Tragjedi në një shkollë në Ferizaj: Nxënësi 15-vjeçar vdes gjatë orës së edukatës fizike

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në një shkollë në Ferizaj, ku një nxënës ka humbur jetën në ambientet e shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit”.

Sipas raportimeve, 15-vjeçari në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.

Bëhet e ditur se rasti është raportuar edhe te prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e obduksionit.

Hapet Ngushtica e Hormuzit

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi, ka njoftuar se kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.

Sipas tij, kalimi nëpër ngushticë do të bëhet sipas itinerarit të koordinuar të njoftuar nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas itinerarit të koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Republikës Islamike të Iranit”, ka shkruar ai në “X”, transmeton albinfo.ch.

Pas këtij njoftimi ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”, ka shkruar ai.

Trump ka deklaruar se bllokada amerikane do të vazhdojë derisa të arrihet marrëveshje përfundimtare me Iranin.

“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për aktivitet tregtar dhe kalim të plotë, por bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe efekt sa i përket Iranit, vetëm deri në momentin kur transaksioni ynë me Iranin të përfundojë 100%. Ky proces duhet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” ka shkruar ai.

Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në Gaza

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar sot propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Propozimi kaloi me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim teksa për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Pse qeveria zvicerane nuk po ndërmerr veprime për rritjen e çmimeve të karburantit?

Çmimi i karburantit në pompat zvicerane është rritur deri në 25 përqind gjatë disa javëve të fundit. A po ndërmerr qeveria ndonjë veprim për të neutralizuar këtë trend rritës, siç po bëjnë qeveritë në vendet fqinje?

Që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt – dhe veçanërisht bllokada e Ngushticës së Hormuzit – çmimet e pompave në Zvicër janë rritur ndjeshëm.

Për shembull, çmimi i benzinës pa plumb 95 është rritur nga 1.67 në 1.89 franga për litër, ndërsa benzina pa plumb 98 është rritur nga 1.78 në 2 franga.

Sa i përket naftës, çmimi i saj u rrit nga 1.75 në 2.24 franga.

Këto shifra përfaqësojnë rritje prej 13, 12 dhe 25 përqind, përkatësisht.

Çfarë – nëse ka – po bën qeveria zvicerane për të zbutur këto rritje çmimesh?

Në shtetet fqinje, si dhe në shumë vende të tjera, qeveritë po prezantojnë masa të ndryshme për të lehtësuar barrën e çmimeve më të larta të benzinës mbi konsumatorët e tyre.

Gjermania, Austria dhe Italia, për shembull, kanë ulur taksat e tyre përkatëse të energjisë.

Po Zvicra?

Deri më sot, nuk ekzistojnë plane për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimeve të benzinës në portofolet e konsumatorëve.

Sipas Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar (BWL), luhatjet e çmimeve nuk përbëjnë bazë për ndërhyrje federale.

Nga ana e tij, Këshilli Federal tha se “nuk ka kontroll mbi marzhet e shpërndarësve dhe nuk mund të vendosë të kufizojë çmimet e benzinës, siç bëhet në disa vende të tjera”.

Megjithatë, “në rast të një rritjeje të dyshimtë të marzeve, Komisioni i Konkurrencës (COMCO) mund të nisë një hetim. Mbikëqyrësi i çmimeve mund të ndërhyjë gjithashtu nëse çmimet duken abuzive”.

Deputetët janë të ndarë për këtë çështje, me disa që mbështesin qëndrimin e qeverisë dhe të tjerë që e kundërshtojnë atë, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Në një letër të hapur drejtuar Këshillit Federal, disa deputetë të Partisë Popullore Zvicerane kanë shtyrë për uljen e taksës së naftës minerale e cila “përbën një pjesë të konsiderueshme të çmimit përfundimtar të karburantit dhe për këtë arsye ofron një levë të drejtpërdrejtë për lehtësim të shpejtë”.

Por të tjerë kundërshtojnë ndërhyrjen e qeverisë për të ulur çmimet në pompat e karburantit – një veprim që, thonë ata, do të ndalonte rrjedhën e parave në arkën e shtetit.

“Ne kemi nevojë për të ardhura nga taksat [e naftës minerale] për të financuar cilësinë e lartë të infrastrukturës sonë”, tha deputeti i Partisë së Qendrës, Martin Candinas.

Një tjetër ligjvënës, David Roth nga Partia Socialdemokrate, është gjithashtu kundër uljes së taksave.

