Çfarë do të thotë për pasagjerët mbyllja e pistës në EuroAirport

Në Aeroportin EuroAirport Basel kanë nisur sot punime të gjera në pistën kryesore, e cila do të qëndrojë jashtë funksionit për disa javë. Mbyllja pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në udhëtimet ajrore dhe në oraret e fluturimeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve të aeroportit, pista 15/33 po rinovohet pasi ka qenë në përdorim intensiv për dekada dhe dëmtimet nuk mund të riparohen më vetëm pjesërisht. Për këtë arsye është vendosur që sipërfaqja të zëvendësohet tërësisht, një proces që do të kryhet më shpejt duke e mbyllur pistën plotësisht, në vend që punimet të bëhen gjatë operimit të përditshëm apo vetëm gjatë natës.

Pista kryesore do të mbetet e mbyllur nga 15 prilli deri më 20 maj 2026. Gjatë kësaj kohe, i gjithë trafiku ajror do të zhvendoset në pistën më të shkurtër 07/25, gjë që kufizon ndjeshëm kapacitetin e aeroportit.

Si pasojë, shumë linja ajrore do të anulojnë ose do të kufizojnë fluturimet e tyre. Aktualisht, vetëm kompania EasyJet do të vazhdojë operimet me një ofertë të reduktuar, duke shërbyer rreth 30 destinacione evropiane si Londra, Madridi, Hamburgu dhe Berlini. Trafiku i përgjithshëm i pasagjerëve pritet të bjerë në rreth 10% të nivelit normal.

Aeroporti mbetet i hapur, por me funksionim të reduktuar. Autoritetet parashikojnë një ulje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve gjatë vitit 2026, si dhe reduktim të shërbimeve në restorante, dyqane dhe transportin e aeroportit.

Ndryshime priten edhe për banorët e zonës përreth: megjithëse numri i fluturimeve do të ulet, disa komunitete mund të përjetojnë rrugë të reja të fluturimit dhe ndryshime në shpërndarjen e zhurmës ajrore, varësisht nga kushtet atmosferike./Albinfo.ch

Lufta në Lindjen e Mesme krijon pasiguri për industrinë zvicerane të orëve

Konflikti në Lindjen e Mesme ka krijuar pasiguri të madhe për prodhuesit zviceranë të orëve, duke vënë në provë një nga industritë më ikonike të vendit, e cila tashmë është përballur me disa kriza në vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

Sipas Elie Bernheim, drejtor ekzekutiv i prodhuesit të orëve Raymond Weil, situata aktuale në Lindjen e Mesme karakterizohet nga një nivel i lartë paparashikueshmërie.

Ai theksoi se zhvillimet në rajon mund të ndryshojnë nga dita në ditë, gjë që e bën shumë të vështirë parashikimin e ndikimit në treg.

“Gjithçka mund të ndryshojë nga një ditë në tjetrën, ne nuk kemi kontroll mbi situatën dhe mendoj se kjo është pjesa më destabilizuese,” u shpreh Bernheim.

Megjithatë, ai shtoi se në afat të gjatë industria zvicerane e prodhimit të orëve ka dëshmuar një qëndrueshmëri të madhe dhe aftësi për t’u përballur me sfida të ndryshme.

Për shkak të luftës me Iranin, të pasurit nga Dubai po kërkojnë strehim në Zvicër

Përshkallëzimi i konfliktit me Iranin po shtyn shumë persona të pasur nga Dubai të kërkojnë një vend më të sigurt për të jetuar dhe investuar. Zvicra, e njohur për stabilitetin politik dhe ekonomik, është kthyer në një nga destinacionet kryesore për ta, përcjell albinfo.ch.

Veçanërisht kantoni Zug po shihet si një magnet për të pasurit nga Dubai. Ky kanton tërheq investitorët dhe milionerët falë stabilitetit të vendit dhe normës së ulët të taksave, e cila konsiderohet më e ulëta në Zvicër.

Edhe pse nuk janë publikuar shifra të sakta për numrin e personave që kanë shprehur interesim për t’u zhvendosur, autoritetet lokale konfirmojnë se kërkesat janë në rritje.

Drejtori i Financave i kantonit Zug, Heinz Tännler, tha se është vërejtur një rritje e interesimit nga Dubai për t’u vendosur në këtë kanton.

“Sigurisht që na vjen keq për konfliktin, por duhet të pranojmë se Zug po përfiton nga kjo situatë”, u shpreh ai. /Albinfo.ch

BE nis pagesën e parë prej 61.8 milionë euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike

Bashkimi Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë euro për Kosovën, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, ky hap vjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve të lidhura me planin dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës.

“Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Parafinancimi përbën rreth 7% të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh, që Kosova pritet të përfitojë deri në fund të vitit 2027 në formë grantesh dhe kredish të favorshme.

Sipas BE-së, këto mjete do të mbështesin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe infrastrukturore të financuara përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Nga totali i parë, 28.74 milionë euro janë transferuar si kredi në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) do të kanalizohet përmes WBIF-it.

Në kuadër të Agjendës së Reformave, Kosova është zotuar për zbatimin e 111 hapave reformues në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen, zhvillimin ekonomik, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe kapitalin njerëzor.

Sipas afateve të përcaktuara, 13 hapa reformash duhet të përmbushen deri më 30 qershor 2026, me vlerë prej 90.8 milionë eurosh, ndërsa deri në fund të vitit janë paraparë edhe 27 hapa të tjerë me vlerë prej 165.9 milionë eurosh.

BE ka theksuar se disbursimi i fondeve do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të dakorduara, duke paralajmëruar se mjetet nuk do të paguhen në rast të mos-përmbushjes së tyre brenda afateve.

Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e ekonomisë së Kosovës me tregun e BE-së.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se vendi është i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive të ofruara nga plani evropian.

BE mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, ndërsa përmes këtij mekanizmi synohet përshpejtimi i reformave dhe integrimi më i afërt ekonomik i vendit me Bashkimin Evropian./Albinfo.ch

Arbër Bullakaj takohet me kryeministrin Kurti, diskutojnë integrimin dhe sukseset e mërgatës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin e ardhshëm në parlamentin federal të Zvicrës me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, i cili pritet të nisë mandatin e tij në fund të këtij muaji, transmeton albinfo.ch.

Kurti e ka falënderuar Bullakajn për vizitën dhe e ka uruar për zgjedhjen e tij si deputet në Parlamentin Federal të Zvicrës, duke u bërë, sipas njoftimit të Kryeministrisë, vetëm personi i dytë me rrënjë nga Kosova që fiton mandat në këtë institucion, pas Islam Alijajt.

Arbër Bullakaj është me origjinë nga Suhareka dhe është zhvendosur në Zvicër gjatë viteve ’90. Ai ka qenë aktiv në politikën zvicerane për më shumë se dy dekada.

Aktualisht, ai është anëtar i Këshillit federal të Partisë Socialdemokrate (SP), president i SP Migrante në kantonin e St. Gallen dhe kryetar i Komitetit të Iniciativës Demokratike për reformën e shtetësisë zvicerane.

Kjo iniciativë, e cila ka mbledhur mbi 100 mijë nënshkrime të vlefshme dhe është dorëzuar në parlament në nëntor të vitit 2024, synon lehtësimin e procesit të fitimit të shtetësisë zvicerane.

Gjatë takimit u diskutua për integrimin dhe sukseset e mërgatës shqiptare në Zvicër, si dhe për rolin e saj në zhvillimin e Kosovës.

Sipas njoftimit, palët kanë diskutuar gjithashtu mundësitë për bashkëpunim konkret në fushën politike, kulturore dhe ekonomike, si dhe forcimin e avokimit për Kosovën dhe krijimin e urave lidhëse ndërmjet dy vendeve. /Albinfo.ch

Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën

 

Kosovë: Vdesin dy fëmijë dhe babai nga shpërthimi i një bombole gazi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një qytet të Kosovës, në Malishevë, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, kanë humbur jetën dy fëmijë dhe babai i tyre, përcjell albinfo.ch.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka konfirmuar se viktimat janë dy fëmijë të moshës 9 dhe 12 vjeç, si dhe babai i tyre 35-vjeçar.

“Mund të konfirmoj që i kemi tre të vdekur. Dy fëmijët e moshës 9 dhe 12-vjeç dhe babai 35-vjeç”, ka deklaruar ai.

Graishta bëri të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rrethanave të shpërthimit.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me shkaqet e incidentit./Albinfo.ch

60 studentë në Tiranë marrin certifikatë nga EHL Lausanne, përgëzon Ambasada e Zvicrës

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka përgëzuar 60 studentëShkollës së Mesme Profesionale Hoteleri-Turizëm në Tiranë, të cilët kanë marrë me sukses Certifikatën e Nivelit Themelor (Foundation Level Certificate) nga institucioni prestigjioz zviceran Ecole Hôtelière de Lausanne (EHL), transmeton albinfo.ch.

