Kaos në kufijtë e Maqedonisë së Veriut: pritje deri në 6 orë pas sistemit të ri EES

Sekretariati i Komunitetit të Transportit po kërkon zgjidhje për problemin e krijuar me pritjet disaorëshe në kufij dhe aeroporte, pas vendosjes së sistemit të ri EES.

Në një seancë parlamentare, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova, ngriti shqetësimin për vonesat e gjata në pikat kufitare. Ajo pyeti përfaqësuesin e Sekretariatit se sa është e sigurt që udhëtarët të presin me orë të tëra, duke pasur parasysh se sistemi i ri kërkon skanim të fytyrës dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.

Sipas saj, në kufijtë me Bashkimin Evropian janë krijuar bllokime të mëdha të automjeteve dhe pritje që zgjasin deri në pesë apo gjashtë orë, veçanërisht në kufijtë me Greqinë dhe Kroacinë. Ajo theksoi se kjo situatë shkakton pakënaqësi dhe shqetësim, sidomos kur qytetarët, përfshirë fëmijët, presin për një kohë të gjatë në kushte të vështira.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Komunitetit të Transportit në Komisionin Evropian, Matej Zakonjšek, tha se janë identifikuar 11 pika kufitare më të ngarkuara dhe dy prej tyre ndodhen në Maqedoni. Për përmirësimin e situatës janë siguruar 54 milionë euro për investime në transport të qëndrueshëm dhe për uljen e pritjeve.

Ai shtoi se kjo çështje është prioritet dhe se investimet do të ndihmojnë në përshpejtimin e kalimit kufitar dhe reduktimin e kolonave.

Sistemi i ri EES regjistron hyrjet dhe daljet në mënyrë elektronike dhe mbledh të dhëna biometrike si fotografi dhe gjurmë gishtërinjsh. Ai është pjesë e rregullave të Bashkimit Evropian që kufizojnë qëndrimin në 90 ditë brenda 180 ditëve.

Megjithatë, zbatimi i tij ka sjellë pritje të gjata dhe pakënaqësi te qytetarët në disa pika kufitare dhe aeroporte.

Ministrat e Transportit të BE-së diskutojnë për rrezikun e mungesës së karburanteve

Ministrat e Transportit të Bashkimit Evropian kanë zhvilluar një takim për të diskutuar rreth një krize të mundshme me furnizimin me karburante.

Para videokonferencës, ministri i Transportit i Qipros, Alexis Vafeades, i cili kryesoi takimin, tha se aktualisht nuk ka mungesë karburantesh në BE. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme mund të sjellë probleme të përkohshme në furnizim.

Ai u shpreh se edhe pse për momentin nuk ka mungesa, një situatë e tillë do të kishte ndikim të madh në transport dhe lidhshmërinë brenda Bashkimit Evropian, duke prekur çdo qytetar.

Sipas tij, takimi synon përgatitjen e masave parandaluese që do të diskutohen më tej nga liderët e BE-së në një samit që do të mbahet në Qipro në fund të javës.

Vafeades theksoi gjithashtu se BE duhet të jetë e përgatitur për të shmangur probleme të mundshme si radhët në pikat e karburantit dhe çrregullimet në furnizim.

Rreth 8 mijë migrantë të vdekur ose të zhdukur në rrugët e migracionit gjatë 2025

Rreth 7,900 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në rrugët e migracionit gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e OKB-së. Me këtë, numri i përgjithshëm i viktimave që nga viti 2014, kur filloi mbledhja e të dhënave, ka kaluar 80 mijë.

Sipas raportit, Mesdheu qendror mbetet rruga më vdekjeprurëse, me rreth 1,330 viktima vetëm gjatë vitit të kaluar. Po ashtu, në Azi është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të të vdekurve dhe të zhdukurve, përfshirë migrantë nga komuniteti Rohingya dhe Afganistani.

IOM thekson se edhe pse shifrat globale janë pak më të ulëta krahasuar me vitin 2024, kjo lidhet pjesërisht me uljen e përpjekjeve për migrim të parregullt, por edhe me mungesën e fondeve dhe vështirësitë në mbledhjen e të dhënave.