“Nëse duam t’i ofrojmë lehtësim popullsisë, duhet të rrisim fuqinë blerëse të përgjithshme”, tha ai.

Sa i përket deputetes së Liberalëve të Gjelbër, Barbara Schaffner, zgjidhja për çmimet më të larta të benzinës qëndron diku tjetër – domethënë, “një tranzicion më i shpejtë drejt burimeve alternative të energjisë”, tha ajo.

Më 21 prill, shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt

Në seancën gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, sot janë dhënë fjalët përfundimtare.

Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për 21 prill, në ora 13:30, teksa Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar, transmeton albinfo.ch.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq e ka quajtur krim makabër vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa theksoi se vrasja është kryer në prani të fëmijëve, duke shtuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë pasur mundësi t’i shohin tri mbrojte të mirëmenduara, gjegjësisht, tre skenarë të ndryshme të një ngjarjeje, të cilat janë dhënë nga tre të akuzuarit.

Në maj mbyllen edhe resortet e fundit të skijimit në Zvicër

Në Zvicër, sezoni i skijimit po i afrohet fundit, pasi edhe resortet e mbetura të hapura në lartësi të mëdha do të mbyllen gjatë muajit maj, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse shumica e resorteve në Alpet Zvicerane kanë përfunduar tashmë sezonin dimëror, disa destinacione që ndodhen në zona më të larta kanë vazhduar aktivitetin për një periudhë më të gjatë.

Sipas kalendarit sezonal, mbyllja e tyre do të ndodhë në datat e mëposhtme:

Zermatt – 3 maj
Engelberg – 3 maj
St. Moritz – 3 maj
Adelboden – 5 maj

Me mbylljen e këtyre resorteve, sezoni i skijimit në Alpet Zvicerane konsiderohet i përfunduar, duke i hapur rrugë sezonit veror turistik dhe aktiviteteve malore pa dëborë./Albinfo.ch

Kosovë: Miratohet në parim projektligji për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për themelimin e Byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë. Projektligji u mbështet nga 81 deputetë, ndërsa 25 deputetë abstenuan.

Partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë kërkuar ndryshime në projektligj, duke theksuar se vetëm pas përfshirjes së amendamenteve të propozuara do ta votojnë atë në fazat e ardhshme, përcjell albinfo.ch.

Gjatë seancës plenare, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi këtë projektligj si një nismë me rëndësi të veçantë për shtetin dhe sundimin e ligjit, duke e lidhur atë edhe me rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin projektligjin pa dallim të përkatësisë politike, duke theksuar se lufta kundër keqpërdorimit të parasë publike dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë interes i përbashkët.

“Lufta kundër keqpërdorimit të parasë publike, pasurisë së pajustifikueshme, forcimi i llogaridhënies dhe mbrojtja e interesit publik nuk duhet të jenë çështje të ndarjes politike, por detyrim i përbashkët shtetëror”, deklaroi Gërvalla.

Ministrja shtoi se as Komisioni i Venedikut dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik. Sipas saj, rekomandimet për më shumë qartësi, proporcionalitet dhe garanci procedurale janë reflektuar në versionin aktual të projektligjit të paraqitur për shqyrtim në Kuvend./Albinfo.ch

Kurti, Osmani, Haradinaj e Abdixhiku publikojnë pasurinë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka publikuar deklarimet vjetore të pasurisë së disa prej figurave kryesore politike në vend, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ish-presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku.

Në deklarimin e kryeministrit Albin Kurti, vërehen ndryshime në kursime dhe shpenzime krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave të APK-së, Kurti ka deklaruar vetëm 16 euro e 41 centë para të gatshme në emrin e tij. Ndërkohë, në emër të bashkëshortes janë raportuar 19 mijë e 500 euro, të cilat sipas deklarimit burojnë nga paga dhe trashëgimia familjare. Po ashtu, janë deklaruar edhe 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro të tjera nga familjarët.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur Kurti kishte deklaruar rreth 1,800 euro kursime, këtë vit evidentohet një rënie e tyre. Ndryshim është shënuar edhe te shpenzimet për banim, pasi qiraja mujore është rritur në 350 euro, nga 250 euro sa ishte më parë.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, nuk ka ndryshime, ndërsa është deklaruar një banesë në emër të bashkëshortes me vlerë 530 mijë euro. Në pjesën e detyrimeve figuron një kredi në emër të bashkëshortes me vlerë të mbetur prej 160 mijë euro. Ndërkohë, të hyrat vjetore të Kurtit nga paga si kryeministër janë deklaruar 21 mijë e 315 euro, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar të ardhura vjetore prej 51 mijë eurosh.

