Ndryshimet klimatike po rrisin vdekshmërinë në Evropë

Ndryshimet klimatike po shkaktojnë gjithnjë e më shumë vdekje në Evropë, ndërsa rreziqet për shëndetin po përkeqësohen, sipas një raporti të fundit të Lancet Countdown, publikuar në revistën The Lancet.

Raporti tregon se vdekjet e lidhura me temperaturat e larta kanë arritur rreth 62 mijë në vitin 2024, ndërsa alarmet për valët ekstreme të të nxehtit janë rritur me mbi 300% krahasuar me vitet 1990.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po përkeqësojnë gjithashtu pabarazitë sociale dhe po rrisin rrezikun e sëmundjeve infektive, përfshirë dengën, si dhe po zgjasin sezonin e alergjive.

Sipas shkencëtarëve, mungesa e veprimit politik ndaj krizës klimatike po shkakton dhjetëra mijëra vdekje çdo vit në Evropë, ndërsa kërkohet reagim më urgjent nga institucionet dhe shoqëria.

Mbi një mijë artistë bëjnë thirrje për bojkotimin e Eurovisionit

Mbi një mijë muzikantë nga e gjithë bota, përfshirë artistë dhe grupe të njohura si Massive Attack, Kneecap dhe Macklemore, po bëjnë thirrje për bojkotimin e Eurovisionit, i cili pritet të mbahet në maj në Vienna. Arsyeja e kësaj thirrjeje është pjesëmarrja e Izraelit në konkurs.

Letra e hapur, e publikuar në faqen e lëvizjes “No Music for Genocide”, kishte mbledhur mbi 1,100 firma deri të martën, kryesisht nga artistë të label-eve të vogla dhe të mesme. Sipas organizatorëve, disa muzikantë dhe grupe të njohura, shumica prej të cilëve kanë qenë prej vitesh të angazhuar në bojkotin kulturor ndaj Izraelit, i janë bashkuar kësaj thirrjeje, transmeton albinfo.ch.

Ndër nënshkruesit janë edhe Peter Gabriel, Roger Waters, producenti dhe muzikanti Brian Eno, si dhe artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Skena muzikore nën tension politik

Nënshkruesit kërkojnë përjashtimin e transmetuesit publik izraelit KAN, duke e akuzuar atë për bashkëfajësi në krimet ndaj njerëzimit të kryera nga Izraeli.

Ndërkohë, këngëtarja franko-izraelite 27-vjeçare Noam Bettan është zgjedhur për të përfaqësuar Izraelin në këtë edicion, një rol me rëndësi të madhe patriotike në një vend ku Eurovisioni gëzon popullaritet të lartë dhe mbështetje të konsiderueshme publike.

“Si muzikantë dhe punonjës të kulturës, shumë prej nesh që jetojmë në zonën e European Broadcasting Union, refuzojmë që Eurovisioni të përdoret për të normalizuar dhe fshehur gjenocidin, rrethimin dhe pushtimin ushtarak ndaj palestinezëve,” thuhet në deklaratë.

Pesë vende tërhiqen

Edicioni i sivjetmë i Eurovision Song Contest 2026, që shënon 70-vjetorin e konkursit, po përballet me bojkotin më të madh në historinë e tij për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Transmetuesit publikë nga Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga gara.

Këto vende e lidhin vendimin me zhvillimet e luftës në Gaza, pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamas në territorin izraelit.

Në edicionin e fundit, këngëtarja izraelite Yuval Raphael, e mbijetuar e sulmit të 7 tetorit, u rendit e dyta, duke marrë numrin më të madh të votave nga publiku. Izraeli e ka fituar Eurovisionin katër herë, për herë të fundit në vitin 2018.

Elvis Rexhbeçaj rikthehet në Wolfsburg

Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, është kthyer te Wolfsburgu, ku edhe u zhvillua si lojtar.

Pas katër vjetësh tek Augsburgu, Rexhbeçaj do të kthehet te Wolfsburgu për edicionin e ardhshëm. Deri në fund të edicionit aktual do të jetë tek Augsburgu.

Ai ka firmosur me Wolfsburgun kontratë të vlefshme deri në vitin 2030, transmeton albinfo.ch.

“Me Elvisin kemi kthyer lojtarin që ka lidhje të fortë me klubin dhe qytetin. Fakti që ai ia ka besuar të ardhmen Wolfsburgut në këtë fazë  sfiduese sportive na bënë edhe më të kënaqur. Por kualiteteve të futbollit ai ka edhe personalitet të fortë, që shihet brenda dhe jashtë fushës. Ai jep çdo gjë në secilën ndeshje dhe merr përgjegjësi”, ka thënë drejtori sportiv i Wolfsburgut, Pirmin Schwegler.

Rexhbeçaj ishte bashkuar me Akademinë e Wolfsburgut në moshën 12 vjeçare dhe depërtoi deri në ekipin e parë.