Në rrugët drejt Europës janë regjistruar rreth 3,400 viktima, që përbëjnë afro 43% të totalit global, me Mesdheun dhe rrugën e Atlantikut drejt Ishujve Kanarie si zonat më të rrezikshme.

Organizata paralajmëron se shumë raste mund të mos jenë dokumentuar plotësisht, duke theksuar se numri real i viktimave mund të jetë më i lartë.

Viti 2025 rekord për strehimoret malore të SAC në Zvicër

Strehimoret malore të Klubit Alpin Zviceran (SAC) kanë shënuar vitin më të suksesshëm në historinë e tyre gjatë vitit 2025, me një numër rekord qëndrimesh gjatë natës.

Sipas të dhënave të SAC, janë regjistruar gjithsej 409,000 qëndrime, që paraqet një rritje prej 12.7% krahasuar me vitin 2024. Nga këto, 319,000 qëndrime janë realizuar gjatë sezonit të verës, ndërsa 90,000 gjatë dimrit. Rritja më e madhe është shënuar në sezonin dimëror, me një rritje prej 25.7%.

Pavarësisht mbylljes së shtatë strehimoreve, interesi për këto objekte ka vazhduar të rritet, duke konfirmuar popullaritetin e tyre mes alpinistëve.

Rajoni me më shumë vizita ka qenë ai i Alpeve të Valais, i ndjekur nga Grizoni dhe Berni. Strehimorja Lämmerenhütte ka qenë më e frekuentuara në vend, me mbi 10,000 qëndrime gjatë vitit.

SAC paralajmëron se, pavarësisht rezultateve pozitive, strehimoret përballen me sfida të mëdha si shkrirja e permafrostit, kushtet ekstreme të motit dhe furnizimi me ujë. Për këtë arsye, deri në vitin 2040 priten investime vjetore prej 20 deri në 25 milionë franga zvicerane për mirëmbajtje dhe përshtatje, ku rreth një e treta lidhet me ndikimet e ndryshimeve klimatike.

SAC menaxhon gjithsej 151 strehimore dhe ka rreth 180,000 anëtarë në mbarë Zvicrën.

Lufthansa Group anulon 20,000 fluturime për shkak të mungesës së karburantit

Grupi ajror Lufthansa po përballet me një reduktim të madh të operimeve të tij, duke anuluar rreth 20,000 fluturime të shkurtra deri në muajin tetor, si pasojë e rritjes së ndjeshme të çmimeve dhe mungesës së karburantit të aviacionit (kerosinës).

Sipas një njoftimi zyrtar të kompanisë, kriza në tregun e energjisë dhe rritja e kostove të karburantit – që thuhet se janë dyfishuar që nga fillimi i luftës Iran–Irak – e kanë detyruar grupin të rishikojë ndjeshëm orarin e fluturimeve.

Ndikim i madh në linjat evropiane

Vetëm gjatë periudhës së fundit, rreth 120 fluturime të Lufthansa Group janë anuluar çdo ditë, dhe kjo pritet të vazhdojë deri në fund të muajit maj. Disa linja janë hequr plotësisht nga orari, përfshirë lidhjet Frankfurt–Bydgoszcz, Frankfurt–Rzeszow (Poloni) dhe Frankfurt–Stavanger (Norvegji), të paktën përkohësisht, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu, rreth dhjetë destinacione brenda rrjetit të grupit po riorientohen përmes qendrave të tjera ajrore, përfshirë Frankfurtin, Mynihun, Zyrihun, Vjenën, Brukselin dhe Romën, me qëllim optimizimin e operimeve dhe rritjen e efikasitetit.

Rritje e rolit të Cyrihut

Si pasojë e ndryshimeve, pritet që një numër më i madh fluturimesh të kalojnë përmes Aeroportit të Cyrihut sesa ishte planifikuar fillimisht, duke e bërë atë një nyje më të rëndësishme në rrjetin e Lufthansa Group.

Perspektiva për verën

Pavarësisht masave të ndërmarra, kompania shprehet se pret një furnizim relativisht stabil me karburant për sezonin veror. Megjithatë, rishikimi i planifikimit afatmesëm të linjave ajrore pritet të vazhdojë deri në fund të prillit, me mundësi optimizimesh të mëtejshme.

