Kurti për postin e presidentit: Opozita s’i ka votat as për aplikim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka thënë se po bën koncesion të madh me ofertat që ua ka dhënë dy partive, duke shtuar se në LVV katër vetë kanë më shumë vota se Hamza, derisa 10 vetë kanë më shumë vota se Abdixhiku, përcjell albinfo.ch.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1%. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Për shembull a keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet… e po thua a hy në punë, por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh. Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, ka thënë Kurti.

Ambasadori amerikan në NATO arrin në Kosovë, pritet nga Prattipati

E ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.

Diplomati amerikan do të qëndrojë sot dhe nesër për vizitë në vendin tonë.

“E Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, ka kënaqësinë të mirëpresë Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara në NATO, Ambasadorin Matthew Whitaker, në Ambasadën e SHBA-së gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kjo vizitë është një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së’’, thuhet në një njoftim të kësaj ambasade. 

Zvicër: Rriten pagat dhe fuqia blerëse për të dytin vit radhazi

Pagat në Zvicër kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke bërë që një pjesë më e madhe e të ardhurave të mbetet në dispozicion të qytetarëve. Sipas të dhënave të Federal Statistical Office (FSO), pagat nominale janë rritur mesatarisht me 1.8%, ndërsa pagat reale kanë shënuar një rritje prej 1.6%, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë se fuqia blerëse e qytetarëve është rritur për të dytin vit radhazi, në një periudhë kur inflacioni mbetet i ulët, në vetëm 0.2%. Sipas statistikave, kjo është rritja më e fortë e pagave reale që nga viti 2009, duke tejkaluar edhe rritjet e regjistruara në vitet 2015 dhe 2020. Për krahasim, rritja e vitit të kaluar ishte më e moderuar, vetëm 0.7%.

Megjithatë, zhvillimi i pagave nuk është i njëjtë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në sektorin e prodhimit, pagat nominale janë rritur me rreth 1.5%, ndërsa në sektorin e shërbimeve rritja ka qenë më e lartë, rreth 1.9%.

Brenda industrive, disa fusha kanë shënuar rritje të dukshme të pagave, përfshirë industrinë kimike dhe farmaceutike si dhe përpunimin e metaleve. Në anën tjetër, sektorë si inxhinieria mekanike dhe prodhimi i automjeteve kanë mbetur më prapa në krahasim me trendin e përgjithshëm.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se pagat e grave po rriten më shpejt se ato të burrave, duke sinjalizuar një dinamikë të re në tregun e punës zviceran. /Albinfo.ch

Flet Leonard Ademaj: Lehtësim për familjen tonë

Vëllai i Liridona Ademaj, Leonard Ademaj tha se vendimi me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe më 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën nuk shkon vetëm për familjen, por edhe për motrën e tij të ndjerë dhe fëmijët e saj.

Pas seancës së sotme ku trupi gjykues i shpalli fajtor Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademaj, vëllai i saj Leonardi tha se dënimi i shqiptuar sot është mësim për të tjerët që krijojnë mundësi për krime të tilla, transmeton albinfo.ch.

“Ajo se çfarë u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë që nga fillimi se, Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon dhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Andaj, ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata, të cilët mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë”, tha ai.

“Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe neve, edhe familjes, e po besoj që ishte një vendim të cilin e kemi pritur të gjithë populli shqiptar, jo vetëm ne familja”, tha ai.

Ndërsa, avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla tha se vendimin e shkallës së parë për të akuzuarin Kushtrim Kokalla do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.

Syla tha se sot drejtësia foli dhe nxori vendim konform provave materiale.

Gjykata Themelore e Prishtinës sot i ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën e ka dënuar me 30 vite burgim.

Që të tre sot u shpallën  fajtor për vrasjen e Liridona Ademaj, që ndodhi në fund të nëntorit 2023.

Klubi zviceran refuzon koncertin e Kanye West

Klubi i futbollit FC Basel ka refuzuar një kërkesë për organizimin e një koncerti të reperit amerikan Kanye West në stadiumin St. Jakob-Park.
Artistit amerikan, i njohur edhe me emrin Ye, i ishin planifikuar disa koncerte në Evropë gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, disa prej tyre janë anuluar ose shtyrë gjatë dy javëve të fundit, përcjell albinfo.ch.

48-vjeçari është kritikuar gjerësisht për deklarata antisemitike dhe për shprehje admirimi ndaj Adolf Hitler, gjë që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik.