“Kthimi te Wolfsburgu do të jetē diçka e veçantë për mua. Jam rritur këtu dhe kam nisur karrierën në Bundesligë te Wolfsburgu. Do të jem gjithnjë falënderues për këtë. Dhe kur dera u hap sërish, ishte e qartë për mua se doja të kthehesha. Por edhe një gjë është e qartë, deri në fund do të jap çdo gjë për Augsburgun”, ka thënë mesfushori shqiptar.

 

Takimi i kryeministrave, Rama i bindur se do të kapërcejnë çështjet e bartura Shqipëri – Greqi

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka nisur me batuta takimin sot në Athinë me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Rama tha se i kërkon ndjesë se nuk ka një veshje aq zyrtare sa ai, ndërsa Mitsotakis i është përgjigjur se e vlerësojnë krijimtarinë që ka në përzgjedhjen e veshjeve.

“Është një nder për mua të jem këtu, dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Kështu që shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli”, tha Rama, transmeton albinfo.ch.

“Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë krijues në mënyrën se si visheni dhe kjo na pëlqen”, iu përgjigj homologu.

“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.

BBC me artikull për bregdetin e Shqipërisë

Bregdeti i Shqipërisë çdo ditë e më shumë është duke marrë jehonë nga turistë e huaj, përcjell albinfo.ch.

Dhe kjo dëshmon cilësinë e komoditetin, si dhe bukuritë e rralla natyrore që ka shteti shqiptar.

Në një artikull të publikuar nga BBC, blogerja Amber Robertson ka treguar se ka kaluar në qytete të ndryshme shqiptare.

Ajo theksoi se ishte pak a shumë e njëjtë si Greqia, por edhe më lirë.

“Thjesht mund të fluturosh në Korfuz [në Greqi], pastaj mund të kapësh një traget që kalon për në Sarandë, e cila është një lloj hyrjeje në ‘Rivierën Shqiptare’,” shpjegon blogerja e udhëtimit Amber Robertson. Keni plazhe vërtet të bukura, klube të mira plazhi, duke marrë atë ndjesinë e Greqisë – por me një çmim më të ulët. Dhe pastaj ka histori shumë interesante. Berati dhe Gjirokastra, këto qytete të vjetra dhe të bukura me gur që kanë shumë kulturë.” ka thënë ajo.

Jepson vlerëson se një paketë all-inclusive për shtatë netë për një çift në atë që ajo ka dëgjuar të quhet “Maldivet e Evropës” do të kushtojë rreth 1,400 funte. Një familje prej katër personash do të shpenzonte rreth 2,300 funte.

Kurti: Ne besojmë në pafajësinë e katër krerëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e deputetit Fatos Geci, duke theksuar se ai beson në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Kurti ritheksoi qëndrimin e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “gjykatë jonormale”, ndërsa shtoi se janë të bindur në drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi Kurti.

Ai gjithashtu përmendi se kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vërejtjen deputetit dhe ia ka ndërprerë fjalën, për shkak të gjuhës dhe komenteve të bëra gjatë seancës.

Kurti tha se ai është kryetar i Vetëvendosjes dhe kryeministër i Kosovës, por nuk ka rol në ndonjë komision disiplinor për deputetët.

“Unë jam vetë kryetar i VV-së, dhe vetëm kryeministër i Kosovës. Nuk jam kryetar i naj komisioni disiplinor, aq më pak për dikënd që i përket tjetër kujt”, u shpreh Kurti./Albinfo.ch

Sot u hap në Shkodër ekspozita me fotografitë e rralla të Eugène Pittard

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun një koleksion të rrallë imazhesh historike nga Shqipëria e fillimit të shekullit XX.

Ekspozita i dedikohet antropologut dhe akademikut të njohur zviceran Eugène Pittard, i cili bashkë me bashkëshorten e tij Hélène Pittard, udhëtoi nëpër Shqipëri në vitet 1921 dhe 1924, duke dokumentuar me aparat fotografik jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, traditat dhe peizazhet natyrore të vendit.

Fotografitë e ekspozuara ofrojnë një pasqyrë të rrallë etnografike dhe historike të Shqipërisë së asaj periudhe, duke u shndërruar në një dëshmi të çmuar për kulturën dhe identitetin shqiptar.

Sipas organizatorëve, lidhja e Pittard me Shqipërinë ka nisur më herët, në vitin 1910, kur ai vizitoi për herë të parë Shkodrën – qytet që shënoi edhe fillimin e dashurisë së tij për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

Ekspozita vjen për publikun për herë të parë si në format të printuar ashtu edhe si përvojë digjitale, duke e bërë më të qasshme dhe më tërheqëse për vizitorët.

Ekspozita po mbahet në Sheshin përpara Bashkisë, Shkodër më lln: 22 prill , 7 maj 2026/Albinfo.ch

Fotografitë e rralla të Eugène Pittard sjellin Shqipërinë e hershme në Shkodër

M

Gjeneva shqyrton dhënien e kokainës për të varurit nga droga

Autoritetet në Geneva po shqyrtojnë një projekt të pazakontë për të përballuar rritjen e përdorimit të crack-ut dhe problemet e lidhura me drogën në hapësira publike, përcjell albinfo.ch.