Grupi synon që këto ndryshime të ulin konsumin e karburantit me rreth 40,000 tonë dhe të përshtaten me kushtet e vështira në tregun global të energjisë.

Kadmiumi në ushqim ngre shqetësime edhe në Zvicër

Kadmiumi, një metal i rëndë i pranishëm natyrshëm në mjedis, po shihet gjithnjë e më shumë si rrezik për shëndetin publik për shkak të pranisë së tij në ushqimin e përditshëm. Ai mund të depërtojë në zinxhirin ushqimor përmes tokave të ndotura dhe përdorimit të plehrave fosfatikë në bujqësi.

Ekspertët shëndetësorë theksojnë se kadmiumi është toksik dhe i lidhur me sëmundje serioze, përfshirë kancerin dhe osteoporozën, pasi akumulohet në trup gjatë jetës. Tek jo-duhanpirësit, mbi 90% e ekspozimit vjen nga ushqimi, përfshirë drithërat, perimet dhe ujin, transmeton albinfo.ch.

Në Evropë, sidomos në Francë, nivelet e ekspozimit janë konsideruar shqetësuese, me një pjesë të madhe të popullsisë mbi pragjet e sigurisë. Në Zvicër, të dhënat janë më të kufizuara, por vlerësimet tregojnë se rreth 3.1% e popullsisë mund të tejkalojë nivelet e referencës.

Autoritetet zvicerane theksojnë se mungesa e programeve të gjera të monitorimit e bën të vështirë krahasimin me vendet e tjera. Megjithatë, studimet sugjerojnë se ekspozimi në Zvicër është përgjithësisht më i ulët.

Ekspertët rekomandojnë diversifikimin e ushqimit dhe shmangien e duhanit si mënyra kryesore për të ulur ekspozimin, ndërsa theksojnë nevojën për politika më të forta në kontrollin e ndotësve në ushqim dhe bujqësi.

Vaud: Miratohen 807 milionë franga për metrotë e Lozanës

Këshilli i Madh i kantonit Vaud ka miratuar njëzëri të martën tre paketa financiare që arrijnë në 807.4 milionë franga zvicerane për zhvillimin e sistemit të metrosë në Lozanë. Fondet do të përdoren kryesisht për modernizimin e linjës m2 dhe për planifikimin e linjës së ardhshme m3.

Një kredi studimi prej 2.3 milionë frangash për një lidhje këmbësorësh mes stacionit të trenit dhe lagjes Flon ka shkaktuar debat të ashpër në parlament, kryesisht mes të majtës dhe të djathtës. Kjo çështje do të trajtohet në një debat të dytë.

Sipas vendimit, pjesa më e madhe e financimit përbëhet nga garanci kredish që synojnë rinovimin e sistemeve të automatizimit të linjës m2 dhe rritjen e kapacitetit të saj. Paketa përfshin gjithashtu kredi investimi për vazhdimin e studimeve mbi linjën m3.

Ky është raundi i tretë i financimit, pas atyre të viteve 2015 (18.9 milionë franga) dhe 2019 (153.7 milionë franga). Një raund i katërt dhe përfundimtar do të jetë ende i nevojshëm për projektin e përgjithshëm, i cili ka një buxhet total prej 2.34 miliardë frangash, prej të cilave 186 milionë mbulohen nga Konfederata Zvicerane.

Talibanët përfitojnë mbi 70 milionë dollarë nga fluturimet mbi Afganistan, ndikim edhe për Zvicrën

Fluturimet mbi Afganistan janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Iran, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për autoritetet talibane.

Rreth 2,000 avionë kalojnë çdo javë mbi hapësirën ajrore afgane, rreth pesë herë më shumë se një vit më parë. Për çdo fluturim, Talibanët vendosin një tarifë fikse prej rreth 700 dollarësh (rreth 550 franga zvicerane), duke gjeneruar mbi 1.4 milion dollarë në javë, ose më shumë se 70 milionë në vit.

Ndryshimet në rrugët ajrore globale, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë në veri dhe konfliktet në Lindjen e Mesme në jug, kanë bërë që shumë fluturime midis Evropës dhe Azisë të kalojnë përmes Afganistanit.

