Cendrine Berisha, nga Zvicra drejt botës së modës

Cendrine Berisha, po ndërton gradualisht karrierën e saj në botën e modës ndërkombëtare. E lindur në Zvicër, por me origjinë nga Kosova, ajo thotë se interesimi për modelingun ka qenë gjithmonë pjesë e saj, ndërsa me kalimin e kohës vendosi ta ndjekë këtë rrugë edhe në mënyrë profesionale.

Gjatë karrierës së saj, Berisha ka pasur mundësinë të paraqitet në disa revista të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Ellements Magazine, Stylecruze Magazine dhe Fashion Republic Magazine. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me agjenci modelingu në Dubai, Zvicër dhe Gjermani, përvoja që, sipas saj, kanë ndikuar në zhvillimin profesional dhe në zgjerimin e mundësive në këtë industri. Një nga momentet e rëndësishme të saj ishte edhe pjesëmarrja në konkursin “Miss Europe Continental”, ku përfaqësoi Zvicrën në Napoli të Italisë.

 

Cendrine Berisha

 

Përveç modelingut, Berisha ka një përvojë katërvjeçare në teatër, që sipas saj ka ndikuar në rritjen e vetëbesimit dhe në zhvillimin personal. Për vitin 2026 ajo planifikon të marrë pjesë në disa sfilata të markës CRUEL në Berlin dhe Milano, si dhe të konkurrojë në Miss Kosova 2026. Modelja thekson se ndihet shumë e lidhur me Kosovën dhe se rrënjët e saj shqiptare mbeten një motiv i rëndësishëm për të përfaqësuar me krenari kulturën dhe identitetin e saj. Intervista e plotë

Intervista e plotë:

Albinfo.ch: Cendrine, a keni lindur në Zvicër? A mund të na tregosh pak për veten, origjinën?

Cendrine: Unë kam lindur në Zvicër dhe jam me origjinë nga Kosova, të dy prindërit e mi vijnë nga Kosova.

Albinfo.ch: Na trego më shumë rreth shkollimit që keni ndjekur në Zvicër?

Cendrine: Shkollimin e detyrueshëm e kam bërë në Zvicër, pastaj kam bërë një praktikë 3-vjeçare si punonjëse tregtare dhe kam përfunduar maturën profesionale në tregti

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: A ishte e vështirë të ambientohesh me rrethin shoqëror në shtetin e Zvicrës?

Cendrine: Jo, nuk ishte shumë e vështirë, sepse kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Shkolla dhe rrethi shoqëror më kanë ndihmuar të integrohem mirë.

Albinfo.ch: Çfarë të frymëzon më shumë në jetën e përditshme?

Cendrine: Më frymëzon mundësia për të shprehur veten dhe për të qenë një shembull pozitiv për të tjerët. Modelingu më jep mundësinë të tregoj kreativitetin dhe të punoj me njerëz të ndryshëm.

Albinfo.ch: Kur kuptove që dëshiron të bëhesh modele profesioniste?

Cendrine: Interesi për modelingun ka qenë gjithmonë pjesë e imja, por me kalimin e kohës e kuptova që dua ta ndjek si profesion.

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: Sa e vështirë ka qenë integrimi juaj në tregun zviceran dhe më gjerë si modele?

Cendrine: Në fillim nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, sepse tregu i modelingut është shumë konkurrues. Por me punë, përkushtim dhe besim në veten time kam arritur të krijoj mundësi të mira.

Albinfo.ch: Cilat janë disa nga aktivitetet tuaja më të rëndësishme në fushën e modelizmit – sfilata, evente në Zvicër apo jashtë, reklama për marka?

Cendrine: Kam pasur mundësinë të paraqitem në disa revista të njohura në SHBA, si Ellements Magazine, Stylecruze dhe Fashion Republic. Më pas kam bashkëpunuar me disa agjenci modelingu në Dubai, Zvicër dhe Gjermani, të cilat më kanë ndihmuar të fitoj më shumë përvojë në modeling. Gjithashtu kam marrë pjesë në konkursin Miss Europe Continental, ku kam përfaqësuar Zvicrën në Napoli të Italisë. Këtë vit kam në plan disa sfilata për markën CRUEL në Berlin dhe Milano, si dhe pjesëmarrjen në konkursin Miss Kosova.

 

Cendrine Berisha

 

Albinfo.ch: A mund të na tregosh për pjesëmarrjen në “Miss Europe Continental,” si ka ndikuar dhe sa ka qenë emocionuse për ju?

Cendrine: Pjesëmarrja në “Miss Europe Continental” ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Ishte një nder të përfaqësoj Zvicrën dhe një mundësi shumë e mirë për të njohur njerëz të rinj dhe për të fituar më shumë përvojë në modeling.

Albinfo.ch: Çdo modele ka stilin dhe preferencat e saj për veshje, cilat marka apo firma janë më të pëlqyera për ju?

Cendrine: Më pëlqejnë shumë markat Zara, H&M dhe Bershka

Albinfo.ch: Si ka ndikuar përvoja e teatrit dhe udhëtimeve në zhvillimin tënd personal?

Cendrine: Përvoja në teatër dhe udhëtimet më kanë ndihmuar të zhvilloj vetëbesimin dhe të njoh kultura të ndryshme. Kjo më ka ndihmuar shumë edhe në modeling

Albinfo.ch: Cilat janë planet dhe aspiratat tuaja për të ardhmen si modele profesionale?

Cendrine: Për këtë vit kam në plan disa sfilata për markën CRUEL dhe pjesëmarrjen në konkursin Miss Kosova 2026. Në të ardhmen do të doja të bëja më shumë sfilata për krijime Haute Couture dhe të bëhem më e njohur si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Albinfo.ch: Sa e lidhur ndiheni me Kosovën dhe si ndikojnë ato lidhje në jetën dhe karrierën tuaj?

Cendrine: Ndihem shumë e lidhur me Kosovën, sepse prej andej vjen familja ime. Kjo lidhje më motivon gjithmonë të përfaqësoj me krenari kulturën dhe rrënjët e mia.

 

Cendrine Berisha

“MeGaherz” – Spitex me zemër për familjet në Zvicër

“Spitexi ynë ka moton ‘Një familje për familjen’ dhe ‘Së bashku në vend se të vetmuar’. Na njihni dhe krijoni besim – ne i kuptojmë nevojat tuaja dhe përshtatemi me ju”, thotë Lumnije Memisi, bashkëpronare e “MeGaherz”.

Që nga themelimi në vitin 2019, “MeGaherz” është shndërruar në një adresë të rëndësishme për kujdes profesional në shtëpi në Zvicër, duke kombinuar ekspertizën mjekësore me përkushtimin njerëzor.