Kantoni po përgatit një projekt pilot të paprecedent, i cili parashikon që personave të varur nga kokaina t’u përshkruhet kjo substancë nën mbikëqyrje mjekësore, me qëllim që të reduktohen skenat e hapura të konsumimit të drogës në rrugë.

Sipas Daniele Zullino, drejtues i Psikiatrisë së Varësisë në Geneva University Hospitals (HUG), që do ta mbikëqyrë këtë projekt, qëllimi kryesor është largimi i personave të varur nga rruga dhe ofrimi i mbështetjes terapeutike për ta.

Në kuadër të këtij programi, kokaina do t’u jepet personave të varur nga crack-u në të njëjtat qendra ku spitali aktualisht ofron trajtim me heroinë nën mbikëqyrje mjekësore.

Autoritetet shpresojnë se kjo qasje do të ndihmojë në menaxhimin më efektiv të varësisë nga droga dhe në uljen e problemeve sociale që lidhen me konsumimin e saj në hapësira publike./Albinfo.ch

Cyrih: Kompania amerikane ofron paga vjetore deri në 680 mijë franga për ekspertët e AI-së

Një kompani amerikane e teknologjisë po ofron paga jashtëzakonisht të larta për specialistët e inteligjencës artificiale në Zurich, duke treguar kërkesën e madhe globale për ekspertë në këtë fushë, përcjell albinfo.ch.

Kompania Anthropic, e cila merret me kërkime dhe sigurinë e inteligjencës artificiale dhe ka selinë në California, është në kërkim të shkencëtarëve kërkimorë dhe inxhinierëve të AI-së për zyrën e saj në Cyrih. Pozitat e ofruara shoqërohen me paga vjetore që variojnë nga 280 mijë deri në 680 mijë franga zvicerane.

Në nivelin më të lartë të kësaj pagese, të ardhurat mujore mund të arrijnë mbi 56 mijë franga, një shumë që konsiderohet shumë e lartë edhe për standardet e pagave në Zvicër.

Profesori i ekonomisë në Zvicër, Michael Siegenthaler, thotë se aktualisht ka një konkurrencë të fortë për ekspertët më të mirë në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

“Duket se ka shpërthyer një lloj gare ofertash për mendjet më të ndritura në zhvillimin e modeleve të AI-së,” ka deklaruar ai, duke shtuar se paga të tilla nuk janë të paarsyeshme në këtë sektor.

Sipas raportit të vitit 2026 për inteligjencën artificiale, Zvicra renditet ndër vendet me përqendrimin më të madh të ekspertëve të AI-së në botë. Në vitin 2025, vendi kishte 110.5 studiues dhe zhvillues të inteligjencës artificiale për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur në vendin e parë në botë për densitetin e ekspertëve të AI-së. /Albinfo.ch

FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos për nisjen e trupave nga Kosova

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) drejt një misioni ndërkombëtar në Gazë nuk do të varet drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës, por nga vendimmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga gjenerali amerikan që pritet të udhëheqë Forcën Stabilizuese në terren, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka deklaruar ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili theksoi se gjenerali amerikan do të përcaktojë kohën e nisjes, mënyrën e angazhimit dhe kohëzgjatjen e misionit, në përputhje me planifikimet operative.

Sipas tij, edhe mbështetja logjistike për këtë operacion pritet të sigurohet nga SHBA-ja, pasi kapacitetet vendore nuk janë të mjaftueshme për një mision të tillë ndërkombëtar.

Kastrati vlerësoi se FSK-ja është e përgatitur sipas standardeve të NATO-s dhe mund të kontribuojë në fusha specifike si çminimi, si dhe përmes oficerëve shtaborë dhe policisë ushtarake.

“Në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura. Do të shkojnë ekipe për deminim dhe oficerë shtaborë. FSK-ja është lidere në këtë fushë dhe ka përvojë të mirë nga trajnimet në vendet e NATO-s,” u shpreh ai.

Ai shtoi se ky angazhim do të ketë ndikim pozitiv edhe në aspektin politik dhe diplomatik, duke e shndërruar Kosovën nga një vend përfitues i sigurisë në një kontribuues aktiv në misionet ndërkombëtare.

Sipas Kastratit, vendimi për nisjen dhe kohëzgjatjen e misionit do të varet plotësisht nga komandanti amerikan që udhëheq operacionin, në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare në terren./Albinfo.ch

Kosova pranohet në Kartën Globale për Kujdesin ndaj Fëmijëve

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë të cilit i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për Reformën e Kujdesit për Fëmijët.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, e cila përmes një komunikate për media ka njoftuar se kërkesat e saj, të ndërtuara mbi pesë angazhime kombëtare për periudhën 2026–2028, janë pranuar në tërësi.

Sipas ministrisë, këto angazhime janë hartuar mbi legjislacionin ekzistues për Mbrojtjen e Familjes dhe Fëmijëve dhe i janë adresuar Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e procesit të përfshirjes në këtë iniciativë ndërkombëtare.