Edhe Zvicra preket nga kjo situatë. Shërbimi zviceran i kontrollit ajror Skyguide përfitoi vitin e kaluar rreth 623 milionë franga nga tarifat e mbikalimeve ajrore, të cilat ndihmojnë në funksionimin e sistemit të sigurisë së trafikut ajror. Ndërkohë, edhe kompanitë ajrore zvicerane dhe pasagjerët e tyre ndikohen nga rritja e kostove të fluturimeve dhe ndryshimi i rrugëve.

Ndryshe nga Evropa, ku tarifat llogariten sipas distancës dhe peshës së avionit dhe menaxhohen përmes Eurocontrol, Talibanët aplikojnë një tarifë fikse për çdo avion, pavarësisht karakteristikave të fluturimit. Afganistani, ndërkohë, nuk ka një sistem funksional të kontrollit të plotë të trafikut ajror, dhe pilotët komunikojnë drejtpërdrejt për pozicionet e tyre në hapësirë.

Gjykata në Gjenevë rikthen kufizimin e shpejtësisë 30 km/h në disa rrugë të qytetit

Gjykata e Drejtësisë në Gjenevë ka vendosur të rikthejë kufizimin e shpejtësisë prej 30 km/h në pjesë të ndryshme të qytetit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm që e kishte bllokuar zbatimin e tij të gjerë.

Vendimi vjen pas ankesës së paraqitur nga disa organizata mjedisore kundër anulimit të këtij kufizimi. Gjykata ka pranuar ankesën e tyre, duke i hapur rrugë kantonit të Gjenevës për të zbatuar planin që parashikon kufizimin e shpejtësisë në rreth 400 rrugë.

Megjithatë, çështja mund të dërgohet sërish në Gjykatën Federale, pasi palët kanë ende të drejtë apelimi.

Vendim i diskutuar

Një vit më parë, një gjykatë e kishte rrëzuar vendosjen e përgjithshme të kufizimit 30 km/h. Por më 14 prill, Gjykata Administrative e Gjenevës u rreshtua në favor të organizatave mjedisore.

Zëvendëspresidenti i Shoqatës së Transportit dhe Mjedisit në Gjenevë, Matthieu Jotterand, e përshëndeti vendimin: “Një e katërta e popullsisë së Gjenevës vuan nga zhurma e trafikut dhe humbet vite të jetës së shëndetshme për shkak të saj. Kufizimi në 30 km/h do të thotë gjithashtu më pak aksidente dhe më pak viktima në rrugë.”

Rasti i një polici të refuzuar nga gjykata

Vendimi ishte kundërshtuar nga një polic, i cili argumentonte se kufizimi i shpejtësisë e pengonte në kryerjen e detyrës së tij, sidomos gjatë ndërhyrjeve emergjente.

Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë argument, duke theksuar se ai nuk kishte provuar ndikim të veçantë përveç një rritjeje të mundshme të kohës së udhëtimit. Në vendim theksohet gjithashtu se kufizimi i shpejtësisë ul ndotjen nga zhurma dhe rrit sigurinë për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

Apel në Gjykatën Federale

Avokati i policit, Romain Jordan, ka njoftuar se do të apelojë vendimin në Gjykatën Federale, duke e cilësuar atë të pabazuar.

“Kur një polic thirret për ndërhyrje urgjente, ai ndikohet nga kufizimi 30 km/h, sidomos në zonat e kufizuara,” tha ai.

Planet e kantonit

Ndërkohë, autoritetet kantonale po presin vendimin përfundimtar të gjykatave për të vazhduar me zbatimin e planit të ri të mobilitetit. Këshilltari shtetëror Pierre Maudet u shpreh se proceset ligjore kanë zgjatur shumë dhe duhet të përfundojnë.

Plani parashikon që:

280 rrugë të jenë me kufizim 30 km/h gjatë gjithë kohës

120 rrugë të tjera të kenë kufizim vetëm gjatë natës

Sipas kantonit, këto masa do të aplikohen kryesisht në zona banimi.