Klubi kampion i Zvicrës tha se është i interesuar ta përdorë më shumë stadiumin për aktivitete të ndryshme dhe se shqyrton me kujdes çdo kërkesë për evente të tilla.
“Në këtë rast, FC Basel mori një kërkesë dhe e shqyrtoi atë”, tha një zëdhënës i klubit.
“Megjithatë, pas një vlerësimi të detajuar, vendosëm të mos e vazhdojmë projektin, pasi në përputhje me vlerat tona nuk mund t’i ofrojmë një platformë artistit në fjalë.” (AFP)/Albinfo.ch

Zvicra kryeson botën për numrin e ekspertëve të Inteligjencës Artificiale për banor

Zvicra është renditur në vendin e parë në botë për numrin e studiuesve dhe zhvilluesve të Inteligjencës Artificiale për frymë të popullsisë. Të dhënat vijnë nga raporti i vitit 2026 i AI Index Report, i publikuar nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence në kuadër të Stanford University, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, në vitin 2025 Zvicra kishte 110.5 studiues dhe zhvillues të AI për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur kështu në vendin e parë në nivel global. Pas saj vjen Singapore me 109.5 ekspertë për 100 mijë banorë.

Ky rezultat konfirmon reputacionin e Zvicrës si një nga qendrat më të rëndësishme në botë për kërkime në fushën e Inteligjencës Artificiale, përqendrimin e talenteve dhe zhvillimin e inovacionit teknologjik.

Në fakt, vendi njihet prej kohësh për performancën e lartë në inovacion. Zvicra është shpallur për 15 vite radhazi si vendi më inovativ në botë, duke ruajtur një pozicion dominues në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor dhe teknologjik. /Albinfo.ch

Zvicër: Banorët përplasen për gjelat, lopët dhe kamionin e qumështit

Një debat i pazakontë ka shpërthyer në fshatin Val de Bagnes, ku disa banorë janë ankuar për zhurmën e gjelave, kamionin e qumështit që kalon shumë herët në mëngjes dhe erën e plehut të lopëve që përhapet në zonë, përcjell albinfo.ch.

Sipas banorëve që kanë paraqitur ankesat, këto elemente po prishin qetësinë dhe komoditetin e përditshëm. Por reagimi nga pjesa tjetër e komunitetit nuk ka munguar.

Në përgjigje të këtyre ankesave, një grup banorësh që mbështesin traditat bujqësore të zonës ka nisur një peticion. Ata kërkojnë nga autoritetet lokale që karakteri rural i rajonit të njihet zyrtarisht, duke argumentuar se zhurma e gjelave dhe aromat e fermave janë pjesë e pandashme e jetës në fshat.

Shumë banorë kanë theksuar gjithashtu se kushdo që shqetësohet nga kjo atmosferë tipike rurale, ndoshta do të duhej të jetonte në qytet dhe jo në një zonë bujqësore. Debati ka hapur diskutime më të gjera rreth bashkëjetesës mes jetës tradicionale në fshat dhe pritjeve të reja të disa banorëve./Albinfo.ch

Zvicër: Produktet për lënien e duhanit deri pesë herë më të shtrenjta se jashtë vendit

Lënia e duhanit në Zvicër rezulton të jetë dukshëm më e shtrenjtë sesa në vendet fqinje. Produktet zëvendësuese të nikotinës, të cilat ndihmojnë duhanpirësit të heqin dorë nga cigaret, në shumë raste kushtojnë deri në pesë herë më shumë se jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Një shembull i qartë është çmimi i çamçakëzëve me nikotinë. Një paketë me 210 copë kushton rreth 22 franga në një farmaci në qytetin francez Annemasse, pranë kufirit me Zvicrën. Ndërsa në Gjenevë, për të njëjtin produkt dhe në të njëjtën sasi, qytetarët duhet të paguajnë rreth 109 franga.

Sipas Shoqatës së Farmacistëve të Zvicrës, PharmaSuisse, kjo diferencë e madhe çmimesh lidhet me disa faktorë. Çmimet përcaktohen nga tregu specifik i vendit, kërkesat rregullatore si dhe legjislacioni lokal i taksave.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mbështetja nga sigurimet shëndetësore. Në Francë, rreth 65 për qind e kostos së këtyre produkteve mbulohet nga sigurimi shëndetësor, gjë që e bën më të lehtë për qytetarët të lënë duhanin. Në Zvicër, megjithatë, një mbulim i tillë nuk ekziston, duke e bërë procesin e lënies së duhanit më të kushtueshëm për shumë njerëz. /Albinfo.ch

Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

Kosovë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin e Granit Plavën. Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur të martën, përcjell albinfo.ch.