Ministria ka bërë të ditur se në kuadër të këtij programi do të fuqizohen disa fusha prioritare, përfshirë:

* parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet;
* zhvillimin e shërbimeve të integruara familjare dhe komunitare;
* zgjerimin e kujdesit alternativ familjar;
* dixhitalizimin e sistemit të të dhënave;
* forcimin e kapaciteteve profesionale.

Në njoftim thuhet se pranimi i këtyre angazhimeve shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë.

“Duke u mbështetur në praktikat më të mira globale për parandalimin e ndarjes familjare, po ndërtojmë një Kosovë ku çdo fëmijë rritet në një mjedis familjar të sigurt dhe të përkrahur. Në këtë drejtim, pranimi i angazhimeve dhe kërkesave nga Republika e Kosovës, që vjen edhe si rezultat i bashkëpunimit dhe përkrahjes nga UNICEF në Kosovë, shënon një momentum të rëndësishëm në forcimin e politikave dhe mekanizmave në mbrojtje të fëmijëve dhe familjeve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në Kosovë vazhdon të bie çmimi i naftës, sot rënie për 3 centë

Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar rënie edhe sot, duke u ulur për 3 centë krahasuar me ditën e martë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, një litër naftë sot kushton 1.65 euro, ndërsa çmimi i benzinës është 1.39 euro për litër. Ndërkohë, çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 0.88 euro për litër.

Për krahasim, të martën çmimi i naftës ishte 1.68 euro, benzina 1.41 euro, ndërsa gazi kishte të njëjtin çmim si sot.

Çmimet e derivateve kishin shënuar rritje në fund të shkurtit, pas zhvillimeve të tensionuara në Lindjen e Mesme, kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin. Pas kësaj, Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shërben si një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës, duke përfshirë rreth 20 për qind të naftës globale.

Megjithatë, pas stabilizimit të situatës, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të bien, ndërsa rënia po reflektohet gradualisht edhe në Kosovë./Albinfo.ch

Rënie rekord e kërkesave për azil në Gjermani, sipas raportit të fundit të BE-s

Numri i kërkesave për azil në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët në vitet e fundit në tre muajt e parë të vitit 2026, sipas një raporti të brendshëm të Komisionit Evropian të përmendur nga mediat gjermane, përcjell albinfo.de.


Në këtë periudhë, nga 1 janari deri më 31 mars 2026, në Gjermani janë regjistruar vetëm 28 922 kërkesa për azil, një rënie prej rreth 23 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2025), shkruan Bild.

Kjo shifër e ulët e ka ulur Gjermaninë në vendin e katërt në renditjen evropiane për kërkesat e azilit, për herë të parë që nga viti 2015, pasi vendi kishte qenë për vite me radhë destinacioni kryesor për azilkërkuesit në Bashkimin Evropian.

Rënia e numrit të kërkesave lidhet kryesisht me uljen e aplikimeve nga shtetasit e disa vendeve që më parë përbënin grupe të mëdha të azilkërkuesve. Sipas raporteve, kërkesat nga sirianët ranë ndjeshëm, ndërsa edhe numri i kërkesave nga ukrainasit ishte dukshëm më i ulët – rreth 57 % më pak se vitin e kaluar.

Në renditjen e vendeve që morën më shumë kërkesa për azil në këtë periudhë të vitit, Franca renditet e para me 34 643, e ndjekur nga Spanja me 32 630 dhe Italia me 32 602 kërkesa.

Ekspertët e migracionit vlerësojnë se kombinimi i rënies së aplikimeve nga grupe të mëdha tradicionale të azilkërkuesve dhe zbatimi i politikave më të ashpra të kontrollit kufitar dhe procedurave të azilit në Gjermani dhe BE mund të jenë faktorë që ndikojnë në këtë trend.

Rënia e kërkesave në Gjermani pasqyron një ndryshim të dukshëm në dinamikën e migracionit në Evropë, edhe pse niveli i azilkërkuesve mbetet i lartë në vendet e tjera anëtare të BE-s./Albinfo.de

Kosova shënon ngritjen më të madhe në ranglistën e FIFA-s, “Dardanet” arrijnë pozitën më të mirë historike

Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA-s, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në nivel global për këtë periudhë, përcjell albinfo.ch.

Falë fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, si dhe dy triumfeve radhazi kundër Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar 58.33 pikë, duke qenë kombëtarja me rritjen më të lartë të pikëve nga të gjitha ekipet kombëtare të femrave, që nga publikimi i fundit i renditjes më 11 dhjetor 2025.

Në ranglistën e re të publikuar të martën nga FIFA, Kosova renditet në vendin e 81-të, duke u ngjitur për 11 pozita krahasuar me renditjen paraprake. Kjo është njëkohësisht edhe pozita më e mirë historike për kombëtaren e femrave, të njohura si “Dardanet”.