Një ekip në rritje të vazhdueshme

Sot, “MeGaherz” numëron rreth 90 punonjës, përfshirë edhe kujdesin nga familjarët (Angehörigenpflege).

“Ekipi përbëhet nga profesionistë të kualifikuar në fusha të ndryshme si pediatria, psikiatria dhe kujdesi akut e afatgjatë, duke ofruar shërbime të personalizuara për çdo pacient.”, thotë Memisi.

Fokusi kryesor: kujdesi për fëmijë, nënat dhe shëndetin mendor

MeGaherz” e ka të qartë drejtimin e saj: tre shtylla kryesore përbëjnë bazën e punës së përditshme.

Kinderspitex – kujdes për fëmijët në shtëpi

Një nga shërbimet më të rëndësishme është kujdesi për foshnjat, fëmijët dhe të rinjtë në ambientin e tyre familjar.

Ky shërbim është veçanërisht i vlefshëm:

  • pas qëndrimeve në spital
  • në raste sëmundjesh kronike
  • për lindje të parakohshme
  • në situata që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm në shtëpi

Ekipi punon ngushtë me mjekët dhe spitalet për të garantuar siguri dhe cilësi të lartë në trajtim.

Kujdesi pas lindjes – mbështetje për nënën dhe foshnjën

“Periudha pas lindjes është ndër më sfidueset për familjen. “MeGaherz” ofron mbështetje profesionale dhe njerëzore në këtë fazë të ndjeshme.”, tregon Lumnije Memisi.

Shërbimet përfshijnë:

  • kontrollin shëndetësor të nënës dhe foshnjës
  • këshillim për ushqyerjen me gji
  • ndihmë praktike në përditshmëri
  • orientim dhe mbështetje emocionale

Kujdesi psikiatrik – mbështetje në kohë të vështira

Një tjetër shtyllë kryesore është kujdesi psikiatrik në shtëpi, i cili po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm.

Ky shërbim përfshin:

  • mbështetje në kriza psikologjike dhe sociale
  • vizita të rregullta dhe monitorim
  • ndihmë në organizimin e jetës së përditshme
  • menaxhim të terapisë dhe medikamenteve

Qasja është gjithmonë individuale dhe e përshtatur sipas nevojave të pacientit.

Shërbime plotësuese

Përveç fokusit kryesor, “MeGaherz” ofron edhe:

  • kujdes afatgjatë
  • trajtime mjekësore në shtëpi
  • kujdes paliativ

Këto shërbime plotësojnë ofertën, duke siguruar një mbështetje të gjithanshme për pacientët dhe familjet.

Investim në të ardhmen: trajnimi i të rinjve

Nga gushti 2026, “MeGaherz” do të fillojë edhe trajnimet për nxënës (Lernende) në fushën e kujdesit shëndetësor, duke i shoqëruar ata gjatë gjithë procesit të formimit profesional.

Ky është një hap i rëndësishëm për të kontribuar në zhvillimin e brezit të ri në sektorin e kujdesit në Zvicër.

Zgjerimi i rrjetit – më afër familjeve

“MeGaherz” ka zgjeruar praninë e saj me disa lokacione të reja:

  • Schaffhausen (SH, TG, SG)
  • Küssnacht (SZ, LU)
  • Zug
  • Zürich
  • Aargau

Kjo i mundëson kompanisë të jetë më afër pacientëve dhe të ofrojë shërbime më të shpejta dhe më efikase.

“Një familje për familjen”

“Filozofia e “MeGaherz” mbetet e pandryshuar: kujdes profesional i kombinuar me afërsi njerëzore.”, theksom në këtë intervistë për albinfo.ch, Lumnije Memisi, bashkëpronare e “MeGaherz”.

Në një kohë kur nevoja për kujdes cilësor po rritet vazhdimisht, “MeGaherz” dëshmon se kujdesi në shtëpi mund të jetë jo vetëm profesional dhe i sigurt, por edhe i ngrohtë – si një familje e vërtetë për familjen.

 

Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps

Revista prestigjioze Forbes ka përfshirë shqiptarin Brendon Ahmeti, CEO dhe bashkëthemelues i start-upit austriak Synaps, në listën e saj të profileve të suksesshme, transmeton albinfo.at.

Brendon Ahmeti është CEO dhe bashkëthemelues i start-upit PropTech Synaps, me seli në Vjenë, të cilin e themeloi së bashku me Kevin Cobaj (CTO) dhe Agron Bajraktari (COO). Synaps synon të bëhet një lloj “Canva për dizajn arkitekturor”, duke sjellë një qasje të re në fushën e projektimit përmes teknologjisë moderne.

Platforma është konceptuar në mënyrë që çdo përdorues të mund të përshkruajë një hapësirë, ndërsa sistemi, përmes inteligjencës artificiale, të gjenerojë dizajne të sakta, të realizueshme dhe profesionale për përdorim praktik.

Sipas Forbes, Synaps ka arritur një sukses të rëndësishëm që para lansimit zyrtar, duke siguruar 1.4 milionë euro financim, çka dëshmon interesin e madh të investitorëve ndaj këtij projekti inovativ.

Kompania ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm edhe në treg, pasi sipas deklarimeve të saj, rreth 8 mijë kompani tashmë janë në listën e pritjes për të përdorur platformën Synaps, ndërsa bashkëpunimet e saj shtrihen me mijëra kompani nga mbarë bota.

Në një mesazh të tij, Brendon Ahmeti ka theksuar se rrugëtimi i tij profesional ka qenë gjithmonë i orientuar drejt krijimit të ndikimit real.

“Nga projektimi dhe investimi në projekte të pasurive të paluajtshme në tre kontinente, deri te ndërtimi i një kompanie që po e ripërcakton arkitekturën përmes inteligjencës artificiale, motivimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë: të krijoj ndikim të vërtetë,” shprehet Ahmeti.

Përfshirja e Brendon Ahmetit në Forbes konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit të shqiptarëve në diasporë, veçanërisht në fushat e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale. /Albinfo.at

Brendon Ahmeti – Forbes

Fribourg: Banesa të reja për të moshuarit, zgjidhja më e lirë që po shihet si e ardhmja e kujdesit ndaj tyre

Një studim i ri i realizuar në kantonin Fribourg thekson nevojën për zhvillimin e më shumë banesave të dedikuara për të moshuarit që ofrojnë shërbime mbështetëse. Sipas Pro Senectute Fribourg dhe Shoqatës së Institucioneve për të Moshuarit dhe Kujdesin në Shtëpi (AFISA), këto forma banimi përfaqësojnë një zgjidhje më të lirë dhe më të përshtatshme krahasuar me shtëpitë e pleqve.