Ndërkaq, ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar në APK mëditje në vlerë 10 mijë e 305 euro, të realizuara nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit, përveç pagës në vlerë 33 mijë e 248 euro që e merrte si presidente.

Osmani ka deklaruar se nuk ka ndryshime të mëdha te pasuritë e paluajtshme. Në pronësi të saj figuron një arë me vlerë 35 mijë euro, si dhe një shtëpi në pronësi të përbashkët me vlerë 208 mijë euro. Ndërkohë, disa prona të tjera janë deklaruar në emër të bashkëshortit, përfshirë një banesë me vlerë 60 mijë euro, dy shtëpi në Australi me vlerë 510 mijë euro dhe 170 mijë euro, si dhe një garazh kolektiv me vlerë 5 mijë euro.

Si para të gatshme, Osmani ka deklaruar 3 mijë e 115 euro, ndërsa bashkëshorti rreth 750 euro. Si detyrime financiare, janë renditur 9 mijë euro për këste të papaguara për punë shtesë në shtëpi, si dhe 20 mijë e 500 euro huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne. Për të hyrat e bashkëshortit janë deklaruar 11 mijë e 350 euro nga paga dhe 11 mijë dollarë nga qiraja në Australi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar pasuri milionëshe në formularin e tij pranë APK-së. Në deklarimin e familjes Haradinaj figurojnë tri shtëpi, tri banesa, një vilë, toka dhe truall, me vlerë totale që kap rreth dy milionë euro.

Sa i përket kursimeve, Haradinaj ka deklaruar në bankë 23,625.58 euro të ardhura nga paga dhe qiratë, ndërsa bashkëshortja e tij Anita Haradinaj ka deklaruar 8,311.33 euro, po ashtu nga qiratë.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar dy prona të reja krahasuar me vitin e kaluar. Bëhet fjalë për dy banesa në pronësi të bashkëshortes, njëra me vlerë 120 mijë euro dhe tjetra 100 mijë euro, të cilat janë të trashëguara nga prindërit.

Në deklarim përfshihen edhe pasuri të tjera të paluajtshme, si një shtëpi në pronësi të përbashkët me vlerë 200 mijë euro, një banesë e përbashkët e blerë me kredi bankare me vlerë 265 mijë euro, si dhe një shtëpi e trashëguar prej 200 metrash katrorë me vlerë 150 mijë euro.

Abdixhiku ka deklaruar edhe një veturë Mercedes-Benz të vitit 2019, me vlerë 25 mijë euro, në emër të bashkëshortes. Po ashtu, bashkëshortja e tij zotëron 25% të aksioneve në kompaninë “AMPERA GROUP”, pa një vlerë të specifikuar.

Në aspektin financiar, Abdixhiku ka raportuar 386 euro kursime dhe depozita bankare, ndërsa ka deklaruar edhe 4,915.36 euro të ardhura nga paga. Bashkëshortja e tij ka deklaruar 4,293.40 euro nga paga dhe kursimet.

Sa i përket kredive, ai ka bërë të ditur se ka një kredi për renovimin e shtëpisë me shumë të mbetur prej 32,502 euro, si dhe një kredi tjetër për blerje banese me detyrim të mbetur prej 126,020.40 euro. Në total, të ardhurat vjetore të Abdixhikut arrijnë 16,889 euro nga paga, ndërsa ai ka deklaruar edhe 24 mijë euro të tjera nga një angazhim shtesë.

Kryetari i PDK-së Badri Hamza në deklarimin vjetor të pasurisë ka treguar se i ka dy banesa, një me sipërfaqe 120 metër katror në vlerë 70 mijë euro dhe një më sipërfaqe 98 metër katror në vlerë 46 mijë euro.
Ai ka deklaruar se i ka në pronësi edhe tri garazhe në vlerë 14 mijë e 700 euro së bashku.
Gjithashtu ka deklaruar se ka një hektar tokë në vlerë 50 mijë euro dhe një shtëpi prej 72 metrash katror në vlerë 25 mijë euro. Ndërkohë në emër të bashkëshortes ai ka deklaruar një banesë prej 60 metrash katror në vlerë prej 39 mijë euro.
Para të gatshme ai ka deklaruar se ka mbi 10 e 700 euro në një llogari dhe 1408 euro në një llogari tjetër.
Ai ka deklaruar të ardhura vjetore personale në vlerë prej afër 19 mijë e 700 euro. 

