vitit 2025 pati ndikim pozitiv, por synohet rritja e mëtejshme e ndërgjegjësimit.

Gjithashtu, deri në fillim të vitit 2028 planifikohet hapja e një qendre ambulatore, e cila do t’u mundësojë viktimave të marrin ndihmë pa pasur nevojë të paraqiten në urgjencën e spitalit.

“Kjo do të krijojë mundësi edhe për ata që nuk kanë nevojë për trajtim spitalor, por që gjithsesi kanë nevojë për mbështetje dhe dokumentim të rasteve,” theksoi Weir.

Swiss prezanton tarifë të re pa bagazh dore

Grupi ajror Lufthansa Group ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në politikat e tij të udhëtimit, duke hequr bagazhin e dorës falas për tarifën më të lirë në fluturimet e shkurtra dhe të mesme.

Në këtë kuadër, kompania ajrore Swiss International Air Lines (Swiss) ka prezantuar një tarifë të re hyrëse të quajtur “Economy Basic”, e cila synon pasagjerët që udhëtojnë vetëm me sende të vogla personale, si një laptop apo një çantë shpine e vogël.

Çfarë përfshin tarifa e re?

Sipas njoftimit zyrtar, tarifa “Economy Basic” lejon vetëm një send personal me përmasa maksimale 40 x 30 x 15 cm. Kjo tarifë vjen si shtesë ndaj ofertave ekzistuese dhe nuk i zëvendëson ato, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënës të Swiss kanë konfirmuar se të gjitha tarifat aktuale do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Çfarë ndodh me tarifat ekzistuese?

Tarifa aktuale më e lirë, “Economy Light”, nuk do të hiqet. Ajo vazhdon të përfshijë:

një send personal

një bagazh dore me përmasa deri në 55 x 40 x 23 cm

Për më tepër, kjo tarifë do të përditësohet duke përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të rezervimit kundrejt një pagese shtesë — një opsion që më parë nuk ishte i disponueshëm.

Zgjerim i ofertës për pasagjerët

Sipas kompanisë, kjo lëvizje synon t’u japë më shumë fleksibilitet udhëtarëve:

“Ata që duan të udhëtojnë pa bagazh dore dhe të përfitojnë nga një çmim më i ulët, tani do ta kenë këtë mundësi. Ndërkohë, të gjitha tarifat e tjera vazhdojnë të përfshijnë të paktën një bagazh dore,” thuhet në deklaratë.

Kur hyn në fuqi?

Tarifa e re do të jetë e disponueshme për rezervim nga 28 prilli 2026, për udhëtime që fillojnë nga 19 maji 2026.

Ajo do të aplikohet në të gjitha kompanitë e grupit, përfshirë:

Lufthansa

Swiss International Air Lines

Austrian Airlines

Brussels Airlines

Discover Airlines

Lufthansa City Airlines

Air Dolomiti

Vetëm për fluturime brenda Europës

Është e rëndësishme të theksohet se kjo tarifë vlen vetëm për fluturimet brenda Europës dhe nuk duhet ngatërruar me tarifën me të njëjtin emër në fluturimet ndërkontinentale, e cila përfshin shërbime të ndryshme.

Pa emigracion, popullsia e Zvicrës do të plakej ndjeshëm

Përveç rritjes së numrit të banorëve, emigracioni luan rol kyç në ngadalësimin e plakjes së popullsisë. Në mungesë të tij, vendi do të kishte shumë më pak persona në moshë pune dhe më shumë pensionistë, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurimet shoqërore dhe kostot e sigurimeve shëndetësore.

Popullsia e Zvicrës po rritet me ritme të shpejta madje, sipas Partisë Popullore Zvicerane (SVP), tepër të shpejta. Përmes një iniciative për kufizimin e emigracionit, faktori kryesor i rritjes demografike në dekadat e fundit, kjo parti synon vendosjen e një tavani prej 10 milionë banorësh. Propozimi pritet të hidhet në votim më 14 qershor 2026 dhe synon, sipas mbështetësve, të ruajë infrastrukturën dhe standardin e jetesës, transmeton albinfo.ch.

Si do të dukej Zvicra pa emigracion?

Përtej numrave, ndryshimi më i madh do të ishte në strukturën e moshës së popullsisë. Pa rreth 2.5 milionë banorë të huaj, vendi do të përballej me një plakje shumë më të theksuar, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave.