Murseli, bashkëshorti i Ademajt, Plava e Kokalla, të cilët nuk kanë qenë prezent në sallë kur është shpallur vendimi, akuzoheshin për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-ës.

Të tre sipas aktakuzës ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, në aktakuzë thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Tom Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tri vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli u pat deklaruar i pafajshëm. Plava nuk u pat deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla pati kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen./Albinfo.ch

Fotografitë e rralla të Eugène Pittard sjellin Shqipërinë e hershme në Shkodër

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921, Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun një koleksion të rrallë imazhesh historike të Shqipërisë së fillimit të shekullit XX, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita i dedikohet veprës së antropologut dhe akademikut zviceran Eugène Pittard, i cili së bashku me bashkëshorten Hélène Pittard, udhëtoi në Shqipëri në vitet 1921 dhe 1924, duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat dhe peizazhet e vendit.

Përmes aparatit të tij fotografik, Pittard ka sjellë një pasqyrë të rrallë etnografike të Shqipërisë së asaj kohe, duke e kthyer punën e tij në një burim të rëndësishëm historik dhe kulturor.

Organizatorët bëjnë të ditur se lidhja e Pittard me Shqipërinë ka nisur më herët, në vitin 1910, kur ai vizitoi për herë të parë Shkodrën, qytet që shënoi fillimin e interesimit të tij për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

Ekspozita përfshin materiale të publikuara për herë të parë në format të printuar dhe digjital, duke i ofruar publikut një përvojë të veçantë vizuale dhe historike.

Ekspozita po mbahet në Sheshi përpara Bashkisë, Shkodër nga data 22 prill – 7 maj 2026.

Ekspozita konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme kulturore që lidh trashëgiminë shqiptare me dokumentimin ndërkombëtar të fillimit të shekullit XX./Albinfo.ch

 

Shefja në detyrë e BE-së takohet me Kurtin

Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u takua këtë mëngjes me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

Në takim u prezantua raporti i gjetjes së Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së mbi zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare.

Në komunikatë thuhet se u theksua nevoja për depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur parasysh rolin e tij si garantues i integritetit zgjedhor.

Kush janë kandidatët që synojnë karrigen e shefit të OKB-së?

Sekretari i 10-të i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të zgjidhet këtë vit për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga 1 janari i vitit 2027.

Më poshtë janë kandidatët deri më tani që kandidojnë për të zëvendësuar shefin në largim të OKB-së, Antonio Guterres, raporton Reuters.

RAFAEL GROSSI

Rafael Grossi, një diplomat karriere 65-vjeçar nga Argjentina, ka qenë një drejtor i përgjithshëm i kudondodhur dhe hiperaktiv i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së për gjashtë vitet e fundit.

Ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka mbikëqyrur prej kohësh programin bërthamor të Iranit, Grossi udhëhoqi negociatat që synonin shpëtimin e pjesëve të një marrëveshjeje të rëndësishme bërthamore midis Teheranit dhe fuqive të mëdha pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara prej saj në vitin 2018. Kritikët e Grossit argumentojnë se ai ka shkuar shumë larg në përpjekjen për të arritur marrëveshje me Iranin.

Baba i tetë fëmijëve dhe poliglot që flet anglisht, spanisht, frëngjisht dhe italisht, Grossi ka rritur profilin e tij dhe të IAEA-së me diplomacinë e tij të shpejtë në krizat ndërkombëtare.
Suksesi i tij më i qartë ishte vendosja e një ekipi të vogël të IAEA-së në centralin bërthamor Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia në Ukrainë, pas udhëtimeve të përsëritura përgjatë vijës së frontit në luftën Rusi-Ukrainë.

Ai është përpjekur të projektojë imazhin e një njeriu të veprimit në garë, në të cilën shumë diplomatë e shohin atë si kandidat kryesor pas viteve të kaluara duke u përpjekur të mbajë në krah pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca – mbështetja e të cilëve është thelbësore për punën kyçe.