 

Publikimi i këtyre deklarimeve nga APK-ja synon rritjen e transparencës dhe monitorimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, në kuadër të mekanizmave të parandalimit të korrupsionit./Albinfo.ch

Zvicër: Çfarë ndryshon në maj 2026

Muaji maj 2026 sjell një sërë ndryshimesh dhe ngjarjesh të rëndësishme në Zvicër, duke përfshirë festa zyrtare, zhvillime në transport dhe afate administrative në disa kantone, përcjell albinfo.ch.

1 maj: Dita e Punëtorëve

Si shumë vende të tjera, Zvicra shënon më 1 maj Ditën e Punëtorëve, e njohur edhe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë shënohet kryesisht nga sindikatat dhe grupet e majta politike.

Megjithatë, ajo nuk është festë zyrtare në të gjithë vendin, por vetëm në disa kantone, përfshirë:
Zürich, Basel-Stadt, Basel-Landschaft, Jura, Neuchâtel, Schaffhausen, Thurgau dhe Ticino.
Në kantonet Aargau dhe Solothurn, zakonisht jepet gjysmë dite pushim.

1 maj: numër i ri emergjent për dhunën në familje

Nga kjo datë pritet të vihet në funksion numri i ri emergjent me tre shifra 142, i dedikuar për viktimat e dhunës në familje. Shërbimi do të jetë i disponueshëm 24 orë në ditë dhe pa pagesë.

14 maj: Ngjitja e Krishtit (Ascension)

Kjo festë fetare është ditë pushimi zyrtare në të gjithë Zvicrën. Megjithëse 15 maji nuk është festë zyrtare, shumë shkolla dhe disa institucione mbeten të mbyllura deri të hënën pasuese.

15 maj: afatet tatimore në Bern

Në kantonin Bern, qytetarët që kanë kërkuar shtyrje të afatit duhet të dorëzojnë deklaratat tatimore deri më 15 maj. Në disa kantone të tjera, afatet shtyhen deri më 30 maj.

21 maj: rihapet EuroAirport Basel

EuroAirport Basel-Mulhouse-Freiburg rihapet plotësisht pas një mbylljeje pesëjavore për renovimin e pistës kryesore. Mbi 25 kompani ajrore pritet të rifillojnë fluturimet.

25 maj: Whit Monday (Pentecost)

Kjo festë fetare është ditë pushimi në shumicën e kantoneve të Zvicrës, përveç disa prej tyre si Neuchâtel, Solothurn, Valais dhe Zug.

Lajme për udhëtimet në maj

Muaji maj sjell edhe zhvillime të reja në transportin ajror:

Nga 3 maji, Air Baltic nis linjën direkte Cyrih–Vilnius me tre fluturime në javë.
Nga 29 maj deri më 14 shtator, Edelweiss Air do të operojë linjën Cyrih–Glasgow dy herë në javë.
Transporti hekurudhor

Nga 30 maji deri më 4 tetor, do të funksionojë linja direkte me tren nga Zurich drejt qytetit italian Rimini.

Fundi i sezonit të skijimit

Gjatë majit mbyllen edhe resortet e fundit të skijimit në Alpet Zvicerane:

Zermatt – 3 maj
Engelberg – 3 maj
St. Moritz – 3 maj
Adelboden – 5 maj

Me këto mbyllje, sezoni i skijimit në Alpet Zvicerane përfundon zyrtarisht, duke i hapur rrugë sezonit veror turistik./Albinfo.ch

Kosova përballë 111 reformave për të përfituar mbi 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Kosova duhet të përmbushë gjithsej 111 hapa reformash në mënyrë që të përfitojë shumën e plotë prej mbi 882 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch 

Sipas afateve të përcaktuara, për 13 reforma me vlerë rreth 91 milionë euro, Kosova duhet të arrijë përmbushjen deri në fund të muajit qershor. Ndërsa deri në muajin dhjetor kërkohet realizimi i 27 hapave të tjerë reformues, të cilët kapin vlerën mbi 165 milionë euro.

Të gjitha masat e planifikuara duhet të zbatohen brenda afatit përfundimtar deri në vitin 2027, pasi fondet janë të kufizuara në kohë dhe të lidhura drejtpërdrejt me progresin reformues të vendit.

Kosova ishte ndër vendet e para që dorëzoi Agjendën Reformuese, megjithatë disbursimi i fondeve ka nisur me vonesë, kryesisht si pasojë e ngërçit politik që karakterizoi vitin e kaluar.