Studimi, i zhvilluar midis shtatorit 2025 dhe marsit 2026, tregon se shumica e të moshuarve preferojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Megjithatë, banesat e përshtatura për seniorë shihen si një kompromis ideal, pasi ofrojnë pavarësi, por edhe mbështetje të përditshme si kujdes, këshillim dhe ndihmë praktike. Po ashtu, këto ambiente përfshijnë hapësira të përbashkëta që ndihmojnë në uljen e izolimit social.

Autorët e studimit theksojnë se këto banesa kushtojnë rreth katër deri pesë herë më pak sesa qëndrimi në një institucion për të moshuar dhe mund të vonojnë mesatarisht me rreth dy vite hyrjen në shtëpitë e kujdesit.

Në Fribourg aktualisht ekzistojnë 652 banesa të këtij lloji, por kërkesa është shumë më e lartë për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë së moshuar. Sipas Pro Senectute, numri i personave mbi 65 vjeç pritet të dyfishohet deri në vitin 2035, duke krijuar një sfidë të madhe për sistemin social dhe shëndetësor.

Ekspertët kërkojnë nga autoritetet kantonale që të investojnë më shumë në këtë model banimi, i cili shihet si një zgjidhje e qëndrueshme për të ardhmen e kujdesit ndaj të moshuarve.

Një nga banorët që jeton në një apartament të tillë në Fribourg është 85-vjeçari Richard Müller, i cili u zhvendos pas këshillës së mjekut për shkak të problemeve shëndetësore. Ai thotë se, pavarësisht hapësirës së vogël, ambienti i lejon të ruajë pavarësinë dhe të shmangë jetesën në një shtëpi pleqsh, gjë që nuk e pranonte.

Sipas tij, kjo formë jetese i jep ende mundësi të bëjë plane për të ardhmen, përfshirë edhe udhëtime.

Për shkak të luftës në Iran: paralajmërohen masa kursimi dhe kufizime për vozitësit në Zvicër

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe lufta në Iran kanë rritur shqetësimet për furnizimin global me naftë. Ndërsa Zvicra aktualisht mbështetet në rezerva të detyrueshme, autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në javët në vijim.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëron për një krizë të mundshme energjetike brenda gjashtë javësh si pasojë e konfliktit. Sipas saj, reduktimi i furnizimeve mund të nisë që nga muaji maj, pasi Ngushtica e Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës – mbetet e bllokuar. Tankerët e fundit që kanë kaluar para bllokadës pritet të mbërrijnë në Evropë në ditët e ardhshme.

Zyra Federale për Furnizim Ekonomik Kombëtar (BWL) njofton se furnizimi me produkte nafte në Zvicër është i siguruar deri në fund të prillit 2026. Megjithatë, ajo paralajmëron se nga maji mund të ketë reduktime në furnizim që mund të ndikojnë edhe në vend, transmeton albinfo.ch.

A rrezikon Zvicra mungesë karburanti?

Sipas autoriteteve, jo menjëherë. Zvicra disponon rezerva të detyrueshme të karburanteve, të cilat në rast emergjence mund të zgjasin rreth katër muaj e gjysmë për karburantet rrugore dhe rreth tre muaj për karburantin e aviacionit.
Megjithatë, këto llogaritje bazohen në skenarin më të keq të ndërprerjes totale të furnizimit.

Përfaqësues të Shoqatës Zvicerane të Naftës theksojnë se aktualisht furnizimi nuk është kritik, pasi Zvicra importon naftë kryesisht nga SHBA dhe Nigeria – vende që nuk preken drejtpërdrejt nga bllokada e Hormuzit.

A mund të udhëtohet me makinë në pushime?

Sipas industrisë së naftës, udhëtimi me makinë mbetet i mundur pa kufizime për momentin. Po ashtu, nuk ka anulime të fluturimeve në përgjithësi, megjithëse disa linja ajrore kanë raportuar rritje të kostove për shkak të çmimit të lartë të karburantit.

Masat e mundshme të qeverisë

Qeveria federale ka përgatitur disa masa në rast përkeqësimi të situatës, përfshirë:
thirrje për kursim vullnetar të energjisë dhe përdorim më ekonomik të makinave
nxitje për kalim në transport publik
vendosje të mundshme të kufizimeve të shpejtësisë

Megjithatë, jo të gjithë politikanët pajtohen. Disa i konsiderojnë këto masa si simbolike dhe joefektive, duke argumentuar se tregu vetë do të rregullojë konsumin përmes çmimeve më të larta.

Nga ana tjetër, disa deputetë kërkojnë veprim të hershëm dhe masa më të buta si ulje të përkohshme të çmimit të transportit publik apo promovim më të madh të makinave elektrike.

Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari për falsifikim parash

Një shtetas i Kosovës i dyshuar për veprën penale “falsifikim i parave” është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, pas një bashkëpunimi ndërkombëtar mes autoriteteve të të dy vendeve.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitë relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sjelljen e tij në Kosovë. Ai ishte i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar të INTERPOL-it, pasi i ishte shmangur drejtësisë në vend.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet zvicerane dhe më pas është dorëzuar tek organet e rendit në Kosovë, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore ndaj tij.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Ambasada Shqiptare: Përfaqësim i denjë nga Zvicra në Samitin e Diasporës

Në një postim të publikuar në fb nga Ambasada e Shqipërisë në Zvicër bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mërgatës shqiptare nga Zvicra në Samitin e Diasporës që u mbajt gjatë tri ditëve të fundit, në Tiranë.

“Samiti i IV i Diasporës Shqiptare, i zhvilluar në Tiranë përgjatë datave 13–15 prill 2026, mblodhi shqiptarë nga të gjitha anët e globit, në një platformë të përbashkët dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni për të ardhmen.

Diaspora shqiptare në Zvicër ishte denjësisht e përfaqësuar, falë edhe angazhimit të vazhdueshëm të Ambasadës në Bernë, duke sjellë në këtë samit një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish dhe kontributorësh aktivë në panele dhe diskutime”, thuhet në postim.

Në vazhdim përmenden kontributet e disporës nga Zvicra në panelet e mbjtura gjatë samitit.

Në panele të ndryshme u evidentuan kontribute të vyera nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër:
Në transformimin e shërbimeve ndaj klientit, znj. Eniada Halebi solli perspektivën e inovacionit dhe digjitalizimit;


Në fushën e turizmit, znj. Aina Hoti ndau eksperiencën dhe vizionin e saj për zhvillimin e sektorit;
Në panelin mbi trashëgiminë shpirtërore, Hafiz Mehas Alija theksoi rolin e komunitetit në ruajtjen e vlerave;


Në diskutimet mbi identitetin kombëtar dhe qendrat kulturore, Kristian Zefi prezantoi idenë për krijimin e një muzeu kombëtar në diasporë, ndërsa Argjenda Lipovica solli një qasje shkencore për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në Zvicër;

Ndërkohë, Dritan Andrea kontribuoi në diskutimet mbi migracionin dhe politikat e riatdhesimit.