Në njoftimin e saj, Ambasada shprehet krenare që ekselenca dhe prestigji i arsimit zviceran në hoteleri po sjellen edhe në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin e arsimit profesional dhe përgatitjen e të rinjve me aftësi cilësore për tregun e punës.

Ky bashkëpunim, sipas Ambasadës, është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026-2028, i cili ka për qëllim avancimin e arsimit profesional dhe ofrimin e aftësive të përshtatshme për sektorin e turizmit, një ndër fushat me potencial të madh zhvillimi në Shqipëri.

Ambasada e Zvicrës thekson se ky angazhim i përbashkët synon të përgatisë të rinjtë me standarde ndërkombëtare dhe të krijojë mundësi më të mira punësimi në industrinë e hotelerisë dhe turizmit./Albinfo.ch

Zvicra planifikon të kufizojë blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt

Qeveria zvicerane planifikon të ashpërsojë rregullat për blerjen e pasurive të paluajtshme nga shtetasit e huaj. Sipas një njoftimi të bërë të mërkurën, të huajt do të duhet të marrin një leje të posaçme përpara se të blejnë një shtëpi në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Kjo masë synon të ndihmojë në përballimin e mungesës së banesave në vend. Në këtë kuadër, autoritetet planifikojnë që qasja në blerjen e banesave kryesore për shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) – ku bëjnë pjesë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni – të jetë e mundur vetëm me autorizim të veçantë.

Gjithashtu, Këshilli Federal planifikon të ashpërsojë edhe rregullat për blerjen e shtëpive të pushimit. Kuotat vjetore që u jepen kantoneve për blerjen e këtyre pronave nga shtetas të vendeve të treta do të reduktohen.

Për më tepër, edhe shitjet e pasurive të paluajtshme ndërmjet shtetasve të huaj do t’i nënshtrohen një procedure autorizimi. Këto masa synojnë të kufizojnë presionin në tregun e banesave dhe të përmirësojnë qasjen e banorëve vendas në prona. /Albinfo.ch

Distria Krasniqi siguron medaljen evropiane, synon të artën

Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi, ka siguruar një tjetër medalje në Kampionatin Evropian për seniorë “European Senior Championships 2026”, duke u kualifikuar në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë, shkruan albinfo.ch.

Në gjysmëfinale, Distria zhvilloi një duel të fortë ndaj italianes Odette Giuffrida, të cilën e mposhti pas kohës shtesë me Yuko, duke siguruar kështu finalen dhe të paktën medaljen e argjendtë.

Me këtë rezultat, Krasniqi ka të garantuar një tjetër sukses për Kosovën, por synimi i saj mbetet i qartë: medalja e artë.

Në finale, Distria do të përballet me xhudisten franceze Amandine Buchard, në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare dhe me interes të madh për sportin kosovar.

Distria Krasniqi vazhdon kështu traditën e medaljeve për Kosovën në garat më të mëdha evropiane, duke dëshmuar edhe një herë formën e saj të lartë dhe potencialin për titull kampione Evropë. /Albinfo.ch

Çmimet e karburantit në Gjermani vazhdojnë të bien

Çmimet e karburanteve në Gjermani kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke u larguar nga niveli më i lartë i javës së kaluar. Pas shpërthimit të luftës me Iranin, çmimet kishin ndjekur vetëm një drejtim, rritjen, por tani trendi duket se ka filluar të ndryshojë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga ADAC, pas rritjes së çmimeve në mesditën e së mërkurës, një litër Super E10 kushtonte mesatarisht rreth 2.16 euro në nivel kombëtar, që është 1.6 cent më pak krahasuar me të njëjtën kohë një ditë më parë. Ndërkohë, nafta kishte rënë në 2.31 euro për litër, ose 4.7 cent më pak se 24 orë më parë, shkruan DW, transmeton KosovaPress.

Çmimi mesatar kombëtar më i ulët

ADAC bën të ditur se si para ashtu edhe pas rritjes së vetme të lejuar gjatë ditës në orën 12:00, çmimi mesatar kombëtar ishte më i ulët se një ditë më parë. Në veçanti, nafta ka shënuar ulje edhe në mesataren ditore kombëtare të së martës.

Edhe analiza e çmimeve e realizuar nga SWR arrin në përfundim të ngjashëm. Sipas saj, një litër benzinë super (E5) kushton mesatarisht 2.14 euro, ndërsa çmimi i E10 është rreth 2.08 euro për litër. Në rastin e naftës, çmimi mesatar është 2.25 euro.