Geci: Thaçi mund të përfundojë si Murseli, PDK reagon ashpër, VV distancohet

Një deklaratë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka shkaktuar përplasje të forta në Kuvend. Gjatë një seance parlamentare, ai përmendi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli dhe deklaroi se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi mund të përballet me një fat të ngjashëm.

Kjo deklaratë u konsiderua e rëndë dhe provokuese, duke nxitur reagime të menjëhershme nga deputetët e opozitës nga PDK, të cilët e cilësuan si të papranueshme dhe fyese për figurat që lidhen me luftën çlirimtare.

Pas polemikave, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, u distancua nga qëndrimi i Gecit. Ajo theksoi se qëndrimet e subjektit të saj për luftën çlirimtare janë të qarta dhe publike, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, si dhe duke shprehur respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nga ulësja e saj, u distancua nga deklarimi i deputetit Geci.

“Ai qëndrim nuk është as i Kuvendit, as i Vetëvendosjes, as i imi si kryetare e Kuvendit, as i shefes të grupit parlamentar, prandaj natyrisht se distancimi nga një fjalim i tillë, është i kuptueshëm”, deklaroi Haxhiu.

 

Paracetamoli nuk ka lidhje me autizmin

Një studim i ri në shkallë të gjerë, i publikuar në JAMA Pediatrics, ka dalë në përfundimin se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk lidhet me rritjen e rrezikut për çrregullime të spektrit të autizmit tek fëmijët, duke sjellë rezultate qetësuese për nënat shtatzëna.

Kërkimi, i realizuar në Danimarkë, analizoi të dhënat e më shumë se 1.5 milion fëmijëve të lindur mes viteve 1997 dhe 2022. Studiuesit përdorën regjistrat kombëtarë shëndetësorë për të hetuar nëse ekspozimi ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë kishte ndonjë ndikim në zhvillimin e autizmit, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Rezultatet treguan se nuk ekziston asnjë lidhje domethënëse mes përdorimit të këtij medikamenti dhe rrezikut për autizëm, pavarësisht dozës së marrë apo periudhës së shtatzënisë.

Gjetjet mbetën të qëndrueshme edhe në analizat krahasuese mes vëllezërve dhe motrave, një metodë që konsiderohet më e besueshme pasi eliminon ndikimin e faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë të përbashkët.

Debati mbi sigurinë e paracetamolit gjatë shtatzënisë ishte rihapur muajt e fundit, pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave kishte këshilluar mjekët të tregojnë kujdes në përdorimin e tij.

Edhe Donald Trump kishte ngritur shqetësime për një lidhje të mundshme me autizmin, duke shtuar vëmendjen publike mbi këtë çështje.

Megjithatë, studimet e mëparshme kanë dhënë rezultate kontradiktore. Një kërkim në Suedi kishte sugjeruar fillimisht një rritje të lehtë të rrezikut, por kjo lidhje u zhduk kur u aplikuan metoda më të avancuara krahasuese brenda familjeve.

Sipas studiuesve, të dhënat e reja përforcojnë idenë se paracetamoli mund të përdoret me siguri relative gjatë shtatzënisë, kur është i nevojshëm dhe me rekomandim mjekësor.

Gjetjet pritet të ndihmojnë në uljen e ankthit tek prindërit dhe të ofrojnë udhëzime më të qarta për profesionistët e shëndetësisë.

Detajet nga krimi tronditës në Mal të Zi

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në Podgoricë, ku u vranë tre persona, mes tyre dy vëllezër.

Autori i dyshuar, Vehid Murici, pas krimit të rëndë ka shkuar në shtëpi duke ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij.

Ndërkohë autoritetet e Malit të Zi janë vënë në kërkim të Vehid Muriqit me origjinë nga Rozhaja, transmeton albinfo.ch.

Ai dyshohet se me një mjet të ftohtë ka vrarë tre shokët e tij me të cilët ishin duke qëndruar në një banesë me qira në lagjen e njohur si “Aeroporti i Vjetër”.

I dyshuari besohet se ka shkuar në qytetin e tij të lindjes mbrëmë pas krimit, ku ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në shtëpi.

Familja e ka raportuar rastin në polici dhe më pas krimi është zbuluar në Podgoricë.