Rezultatet pozitive janë arritur në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke reflektuar progresin dhe formën në rritje të ekipit.

Deri më tani, pozita më e mirë e Kosovës kishte qenë vendi i 91-të, e arritur në mars të vitit 2024, ndërsa renditja më e dobët ishte vendi i 126-të. Ndërkohë, mesatarja historike e Kosovës në këtë ranglistë ka qenë rreth pozitës së 108-të./Albinfo.ch

Kompanitë kosovare prezantohen në panairin ndërkombëtar “Hannover Messe 2026” në Gjermani

Kompanitë nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “Hannover Messe 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e industrisë, teknologjisë dhe inovacionit, i cili po mbahet nga 20 deri më 24 prill 2026 në qytetin Hanover të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila ka organizuar prezencën e tyre dhe ka siguruar hapësirën ekspozuese për promovimin e produkteve dhe shërbimeve.

Në këtë panair, kompanitë kosovare “Elektrostublla Sh.p.k.”, “Kosbit L.L.C.”, “Proton Cable L.L.C.”dhe “Sentry L.L.C.” po prezantojnë zgjidhjet dhe produktet e tyre përpara partnerëve potencialë, investitorëve, distributorëve dhe profesionistëve të industrisë nga e gjithë bota.

“Hannover Messe” konsiderohet një ndër panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme ndërkombëtare në sektorin e industrisë, teknologjisë dhe automatizimit, duke ofruar një platformë të rëndësishme për promovimin e inovacionit, krijimin e kontakteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje synon promovimin e kapaciteteve vendore në sektorin industrial dhe teknologjik, si dhe forcimin e pranisë së kompanive kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë profesionalë deri më 24 prill 2026./Albinfo.ch

Lea Ypi nderohet në Vjenë, vlerësohet për kontributin akademik ndërkombëtar

Shkrimtarja dhe profesoresha shqiptare me famë ndërkombëtare, Lea Ypi, vazhdon të spikasë si një nga zërat më të rëndësishëm në fushën e teorisë politike dhe filozofisë bashkëkohore, transmeton albinfo.ch. 

Së fundmi, ajo ka mbajtur një leksion presidencial në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Vjenë, ku njëkohësisht u nderua me një çmim në shenjë vlerësimi, në kuadër të 35-vjetorit të këtij institucioni prestigjioz.

 

Lea Ypi

 

Lea Ypi është autore e librave dhe eseve të përkthyera në më shumë se 35 gjuhë, ndërsa punimet e saj kanë marrë vlerësime të gjera në arenën akademike ndërkombëtare.

E lindur në Shqipëri, ajo është profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science (LSE), si dhe anëtare e Akademisë Britanike dhe Akademisë Evropiane.

Libri i saj “Free” (i botuar në Francë me titullin “Enfin libre”) është kthyer në bestseller ndërkombëtar dhe ka sjellë vëmendje të madhe për rrëfimin e saj mbi tranzicionin dhe lirinë. Ndërkohë, në veprën e saj më të fundit “Të poshtëruar”, Ypi trajton tema të thella mbi drejtësinë dhe integritetin moral, duke i ndërlidhur ato me historinë familjare dhe përvojën personale.

Me këtë vlerësim në Vjenë, Lea Ypi konfirmon edhe një herë rolin e saj si një prej figurave më të spikatura shqiptare në botën akademike ndërkombëtare./Albinfo.ch 

 

Lea Ypi

 

Ambasadori Ermal Dredha dorëzon Letrat Kredenciale te Guy Parmelin

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane, Ermal Dredha, ka zhvilluar ceremoninë zyrtare të dorëzimit të Letrave Kredenciale pranë Presidentit të Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, transmeton albinfo.ch.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Zvicrës, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tyre në disa fusha me rëndësi të veçantë.

Në fokus të bisedës ishte intensifikimi i vizitave të nivelit të lartë, zhvillimi i forumeve ekonomike, si dhe forcimi i bashkëpunimit në sektorë të interesit të përbashkët, përfshirë arsimin, turizmin, investimet në energjinë e pastër, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në Zvicër.

Presidenti Parmelin vlerësoi pozitivisht punën e qeverisë shqiptare në kuadër të reformave për procesin e integrimit evropian, duke theksuar gjithashtu kontributin e Zvicrës në këtë drejtim përmes projekteve që lidhen me mirëqeverisjen, të drejtat e njeriut, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Nga ana e tij, ambasadori Dredha shprehu angazhimin për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për zgjerimin e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve mike./Albinfo.ch

 

Rromir Imami: Kur portreti kthehet në narrativë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Fribourg

Në Festival Ndërkombëtar i Filmit në Fribourg, imazhi ka fituar një rol të ri në rrëfimin e festivalit. Në këtë hapësirë që këtë vit shënon 40 vjet, fotografia nuk mbetet vetëm dëshmi e pranisë së të ftuarve. Ajo hyn në dialog me temën, me atmosferën dhe me energjinë që përshkon çdo edicion. Brenda këtij procesi krijues, portreti merr kuptim të thelluar dhe bëhet pjesë e një gjuhe vizuale që artikulon ide dhe ndjesi. Rromir Imami, prej katër vitesh i përfshirë në këtë rrugëtim, e sheh fotografinë si një formë rrëfimi ku çdo imazh bart një mendim dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me frymën e festivalit.