Një moment i veçantë krenarie ishte vlerësimi me medaljen “Shqiponja e Artë” për Prof. Dr. Vaxhid Sejdiun, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij mbi 30-vjeçar në mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në Zvicër.
Në këtë samit nuk munguan as përfaqësuesit e mediave dhe jetës shoqërore nga Zvicra, përfshirë drejtues mediash dhe organizatash, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe atdheut.


Ambasada shpreh angazhimin e vazhdueshem institucional për të mbështetur dhe fuqizuar rolin e diasporës shqiptare në Zvicër.
Ky samit rikonfirmoi edhe një herë se diaspora shqiptare mbetet një aset i çmuar kombëtar, një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe botës, me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim, bashkëpunim dhe promovim të vlerave tona”, përfundon postimi i Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër.

Zvicër: Qeveria federale pagoi rreth 1 miliard dollarë për vaksinat Moderna dhe Novavax

Zyra Federale e Shëndetit Publik në Zvicër ka bërë publikë kontratat e plota për furnizimin me vaksina kundër Covid-19, duke garantuar transparencë të plotë në këtë proces.

Kontratat me kompanitë prodhuese janë publikuar pa redaktime, pas një vendimi të Gjykatës Administrative Federale. Ky vendim, i marrë më 10 shkurt, është bërë përfundimtar në muajin prill, pasi autoritetet federale vendosën të mos e ankimojnë në Gjykatën Supreme Federale.

Kërkesa për transparencë

Kërkesa për publikimin e kontratave erdhi nga palë të interesuara, të cilat u mbështetën në ligjin për lirinë e informimit. Fillimisht, në fund të vitit 2023, Zyra Federale e Shëndetit Publik kishte refuzuar t’i bënte publike këto dokumente.

Në vitin 2022, autoritetet kishin publikuar kontratat me disa kompani farmaceutike, përfshirë Moderna, Novavax, Pfizer, Janssen, AstraZeneca dhe CureVac, por me pjesë të censuruara. Arsyeja ishte frika se transparenca e plotë vetëm në Zvicër mund të dobësonte pozicionin negociues të vendit në rast pandemish të ardhshme.

Shpenzimet për vaksinat

Sipas të dhënave zyrtare, Zvicra siguroi fillimisht 4.5 milionë doza të vaksinës Moderna që në gusht të vitit 2020. Deri në fund të pandemisë, numri total arriti në 31 milionë doza të vaksinave mRNA, me një çmim mesatar prej rreth 32 dollarësh për dozë. Në total, kjo përkthehet në një angazhim financiar prej afërsisht 980 milionë dollarësh.

Ndërkohë, në dhjetor 2021, Zvicra rezervoi 1 milion doza të vaksinës proteinike të Novavax, me çmim rreth 22 dollarë për dozë, duke krijuar një detyrim kontraktual prej rreth 20 milionë dollarësh.

Detyrimi për publikim të plotë

Vendimi i gjykatës detyron autoritetet që kontratat me Moderna dhe Novavax të publikohen tërësisht dhe pa asnjë pjesë të fshehur, duke rritur transparencën mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike gjatë pandemisë.

BBC do të shkurtojë deri në 2,000 vende pune mes presioneve financiare

Transmetuesi publik britanik BBC ka njoftuar se do të shkurtojë deri në 2,000 vende pune, që përbëjnë gati 10% të fuqisë së tij punëtore. Ky është reduktimi më i madh i stafit në 15 vitet e fundit dhe vjen si pasojë e “presioneve të konsiderueshme financiare”.
Sipas një emaili të brendshëm drejtuar punonjësve, kompania synon të kursejë rreth 500 milionë paund nga buxheti i saj vjetor prej 5 miliardë paundësh gjatë dy viteve të ardhshme. Në dokumentin e nënshkruar nga drejtori i përkohshëm i përgjithshëm, Rhodri Talfan Davies, theksohet se pritet një reduktim total prej 1,800 deri në 2,000 vende pune, një vendim që ai e cilësoi si “të vështirë”.
BBC kishte paralajmëruar që në muajin shkurt për një ulje të kostove me 10%, pa dhënë detaje për ndikimin në staf. Njoftimi për shkurtimet u bë zyrtarisht gjatë një takimi me punonjësit, pa specifikuar ende se cilat pozita do të preken.
Presione në rritje dhe kritika për vendimin
“BBC po përballet me presione të mëdha financiare dhe duhet të reagojmë shpejt,” deklaroi Davies, duke përmendur inflacionin e lartë të kostove të prodhimit, të ardhurat në rënie nga tarifa e licencës dhe një ekonomi globale ende të paqëndrueshme.
Nga ana tjetër, drejtuesja e sindikatës së transmetuesve, Philippa Childs, paralajmëroi se “shkurtimet e kësaj përmase do të jenë shkatërruese për punonjësit dhe vetë BBC-në”, duke rrezikuar aftësinë e saj për të përmbushur misionin publik.
Ndryshime në drejtim dhe sfida të reja
Ky zhvillim vjen pak para emërimit të drejtorit të ri të përgjithshëm, Matt Brittin, ish-ekzekutiv i Google, i cili do të marrë detyrën më 18 maj. Ai do të drejtojë një organizatë me rreth 21,500 punonjës në një periudhë të vështirë për industrinë globale të medias.
BBC përballet me një krizë më të gjerë që prek sektorin mediatik: rënie të besimit publik, kritika politike dhe transformime të mëdha të lidhura me inteligjencën artificiale. Një tjetër faktor është edhe ulja e të ardhurave nga tarifa vjetore e licencës, aktualisht 174.50 paund, e cila po kundërshtohet gjithnjë e më shumë nga publiku britanik dhe po dëmtohet nga rritja e mashtrimeve.
Masa të menjëhershme dhe strategji afatgjatë
Në periudhën afatshkurtër, BBC do të vendosë kontrolle më të rrepta mbi rekrutimet dhe lëvizjet e stafit, si dhe do të ulë shpenzimet për pjesëmarrje në evente.
Në planin afatgjatë, çdo departament do të duhet të identifikojë aktivitetet që mund të ndërpriten, duke i dhënë përparësi përmbajtjeve dhe shërbimeve që kanë ndikimin më të madh te publiku.
BBC ka realizuar tashmë kursime prej më shumë se gjysmë miliardi paundësh gjatë tre viteve të fundit, por sfidat financiare mbeten të theksuara.

Mbi 160 persona të arrestuar pas të shtënave në shkolla në Turqi

Mbi 1,000 llogari në rrjetet sociale janë bllokuar dhe 162 persona janë arrestuar në Turqi, pas dy sulmeve me armë në shkolla në jug dhe juglindje të vendit. Lajmi u bë i ditur të enjten nga ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek.