Aktualisht, mosha mesatare e shtetasve zviceranë është 44.5 vjeç, ndërsa ajo e të huajve që jetojnë në vend është vetëm 37.5 vjeç—rreth shtatë vite më pak.

Të huajt dominojnë në moshën e punës

Dallimi bëhet edhe më i qartë në ndarjen sipas grupmoshave:

Te zviceranët, rreth 56% janë në moshë pune (20–64 vjeç).

Te të huajt, kjo përqindje arrin në afro 72%.

Nga ana tjetër, pjesa e pensionistëve është shumë më e lartë te shtetasit zviceranë: rreth 24% e tyre janë në moshë pensioni, krahasuar me vetëm 8% te të huajt.

Prania e të huajve është veçanërisht e lartë në grupmoshën 30–49 vjeç, ku ata përbëjnë rreth 40% të popullsisë. Ndërsa tek personat mbi 80 vjeç, pjesa e tyre bie në rreth 10%.

Pasojat ekonomike: presion mbi sigurimet

Plakja e përshpejtuar e popullsisë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sidomos në sistemin shëndetësor dhe atë të pensioneve.

Mesatarisht:

Një person 38-vjeçar paguan rreth 5076 franga në vit për sigurimin shëndetësor dhe gjeneron kosto prej 2937 frangash—pra, kontribuon pozitivisht në sistem.

Ndërsa një 73-vjeçar paguan të njëjtën shumë, por gjeneron kosto prej 9652 frangash, duke krijuar një deficit prej 5476 frangash.

Kjo do të thotë se rritja e numrit të të moshuarve do të rëndonte ndjeshëm financimin e sigurimeve shëndetësore.

E njëjta logjikë vlen edhe për sigurimet e pleqërisë dhe trashëgimtarëve (OASI/AVS): kontributet e punonjësve financojnë pensionet. Sa më shumë pensionistë dhe më pak punëtorë, aq më i madh presioni mbi sistemin.

Një debat i madh kombëtar

Çështja e kufizimit të popullsisë mbetet një nga debatet më të mëdha aktuale në Zvicër. Pro dhe kundër iniciativës po përplasen argumente mbi ekonominë, infrastrukturën dhe të ardhmen demografike të vendit.

Letra e fundit e Rexhep Qosjes: Testamenti i tij për varrimin dhe lamtumirën e thjeshtë

Është bërë publike një letër me karakter testamentar e akademikut dhe shkrimtarit të njohur shqiptar Rexhep Qosja, e cila i drejtohet nipit të tij, Valjetit. Dokumenti përmban dëshirat e fundit të autorit lidhur me mënyrën e varrimit, si dhe reflektime mbi jetën, veprën dhe qëndrimet e tij shoqërore e politike.

Në këtë letër, Qosja shpreh qartë kërkesën që varrimi i tij të bëhet pa ritual fetar, pa praninë e përfaqësuesve zyrtarë dhe pa ceremoni publike. Ai thekson dëshirën që ceremonia të jetë sa më e thjeshtë, vetëm në rrethin familjar, pa fjalime, pa mbulim mediatik dhe pa lule, duke kërkuar që të prehet pranë varrit të bashkëshortes së tij.

Në tekst, ai reflekton gjithashtu mbi jetën e tij të kushtuar mendimit kritik, lirisë dhe zhvillimit shoqëror, duke shprehur bindjen se ka vepruar në shërbim të popullit shqiptar dhe idealeve demokratike. Megjithatë, ai pranon se nuk e konsideron jetën e tij pa gabime dhe se gjykimi përfundimtar i veprës së tij i mbetet historisë.

Letra mban datën 30 prill 2016 dhe është nënshkruar në Prishtinë.

Cyrih: Promovohen librat e Dr. Salih Krasniqit

Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih do të mbahet promovimi i librave të autorit Dr. Salih Krasniqi, një aktivitet me rëndësi të veçantë kulturore dhe dokumentare për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Ngjarja zhvillohet më 27 prill 2026, ora 19:00, në adresën: Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Zürich.