“Këto përvoja kanë konfirmuar një bindje që e mbaj thellë: edhe në kohë përçarjesh, institucionet shumëpalëshe mund të japin ndikim të vërtetë dhe pozitiv”, thuhet në deklaratën e vizionit të Grossit për postin.

REBECA GRYNSPAN

Rebecca Grynspan, 70 vjeçe, e përshkruan veten si një multilateraliste me mendje reformuese, e cila ka luftuar barrierat gjinore dhe ka pasur një besim të përjetshëm në OKB dhe angazhimin e saj për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut.

Ish-nënkryetare e Kosta Rikës, e cila kryeson Konferencën e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim, Grynspan tha se u tërhoq nga detyrat deri në shtator për të shmangur konfliktet e interesit gjatë fushatës. Grossi ka vazhduar në rolin e tij në IAEA gjatë fushatës.

E lindur nga prindër që ikën nga Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, ajo e lidh botëkuptimin e saj drejtpërdrejt me origjinën e OKB-së dhe rolin e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe parandalimin e konfliktit.

Nëse zgjidhet, Grynspan do të bëhet gruaja e parë si sekretare e përgjithshme. Ajo tha se ndërsa iu desh të bënte kompromise midis jetës familjare dhe shërbimit publik në UNCTAD, të qenit gruaja e parë në krye e formësoi udhëheqjen e saj.

“Nuk po pres për trajtim të veçantë. Dua trajtim të barabartë”, i tha ajo Reuters.

Grynspan, një ekonomiste, e përshkruan veten si një “udhëheqëse të pjekur” që do të drejtonte një OKB më të shkathët përmes bashkëpunimit me aktorë të tjerë, duke mbrojtur njëkohësisht vlerat e saj thelbësore.

MICHELLE BACHELET

Michelle Bachelet, 74 vjeçe, është dy herë presidente e Kilit dhe ish-Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cila shërbeu gjithashtu nga viti 2010 deri në vitin 2013 si drejtoreshë ekzekutive e OKB-së për Gratë, një agjenci që promovon të drejtat e grave.

Në mars, Kili tërhoqi mbështetjen e saj për Bachelet pas një ndryshimi të krahut të djathtë në udhëheqjen e vendit, por ajo tha se do të vazhdonte me mbështetjen e Brazilit dhe Meksikës.
Qeveria e Presidentit Kilian Jose Antonio Kast tha se fushata e saj nuk kishte konsensus të gjerë politik në vend dhe u përball me vështirësi të mëdha në nivel ndërkombëtar. Bachelet është përballur me kritika nga konservatorët amerikanë për qëndrimin e saj pro-zgjedhjes ndaj abortit dhe në prill, i dërguari i Uashingtonit në OKB, Mike Waltz, duket se e ka rrëzuar kandidaturën e saj duke thënë se ndante shqetësimet e një senatori amerikan në lidhje me përshtatshmërinë e saj.

Senatori republikan Pete Ricketts akuzoi Bachelet se kishte bërë presion si shefe e të drejtave të njeriut të OKB-së në një raport të vitit 2022 duke mos i etiketuar veprimet e Kinës kundër myslimanëve ujgurë si gjenocid dhe gjithashtu duke promovuar abortin si një të drejtë themelore të njeriut. Pekini nuk e ka deklaruar qëndrimin e tij ndaj kandidaturës së saj.

MACKY SALL

Macky Sall, i cili ishte president i Senegalit për 12 vjet deri në vitin 2024, thekson përvojën e tij si kryetar shteti si një aset kyç për rolin e sekretarit të përgjithshëm.

Gjeologu 64-vjeçar – djali i një shitësi kikiriku nga një pjesë e varfër e vendit të Afrikës Perëndimore – përfundoi projekte të mëdha infrastrukturore gjatë mandatit të tij dhe ka mbështetur zhvillimin afrikan.
Sall ka theksuar nevojën për të mbështetur vendet në zhvillim të ngarkuara nga borxhet. Ai po bën thirrje për një rishikim të Këshillit të Sigurimit, në një shenjë respekti ndaj kërkesave të vendeve në zhvillim për vende të përhershme në organin më të fuqishëm të OKB-së, transmeton Klankosova.tv.

“Më shumë se kurrë, një multilateralizëm i rishpikur mbetet mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të një bote në transformim të plotë”, tha ai në X.
Sall, i cili flet butë dhe ndihet më rehat me frëngjisht sesa me anglisht, u nominua nga Burundi. Kandidatura e tij ka mbështetje të përzier në Afrikë, me atdheun e tij dhe Nigerinë që nuk e mbështesin, sipas shënimeve diplomatike të shqyrtuara nga Reuters.