Më pak aksidente në punë, por më shumë në kohën e lirë në Zvicër

Numri i aksidenteve në vendin e punës në Zvicër ka shënuar rënie, ndërsa aksidentet gjatë kohës së lirë janë në rritje, sipas të dhënave më të fundit nga siguruesi i aksidenteve Suva.

Sipas statistikave, gjatë vitit 2024 janë raportuar rreth 495 mijë aksidente dhe sëmundje profesionale, një rritje shumë e vogël krahasuar me vitin paraprak, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Aksidentet në punë kanë rënë me rreth 3.7%, duke zbritur në më pak se 180 mijë raste, ndërsa aksidentet jashtë punës janë rritur me rreth 2.2%, duke arritur në afro 298 mijë raste.

Sot, pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin gjatë kohës së lirë – rreth 62% e rasteve, krahasuar me vetëm 38% në vendin e punës.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me përmirësimin e standardeve të sigurisë në punë dhe me faktin që njerëzit kalojnë më shumë kohë në aktivitete sportive dhe rekreative, ku rreziku për lëndime është më i lartë.

Ndërkohë, sportet si futbolli, skijimi dhe çiklizmi mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve gjatë kohës së lirë.

Gjykata Supreme refuzon anulimin e votimit për e-ID në Zvicër

Gjykata Supreme Federale në Zvicër ka refuzuar kërkesat për anulimin e votimit për identitetin elektronik (e-ID), duke konfirmuar vlefshmërinë e rezultatit të referendumit.

Ankesat ishin paraqitur nga grupe kundërshtuese, të cilat pretendonin se procesi i votimit ishte ndikuar në mënyrë të padrejtë. Megjithatë, gjykata më e lartë e vendit nuk gjeti baza ligjore për ta rrëzuar rezultatin, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Referendumi për e-ID u mbajt më 28 shtator 2025, ku ligji u miratua ngushtë me rreth 50.4% të votave pro, një nga rezultatet më të ngushta në vitet e fundit.

Ky vendim hap rrugën për zbatimin e sistemit të ri të identitetit elektronik, i cili do të jetë i menaxhuar nga shteti dhe synon të mundësojë identifikimin online për shërbime publike dhe private.

Debati për e-ID ka qenë intensiv në Zvicër, sidomos për çështje që lidhen me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave, ndërsa kundërshtarët kishin kërkuar anulimin e votimit për shkak të dyshimeve për ndërhyrje gjatë fushatës.

Alarm në Zvicër: Kanceri i zorrës së trashë po rritet tek personat nën 50 vjeç

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Gjenevës, rreziku i shfaqjes së këtij kanceri tek të rinjtë është rritur mesatarisht me rreth 0.5% në vit që nga viti 1980.

Studimi, i publikuar në European Journal of Cancer, analizoi gati 100 mijë raste nga viti 1980 deri në 2021, duke zbuluar një trend shqetësues: rreth 7% e rasteve të reja sot prekin persona nën 50 vjeç, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ky zhvillim është në kontrast të fortë me grupmoshat mbi 50 vjeç, ku rastet kanë rënë falë programeve të depistimit dhe diagnostikimit të hershëm.

Ekspertët e cilësojnë këtë trend si “alarmant”, ndërsa arsyet kryesore dyshohet të lidhen me ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë dietën dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Zvicër – rritja e rasteve të kancerit tek të rinjtë është vërejtur edhe globalisht, duke shtuar thirrjet për diagnostikim më të hershëm dhe rritje të ndërgjegjësimit.

Nuk dëbohet çifti kosovar që kishte marrë 750 mijë franga ndihma sociale

Një çifti nga Kosova, i varur nga ndihma sociale për dekada të tëra, i ishte revokuar leja e qëndrimit. Megjithatë, ata fituan në gjykatën ku bënë apelin.

Edhe pse gjykata arriti në përfundimin se “interes publik për deportim është i konsiderueshëm”, çiftit kosovar i lejohet të qëndrojë në Zvicër. Sfondi i çështjes përshkruhet në gazetën “Aargauer Zeitung”.