Kjo analizë është bazuar në të dhënat e regjistruara nga rreth 1500 pika karburanti në Gjermani, të mbledhura në orën 13:00.

Vetëm një “korrigjim i parë” i çmimeve

Sipas ADAC, çmimet e karburanteve kanë rënë dukshëm nga kulmi i arritur rreth periudhës së Pashkëve. Megjithatë, klubi automobilistik e konsideron këtë ulje vetëm si një “korrigjim të parë”, pasi çmimet kishin pësuar rritje të fortë kohët e fundit.

ADAC paralajmëron se për shkak të pasigurisë që lidhet me konfliktin me Iranin, kjo rënie mund të jetë vetëm një lehtësim i përkohshëm, ndërsa situata në tregun e karburanteve mbetet ende e paqëndrueshme.

“Jemi larg nga një situatë alarmante, por ende nuk mund të flasim për stabilizim të plotë”, vlerëson ADAC./Albinfo.ch

Gjermania ul përkohësisht taksën për naftën dhe benzinën për dy muaj

 

Kosova nis sot garën në Evropianin e xhudos në Tbilisi, synon vazhdimin e traditës së medaljeve

Xhudistet e Kosovës e nisin sot garën në Kampionatin Evropian për seniorë, që po mbahet në Tbilisi, ku vendi ynë përfaqësohet me gjashtë garues dhe synon të vazhdojë traditën e medaljeve në këtë sport, përcjell albinfo.ch.

Ky kampionat zhvillohet nga 16 deri më 19 prill, duke mbledhur rreth 400 xhudistë nga 46 shtete evropiane, çka e bën një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vitit në arenën evropiane.

Në ditën e parë të garave, në tatami do të zbresin tri xhudistet kosovare: Erza Muminoviq në kategorinë -48 kg, si dhe Distria Krasniqi dhe Fatjona Kasapi në kategorinë -52 kg.

Këto kategori janë në programin e ditës së parë të Evropianit, duke e vendosur Kosovën menjëherë në fokus të garës dhe pritjeve për rezultate të rëndësishme.

Distria Krasniqi hyn në këtë kampionat si njëra ndër emrat më të fuqishëm të ekipit kosovar dhe me përvojë të madhe në arenën evropiane, ndërsa Muminoviq dhe Kasapi synojnë të bëjnë hapin e madh drejt medaljeve të para në nivelin senior.

Ndërkohë, pjesa tjetër e ekipit kosovar do të garojë në ditët në vijim, me synimin që Kosova të vazhdojë serinë e gjatë të medaljeve në Kampionatet Evropiane, duke konfirmuar edhe një herë suksesin e xhudos kosovare në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Kryediplomati bleg sot në Prishtinë, pritet nga Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në një takim zyrtar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 13:30, ndërsa mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në oborrin e Qeverisë para nisjes së këtij takimi.

Ndërkohë, kryediplomati belg ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të realizojë një vizitë në rajon, ku përfshihen Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sa i përket Shqipërisë, Prévot ka deklaruar se do ta vizitojë në një fazë tjetër, kur do të ketë, siç është shprehur ai, “kënaqësinë të hapë ambasadën belge në Tiranë”.

Vizita e tij në Kosovë vlerësohet si pjesë e angazhimit të Belgjikës për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor./Albinfo.ch

27 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

Sot shënohet 27-vjetori i Eksodit të shqiptarëve të Kosovës, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së re shqiptare, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan të shpërngulen me dhunë nga forcat paramilitare serbe drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton albinfo.ch.

Përveç të dëbuarve në këto dy shtete, mijëra qytetarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda Kosovës, duke kërkuar strehim në zona malore për t’i shpëtuar terrorit dhe dhunës.

Eksodi i vitit 1999 mori përmasa të jashtëzakonshme dhe u shoqërua me vuajtje të mëdha njerëzore. Mes të dëbuarve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, shumë prej tyre të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar, ndërsa familje të tëra u ndanë nga njëra-tjetra në kaosin e largimit.

Kulmi i dëbimeve ndodhi pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), kur regjimi serb intensifikoi spastrimin etnik në Kosovë.

Një moment i veçantë i kësaj drame u shënua më 27 mars 1999, kur në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova. Shumica ishin gra dhe fëmijë, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike, ndërsa shumë prej tyre kishin plagë të shkaktuara nga dhuna brutale e forcave serbe.