Sipas tij, një numër i madh llogarish janë identifikuar se kanë shpërndarë përmbajtje që mund të nxisë frikë, ankth dhe panik te popullata, si dhe informacione të rreme dhe lavdërim të krimit dhe autorëve të tij. Ministri theksoi se arrestimet janë kryer në të gjithë vendin.

Sulm i planifikuar paraprakisht

Prokuroria njoftoi se autori 14-vjeçar i sulmit në një shkollë në Kahramanmaras, ku mbetën të vrarë nëntë persona, kishte planifikuar një sulm në shkallë të gjerë.

Gjatë ekzaminimit të pajisjeve kompjuterike të të dyshuarit, u gjet një dokument i datës 11 prill 2026, i cili tregonte synimin për të kryer një operacion të madh në të ardhmen e afërt.

Referenca ndaj një sulmuesi amerikan

Policia turke bëri të ditur se gjetjet fillestare tregojnë se sulmuesi kishte përdorur një imazh që i referohej Elliot Rodger, i cili vrau gjashtë studentë në Kaliforni në vitin 2014.

Autoritetet theksuan se nuk ka lidhje me terrorizmin dhe se ngjarja duket të jetë një sulm i izoluar. Gjithashtu, nuk ka prova që sugjerojnë se adoleshenti turk kishte motive të njëjta me Rodger.

Protesta dhe reagime

Më shumë se 3,500 mësues turq protestuan në Ankara, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Arsimit. Protestuesit mbanin pankarta me slogane si “Njolla gjaku mbi profesionin tim” dhe “Ku ishit kur fëmijët tanë po vdisnin?”.

Ndërkohë, dhimbja dhe pikëllimi ishin të dukshme gjatë ceremonive mortore për viktimat në Kahramanmaras, ku familjarët u mblodhën pranë arkivoleve të mbuluara me flamurin turk. Në vendin e ngjarjes u vendosën gjithashtu lule në kujtim të viktimave.

Bilanci i viktimave

Sulmi në Kahramanmaras la të vdekur tetë nxënës – pesë djem dhe tre vajza të moshës 10 dhe 11 vjeç – si dhe një mësues 55-vjeçar.

Ngjarja ndodhi një ditë pas një tjetër sulmi me armë në një shkollë në Sanliurfa, në juglindje të vendit, ku u plagosën 16 persona.

Në të dy rastet, autorët humbën jetën – në rastin e parë, sulmuesi kreu vetëvrasje pasi u rrethua nga policia.

A mund t’ju kërkojë një punëdhënës zviceran të provoni se nuk keni probleme me borxhet?

Disa kërkues pune në Zvicër janë ankuar se gjatë një procesi rekrutimi u është kërkuar të paraqesin një ekstrakt nga një zyrë përmbarimi borxhesh që vërteton se nuk ka pagesa të papaguara. Por a është kjo praktikë e ligjshme?

Media zvicerane ka raportuar se disa kandidatëve për punë u është kërkuar të paraqesin këtë dokument për të gjitha llojet e vendeve të punës – përfshirë edhe si makinist lokomotivash.

“Do ta kisha kuptuar këtë kërkesë për një pozicion si krupier në një kazino, por për shumë të tjerë, nuk ka kuptim”, tha një kërkues pune.

Pra, pyetja e qartë që lind këtu është: a lejohen kompanitë të kërkojnë këtë informacion?

Por së pari: Çfarë është saktësisht një ekstrakt nga një zyrë përmbarimi borxhesh?

Thënë thjesht, është një certifikatë zyrtare që deklaron nëse kundër jush janë hapur ndonjë procedurë përmbarimi borxhesh në pesë vitet e fundit.

Konkretisht, përmban informacion mbi çdo pagesë të papaguar që ju keni borxh, por nuk po e bëni, dhe kreditorët tuaj kanë nisur procedura ligjore kundër jush.

Megjithatë, nuk i rendit hipotekat tuaja ose kreditë e tjera që po i shlyeni.

Ky dokument mund të kërkohet në internet, kundrejt një pagese të vogël, nga zyra e mbledhjes së borxheve të kantonit tuaj (Betreibungsamt në gjermanisht, office des poursuites në frëngjisht dhe ufficio esecuzioni e fallimenti në italisht), shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Zakonisht kërkohet kur dëshironi të merrni me qira një apartament, të kërkoni hipotekë ose ndonjë lloj tjetër kredie dhe, nëse jeni i huaj, të aplikoni për natyralizim.

Në të gjitha rastet e mësipërme, të kesh probleme me ligjin për borxhe të papaguara është një pengesë për një përfundim të suksesshëm.

Po në lidhje me punësimin?

Nëse një kompani mund t’ju kërkojë ligjërisht të jepni certifikatën tuaj të borxhit varet nga lloji i punës për të cilën po aplikoni.

Është një kërkesë e vlefshme për punë që përfshijnë përgjegjësi financiare, për shembull.

Sipas David Raedler, një avokat i specializuar në të drejtën e punës, një dokument i tillë mund të kërkohet vetëm “në raste të caktuara, nëse lidhet drejtpërdrejt me pozicionin”.

Ai përmendi punë të tilla si kontabilist, bankier ose profesionist sigurimesh si shembuj se ku mund të nevojitet një dokument borxhi, “por jo si rregull i përgjithshëm”.

Megjithatë, kërkohet një ‘ekstrakt’ tjetër

Ndërsa detyrimi për të ofruar një dokument borxhi nuk është universal, punëdhënësit zviceranë mund – dhe e bëjnë – t’u kërkojnë të gjithë kandidatëve të përfshijnë një ekstrakt nga dosja e tyre penale (Strafreregisterauszüge/ carnet judicaire / Estratto del casellario giudiziale) në aplikimin e tyre.

Kjo vlen për të gjitha vendet e punës, në vend që të kufizohet vetëm në fusha të caktuara.

Në fakt, ekziston një listë e gjatë gjërash që punëdhënësit në Zvicër nuk mund t’u kërkojnë aplikantëve për punë – duke përfshirë jetën e tyre personale, historinë mjekësore, orientimin seksual, fenë dhe etninë.

Sipas Zyrës Federale të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Informacionit, “Punëdhënësit mund t’i kërkojnë një aplikanti vetëm informacionin dhe dokumentet e nevojshme për të përcaktuar nëse aplikanti i plotëson kërkesat për punën dhe është i përshtatshëm për biznesin. Nëse puna është si arkëtar, për shembull, një punëdhënës mund t’i pyesë aplikantët nëse ata janë dënuar ndonjëherë për një krim të pandershmërisë. Por t’i pyesësh sistematikisht kandidatët për dënimet e shlyera ose që nuk kanë lidhje me punën në fjalë do të ishte e tepërt.”