Burri ka jetuar në Zvicër për afërsisht 40 vjet. Më vonë ai u martua me gruan që ka tani, trnsmeton albinfo.ch. Të dy janë nga Kosova dhe kanë marrë leje qëndrimi të përhershme (Vizë C).

Në vitin 2020, Zyra për Migrim dhe Integrim revokoi lejen e qëndrimit të përhershëm të çiftit. Zyra në fjalë përmendi tre arsye kryesore për këtë:

Varësia afatgjatë nga ndihma sociale: Familja me katër fëmijë kishte marrë një total prej afërsisht 750,000 frangash zvicerane nga shteti gjatë një periudhe prej rreth 20 vjetësh.

Borxhet e larta: Sipas gazetës, burri kishte borxhe prej 26,000 frangash zvicerane në kohën e ndërhyrjes, dhe gruaja afërsisht 11,000 franga zvicerane.

Integrim i pamjaftueshëm profesional: Në vitin 2003, burri u tërhoq nga puna për shkak të problemeve me shpinën. Megjithatë, në raportin e tij të daljes nga spitali për rehabilitim, mjekët vunë re se ai ishte i aftë të kryente “punë më të lehta”.

Pasojat: Zyra e migracionit i dha çiftit vetëm një leje qëndrimi (Vizë B). Ndryshe nga një leje qëndrimi e përhershme (Viza C), kjo është e kufizuar në një maksimum prej pesë vjetësh. Autoritetet e bënë të qartë në atë kohë se nuk do tu jepej zgjatja e vizës nëse burri mbetej i papunë dhe i varur nga ndihma sociale. Gruaja pritej gjithashtu të gjente punë, të mbante një dosje të pastër kriminale dhe të menaxhonte borxhet e saj me përgjegjësi.

Në qershor të vitit 2024, zyra e migracionit refuzoi zgjatjen për të dy lejet e qëndrimit.

Gjykata Administrative e Kantonit të Aargaut shqyrtoi disa pika dhe mbështeti ankesën e çiftit: Të dy kanë jetuar në Zvicër për një kohë shumë të gjatë. Lidhjet familjare ekzistojnë, pasi të katër fëmijët e tyre jetojnë në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Ekziston një “perspektivë e dobët” për riintegrim profesional dhe social në rast kthimi në Kosovë.

Për të kursyer në kostot e strehimit, çifti u zhvendos të jetonte me dy nga djemtë e tyre. Ata kanë filluar të shlyejnë borxhet e tyre.

Megjithatë gjykata kritikoi burrin në lidhje me përpjekjet e tij për kërkim pune. Ai ka deklaruar se ka punuar me kohë të pjesshme me ndërprerje që nga viti 2021.

Nga ana tjetër, gruaja u kritikua në lidhje me përpjekjet e saj për integrim. Sipas deklaratave të saj, ajo ka ndjekur një kurs gjermanishte në vitin 2024 për të përmirësuar perspektivat e saj të punës. Në të njëjtin vit, ajo filloi të kujdesej për vjehrrën e saj, për të cilën merr mbështetje financiare.

Gjykata i paralajmëroi të dy se “leja e tyre mund të revokohet nëse rrethanat përkeqësohen përsëri”.

Vendimi mund të apelohet ende dhe kështu mund të arrijë në Gjykatën Supreme Federale.

Mbi 100 familje në Gjenevë përballen me dëbim, nis dialogu për zgjidhje

Negociatat pritet të nisin së shpejti në Gjenevë, pas një konflikti të madh banesor që ka prekur mbi 100 familje dhe disa biznese lokale.

Rreth 107 familje dhe disa subjekte afariste në zonën e Boulevard Carl-Vogt kanë marrë njoftime për dëbim, të lidhura me plane për renovim të ndërtesave ku jetojnë prej vitesh, transmeton albinfo.ch.

Ky rast ka shkaktuar reagime të forta nga banorët, të cilët frikësohen se renovimet do të çojnë në rritje të qirave dhe largimin e tyre përfundimtar nga zona.

Situata është pjesë e një problemi më të gjerë në qytet, ku banorët shpesh përballen me presion për t’u zhvendosur për shkak të projekteve zhvillimore dhe interesave ekonomike.