Sipas mekanizmit të Planit të Rritjes, pagesat bëhen në mënyrë progresive dhe varen nga zbatimi i reformave të dakorduara. Në rast se disa hapa nuk përmbushen brenda afateve të përcaktuara, fondet përkatëse nuk disbursohen.

Në këtë skenar, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i rialokojë mjetet financiare te vendet e tjera të rajonit që shënojnë progres më të shpejtë në realizimin e reformave./Albinfo.ch 

Kosova dhe Shqipëria synojnë të bashkëprodhojnë pajisje ushtarake

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, është pritur me ceremoni ushtarake nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka deklaruar se nuk ka asnjë ndryshim të planeve të sigurisë së KFOR-it në Kosovë.

Nufi në konferencën për media të mbajtur pas takimit që e ka zhvilluar me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se kjo i është konfirmuar në takimet që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.

Në këto takime, ai ka thënë se ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në Kosovë por edhe rajon.

“Në të dyja takimet, si me zotëri Rutte si me zotëri Dragone u konfirmua që nuk ka një ndryshim të paktën deri më sot të planeve të sigurisë së KFOR-it për sa i përket angazhimit të KFOR-it në Republikën e Kosovës. Besoj që të gjitha zhvillimet tjera do të adresohen në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi në kemi në aleancë. Besoj që situata e sigurisë në Kosovë, për sa kohë ne i bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, si në Kosovë por edhe si në kuadër të aleancës vazhdon të ngelet e qëndrueshme. Shqetësimet patjetër që i kemi përcjell, jemi shpresëplotë dhe të sigurt që vëmendja është e plotë për situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në Kosovë”, ka thënë Nufi.

Kur u pyet për armatimin e Serbisë nga Kina, Nufi tha se kjo i takon këtij vendi.

“Republika e Serbisë i vendos vet çështjet e armatimit apo jo apo se si i konsideron çështjet e sigurisë së saj. Shqipëria si anëtare e NATO-s por edhe Kosova për sa kohë kemi misionin KFOR edhe qasja dhe vet evokimi që vet Qeveria e Kosovës ka në lidhje me sigurinë, besoj që të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n që është edhe gur themeli i garancisë së sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe rajon, për sa kohë që shumica e shteteve në rajon janë shtete anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.

Maqedonci tha se kanë diskutuar për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes me Shqipërinë.

“Diskutuam edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fushat tjera duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për kohët ku po jetojmë dhe në ditët në vijim, në muajt në vijim do të punojmë më gjerësisht edhe më thellësisht në identifikimin e mundësive për bashkëpunim në këtë fushë. Unë jam falënderues ndaj ministrit për gjithë gatishmërinë, për të mbështetur Kosovën edhe në rrugën e integrimit në NATO për promovimin e Kosovës në kuadër të NATO-s dhe organizmave tjerë që e bën Shqipëria, por në veçanti ministri i Mbrojtjes, si dhe në bashkëpunimin që kemi regjional edhe me Kroacinë edhe me Shqipërinë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Ai ka folur se cili mund të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë sa i përket fushës së industrisë ushtarake.

“Ne kemi bërë tashmë një kontratë për një fabrikë për prodhimin e municioneve, jemi gjithashtu në koordinim me partnerët tjerë për çështjen e bashkëprodhimit. Kur flasim për bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë, në fushën e industrisë së mbrojtjes po flasim për dy drejtime. Është bashkëprodhimi do të shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojnë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur do të krijojmë edhe grupet edhe ekipet që do të punojnë në identifikimin se çka mund të bashkëprodhojmë bashkë, në mënyrë që të jemi edhe të ndërveprueshëm në aspektin operacional edhe në bashkëprokurim të sistemeve të cilat na bëjnë të ndërveprueshëm”, shtoi ai. /KP

EuroAirport do të rihapet më 21 maj, pas pesë javësh mbyllje

EuroAirport Basel-Mulhouse-Freiburg pritet të rihapet plotësisht më 21 maj, pas një mbylljeje pesëjavore për shkak të punimeve në pistën kryesore të ulje-ngritjeve, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kësaj periudhe, aktiviteti në aeroport ishte shumë i kufizuar dhe vetëm kompania ajrore EasyJet vazhdoi të operojë fluturime.

Me përfundimin e punimeve të rinovimit, aeroporti do të rikthehet në funksion të plotë dhe më shumë se 25 kompani ajrore që përdorin rregullisht këtë aeroport do të rifillojnë fluturimet e tyre.