Me 145,000 nënshkrime, u dorëzua iniciativa zvicerane për financim të qëndrueshëm

Një iniciativë popullore zvicerane që kërkon një qendër financiare më të qëndrueshme është paraqitur me mbi 145,000 nënshkrime.

Bankat dhe aktorët e tjerë financiarë duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e klimës dhe natyrës, sipas një aleance politikanësh, biznesmenësh dhe OJQ-sh që qëndrojnë pas iniciativës.

Iniciativa popullore “për një qendër financiare zvicerane të qëndrueshme dhe me vizion” bën thirrje që të zbatohen rregulla të detyrueshme për aktivitetet financiare që paraqesin rreziqe klimatike dhe mjedisore.

Masat e marra deri më sot, zgjidhjet vullnetare dhe vetërregullimi nuk janë të mjaftueshme, sipas iniciatorëve, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në një njoftim për shtyp, ata theksojnë se qendra financiare zvicerane është përgjegjëse për një vëllim të emetimeve të CO2 që tejkalon shumë emetimet totale kombëtare. Kjo minon përpjekjet e vendit për të mbrojtur klimën.

Prandaj, flukset financiare duhet të ridrejtohen në mënyrë që të përshpejtohet kalimi në një ekonomi të qëndrueshme dhe të forcohet pozicioni i Zvicrës në planin afatgjatë.

Rregulla të tilla ekzistojnë tashmë në qendra të tjera financiare.

Katër të dyshuar të tjerë akuzohen në hetimin e zjarrit në Crans-Montana

Lista e personave të akuzuar në lidhje me tragjedinë e zjarrit në Crans-Montana në Zvicër është rritur në 13, me katër të dyshuar të tjerë që do të paraqiten para prokurorëve në maj dhe qershor.

Agjencia e lajmeve Keystone-ATS mësoi për zhvillimin nga një burim i afërt me çështjen.

Këshilltari aktual bashkiak përgjegjës për sigurinë për Crans-Montana është thirrur të paraqitet më 11 maj. Zëvendësdrejtori aktual i sigurisë publike të komunës do të merret në pyetje të nesërmen.

Jean-Claude Savoy, ish-president i komunës së Chermignon (2009-2016), do të duhet t’u përgjigjet pyetjeve nga grupi i prokurorëve dhe avokatëve më 13 maj. Së fundmi, ish-kryetari i bashkisë përgjegjës për sigurinë (2013-2016) është thirrur të paraqitet më 3 qershor, transmeton albinfo.ch.

Jacques Moretti, menaxher i barit Constellation, do të rishfaqet para hetimit më 5 qershor.

Të 13 të pandehurit akuzohen për vrasje nga pakujdesia, dëmtim trupor nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Aeroporti i Cyrihut fillon punimet për terminalin e ri të avionëve privatë

Aeroporti i Cyrihut ka filluar zyrtarisht punimet e ndërtimit të një terminali të ri për fluturime private dhe biznesi.

Projekti, i cili shfrytëzon zonën perëndimore të aeroportit, përfshin hangar, platformë, parkim dhe hapësirë ​​zyrash. Kostoja totale është rreth 100 milionë CHF.

Terminali do të ndërtohet në 16.8 hektarë për të zëvendësuar infrastrukturën ekzistuese dhe do të jetë funksional nga pranvera e vitit 2028, tregoi kompania e menaxhimit Flughafen Zürich, transmeton albinfo.ch.

Me këtë iniciativë, aeroporti synon të përmbushë një kërkesë në rritje.

Terminali i ri do të përfshijë gjithashtu hangarë të aftë për të akomoduar avionë të mëdhenj. Afërsia me heliportin do të lejojë gjithashtu kohë më të shkurtra ngarkimi.

Kjo kompani ajrore zvicerane anulon fluturimet për në SHBA dhe Oman

Linja ajrore zvicerane Edelweiss ka anuluar disa itinerare për në Shtetet e Bashkuara dhe Oman për shkak të kërkesës së reduktuar të pasagjerëve dhe rritjes së çmimeve të karburantit, të përkeqësuara nga situata gjeopolitike.

Në një deklaratë të lëshuar sot, linja ajrore zvicerane e pushimeve shpjegon se përshtatja ndikon veçanërisht në lidhjet me Amerikën e Veriut në orarin e verës.

Fluturimet për në Denver dhe Seattle janë eliminuar plotësisht, ndërsa në itinerarin për në Las Vegas frekuencat do të reduktohen në fund të pranverës dhe në vjeshtë, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Lidhjet për në Mascate dhe Salalah në Oman në Gadishullin Arabik do të anulohen gjithashtu në orarin e dimrit 2026/27.

Ndër arsyet kryesore për këto ndryshime, Edelweiss përmend pasojat e vazhdueshme të situatës gjeopolitike, me referencë të veçantë konfliktin në Lindjen e Mesme, i cili ndikon si në koston e karburantit ashtu edhe në kërkesën për disa destinacione në SHBA.

Pasagjerët që tashmë kanë bileta për fluturime të anuluara do të ridrejtohen në lidhje alternative, kryesisht brenda grupit Lufthansa, ose do të jenë në gjendje të marrin një rimbursim të plotë të çmimit të biletës së tyre.

KEDS-i dënohet me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar sot se e ka gjobitur me 30 mijë euro Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, si dhe e ka urdhëruar t’i dëmshpërblejë konsumatorët e dëmtuar, pasi ka gjetur se ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.

“Ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, Komisioni i saj Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të gjetjes dhe adresimit të çdo parregullsie, pas ankesave të pranuara nga konsumatorët të shumtë teksa u tha se analizat e deritanishme laboratorike, të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kanë vërtetuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar, transmeton albinfo.ch.

Zvicra do të fillojë më shumë shërbime hekurudhore drejt jugut të Francës

Për verën, Hekurudhat Federale Zvicerane do të ofrojnë shërbime të mëtejshme direkte për destinacione evropiane si Rimini, Aix-en-Provence dhe Marsejë.

Megjithatë, pasagjerët do të duhet të jenë të duruar, pasi punimet pritet të ndërpresin disa shërbime.

Shërbimet direkte TGV do të funksionojnë nga e enjtja deri të hënën në qytetet franceze të Avignon, Aix-en-Provence dhe Marsejë. Ato do të funksionojnë çdo ditë nga 27 qershori deri më 23 gusht.

Megjithatë, midis 27 korrikut dhe 16 gushtit 2026, për shkak të punimeve në La Plaine, kantoni i Gjenevës, TGV-të do të nisen dhe do të mbërrijnë vetëm në Annemasse, ku do të jetë e nevojshme të ndërrohen trenat, transmeton albinfo.ch.