Gjatë promovimit do të prezantohen disa botime që trajtojnë periudhën e luftës në Kosovë (1998–1999), me fokus në dokumentimin e krimeve ndaj pacientëve dhe personelit mjekësor, si dhe vepra “Kirurgët abdominalë në QKUK (1969–2022)”, që pasqyron zhvillimin e mjekësisë ndër dekada.

Aktiviteti pritet të mbledhë përfaqësues të komunitetit, profesionistë të shëndetësisë dhe studiues, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike dhe dokumentimit shkencor.

 

 

 

Edicioni i dytë i “Marshit për drejtësi”: Gjeneva në qendër të angazhimit ndërkombëtar për personat e zhdukur

Shoqata Kulturore “Dora d’Istria” në Gjenevë do të organizojë për herë të dytë manifestimin paqësor dhe përkujtimor “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, më 30 gusht 2026, me një Marsh për drejtësi nga ora 14:00 deri në 17:00.

Ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me institucione vendore dhe shqiptare, si dhe me aktorë të shoqërisë civile, duke krijuar një moment të rëndësishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi për fatin e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë. Manifestimi synon t’i përkujtojë ata me dinjitet të lartë dhe të mbështesë familjet e tyre në kërkimin për të vërtetën dhe drejtësinë.

Marshi për drejtësi do të zhvillohet në përputhje të plotë me rendin publik dhe dispozitat ligjore në fuqi, duke garantuar se zëri i mërgatës sonë të mbetet një zë i fuqishëm në mbështetje të familjeve që ende kërkojnë të dinë fatin e më të dashurve të tyre, si pasojë e luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë.

Një theks i veçantë i këtij manifestimi i kushtohet respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke nënvizuar domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e eshtrave tek familjet e tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Sipas organizatorëve, edicioni i dytë vjen si një vazhdimësi e angazhimit qytetar dhe institucional, duke synuar të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të forcojë dialogun mbi drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.

Ndërkohë, organizatorët bëjnë të ditur se ky nuk është i vetmi dimension i këtij përkujtimi. Në një fazë të dytë, Shoqata “Dora d’Istria” do të prezantojë për publikun projektin e detajuar edhe të mbrëmjes së 30 gushtit, e cila pritet të jetë një moment kulmor institucional, artistik dhe përkujtimor. Kjo mbrëmje do të ndërthurë rolin e institucioneve politike dhe ndërkombëtare, artin, kujtesën dhe reflektimin në një formë të veçantë, duke u shndërruar në një përjetim të thellë dhe një zë i plotë i ndërgjegjjes sonë kolektive e të paharruar për të gjithë pjesëmarrësit.

Në një qytet me peshë ndërkombëtare si Gjeneva, ky organizim përbën një thirrje të fuqishme për drejtësi, kujtesë dhe përgjegjësi kolektive, duke rikujtuar se çështja e personave të zhdukur mbetet ende një plagë e hapur për shumë familje. Në këtë kuadër, një notë zyrtare, në emër të mërgatës shqiptare dhe institucioneve mbështetëse, do t’i drejtohet edhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe strukturave përkatëse për personat e zhdukur në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shoqata “Dora d’Istria” fton qytetarët, institucionet dhe mediat që të bëhen pjesë e këtij angazhimi, në emër të kujtesës dhe të kërkesës për drejtësi.

Për më shumë informata : 079 607 46 74

Mirishahe Limani Hiler, koordinatore dhe përgjegjëse e projektit

(Fotografitë nga Marshi për drejtësi, 30 gusht 2025)

Pse vetëm Aargau shpall gjendje emergjente për azilin në Zvicër?

Kantoni Aargau është aktualisht i vetmi në Zvicër që ka shpallur zyrtarisht gjendje emergjente për azilin, pavarësisht se edhe shumë kantone të tjera përballen me presion të madh nga rritja e numrit të azilkërkuesve.

Sipas raportimeve të SRF, autoritetet në Aargau paralajmërojnë prej vitesh se sistemi i azilit është në kufijtë e kapaciteteve, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, në këtë kanton janë të strehuar mbi 10 mijë azilkërkues, ndërsa gjendja emergjente është në fuqi që nga viti 2023.

Edhe pse situata është e tensionuar në gjithë vendin, kapacitetet nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Në rreth dy të tretat e kantoneve kapacitetet janë pothuajse të mbushura, ndërsa një pjesë tjetër ka ende hapësira rezervë, çka bën që presioni të mos jetë i njëjtë kudo.