Tani, palët pritet të ulen në tryezë për të gjetur një kompromis, ndërsa çështja mbetet një test i rëndësishëm për politikat e strehimit dhe mbrojtjen e banorëve në Gjenevë.

Haxhiu: Drejtësi e merituar, askush nuk mund të kryejë një krim të tillë pa u përballur me drejtësinë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit gjyqësor me burgim të përjetshëm ndaj përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si një akt të drejtësisë së merituar dhe të fortë ndaj një krimi që kishte tronditur opinionin publik.

Haxhiu theksoi se përpjekjet e të dënuarve për të fshehur krimin përmes skenarëve të rremë vetëm sa e kanë rënduar edhe më shumë aktin, duke e cilësuar vrasjen si mizore, transmeton albinfo.ch.

Ajo shtoi se asnjë vendim gjykate nuk mund ta kthejë Liridonën pranë familjes së saj, por vendimi i dhënë sipas saj konfirmon se askush nuk mund të planifikojë apo të kryejë një krim të tillë pa u përballur me drejtësinë.

Ministrja theksoi se lufta kundër femicidit kërkon institucione të forta, vigjilencë të vazhdueshme dhe zero tolerancë ndaj dhunës me bazë gjinore.

Në fund të reagimit të saj, Haxhiu u shpreh se ndodhet pranë familjes së viktimës dhe uroi që vendimi gjyqësor t’u sjellë sadopak lehtësim në dhimbjen e tyre.

Babai i Liridonës: Populli i dënoi ata

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me plot 30 vjet dënim.

Hajdar Ademaj, babai i të ndjerës ka folur për Klan Kosova, teksa tha se që të tre të akuzuarit i ka dënuar populli, transmeton albinfo.ch.

“Populli i ka dënuar ata. Faleminderit prej të gjithëve, e kam pritur këtë ditë me padurim, veç deshi Zoti dhe e mori dënimin e merituar. Ju faleminderit shumë”, tha babai i Liridonës.

Prezantohet në Lozanë libri “Për ata që s’u kthyen”

Një ngjarje kulturore me rëndësi për komunitetin shqiptar në Zvicër do të mbahet më 7 maj 2026, në ora 19:00, në Universitetin e Lozanës (UNIL), Géopolis, salla 1612, në Chavannes-près-Renens.

Bëhet fjalë për prezantimin e librit “Për ata që s’u kthyen”, nga autorja Edona B. Kelmendi, një vepër që sjell një dëshmi të fortë mbi luftën në Kosovë. Libri trajton: përjetimet e një fëmije gjatë luftës (masakrën e Qyshkut (Pejë), më 14 maj 1999) kujtesën, dhimbjen dhe mungesën.

Autorja ishte vetëm 10 vjeçe kur i përjetoi këto ngjarje, duke i dhënë rrëfimit një dimension të thellë dhe autentik Organizimi Ngjarja organizohet nga: LAPSH “Naim Frashëri” – Lozanë,  Shoqata e Studentëve të Lozanës (AEAUL) në bashkëpunim me albinfo.ch.

E hapur për publikun

Aktiviteti është i hapur për të gjithë dhe synon të forcojë kujtesën kolektive, dialogun ndërbrezor dhe ruajtjen e identitetit në diasporë.

Kurti për postin e presidentit: Opozita s’i ka votat as për aplikim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka thënë se po bën koncesion të madh me ofertat që ua ka dhënë dy partive, duke shtuar se në LVV katër vetë kanë më shumë vota se Hamza, derisa 10 vetë kanë më shumë vota se Abdixhiku, përcjell albinfo.ch.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1%. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Për shembull a keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet… e po thua a hy në punë, por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh. Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, ka thënë Kurti.

Ambasadori amerikan në NATO arrin në Kosovë, pritet nga Prattipati

E ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.

Diplomati amerikan do të qëndrojë sot dhe nesër për vizitë në vendin tonë.

“E Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, ka kënaqësinë të mirëpresë Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara në NATO, Ambasadorin Matthew Whitaker, në Ambasadën e SHBA-së gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kjo vizitë është një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së’’, thuhet në një njoftim të kësaj ambasade.