Punime në linjën për në Itali

Nga fundi i majit deri në fillim të tetorit, një tren direkt do të lidhë Cyrihun me Rimini në Itali. Ashtu si në vitet e kaluara, RFI, menaxheri italian i infrastrukturës, do të kryejë punime në rrugën Simplon. “Si rezultat, nga 7 qershori deri më 26 korrik, trenat e EuroCity midis Gjenevës, Lozanës, Bazelit, Bernës dhe Milanos nuk do të funksionojnë, ose nuk do të funksionojnë drejtpërdrejt”, sipas njoftimit për shtyp.

Nga 26 qershori deri më 27 korrik, trenat RegioExpress midis Iselle di Trasquera dhe Domodossola do të anulohen gjithashtu. “Do të ofrohen autobusë zëvendësues”, thanë Hekurudhat Federale Zvicerane.

Operatori hekurudhor thekson se fundjavat e gjata, festat zyrtare dhe nisjet/mbërritjet gjatë festave janë periudhat më të njohura. “Prandaj, duhet të rezervoni paraprakisht për t’u siguruar që të merrni një vend me një çmim të mirë”.

Ndalimet e hyrjes në Zvicër u katërfishuan në vitin 2025

Policia federale zvicerane (Fedpol) lëshoi ​​614 ndalime hyrjeje në vend në vitin 2025, katër herë më shumë se në vitin e kaluar.

Shumica dërrmuese e këtyre (512) u lëshuan për arsye të lidhura me terrorizmin.

Kjo rritje është për shkak të të dhënave të ofruara nga Europol mbi anëtarët e Shtetit Islamik që jetojnë jashtë vendit, tha Fedpol në raportin e saj vjetor të enjten.

52 ndalime hyrjeje për spiunazh u lëshuan në vitin 2025, krahasuar me 34 në vitin 2024, raporton swissinfo. Në vitin 2022, një vit i shënuar nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe aktivitetet pasuese të spiunazhit të vendeve të ndryshme, u regjistruan 276 raste, transmeton albinfo.ch.

Për herë të parë, Fedpol lëshoi ​​një ndalim hyrjeje për ‘përhapje’ – transmetimin e armëve atomike ose mjetet për t’i prodhuar ato. Përveç kësaj, u lëshuan 45 ndalime për krim të organizuar dhe katër për ekstremizëm të dhunshëm.

Policia federale lëshoi ​​gjithashtu pesë dëbime në vitin 2025.

Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj

Kostot e strehimit për studentët janë rritur vitet e fundit, në përputhje me trendet që prekin grupet e tjera të popullsisë, sipas Anketës së re Sociale të Studentëve të publikuar të martën. Rritja ka qenë veçanërisht e theksuar në konviktet e studentëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë, numri i studentëve që raportojnë vështirësi financiare ka rënë pak. Pjesa e studentëve në punësim të paguar gjithashtu ka rënë pak.

Anketa Sociale e Studentëve është kryer që nga vitet 1970 dhe përfshin pyetësorë të dërguar të gjithë studentëve të regjistruar. Tani kryhet në internet. Në semestrin veror të vitit 2025, rreth 36,000 studentë – pak më shumë se një e dhjeta e totalit – e përfunduan anketën plotësisht, tha udhëheqësja e projektit Anna Dibiasi e Institutit për Studime të Avancuara (IHS) në një konferencë për shtyp.

Studentët shpenzojnë gati 590 euro në muaj për strehim

Studentët që nuk jetojnë me prindërit ose të afërmit e tyre, nuk ndjekin mësimin në distancë dhe kontribuojnë në kostot e strehimit të paguara mesatarisht prej 586 euro në muaj për strehim gjatë semestrit veror të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 7 përqind që nga viti 2023 dhe një rritje nominale prej 51 përqind krahasuar me vitin 2015. Të përshtatura për inflacionin, kostot e strehimit janë rritur vetëm pak që nga viti 2023 (0.3 përqind) dhe me 9 përqind që nga viti 2015.

Megjithatë, ka dallime të konsiderueshme. Një e katërta e studentëve paguajnë më pak se 400 euro në muaj. Gjysma paguan deri në 505 euro, ndërsa çereku më i lartë shpenzon më shumë se 700 euro në muaj. Mesatarisht, studentët ndajnë 38 përqind të buxhetit të tyre të përgjithshëm për strehim (2015: 36 përqind).

Lloji i strehimit është faktori vendimtar. Studentët që jetojnë vetëm (664 euro) ose me një partner (634 euro) paguajnë mesatarisht më shumë. Ata që jetojnë në apartamente të përbashkëta ose në konvikte të drejtuara nga ofrues jofitimprurës ose privatë paguajnë rreth 500 euro. Ndryshe nga llojet e tjera të strehimit, kostot e konvikteve janë rritur edhe pas inflacionit gjatë dy viteve të fundit (rritje prej 7 përqind). Që nga viti 2015, kostot e konvikteve janë rritur me 61 përqind nominalisht dhe 16 përqind në terma realë, kryesisht për shkak të numrit në rritje të operatorëve privatë, komercialë, raporton theinternational, transmeton albinfo.at.

Ministrja e Shkencës Eva-Maria Holzleitner (SPÖ) e përshkroi trendin si një “sinjal alarmi”. Programi qeveritar përfshin plane për të rifutur subvencionet e strehimit të studentëve, të cilat do të trajtohen në negociatat e ardhshme të buxhetit. Ajo nuk specifikoi një shifër. Megjithatë, Kryetarja e Unionit të Studentëve Selina Wienerroither (VSStÖ) përsëriti një kërkesë të mëparshme prej 50 milionë eurosh financim.

Më pak studentë raportojnë vështirësi financiare

Përtej kostove të strehimit, anketa tregon disa trende pozitive. Pjesa e studentëve që raportojnë vështirësi financiare ka rënë nga 29 në 25 përqind që nga anketa e fundit, megjithëse nivelet para krizës ende nuk janë arritur. Përqindja e studentëve të punësuar ka rënë pak në 68 përqind. Orët mesatare të punës kanë rënë gjithashtu në 20.2 orë në javë, krahasuar me 21 orë në vitin 2023 dhe 20.5 në vitin 2019 – afër nivelit të vitit 2015 prej 19.9 orësh.

Për të lehtësuar presionin financiar, ministria planifikon të prezantojë një vakt studentor të subvencionuar prej 5 eurosh në mensa universitare duke filluar nga semestri i ardhshëm i dimrit. Operatorët duhet të përmbushin standarde të caktuara cilësie. Programi fillimisht do të fillojë në vende të zgjedhura përpara se të zgjerohet.