Refugjatët e parë ishin kryesisht banorë të fshatrave të zonës së Prizrenit, përfshirë Krushën e Madhe dhe Zymin, dhe fillimisht u strehuan në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.

Vetëm deri në mesnatën e 27 marsit, në Kukës mbërritën 12.721 kosovarë, ndërsa fluksi vazhdoi edhe ditën tjetër, më 28 mars, kur numri i të ardhurve arriti rreth 13 mijë.

Sipas dëshmive, refugjatët që hynin nga Morina kishin kaluar një trajtim çnjerëzor: ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe shpesh edhe zhveshur, ndërsa policia serbe u kishte marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë.

Përballë këtij fluksi të madh, Kukësi u shndërrua në një qendër të madhe strehimi. Përveç Pallatit të Kulturës, u hapën dyert e shkollave, çerdheve, kopshteve, magazinave dhe depove, ndërsa një pjesë e madhe e refugjatëve u sistemuan në familje kuksiane.

Në shumë raste, një familje në Kukës strehonte mesatarisht deri në 14 kosovarë, të cilët flinin në çdo hapësirë të mundshme të shtëpisë, duke dëshmuar solidaritet të rrallë dhe mikpritje shembullore.

Në fillim të javës mbërriti edhe karvani i dytë i të dëbuarve, me rreth 70 mijë kosovarë, të cilët u shpërndanë në qytet, në komunat përreth dhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Pavarësisht ndihmës së institucioneve, një rol vendimtar në përballimin e situatës pati populli shqiptar, që hapi dyert për vëllezërit e motrat nga Kosova, duke i pritur me dinjitet e humanizëm.

Për këtë arsye, 16 prilli shënohet në Kukës si Dita e Eksodit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që u bënë pjesë e një prej kapitujve më të mëdhenj të solidaritetit kombëtar.

Eksodi i vitit 1999 mbetet një plagë e rëndë e kujtesës historike, por edhe një dëshmi e fortë e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve në momentet më të vështira.

Nedim Berisha, profesionist i teknologjisë dhe kreativitetit digjital në Zvicër

Në kuadër të takimeve me profesionistët e mërgatës, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih mirëpriti Nedim Berisha, një emër i dalluar në fushën e informatikes dhe teknologjisë, i cili po ndërton një profil të qëndrueshëm profesional në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Me përvojë të gjerë në sisteme IT, mbështetje teknike dhe zhvillim të zgjidhjeve digjitale, Nedim Berisha ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm në fushën e teknologjisë, duke kontribuar në funksionimin dhe avancimin e sistemeve moderne të punës.

Paralelisht me angazhimin në IT, ai ka shfaqur talent dhe pasion edhe në fushën kreative, duke u angazhuar në fotografi, videografi dhe dizajn digjital. Ky kombinim i teknologjisë me kreativitetin e ka shtyrë të themelojë kompaninë e tij “NB Films”, përmes së cilës ka realizuar projekte të ndryshme profesionale dhe kreative.

Në kuadër të iniciativave inovative, Berisha ka zhvilluar gjithashtu projekte si “Stockolate”, duke dëshmuar vizion dhe ide të reja që i përgjigjen kohës së digjitalizimit.

Aktualisht, ai punon në një institucion arsimor, ku kontribuon në mirëmbajtjen e infrastrukturës IT, asistencën teknike dhe funksionimin e përditshëm të sistemeve teknologjike, duke qenë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe modernizimin e shërbimeve.

Përveç angazhimit profesional, Nedim Berisha është i përfshirë edhe në aktivitete vullnetare, duke reflektuar frymën e përgjegjësisë qytetare dhe gatishmërinë për të kontribuar në komunitet.

Profili i tij përfaqëson një shembull të qartë të suksesit të mërgatës shqiptare në Zvicër, ku profesionalizmi, inovacioni dhe përkushtimi ndërthuren për të krijuar ndikim pozitiv në shoqëri./Albinfo.ch

Konsulli i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha

Arbër Aruqi diplomon në Akademinë Mbretërore Sandhurst

Është mbajtur Parada SovraneAkademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, ku Oficer Kadeti Arbër Aruqi përfundoi me sukses trajnimin e tij në Royal Military Academy Sandhurst, transmeton albinfo.ch.