Nëse zgjidhet, ai do të jetë sekretari i tretë i përgjithshëm afrikan pas Boutros Boutros-Ghali të Egjiptit dhe Kofi Annanit të Ganës./Albinfo.ch

Në Kosovë bie për 4 centë çmimi i naftës

Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar ulje të lehtë gjatë ditës së martë, duke rënë për rreth 4 centë krahasuar me të hënën, sipas të dhënave zyrtare, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, një litër naftë të martën është shitur me çmim prej 1.68 euro, ndërsa një ditë më parë kishte kushtuar 1.72 euro për litër.

Ndërkohë, çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar, duke u shitur me 1.41 euro për litër, njësoj si një ditë më parë. Edhe gazi nuk ka pësuar ndryshime në treg, duke u tregtuar me 0.88 euro për litër.

Lëvizjet në tregun e derivateve vijnë në një periudhë të ndjeshme të zhvillimeve globale të energjisë, ku çmimet ndërkombëtare kanë qenë të ndikuara nga tensionet gjeopolitike.

Nafta ishte shtrenjtuar pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, kur u raportua për konflikt mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit me Iranin, çka çoi në mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global.

Pas arritjes së një armëpushimi javën e kaluar, çmimet në bursat ndërkombëtare shënuan rënie, megjithatë në Kosovë kjo ulje është reflektuar vetëm pjesërisht.

Ndërkohë, negociatat e nisura mes Iranit dhe SHBA-së kanë dështuar së fundmi, pasi palët nuk kanë arritur të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e situatës./Albinfo.ch

Pse zgjedhjet do t’i konvenonin LDK-së në rast se Vjosa Osmani i bashkohet?

Së fundmi analisti politik Imer Mushkolaj ka komentuar zhvillimet aktuale politike, duke vlerësuar se në konfigurimin e tanishëm zgjedhjet mund t’i përshtateshin më së shumti Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, një skenar i tillë lidhet ngushtë me ndryshimet brenda LDK-së dhe me mundësinë e krijimit të një konfigurimi të ri politik, ku përmendet edhe përfshirja e ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një listë të përbashkët me partinë, të udhëhequr nga kryetari Lumir Abdixhiku.

Mushkolaj theksoi se një zhvillim i tillë mund të krijojë momentum politik për LDK-në, duke e bërë më të favorshëm një proces zgjedhor për këtë subjekt.

“Unë mendoj që aktualisht, me idenë që mbase zonja Osmani do t’i bashkohet LDK-së, përkatësisht do të mund t’i printe ndonjë liste të përbashkët me ndonjë parti tjetër më të vogël, zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm z. Abdixhiku… Po të mos ishte Vjosa Osmani, as LDK-së nuk do t’i përshtateshin zgjedhjet,” u shpreh Mushkolaj në një emsion të telegrafit. /Albinfo.ch

Trump i dërgon letër falënderimi Vjosa Osmanit për përfundimin e mandatit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër falënderimi ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj në krye të shtetit, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë publik nga vetë Osmani përmes një reagimi në rrjete sociale, ku ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ato si të qëndrueshme dhe strategjike.

Në deklaratën e saj, Osmani u shpreh se partneriteti me SHBA-të mbetet një shtyllë kyçe për Kosovën, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen.

Ajo falënderoi Trump për letrën dhe vlerësimin ndaj institucioneve të Kosovës, duke shtuar:

“Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë. Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.”

Në letrën e dërguar nga Shtëpia e Bardhë, Trump vlerëson lidershipin e Osmanit, duke e cilësuar atë si të guximshëm dhe të vendosur në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Ai thekson gjithashtu bashkëpunimin gjatë mandatit të saj, duke nënvizuar rolin e Kosovës në nisma që lidhen me paqen dhe stabilitetin rajonal. Sipas tij, përfshirja e Kosovës në këto procese është një sinjal pozitiv për avancimin e lirisë dhe mirëqenies.

Në vijim të letrës, Trump shpreh bindjen se trashëgimia institucionale e Osmanit do të ketë ndikim jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.