Partia e Gjelbër i bëri thirrje Holzleitner të zbatojë angazhimet e saj, duke deklaruar se veprimet konkrete duhet të ndjekin të dhënat. Dhoma e Punës (AK) kërkoi një rritje të konsiderueshme të granteve studimore, të paktën mbi pragun e rrezikut të varfërisë. Grupi studentor AktionsGemeinschaft i lidhur me ÖVP bëri thirrje për rregullimin e pragjeve të të ardhurave për të drejtën për grante, aktualisht të vendosura në 17,212 euro në vit.

Këto kantone implementojnë kartat e pagesës për azilkërkuesit

Azilkërkuesit duhet të marrin paratë e ndihmës sociale si kredi në një kartë debiti dhe jo më në formën e parave të gatshme. Kjo kërkesë është shprehur nga pala borgjeze vitet e fundit në shumë kantone zvicerane. Në kantonin e Schwyz tani po bëhet realitet.

Deri në një vit më së voni, azilkërkuesit do të marrin afërsisht 14 franga të ndihmës sociale që u takon në ditë si shumë në një kartë pagese. Parlamenti kantonal i Schwyz miratoi një ligj përkatës të mërkurën.

Shumica borgjeze në parlament dhe qeveri duan të arrijnë që paratë e ndihmës sociale nga shteti të përdoren për të përballuar jetën e përditshme në Zvicër. Vetëm fraksioni SP/Të Gjelbërit e kundërshtoi atë. Ata e klasifikojnë rregulloren e re si diskriminuese.

“Kthimi në vendet e origjinës” duhet të parandalohet

Ashtu si me një kartë debiti të zakonshme, karta e pagesës mund të përdoret për të paguar ushqim në dyqane, për shembull. Një pjesë e parave duhet të vazhdojë të tërhiqet nga azilkërkuesit në para të gatshme, për shembull për bileta autobusi.

Megjithatë, transferimet e parave jashtë vendit nuk janë të mundura. Kjo ka për qëllim të parandalojë “në veçanti kthimin e ndihmës sociale dhe emergjente në vendet e origjinës së personave që kanë të drejtë”, sipas ligjit të ri të kantonit të Schwyz-it.

Në të ardhmen, personat me status mbrojtjeje S, si dhe personat e pranuar dhe të dëbuar përkohësisht, do të marrin gjithashtu paratë e tyre në kantonin e Schwyz-it me anë të një karte pagese.

Futja graduale në Zug

Karta për azilkërkuesit është gjithashtu një çështje e vendosur në kantonin e Zug-ut. Futja do të zgjasë gradualisht nga prilli i këtij viti deri në vitin 2028. Në kantonin e Neuchâtel-it, personat në sektorin e azilit marrin një kartë Postfinance për marrjen e ndihmës së tyre sociale, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Në kantonet e Aargau-t, Basel-Landschaft-it, Nidwalden-it, St. Gallen-it, Thurgau-t dhe Valais-it, propozimet për futjen e një karte pagese u miratuan në parlamente. Në Schaffhausen, një mocion përkatës i SVP-së mbi këtë temë është në pritje.

Nuk ka zgjidhje kombëtare

Në kantonet Basel-Stadt, Freiburg, Jura, Lucernë, Obwalden, Solothurn, Ticino dhe Cyrih, parlamentet përkatëse hodhën poshtë një rregullore në nivel kantonal. Debatet theksuan, ndër të tjera, se duhet të kërkohet një zgjidhje kombëtare.

Megjithatë, një zgjidhje kombëtare ka të ngjarë të jetë e vështirë. Vjeshtën e kaluar, bordi i konferencës së drejtorëve socialë të kantoneve kundërshtoi unanimisht futjen e një karte pagese. Abuzimi me ndihmën sociale për azil, tashmë shumë të ulët, është gjithashtu i mundur me kartën. Përveç kësaj, përpjekja financiare dhe administrative është e lartë.

Në një raport të publikuar korrikun e kaluar, Këshilli Federal deklaroi se juridiksioni u takon kantoneve. Lidhur me pagesën e parave të ndihmës sociale në sistemin e azilit, Zvicra do të vazhdojë të jetë një mozaik.

Distria e para e Evropës për herë të katërt

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi ka fituar për herë të katërt titullin e kampiones së Evropës, në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti francezen Amandine Buchard dhe me këtë fitore, Kosova për vitin e 14-të rresht fiton medalje në kampionate kontinentale.

Prej 26 medaljeve, dhjetë janë të arta.

Ditën e sotme, Distria e nisi me fitore ndaj çekes, Tereza Bodnarova, teksa në luftën e dytë, përkatësisht në çerekfinale, e kontrolloi luftën taktike ndaj polakes Aleksandra Kaleta.

Në gjysmëfinale e mposhti italianen, Odette Giuffrida, me të cilën u përball për herë të 13-të në karrierë.

Distria Krasniqi tani i ka nëntë fitore e katër humbje ndërsa ka fituar gjashtë luftërat e fundit.

Ndryshe, nesër garojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena.

Lufthansa nis shkurtime drastike, preken mbi 100 mijë punonjës, përfshirë Swiss

Grupi Lufthansa po ndërmerr një program të gjerë dhe të ashpër për uljen e kostove, i cili prek mbi 100 mijë punonjës në të gjithë kompaninë, përfshirë edhe linjën ajrore zvicerane Swiss, përcjell albinfo.ch.

Masat përfshijnë ngrirje të menjëhershme të punësimeve, ndalim të udhëtimeve të biznesit që përfshijnë qëndrime në hotele, si dhe reduktim të buxhetit për trajnime dhe aktivitete ekipore me rreth 10 për qind. Po ashtu, kompania nuk do të nënshkruajë kontrata të reja me konsulentë të jashtëm dhe planifikon të rishikojë çmimet, rrjetin e linjave dhe flotën e saj ajrore.

Sipas një emaili të brendshëm të menaxhmentit të Lufthansa-s, arsyeja kryesore për këto masa është “rritja e pasigurisë ekonomike”, e ndikuar nga faktorë si tensionet gjeopolitike dhe rritja e çmimeve të karburantit.

Swiss International Air Lines ka konfirmuar ekzistencën e dokumentit të brendshëm dhe faktin se edhe ajo preket nga këto masa. Megjithatë, një zëdhënës i kompanisë theksoi se nuk bëhet fjalë për informacione të reja thelbësore, por për masa që janë diskutuar më herët.

Linja ajrore zvicerane po përballet tashmë me presione të konsiderueshme financiare. Në vitin 2025, fitimi i saj ra me 26.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, janë parashikuar edhe shkurtime të stafit në mesin e ekuipazheve të kabinës, të shoqëruara me paketa kompensimi prej rreth 15,000 frangash zvicerane. /Albinfo.ch