Rihapja e plotë e aeroportit pritet të rikthejë gradualisht edhe fluksin normal të udhëtarëve, duke lehtësuar lidhjet ajrore nga rajoni i Basel drejt destinacioneve të shumta evropiane dhe ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Çfarë do të thotë për pasagjerët mbyllja e pistës në EuroAirport

EuroAirport i Bazelit mbyll pothuajse plotësisht pistën kryesore për disa javë

Lufta në Iran rrit ndjeshëm normat e kredive hipotekare në Zvicër

Përshkallëzimi i luftës në Iran ka filluar të ndikojë edhe në tregun financiar në Switzerland, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të normave të kredive hipotekare, përcjell albinfo.ch.

Sipas platformës së konsumatorëve Comparis, rritja e normave lidhet me tensionet në tregjet ndërkombëtare të kapitalit të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme. Pas një trendi rënës në fillim të vitit, normat e interesit janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të situatës në Iran.

Aktualisht, norma për një hipotekë me interes fiks për dy vjet ka arritur në 1.48 për qind tek të gjithë ofruesit. Në fund të muajit shkurt, para shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, kjo normë ishte 1.34 për qind.

Rritje është regjistruar edhe për hipotekat me afat më të gjatë. Norma për kreditë me afat pesëvjeçar është rritur nga 1.51 për qind në 1.63 për qind, ndërsa për hipotekat me afat dhjetëvjeçar norma aktualisht ka arritur në 1.84 për qind, krahasuar me 1.77 për qind në fund të shkurtit.

Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet financiare mund të vazhdojnë të ndikojnë në normat e interesit edhe në muajt në vijim. /Albinfo.ch

Studimi zbulon markat më të preferuara nga konsumatorët në Zvicër

Një studim i ri ka zbuluar se cilat janë markat më të vlerësuara nga konsumatorët në Switzerland. Analiza, e publikuar të enjten nga raporti BrandAsset Valuator 2026 (BAV), përfshin si markat zvicerane ashtu edhe ato ndërkombëtare që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij raporti, preferencat e konsumatorëve po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt markave të konsoliduara, të cilat perceptohen si më të besueshme dhe më të qëndrueshme në treg.

Në krye të listës renditet shërbimi i shpëtimit ajror Rega, i cili konsiderohet marka më e vlerësuar nga konsumatorët në Zvicër.

Lista e 10 markave më të preferuara sipas studimit është si më poshtë:

Rega – shërbimi i shpëtimit ajror
Coop – rrjet i madh i shitjes me pakicë
Le Gruyère – djathë tradicional zviceran
Migros – rrjet supermarketesh
Coop Supercard – program pikësh për klientët
WhatsApp – aplikacion për komunikim të menjëhershëm
Google – kompani globale e teknologjisë
Swiss Federal Railways (SBB) – kompania kombëtare hekurudhore
IKEA – markë ndërkombëtare e mobilieve
Lego – prodhues i njohur lodrash

Studimi tregon se konsumatorët në Zvicër vazhdojnë t’i japin përparësi markave që lidhen me besueshmërinë, cilësinë dhe reputacionin afatgjatë në treg. /Albinfo.ch

Haziri: LDK-ja e VV-ja janë në konsultime për një marrëveshje për presidentin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke zhvilluar konsultime për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës./Albinfo.ch

Haziri tha se qëllimi i këtyre diskutimeve është arritja e një marrëveshjeje sa më të shpejtë, me synim garantimin e funksionalitetit institucional dhe shmangien e një krize politike.

Në një deklarim para seancës së Kuvendit, Haziri mohoi se në këto konsultime po diskutohet për ndarje apo ndërrim pozicionesh politike, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Sipas tij, bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për të siguruar funksionimin normal të institucioneve të vendit.

Një ditë më parë, edhe kryeministri Albin Kurti kishte konfirmuar se janë në komunikim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me çështjen e presidentit, duke shtuar se rezultatet do të bëhen publike kur të arrihen.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike ende nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e kreut të shtetit. Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u bojkotua nga opozita, ndërsa në të Vetëvendosje fillimisht propozoi Glauk Konjufcën, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha.

Seanca nuk u zhvillua deri në fund, pasi në momentin e votimit nuk ishin të pranishëm të paktën 80 deputetë, numër i kërkuar në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes.

Ndërkohë, Konjufca është shprehur se është i gatshëm të tërhiqet nga gara nëse opozita arrin të propozojë një kandidat unifikues, duke theksuar se përgjegjësia për një emër konsensual i takon opozitës.