Në rastin e Aargaut, kombinimi i mungesës së kapaciteteve, presionit të vazhdueshëm dhe planifikimit më të dobët krahasuar me kantone të tjera ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjente. Kjo u jep atyre kompetenca shtesë për të marrë masa të shpejta, si përdorimi i bunkerëve dhe objekteve të tjera për strehim.

Ndërsa Zvicra vazhdon të përballet me rritjen e numrit të azilkërkuesve, rasti i Aargaut tregon se menaxhimi lokal dhe planifikimi afatgjatë mbeten faktorë vendimtarë në përballimin e krizave të tilla.

Debat në Zvicrën frankofone për deportimet e detyruara të azilkërkuesve drejt Burundit

Politika e azilit ndaj Burundit po përballet me kundërshtime në rritje në Zvicrën frankofone, pas disa rasteve të deportimeve të detyruara të azilkërkuesve. Komuniteti burundez dhe organizatat për të drejtat e njeriut i konsiderojnë këto kthime të rrezikshme, ndërsa autoritetet zvicerane theksojnë se ato janë të ligjshme.
Sipas shoqatave, të paktën 11 persona janë kthyer të martën në Bujumbura, kryeqytetin e Burundit.

Frikë dhe shqetësim në mesin e azilkërkuesve

Brenda komunitetit burundez në Zvicër mbizotëron një shqetësim i madh. Për shumë prej tyre, ideja e kthimit në vendin e origjinës është e papranueshme.
“Kam qenë i përndjekur dhe kam shpëtuar disa herë nga vdekja. E kam dëshmuar këtë në seancën time në SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion). Kam paraqitur prova. Kam plagë nga plumbat në krah. Por Zvicra nuk më ka besuar. Nëse kthehem atje, është si të nënshkruaj dënimin tim me vdekje”, thotë një azilkërkues i refuzuar, i identifikuar me pseudonimin Gicu Massoudi*, për programin e lajmeve të RTS.

Raporte për dhunë të gjerë në Burundi
Sipas organizatës Human Rights Watch (HRW), situata e të drejtave të njeriut në Burundi është përkeqësuar ndjeshëm. Në raportin e saj për vitin 2025, organizata përshkruan një klimë të gjerë dhune në vendin e Afrikës Lindore.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara raportojnë se mes janarit 2024 dhe majit 2025 janë dokumentuar, ndër të tjera, të paktën:
200 raste të dhunës seksuale (përfshirë përdhunime të fëmijëve),
58 zhdukje me forcë,
62 raste torture,
892 arrestime arbitrare,
605 ekzekutime jashtëgjyqësore,
shpesh të kryera nga forca shtetërore ose struktura të lidhura me to.

Thirrje për pezullim të deportimeve

Pas arrestimit të disa shtetasve burundezë javën e kaluar në Zvicrën frankofone, azilkërkuesit e refuzuar po përjetojnë frikë të shtuar.
“Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen psikologjike të personave të rrezikuar nga deportimi”, deklaron Irène Blanc nga organizata për mbrojtjen e refugjatëve “Right to Stay”.

Sipas saj, duhet të vendoset një moratorium për deportimet derisa të bëhet një rishqyrtim serioz i situatës në Burundi dhe të merren plotësisht në konsideratë raportet ndërkombëtare.

Qëndrimi i autoriteteve zvicerane

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) thekson se çdo kërkesë për azil shqyrtohet në mënyrë individuale.
“Zvicra ndjek nga afër situatën në vendet e origjinës së azilkërkuesve, përfshirë Burundin. Sipas praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës Federale Administrative, kthimi në Burundi konsiderohet i ligjshëm dhe i arsyeshëm”, deklaroi zëdhënësja Anne Césard.
SEM shton se vitin e kaluar rreth 40% e aplikantëve nga Burundi kanë marrë leje qëndrimi ose azil, transmeton albinfo.ch.

Protesta në Zvicër

Organizatat e komunitetit dhe të të drejtave të migrantëve paralajmërojnë për vazhdim të deportimeve në ditët në vijim. Të martën në mbrëmje u mbajtën protesta në Gjenevë dhe Lozanë, përpara Këshillit të Madh të Vaud-it, për të kundërshtuar këto deportime që ata i konsiderojnë të rrezikshme.