Ai gjithashtu e cilëson Kosovën si një partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në vitet e ardhshme./Albinfo.ch 

Ambasadori amerikan në NATO viziton Kosovën

Ambasadori amerikan  në NATO, Mathew Whitaker do të qëndrojë për vizitë në Kosovë sot dhe nesër.

Policia e Kosovës ka  dalë me një njoftim sa i përket lëvizjes së eskortës së diplomatit amerikan.

“Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në një njoftim të Policisë. /Albinfo.ch

Pianistja Fatjona Maliqi shkëlqen me recital në Kalanë e Loburgut

Pianistja kosovare Fatjona Maliqi ka realizuar një performancë të suksesshme në një koncert recital të mbajtur në kuadër të “Koncerteve të Kalasë së Loburgut”, duke dëshmuar edhe një herë nivelin e saj artistik dhe interpretimin profesional, transmeton albinfo.ch.

 

Fatjona Maliqi

 

Në këtë mbrëmje të veçantë, Maliqi interpretoi “Variacionet Goldberg” të kompozitorit të madh Johann Sebastian Bach, një nga veprat më të njohura dhe më sfiduese të repertorit pianistike klasik.

 

Fatjona Maliqi

 

Përmes një postimi, artistja ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen e saj për këtë përvojë:

“Sot më lejuan të luaja në Koncertet e Kalasë së Loburgut – dhe le të tingëllojnë Variacionet Goldberg të Bach në këtë ambient të veçantë. Lidhja midis muzikës, hapësirës dhe momentit ishte diçka shumë unike. Jam mirënjohëse për këtë përvojë dhe po marr shumë përshtypje të bukura me vete. Faleminderit Ostbevern!”

Fatjona Maliqi ka bërë të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të jetë pjesë e një tjetër koncerti të rëndësishëm, këtë herë në një tjetër vend historik.

“Një nga koncertet e mia të radhës do të jetë në kalanë e bukur Neckarhausen. Po e pres shumë me padurim”, është shprehur ajo.

Pianistja kosovare po vazhdon të ndërtojë një rrugëtim të suksesshëm artistik jashtë vendit, duke e përfaqësuar kulturën shqiptare me dinjitet në skenat ndërkombëtare dhe duke sjellë interpretim të nivelit të lartë në muzikën klasike./Albinfo.ch

 

Nita Kaprolli, shqiptarja që po ndërton karrierë të jashtëzakonshme në teknologji dhe AI

Nita Kaprolli po afirmohet si një nga profesionistet e reja shqiptare me një profil të veçantë akademik dhe profesional në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Rrugëtimi i saj nis që në vitet e hershme të shkollimit, ku ajo ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm brenda vetëm 10 viteve, duke u avancuar dy herë gjatë procesit arsimor dhe duke treguar rezultate të jashtëzakonshme në mësim.

 

Nita Kaprolli

 

Dy diploma universitare dhe specializim në MIT

Kaprolli ka ndjekur paralelisht dy drejtime universitare, duke u diplomuar në Inxhinieri Kompjuterikedhe në Matematikë e Informatikë, një kombinim i rrallë që i ka krijuar bazë të fortë në analizë dhe zhvillim teknologjik.

Studimet master i ka përfunduar në fushën “Software Application and Development”, ndërsa më pas ka vijuar edhe studime post-master në Massachusetts Institute of Technology (MIT) në programin “Applied Data Science – Leverage AI”, nën mentorimin e profesorit të njohur John Tsitsiklis, ku është vlerësuar me rezultate të larta, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Çmime dhe vlerësime që në moshë të re

Që në moshë të hershme, Nita Kaprolli është shpërblyer me 16 çmime në fusha të ndryshme shkencore dhe letrare, në nivele komunale, republikane dhe ndërkombëtare.

Në matematikë ka arritur vendin e dytë në gara republikane, ndërsa gjatë studimeve universitare është shpallur oratorja më e mirë në nivel të universiteteve shtetërore dhe private.

 

Nita Kaprollit
Nita Kaprolli

 

Letërsi, media dhe angazhim publik

Përveç shkencës dhe teknologjisë, Kaprolli ka qenë aktive edhe në art dhe kulturë. Ajo ka nisur të shkruajë poezi që në moshën 11-vjeçare dhe është autore e librit “Po vij”, i financuar nga Ministria e Kulturës, si një nga talentet e reja të vlerësuara në letërsinë shqipe.