Gjykata Kushtetuese ka caktuar 28 prillin si afat të fundit për zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi i Kosovës./Albinfo.ch

Akil Gjakova ndalet nga kampioni olimpik Shavdatuashvili në Evropian

Akil Gjakova ka zhvilluar një luftë shumë të fortë ndaj legjendës gjeorgjiane të xhudos, kampionit olimpik Lasha Shavdatuashvili, në Kampionatin Evropian të xhudos, përcjell albinfo.ch.

Për një kohë të gjatë në meç, xhudisti kosovar ishte në epërsi dhe kontrolloi zhvillimin e garës, por nuk arriti ta ruajë ritmin deri në fund.

Lodhja nga lufta e mëparshme, e cila ishte veçanërisht e gjatë dhe intensive, duke zgjatur mbi shtatë minuta, ndikoi në performancën e tij në momentet vendimtare të kohës shtesë.

Këtë e shfrytëzoi Shavdatuashvili, i cili arriti të marrë fitoren dhe të sigurojë kalimin në gjysmëfinale të garës.

Megjithatë, Akil Gjakova mbetet në garë për medaljen e bronztë evropiane. Për ta arritur atë, atij i nevojiten edhe dy fitore në fazën përfundimtare të turneut./Albinfo.ch

Osmani: Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Poklekut për të cilën tha se është dëshmi e gjenocidit të kryer në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani kujtoi viktimat e kësaj masakre duke potencuar që në këtë gjenocid u vranë kryesisht fëmijë dhe gra.

“Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish. Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish.

Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë.

Kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës. Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë.

Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë.

Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

Prokurorja e Shtetit, Javorka Perlinqeviq, në çështjen penale për vrasjen e Liridona Ademajt, ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, raporton Klankosova.tv

Propozimi për shpalljen e tyre fajtorë, u dha në fjalën përfundimtare, të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria i propozon gjykatës që të sjellë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, duke i dënuar me burgim të përjetshëm” tha prokurorja.

Gjatë fjalës përfundimtare, Perlinqeviq po ashtu tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, që paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët./Albinfo.ch 

Yakin: Granit Xhaka nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Zvicrës, Murat Yakin, ka konfirmuar se kapiteni Granit Xhaka nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, transmeton albinfo.ch.

Yakin u pyet për të ardhmen e Xhakës gjatë emisionit sportiv “Blue Sport”, ku theksoi se Botërori nuk do të jetë “vallëzimi i fundit” i mesfushorit me fanellën e Zvicrës.

“Jo, absolutisht jo. Nuk mund ta imagjinoj. Për sa kohë që ai është në këtë gjendje shëndetësore, ai do të luajë sa më gjatë të jetë e mundur”, deklaroi Yakin.

Ai shtoi se është i bindur se Xhaka do të vazhdojë karrierën ndërkombëtare edhe pas turneut më të madh të futbollit.

“Gjithashtu e di me siguri se ai nuk do të tërhiqet pas Kupës së Botës. Jam i kënaqur për këtë”, u shpreh përzgjedhësi zviceran.

Xhaka, i cili aktualisht mban rekordin për më së shumti paraqitje me Zvicrën, ka zhvilluar 144 ndeshje, më shumë se çdo futbollist tjetër në historinë e kësaj përfaqësueseje, dhe pritet ta rrisë edhe më tej këtë shifër.

Pas ndeshjeve përgatitore dhe paraqitjes në Kupën e Botës 2026, Zvicra do të vazhdojë garat në Ligën e Kombeve, ndërsa më pas synohet edhe pjesëmarrja në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2028, ku Xhaka pritet të jetë sërish pjesë e ekipit nëse shmang lëndimet.

Marrëdhëniet mes Xhakës dhe Yakinit nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Rreth tre vjet më parë, kapiteni kishte kritikuar publikisht seancat stërvitore të përzgjedhësit, por në vjeshtën e vitit 2023 palët gjetën gjuhë të përbashkët dhe tashmë raportet mes tyre janë stabilizuar.

Madje, edhe pas Euro 2024, kur e ardhmja e Yakinit ishte në pikëpyetje, Xhaka kishte folur hapur në favor të vazhdimit të tij në krye të Zvicrës.

I pyetur se sa larg mund të shkojë Zvicra në Botërorin 2026, Yakin tha se paraqitja pozitive në Evropianin 2024 i jep optimizëm ekipit për rezultate të mëdha.

“Do të kishte qenë e mundur të arrinim në çerekfinale kundër Anglisë, në mënyrën se si luajtëm. Shumë gjëra ishin të mundshme atje, madje edhe një gjysmëfinale, një finale…”, deklaroi ai.