Prej katër vitesh, Rromir Imami është një nga zërat që formësojnë identitetin vizual të Festival Ndërkombëtar i Filmit në Fribourg. Puna e tij shtrihet përtej aktit të fotografimit dhe hyn në një proces të vetëdijshëm krijues, ku portreti merr funksionin e një gjuhe që artikulon frymën e festivalit. Brenda kësaj ngjarjeje kinematografike, imazhet e tij ndërtohen në lidhje të drejtpërdrejtë me atmosferën dhe drejtimin artistik të çdo edicioni, duke u bërë pjesë e identitetit të tij vizual.

“Kur nisa, portretet kishin një qasje më klasike,” kujton ai, “por ndjeva nevojën për një formë që lidhet drejtpërdrejt me temën e festivalit.” Ky orientim u zhvillua gradualisht dhe u kthye në një linjë të qëndrueshme pune, ku çdo portret bart një ide dhe një kontekst të qartë.

Duke iu rikthyer edicionit të vitit 2023, ai kujton: “Tema ishte ushqimi. Përveç portreteve klasike që kërkoheshin, realizuam edhe fotografi ku të ftuarit ndërvepronin me elementë ushqimorë.” Në këto imazhe, prania njerëzore hyn në një raport të drejtpërdrejtë me konceptin dhe e bën atë të prekshëm. Sipas tij, rezultati ishin fotografi të gjalla dhe ekspresive, ku reflektohet njëkohësisht individualiteti i të ftuarve dhe atmosfera e festivalit.

Portrete te realizuara gjate edicionit te 37 te Festivalit. Per te pare tere serine e fotografive, klikoni këtu.

Ai ndalet te një moment vendimtar gjatë edicionit të vitit 2023, kur vendosi të çlirojë portretin nga kufijtë e zakonshëm të tij. “Kisha realizuar disa fotografi të lidhura me temën e ushqimit, por mbetesha në pasiguri nëse kjo ishte ajo që kërkonte festivali,” kujton ai. Mes ritmit të ngjeshur të ditëve të festivalit, ai ia paraqiti punët e tij drejtorit artistik, Thierry Jobin, në ekranin e telefonit.

Ai moment mori një peshë të veçantë. “U ndal, i pa me kujdes… dhe më tha: ‘Kjo është ajo që kam pritur prej 10 vitesh.’” Kjo fjali hapi një drejtim të ri pune. Qasja konceptuale mori vend të qëndrueshëm dhe portreti u vendos në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me idenë dhe strukturën e festivalit.

Në vijimësi, procesi krijues është zgjeruar dhe është thelluar me çdo edicion. “Çdo vit bëhet më sfiduese,” shprehet ai, duke e lidhur këtë rritje me kërkesën për qartësi artistike dhe përkushtim ndaj detajit. Puna zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e komunikimit të Festival Ndërkombëtar i Filmit në Fribourg, ku idetë marrin formë përmes diskutimit dhe kërkimit të përbashkët. Në këtë proces, fotografia nuk qëndron e izoluar, por ndërtohet si pjesë e një strukture kolektive.

“Ndjehem i privilegjuar që jam pjesë e këtij procesi,” thotë ai, “dhe e shoh si përgjegjësi për të qenë në përputhje me misionin e festivalit.” Për të, portreti nuk është një akt i vetëm. Ai është rezultat i një pune të përbashkët, i një ndërtimi që mbështetet mbi shumë duar dhe mbi një vizion të përbashkët që i jep kuptim çdo imazhi.

Portrete te realizuara gjate edicionit te 38 te Festivalit. Per te pare tere serine e fotografive, klikoni këtu.

Duke folur për edicionin e 39-të të festivalit, ai ndalet te tema e krimit, e cila u reflektua drejtpërdrejt edhe në portretet e realizuara. “Vendosëm t’i qasemi në mënyrë konceptuale, duke i paraqitur të ftuarit si ‘fajtorë për kreativitetin e tyre’,” shpjegon ai. Kjo ide, sipas tij, krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë mes identitetit vizual dhe temës së festivalit, duke i dhënë portreteve një dimension narrativ dhe simbolik.

Portrete te realizuara gjate edicionit te 39 te Festivalit. Per te pare tere serine e fotografive, klikoni këtu.

Në edicionin jubilar, të 40-të të Festival Ndërkombëtar i Filmit në Fribourg, drejtimi vizual mori një formë të artikuluar rreth motivit të luleve. Ky orientim u materializua në një hapësirë të ndërtuar me kujdes, ku ngjyra dhe struktura krijonin një prani të gjallë dhe një ndjesi festimi të përvjetorit. “Kjo na shtyu të ndërtojmë një set-up të pasur me ngjyra dhe jetë,” shprehet Rromir Imami, duke e lidhur këtë zgjedhje me karakterin simbolik të edicionit.