Kadeti Aruqi, gjatë këtij rrugëtimi të rëndësishëm profesional, dëshmoi përkushtim dhe disiplinë, duke reflektuar njëkohësisht angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për ndërtimin e një ushtrie moderne, të përgatitur dhe të trajnuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Edhe diplomatja kosovare Arta Qehaja pati nderin dhe krenarinë të marrë pjesë në diplomimin e oficerit kosovarë në një nga akademitë më prestigjioze ushtarake në botë përfaqëson jo vetëm arritje individuale, por edhe një sinjal të qartë të avancimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Pjesëmarrja dhe diplomimi i oficerëve të Kosovës në Sandhurst konsiderohet gjithashtu dëshmi e besimit dhe respektit që partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të kenë ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj të mbrojtjes dhe sigurisë./Albinfo.ch

Forbes prezanton Betim Djambazin, shqiptarin nga Zvicra që po ndërton robotët e së ardhmes

Revista prestigjioze Forbes ka publikuar profile suksesi të figurave të reja dhe inovative, ku ndër emrat e përzgjedhur është edhe shqiptari Betim Djambazi, një nga bashkëthemeluesit e kompanisë teknologjike RoBoa, transmeton albinfo.ch.

RoBoa u themelua në vitin 2025 si një spin-off i ETH Zürich, një nga universitetet më të njohura në botë për shkencë dhe teknologji. Kompania u krijua nga katër bashkëthemelues: Alexander Kübler (CEO), Betim Djambazi (CCO), Pascal Auf der Maur (CTO) dhe Nicolas Aymon (COO).

RoBoa po zhvillon robotë të avancuar që mund të operojnë në ambiente të rrezikshme dhe të vështira për t’u arritur. Një nga përdorimet më të rëndësishme të këtyre robotëve është në situata emergjente, si pas tërmeteve, ku ata mund të futen në rrënoja për të kërkuar të mbijetuar.

Përveç fushës së kërkim-shpëtimit, teknologjia e RoBoa po gjen aplikim edhe në sektorin industrial. Robotët e kompanisë mund të ndihmojnë në mirëmbajtjen e impianteve dhe të identifikojnë probleme potenciale në fazat e hershme, duke rritur sigurinë dhe duke ulur kostot.

Në mesazhin që shoqëron profilin e tij, Djambazi thekson se suksesi në teknologji kërkon më shumë sesa njohuri profesionale.

“Inovacioni lind kur kapërcehen barrierat, si teknike ashtu edhe personale,” është mesazhi që ai përcjell, duke reflektuar qartë filozofinë e tij të punës dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të zgjidhjeve me ndikim real./Albinfo.ch

Forbes

 

Migros shkurton vende pune, dhjetëra punonjës të prekur

Migros Supermarkt AG ka shkurtuar papritur vende pune në departamentin e marketingut dhe komunikimit, duke prekur 25 punonjës. Sipas raportimeve, rreth 20 pozita me kohë të plotë janë eliminuar, duke prekur më shumë se 10% të këtij departamenti.

Largime të papritura

Lajmi për largimet është dhënë në një afat shumë të shkurtër, duke zënë në befasi shumë nga të punësuarit. Sipas burimeve, disa punonjës nuk kanë pritur pushime nga puna, por vetëm një përditësim mbi projektet e brendshme të kompanisë.

Vetëm pak muaj më parë, Migros kishte deklaruar se nuk priteshin shkurtime të mëtejshme të vendeve të punës në kuadër të një projekti të brendshëm.

Ristrukturim i vazhdueshëm

Migros konfirmon shkurtime e fundit dhe i përshkruan ato si një riorganizim të pavarur nga programet e mëparshme të kursimit dhe ristrukturimit. Megjithatë, kompania nuk ka dhënë detaje nëse do të ketë edhe shkurtime të tjera në të ardhmen.

Ky hap vjen si pjesë e një procesi më të gjatë transformimi, ku që nga viti 2024 kompania ka shitur ose mbyllur disa njësi biznesi dhe ka reduktuar stafin:

Shkurt 2024: njoftohet shitja e disa divizioneve, me rreth 1500 vende pune të prekura

Maj 2024: 150 punonjës në selinë e Limmatplatz marrin njoftim për largim

Qershor 2024: shkurtohen edhe 415 vende pune

Shkurt 2025: mbyllen dyqanet DIY, mbi 600 vende të prekura

Janar 2026: mbyllet libraria Ex Libris, me 230 punonjës të prekur

Vazhdon pasiguria

Megjithëse Migros ka folur më herët për rritje dhe krijim vendesh të reja pune, zhvillimet e fundit tregojnë se procesi i ristrukturimit ende nuk ka përfunduar.