Në fushën e medias, ajo ka drejtuar për tre vite emisionin për fëmijë “Cicerimat e para”, ka punuar si gazetare dhe kolumniste, si dhe është nderuar me çmimin e parë kombëtar për emisionin “Sofra kulturore”, i cili promovonte instrumentin tradicional kavall në muzikën bashkëkohore.

Në Maqedoni, ajo ka mbajtur edhe funksionin e zëdhënëses në komunën e Gostivarit, duke qenë njëkohësisht pjesë e ekipeve zhvilluese në projekte programimi dhe aplikacione të ndryshme.

 

Karrierë e suksesshme në SHBA dhe çmim presidencial në vitin 2025

Në moshën 23-vjeçare, Nita Kaprolli u shpërngul në SHBA, ku u certifikua sipas standardeve profesionale amerikane dhe nisi karrierën si Data Scientist në kompaninë Managed Healthcare Associates, pjesë e grupit Roper Technologies.

Në këtë kompani, ajo kontribuoi në projekte të rëndësishme për automatizimin dhe përmirësimin e efikasitetit organizativ. Në vitin 2025, Kaprolli u nderua me Çmimin Presidencial të kompanisë për zhvillimin e aplikacioneve të avancuara me inteligjencë artificiale.

Aktualisht, ajo udhëheq departamentin e automatizimit, të organizuar në gjashtë njësi, duke luajtur rol kyç në transformimin digjital, rritjen e të ardhurave dhe optimizimin e proceseve në kompani.

 

Nita Kaprolli

 

Studime shkencore dhe angazhim akademik

Në aspektin akademik, Kaprolli ka publikuar një studim mbi përdorimin e algoritmeve të machine learning për parashikimin e demencës. Po ashtu, është e angazhuar në një projekt kërkimor njëvjeçar me titull “Address Matching Decision Tree Solution”, i financuar nga kompania ku punon, transmeton albinfo.ch.

Paralelisht me karrierën në SHBA, ajo është edhe ligjëruese në King’s College, në departamentin CSI, ku jep lëndën “Programim i avancuar” dhe ndihmon studentët në certifikime dhe integrim në tregun ndërkombëtar të punës.

 

Vizioni: mbështetje për studentët shqiptarë dhe inkubator teknologjik

Duke qene se ajo ka lindur në Gostivar, vizionin e saj profesional dhe shoqëror, Nita Kaprolli synon të ndihmojë studentët shqiptarë të arrijnë universitete prestigjioze, të krijojë një inkubator teknologjik, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e talenteve të reja në teknologji dhe inteligjencë artificiale, në nivel global.

Historia e saj përfaqëson një shembull konkret të potencialit të rinisë shqiptare, kur ambicia, dijenia dhe përkushtimi ndërtohen mbi punë të vazhdueshme dhe vizion afatgjatë./Albinfo.ch

Diaspora shqiptare në Zvicër organizon eventin “ADN Shqiptare” në Uster

Komuniteti shqiptar në Zvicër vazhdon të dëshmojë përkushtim të madh ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe traditave. Me këtë frymë, më 03 maj 2026 (e diel) në qytetin Uster, do të organizohet eventi kulturor dhe artistik me titull “ADN Shqiptare”, një aktivitet i veçantë që synon të promovojë rrënjët dhe vlerat shqiptare në diasporë, transmeteon albinfo.ch. 

Ky organizim është një ftesë e hapur për të gjithë bashkatdhetarët, veçanërisht për të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Zvicër, me qëllim që të njihen më afër me historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare.

I ftuar special: Marin Mema

Eventi do të ketë të ftuar special gazetarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Marin Mema, i njohur për kontributin e tij në trajtimin e temave historike dhe kombëtare shqiptare. Prania e tij pritet t’i japë këtij organizimi një dimension të veçantë, duke përcjellë mesazhe frymëzuese për ruajtjen e identitetit dhe krenarisë kombëtare.

Program i pasur artistik dhe kulturor

Sipas organizatorëve, eventi do të përfshijë një program të larmishëm artistik, ku do të marrin pjesë nxënës dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar.

Në kuadër të programit do të ketë:

  • Kori i shkollës shqipe
  • Recital dhe interpretime muzikore
  • Valle tradicionale shqiptare
  • Video dhe mesazhe inspiruese
  • Ekspozitë artistike “ADN Shqiptare”

Ky aktivitet synon të krijojë një atmosferë bashkimi dhe krenarie, duke sjellë para publikut elemente të kulturës shqiptare në një formë moderne dhe tërheqëse.