Koncepti u zhvillua në dialog me një instalacion të  Jérôme Berbier artist lokal nga Fribourgu, çka i dha hapësirës një dimension të shtresëzuar dhe një ritëm vizual të qëndrueshëm. Në këtë strukturë, portreti u vendos brenda një ambienti që bart kuptim dhe krijon lidhje të drejtpërdrejtë me frymën e festivalit.

“Donim që të ftuarit të hynin në këtë proces si pjesëmarrës aktivë,” shton ai, “duke e sjellë edhe kreativitetin e tyre në realizimin e imazhit.” Në këtë mënyrë, portreti nuk mbetet një akt i izoluar, por shndërrohet në një hapësirë ndërveprimi. Rezultati artikulohet në një seri fotografish që mbartin qartësi vizuale dhe energjinë e përbashkët të edicionit jubilar.

Portrete te realizuara gjate edicionit te 40 te Festivalit. Per te pare tere serine e fotografive, klikoni këtu.

Në përmbyllje, Rromir Imami e vendos këtë përvojë në një plan më të thellë krijues, si një proces që ndërtohet në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit, idetë dhe ritmin e vetë festivalit. “Takimi me artistë dhe të ftuar që sjellin botë të ndryshme është pjesë e brendshme e këtij procesi,” shprehet ai. Çdo edicion hap një hapësirë të re kërkimi, ku kërkohet përqendrim, qartësi dhe një ndjeshmëri e mprehtë ndaj asaj që duhet të përkthehet në imazh.

Ky proces kërkon një strukturë të saktë dhe një koordinim të vazhdueshëm. Vizioni i festivalit artikulohet në bashkëpunim me ekipin e komunikimit, merr formë përmes dialogut dhe konkretizohet në momentin e realizimit. Çdo portret kërkon kohën e vet, një prani të vëmendshme dhe një qasje që ruan individualitetin e secilit. “Nuk është gjithmonë e lehtë,” thotë ai, “sidomos kur mendon se vetëm në edicionin e fundit realizuam mbi 40 portrete gjatë ditëve të festivalit.”

Në këtë intensitet pune, fotografia shndërrohet në një akt të përqendruar dhe të vetëdijshëm, ku çdo imazh mbart gjurmën e një përvoje dhe një momenti të papërsëritur.

 

Rita Ora në filmin e ri të Amazon MGM

Këngëtarja dhe aktorja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, i është bashkuar kastit të filmit më të ri të Amazon MGM Studios, me titull “Honeymoon With Harry”, transmeton albinfo.ch.

Ajo do të luajë përkrah disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it, përfshirë Kevin Costner, Jake Gyllenhaal dhe Sarah Pidgeon, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj në industrinë e filmit.

Ky angazhim i ri vjen në një periudhë kur Rita Ora po vazhdon të zgjerojë aktivitetin e saj artistik, duke forcuar prezencën jo vetëm në muzikë, por edhe në botën e aktrimit.

Me këtë rol, ajo konfirmon edhe një herë se është ndër emrat shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare të showbiz-it./Albinfo.ch

Peru: Edita përfaqëson Kosovën në Kongresin e Endokrinologjisë

Dr. Edita Blakaj-Shala, specialiste e endokrinologjisë në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed” dhe pjesë e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka përfaqësuar Kosovën si ligjëruese në Kongresin Rajonal të Endokrinologjisë “Endo Perú Sur 2026”, i mbajtur më 16–17 prill në qytetin Cusco të Perusë, transmeton albinfo.ch.

Ky kongres, i organizuar nga Sociedad Peruana de Endocrinología, ka mbledhur profesionistë të shëndetësisë nga vende të ndryshme të rajonit, duke ofruar një platformë për diskutime shkencore dhe shkëmbim përvojash në fushën e endokrinologjisë.

 

 

Në kuadër të këtij aktiviteti, Dr. Blakaj-Shala ka mbajtur ligjëratë në gjuhën spanjolle, ku ka trajtuar temën e diabetit atipik, duke ndarë njohuritë dhe përvojën e saj profesionale me pjesëmarrësit.

Ajo ka bërë të ditur se programi shkencor i kongresit ka përfshirë temat më aktuale në fushën e endokrinologjisë, përfshirë diabetin, obezitetin dhe çrregullimet hormonale, me fokus të veçantë në menaxhimin e pacientëve në kushte të lartësisë së madhe, karakteristike për rajonin ku u mbajt kongresi.

Përfaqësimi i Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare konsiderohet një sukses i rëndësishëm për mjekësinë kosovare dhe një arritje që promovon profesionalizmin e stafit shëndetësor të vendit edhe jashtë kufijve.