Rritje e ndjeshme e rasteve të pickimeve nga rriqrat në Zvicër 

Në Zvicër është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të pickimeve nga rriqrat. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania e sigurimeve të aksidenteve Suva, për vitin 2025 janë regjistruar gati 18,000 raste të tilla, që përbën nivelin më të lartë që nga viti 2020.

Suva thekson se ndërmjet viteve 2005 dhe 2009 ishin regjistruar rreth 9,000 raste në vit, ndërsa nga viti 2020 deri në 2024 ky numër është rritur në mbi 14,000 raste në vit. Në Zvicër, pickimi nga rriqrat konsiderohet ligjërisht si aksident, prandaj shpenzimet mbulohen nga sigurimi i aksidenteve, transmeton albinfo.ch.

Rriqrat mund të transmetojnë sëmundje të rënda, si borrelioza (Lyme) dhe encefaliti i shkaktuar nga rriqrat (TBE). Sipas Suva-s, mesatarisht çdo vit rreth tetë persona përfundojnë me pension invaliditeti si pasojë e komplikimeve nga pickimet e rriqrave, ndërsa çdo pesë vjet regjistrohet edhe një rast vdekjeje.

Sipas autoriteteve shëndetësore, mbi 90% e pickimeve ndodhin gjatë aktiviteteve të kohës së lirë, kryesisht në periudhën maj–korrik.

Suva e lidh rritjen e rasteve me ndryshimet klimatike. Temperaturat më të buta po zgjasin periudhën e aktivitetit të rriqrave dhe po favorizojnë përhapjen e tyre, duke bërë që këta parazitë të jenë aktivë pothuajse gjatë gjithë vitit.

Në fillim të këtij viti, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), janë regjistruar mbi 200 raste të borreliozës dhe gjashtë raste të encefalitit të shkaktuar nga rriqrat gjatë muajve janar dhe shkurt, ndërsa të dhënat për mars dhe prill ende nuk janë publikuar.

Studim: Chatbot-et e inteligjencës artificiale shpesh japin këshilla të pasakta për shëndetin

Një studim i fundit ka treguar se disa nga chatbot-et më të përdorur të inteligjencës artificiale shpesh ofrojnë përgjigje problematike kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore dhe mjekësore.

Sipas kërkimit të publikuar në BMJ Open, studiuesit analizuan pesë platforma të njohura duke u bërë 50 pyetje në fusha ku përhapja e dezinformimit është e lartë. Këto fusha përfshinin kancerin, vaksinat, qelizat staminale, ushqyerjen dhe performancën sportive. Pyetjet ishin formuluar në mënyrë që të testonin nëse chatbot-et do të jepnin përgjigje të gabuara.

Rezultatet treguan se nga 250 përgjigje në total, gati gjysma (49.6%) u konsideruan problematike. Rreth 30% ishin pjesërisht problematike, ndërsa 19.6% u vlerësuan si shumë problematike. Nuk u vërejtën dallime të mëdha mes chatbot-eve, megjithëse njëri prej tyre rezultoi me më shumë përgjigje seriozisht të pasakta.

Studimi zbuloi se chatbot-et performuan më mirë në pyetjet lidhur me vaksinat dhe kancerin, ndërsa dolën më dobët në temat si qelizat staminale, ushqyerja dhe performanca atletike. Gjithashtu, pyetjet e hapura çuan më shpesh në përgjigje të pasakta krahasuar me ato të strukturuara.

Një tjetër problem i identifikuar ishte cilësia e dobët e referencave. Edhe pse chatbot-et ofruan shumicën e burimeve të kërkuara, ato shpesh ishin të paplota ose jo plotësisht të sakta. Në asnjë rast nuk u arrit një listë referencash e plotë dhe e besueshme.

Për më tepër, përgjigjet e dhëna rezultuan të vështira për t’u kuptuar nga publiku i gjerë, duke kërkuar nivel më të lartë arsimimi për t’u interpretuar saktë.

Autorët e studimit paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i këtyre mjeteve në fushën e shëndetësisë mund të rrisë rrezikun e përhapjes së dezinformimit.

Magyar paralajmëron pezullimin e lajmeve në mediat shtetërore në Hungari

Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka njoftuar se do të ndalojë përkohësisht transmetimin e lajmeve në mediat shtetërore, pas akuzave për përhapje propagande dhe informacionesh të rreme gjatë fushatës zgjedhore.