Sipas Yakinit, synimi i Zvicrës është të zhvillojë Botërorin më të mirë në histori, duke shfrytëzuar potencialin dhe cilësinë që ka ekipi.

Zvicra u kualifikua direkt në Kupën e Botës 2026, duke përfunduar e para në grupin ku bënin pjesë edhe Kosova, Sllovenia dhe Suedia. Kosova u ndal në finalen e plejofit ndaj Turqisë me rezultat 1:0, ndërsa Suedia siguroi kualifikimin pas fitores 3:2 ndaj Polonisë./Albinfo.ch

Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën

Deputeti i ardhshëm në Parlamentin Federal të Zvicrës me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, ka reaguar pas takimit që zhvilloi dje në Prishtinë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.

Në një postim publik, Bullakaj theksoi se kjo vizitë shënon takimin e tij të parë zyrtar para fillimit të mandatit në Parlamentin Zviceran, i cili nis në fund të këtij muaji.

“Takimi im i parë zyrtar para fillimit të mandatit tim në Parlamentin Zviceran në fund të këtij muaji më solli në Prishtinë. Ishte një nder i madh të pritem kaq ngrohtësisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, shkroi ai.

Bullakaj bëri të ditur se me Kurtin kanë zhvilluar një bisedë konstruktive për lidhjet mes Zvicrës dhe Kosovës, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Zvicër, transmeton tutje albinfo.ch.

“Diaspora kosovare në Zvicër nuk është vetëm një histori suksesi e integrimit, por edhe një motor qendror për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Bullakajt, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes projekteve ekonomike, shkëmbimit kulturor dhe ndërtimit të urave politike.

Ai u shpreh i gatshëm që në rolin e tij të ri si deputet të kontribuojë në thellimin e partneritetit mes Zvicrës dhe Kosovës.

“Mezi pres që në rolin tim të ri si deputet të kontribuoj në thellimin e këtij partneriteti të rëndësishëm”, përfundoi Bullakaj, duke falënderuar Kurtin për pritjen dhe shkëmbimin e vlefshëm./ Albinfo.ch

 

Arbër Bullakaj takohet me kryeministrin Kurti, diskutojnë integrimin dhe sukseset e mërgatës

Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi

Albin Pllashniku, student i ekonomisë në Universitetin e Östersundit në Suedi, po shquhet si një nga të rinjtë më premtues të diasporës sonë, me angazhim të veçantë në fushën e diplomacisë ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Kontributi i tij është fokusuar në hartimin dhe analizimin e pranisë ekonomike të diasporës shqiptare në Suedi, duke sjellë të dhëna të rëndësishme për ndikimin e saj në tregun suedez.

Pllashniku ka kontribuar në një raport profesional, ku janë evidentuar rreth 70 kompani me përfaqësim pronësie nga diaspora jonë, të cilat realizojnë një qarkullim total prej rreth 3.3 miliardë korona suedeze (SEK) dhe kanë krijuar mbi 1,000 vende pune, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Albin Pllashniku

 

Sipas raportit, sektorët kryesorë ku diaspora është më aktive janë:

Ndërtim & Infrastrukturë – 28.8%

Tregti & Financë – 27.6%

IT, Konsulencë & Shërbime ligjore – 25.2%

Transport – 10.8%

Industri & Prodhim – 7.5%

Përveç angazhimit akademik, Albin Pllashniku ka përfunduar me sukses edhe praktikën profesionale në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stokholm, ku kontribuoi në aktivitetet e institucionit dhe në avancimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe bizneset e diasporës.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin profesional.

Me pak fjalë, Albin Pllashniku mbetet një shembull i qartë se si të rinjtë e diasporës mund të kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin e tyre personal, por edhe në fuqizimin e rolit ekonomik të komunitetit shqiptar në Suedi./Albinfo.ch

 

 

Akili synon medalje në Evropianin e xhudos në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Edhe pse gjatë luftës ishte në disavantazh dhe po pësonte në rezultat, Akil Gjakova nuk e humbi kontrollin ndaj austriakut Samuel Gassner. Xhudisti kosovar reagoi në momentin e duhur dhe me një hedhje të bukur arriti fitore me Ippon, duke siguruar kalimin në xhiron e tretë në kategorinë deri në 73 kilogramë, përcjell albinfo.ch.

Gjakova po vazhdon paraqitjet e tij në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku synon të arrijë deri te medalja./Albinfo.ch