Kjo paraqitje e Dr. Edita Blakaj-Shalës bën që emri i Kosovës dhe i Vushtrrisë të dëgjohet edhe në Amerikën Latine, duke dëshmuar nivelin dhe potencialin e profesionistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Ansambli “TROJET”, 13 vjet në shërbim të trashëgimisë shqiptare në Zvicër

Ansamblet e këngëve dhe valleve burimore shqiptare në Zvicër prej vitesh kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e vlerave kulturore dhe kombëtare. Numri i madh i tyre është dëshmi e lidhjes së fortë të mërgatës shqiptare me rrënjët e saj dhe e përkushtimit për të mos e lënë traditën të zbehet në brezat e rinj, transmeton albinfo.ch.

Në këtë frymë, para pak ditësh u shënua një përvjetor i veçantë: Ansambli i Këngëve dhe Valleve “TROJET” feston 13-vjetorin e themelimit, duke kurorëzuar një rrugëtim të gjatë pune, përkushtimi dhe dashurie për artin shqiptar.

I themeluar më 17 prill 2013 në Winterthur, Ansambli “TROJET” përfaqëson një nga iniciativat më të qëndrueshme dhe më të suksesshme të komunitetit shqiptar në Zvicër për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Fillimisht i krijuar si degë e Ansamblit “Vatra”, ky formacion artistik u zhvillua gradualisht në një strukturë të konsoliduar, duke u shndërruar në një institucion të rëndësishëm kulturor në diasporë.

Gjatë këtyre 13 viteve veprimtari, “TROJET” ka ndërtuar një platformë të fuqishme që mundëson transmetimin ndërbrezor të gjuhës shqipe, traditës, veshjeve kombëtare, muzikës dhe valleve burimore shqiptare. Me përfshirjen e disa gjeneratave pjesëmarrësish, ansambli ka krijuar një ndikim të drejtpërdrejtë në edukimin kulturor të të rinjve shqiptarë që jetojnë dhe rriten larg atdheut.

Zhvillimi dhe suksesi i “TROJET” është mbështetur nga puna e palodhur e themeluesve dhe bashkëpunëtorëve artistikë, nga angazhimi i prindërve, komunitetit më të gjerë, si dhe nga mbështetja e partnerëve dhe sponsorëve që kanë kontribuar ndër vite për vazhdimësinë e këtij misioni kulturor.

Një rol të rëndësishëm në rritjen e cilësisë artistike të ansamblit ka pasur bashkëpunimi me profesionistë të fushës dhe përfshirja e artistëve e grupeve të njohura, të cilët kanë ndihmuar në pasurimin e repertorit dhe në rritjen e profilit publik të tij. Po ashtu, edhe mediat kanë qenë një faktor kyç në promovimin dhe dokumentimin e aktiviteteve të ansamblit.

Sot, “TROJET” nuk është vetëm një ansambël i këngëve dhe valleve, por një mekanizëm i rëndësishëm kulturor dhe edukativ, që ruan identitetin shqiptar dhe e forcon ndjenjën e përkatësisë te brezat e rinj në mërgatë./Albinfo.ch

Kaos në kufijtë e Maqedonisë së Veriut: pritje deri në 6 orë pas sistemit të ri EES

Sekretariati i Komunitetit të Transportit po kërkon zgjidhje për problemin e krijuar me pritjet disaorëshe në kufij dhe aeroporte, pas vendosjes së sistemit të ri EES.

Në një seancë parlamentare, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova, ngriti shqetësimin për vonesat e gjata në pikat kufitare. Ajo pyeti përfaqësuesin e Sekretariatit se sa është e sigurt që udhëtarët të presin me orë të tëra, duke pasur parasysh se sistemi i ri kërkon skanim të fytyrës dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.

Sipas saj, në kufijtë me Bashkimin Evropian janë krijuar bllokime të mëdha të automjeteve dhe pritje që zgjasin deri në pesë apo gjashtë orë, veçanërisht në kufijtë me Greqinë dhe Kroacinë. Ajo theksoi se kjo situatë shkakton pakënaqësi dhe shqetësim, sidomos kur qytetarët, përfshirë fëmijët, presin për një kohë të gjatë në kushte të vështira.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Komunitetit të Transportit në Komisionin Evropian, Matej Zakonjšek, tha se janë identifikuar 11 pika kufitare më të ngarkuara dhe dy prej tyre ndodhen në Maqedoni. Për përmirësimin e situatës janë siguruar 54 milionë euro për investime në transport të qëndrueshëm dhe për uljen e pritjeve.

Ai shtoi se kjo çështje është prioritet dhe se investimet do të ndihmojnë në përshpejtimin e kalimit kufitar dhe reduktimin e kolonave.

Sistemi i ri EES regjistron hyrjet dhe daljet në mënyrë elektronike dhe mbledh të dhëna biometrike si fotografi dhe gjurmë gishtërinjsh. Ai është pjesë e rregullave të Bashkimit Evropian që kufizojnë qëndrimin në 90 ditë brenda 180 ditëve.

Megjithatë, zbatimi i tij ka sjellë pritje të gjata dhe pakënaqësi te qytetarët në disa pika kufitare dhe aeroporte.