Deklarata e tij erdhi pas një përplasjeje në një intervistë televizive, ku ai kritikoi ashpër rolin e mediave publike, duke thënë se ato kanë funksionuar si një makineri manipulimi dhe kanë shpërndarë lajme të pavërteta për të dhe familjen e tij.

Magyar theksoi se këto media duhet të reformohen rrënjësisht për t’u kthyer në institucione të pavarura dhe të paanshme. Ai madje e krahasoi situatën me propagandën në Koreja e Veriut, duke pretenduar se prej vitit 2010 nuk është transmetuar informacion i saktë. Nga ana tjetër, zyrtarët e transmetuesit shtetëror i kanë mohuar këto akuza.

Në një deklarim për radion shtetërore Kossuth, ai u shpreh se synon të rikthejë lirinë e mediave dhe të ndërtojë një sistem të ri rregullator. Sipas tij, qytetarët hungarezë meritojnë një media publike që informon drejt dhe me përgjegjësi.

Ai shtoi se miratimi i një ligji të ri për median dhe krijimi i një autoriteti të ri do të kërkojë kohë. Deri atëherë, pas formimit të qeverisë së Tisza-s, transmetimet informative do të pezullohen përkohësisht, derisa mediat publike të rikthejnë standardet profesionale.

Shkolla shqipe drejt hapjes në Bolonjë të Italisë, një hap i ri për diasporën

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-ministër i Brendshëm, Taulant Balla, zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në rajonin Emilia Romagna të Italisë, ku u diskutua roli i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe lidhjeve me atdheun.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues aktivë të komunitetit si Astrit Poti, Eva Baçi dhe Dorina Merdini, të cilët u vlerësuan për kontributin e tyre në mbështetje të shqiptarëve në këtë zonë, transmeton albinfo.ch.

Vëmendja kryesore u përqendrua te arsimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe tek fëmijët e diasporës. Në këtë kuadër u bë e ditur se në fillim të qershorit pritet të promovohet hapja e një shkolle shqipe në qytetin e Bolonjës.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e identitetit kulturor të shqiptarëve jashtë vendit dhe për thellimin e bashkëpunimit me institucionet shqiptare.

Rriten shkeljet e të miturve në trafik në kantonin e Cyrihut, sidomos me trotinetë elektrikë

Në kantonin e Cyrihut, kriminaliteti i të rinjve ka rënë vitin e kaluar, por një trend shqetësues po rritet: gjithnjë e më shumë të rinj po kryejnë shkelje në trafik.

Sipas të dhënave të autoriteteve, në vitin 2025 rreth 30% e të miturve të moshës 10 deri 17 vjeç janë dënuar për shkelje të rregullave të trafikut. Krahasuar me vitin 2023, kjo përfaqëson një rritje prej 17%.

Prokurorja për të mitur në Cyrih, Anne-Catherine Hatt, thotë se rritja lidhet kryesisht me përdorimin e pajisjeve të reja në modë, si trotinetët elektrikë dhe motoçikletat elektrike. Sipas saj, shumë të rinj nuk janë të vetëdijshëm se po shkelin ligjin kur i përdorin këto mjete pa plotësuar kushtet e moshës.

Në Zvicër, e-trotinetët lejohen vetëm nga mosha 16 vjeç, ndërsa nga mosha 14 vjeç vetëm nëse është kaluar testi për motoçikletë të lehtë.

Po ashtu, shumë të rinj i modifikojnë këto mjete për të arritur shpejtësi shumë të larta. Zyrtarët raportojnë raste ku shpejtësia arrin 40 deri 50 km/h, ndërsa në disa raste edhe deri në 100 km/h. Këto modifikime shpesh bëhen me ndihmën e udhëzimeve online.

Sipas prokurores Hatt, problemi shtohet edhe nga fakti se dyqanet nuk e theksojnë gjithmonë qartë kufirin e moshës apo rregullat e përdorimit. Shumë prej shkeljeve ndodhin me mjete personale, shpesh të blera nga prindërit pa dijeni për kufizimet ligjore.

Personat që kapen për herë të parë zakonisht marrin vetëm një paralajmërim. Në rast përsëritjeje, ata thirren nga autoritetet për të vlerësuar masat parandaluese, të cilat shpesh përfshijnë punë në komunitet.

Në rastet më të rënda, sidomos kur të miturit përdorin automjete të prindërve, mund të shqiptohen dënime më të ashpra. Autoritetet paralajmërojnë se disa të rinj testojnë automjetet në shpejtësi mbi 200 km/h, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e madh që paraqesin për veten dhe të tjerët.