Mesazhi i eventit: Ruajtja e rrënjëve kombëtare

Eventi përcjell një mesazh të fuqishëm për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit, i bazuar edhe në thënien e Sami Frashërit:

“Shenja e kombit është gjuha. Kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten.”

Organizatorët theksojnë se ky takim është një mundësi për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve në diasporë dhe për të përcjellë tek brezat e rinj vlerat dhe trashëgiminë e kombit.

Eventi mbahet nl Theaterstrasse 1, 8610 Uster duke filluar nga ora 13:00 – 16:10, tl dielen më 03 maj 2026./Albinfo.ch 

 

Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë një person i kërkuar me urdhër ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Gjermania në Kosovë, i cili kërkohej me letër rreshtim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, operacioni është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, si dhe autoritetet gjermane.

I dyshuari ishte arrestuar në Gjermani në bazë të një urdhri të lëshuar përmes INTERPOL-it, pasi ndaj tij ekzistonte kërkesë nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “grabitje”. Ai dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë kohore.

Ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucione vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Zvicër: Shtëpitë pranë bazave të F-35A do të pajisen me dritare izoluese ndaj zhurmës

Banorët që jetojnë pranë bazave ushtarake ajrore në Payerne, Meiringen dhe Emmen do të pajisen me dritare izoluese ndaj zhurmës, me qëllim uljen e ndotjes akustike të shkaktuar nga avionët luftarakë F-35A. Rreth 230 ndërtesa janë të përfshira në këtë masë, transmeton albinfo.ch.

Ministria Federale e Mbrojtjes e Zvicrës njoftoi të hënën se 170 shtëpi në Emmen (kantoni Lucern), 30 në Payerne (Vaud) dhe 30 në Meiringen (Bernë) do të pajisen gjithashtu me matës inteligjentë të zhurmës. Këshilli Federal ka paraqitur për miratim në parlament një buxhet prej 30 milionë frangash zvicerane për realizimin e projektit.

Punimet e instalimit pritet të fillojnë në vitin 2027, ndërsa banorët e zonave të prekura do të informohen gjatë kësaj jave.

Rreth 550 shtëpi të prekura nga zhurma

Sipas autoriteteve, ndërtesa të tjera në zonat përreth bazave ajrore tashmë janë pajisur me masa mbrojtëse. Në total, rreth 550 shtëpi ndikohen nga ndotja akustike e avionëve.

Zvicra planifikon të blejë 30 avionë luftarakë amerikanë F-35A. Sipas planit, ata do të vendosen në Payerne nga viti 2028, në Meiringen nga 2030 dhe në Emmen nga 2032.

Vjenë: Një kosovar rrahet brutalisht me vëllezërit e të dashures së tij – përfundojnë në spital

Një grindje mes një burri nga Kosova dhe vëllezërve të dashures së tij kulmoi me një sulm të përgjakshëm me thikë të premten në mbrëmje në lagjen Meidling, në Vjenë

Pak para orës 20:00 të mbrëmjes, dy vëllezër (shtetas austriak) të moshës 27 dhe 30 vjeç, kishin shkuar të merrnin motrën e tyre nga apartamenti i saj. Por i dashuri i saj, një 37-vjeçar nga Kosova, kundërshtoi këtë vendim dhe aty lindi një mosmarrëveshje midis tre burrave, raportojne mediat austriake, përcjell albinfo.at

Në fillim ishte me zë të lartë, pastaj u bë fizike. Kosovari dyshohet se plagosi me thikë vëllain e vogël të të dashurës së tij. Shkalla e lëndimeve nuk dihet. Vëllai më i madh u përgjigj duke e goditur të dyshuarin.

Dyshja përfundon në spital

Policia e Austrisë doli me njoftim: Ata arritën ta arrestonin përkohësisht 37-vjeçarin në vendngjarje. Ai dhe kundërshtari i tij, dhjetë vjet më i ri, morën ndihmën e parë nga ndihmësit mjekësorë, të cilët ishin thirrur gjithashtu në vendngjarje dhe ishin dërguar në spital.

Pas qëndrimit në spital, autori i dyshuar u lirua në pritje të akuzave. Ndaj tij u lëshua gjithashtu një urdhër mbrojtjeje, një ndalim për t’iu afruar zonës dhe një ndalim i përkohshëm i armëve.