Integrimi

Dr. Florim Cuculi: Zvicra është një parajsë për t`u shkolluar

Florim Cuculi, kardiolog në Spitalin Kantonal të Lucernit në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka folur për mundësitë që i ka ofruar Zvicra për t’u bërë kardiolog i suksesshëm

„Zvicra është parajsë për tu shkolluar, ky është një shans jashtëzakonisht i madh“, dekalaron Cuculi.

Doktori ka të bërë një krahasim të pozitës së bashkëkombësve të tij me kohën kur kishte studiuar dhe tani. „Unë u rrita këtu si shqiptar në kohën kur reputacioni i shqiptarëve ishte katastrofal“, thotë në këtë intervistë kardiologu Cuculi, i cili këtyre ditëve iu bashkua ekpit të profesorëve në Basel, ku edhe kishte përfunduar studimet e mjekësisë.

Albinfo.ch: Keni emigruar në moshën 14 vjeçare në Zvicër. Si e kujtoni atë kohë, sa vështirë ka qenë për një të ri të huaj të integrohet dhe të rifillojë nga e para në një vend tjetër?

Dr.Florim Cuculi: Unë erdha në vitin 1991 në Zvicër si 14 vjeçar. Edhe pse në Maqedoni nuk kishte ende trazira, prindërit e vlerësuan të arsyeshme që unë të vija në Zvicër. Babai punonte këtu në ndërtimtari dhe pasi që atë vit e mori lejen e qëndrimit B, kishte mundësi për bashkim familjar. Fillimi në Zvicër ishte i vështirë por unë isha i motivuar pa masë. Vi nga një familje tepër modeste. Nëna ime nuk e pati fatin të shkonte në shkollë për shkak se ishte vajzë. Ajo, shkrimin dhe leximin e mësoi bashkë me mua. Unë desha të arrij më shumë se prindërit e mi dhe që në ditën e parë në Zvicër kam punuar maksimalisht.

Abinfo.ch: Nuk e keni ditur asnjë fjalë gjermanisht, si depërtuat prej shkollës fillore (Realschule) në shkollën kantonale?

Dr.Florim Cuculi: Në shkollën reale isha vetëm 1 ditë. Mësuesi zbuloi që isha tepër i interesuar dhe pas një bisede të shkurtër në gjuhën frënge, të cilën e njihja goxha mirë, dhe një detyre të matematikës që duhej ta zgjidhja, ai më transferoi në shkollën sekondare. Pastaj mësova shpejt gjermanisht dhe u transferova ne Bezirksschule dhe Kantonsschule. Dhe nuk u ndala më kurrë, deri sot.

Albinfo.ch: A i kanë të gjithë në Zvicër shanset e njëjta të shkollimit? Keni deklaruar se vendi të ka ofruar shumë mundësi shkollimi?

Dr.Florim Cuculi: Zvicra është parajsë për tu shkolluar, ky është një shans jashtëzakonisht i madh. Që të bëhesh mjek, në Amerikë apo në Angli të duhet përkrahje e madhe financiare ose duhet të marrësh borxhe deri 200 mijë franga. Në Zvicër arsimi është gratis me një kualitet të mirë. Shanset që i ofron vendi duhet shfrytëzuar. Unë jam i bindur që nuk ka diskriminim në përmasa të mëdha. Nuk them që nuk ka raste të tilla por në përgjithesi unë personalisht kam përjetuar trajtim korrekt që në ditën e parë këtu.

Albinfo.ch: A mendoni se të gjithë nuk janë të njoftuar me mundësitë që ofron Zvicra në shkollimin e të rinjve?

Dr.Florim Cuculi: Në kohën kur unë isha fëmijë, ishte vështirë të besosh që si shqiptar këtu mund të arrish diçka për shkak se nuk kishte shembuj. Por tanimë kjo ka ndryshuar. Ka shumë shqiptarë të edukuar në të gjithë lëmenjtë, të gjithë mund ta shohin që mund të arrish. Nuk besoj që mungon informata.

Albinfo.ch: Gjithmonë ke menduar për të studiuar mjekësinë, ka qenë dëshirë e jotja apo e prindërve?

Dr.Florim Cuculi:  Dëshiroja të bëhem mjek që në moshën 10 vjeçare apo ndoshta edhe më herët. Nuk e di pse por më pëlqente ky profesion. Nuk kishim as shembuj familjarë sepse rrjedh me të vërtete nga një familje ku nuk ishte normale të mbërrish deri në fakultet. Vetëm një kushëri i babit ishte shembull për mua, ai ishte avokat: Numan Limani nga Shkupi. Bile gëzohesha kur na vizitonte ai edhe më bënte pyetje për gjeografi, histori dhe matematikë. Pastaj, kur në shkollën e mesme në lëndën e biologjisë fillova të mësoj më thellë për trupin e njeriut, dëshira për tu bërë mjek u përforcua shumë. Normalisht që prindërve, sidomos mamit, i pëlqente ideja të bëhem mjek. T’ju tregoj drejtë, në rast se njëri nga djemtë e mi, Joni apo Dioni, duan të bëhen mjek, do të gëzohesha tepër. Por e shohim, kanë edhe pak kohë.

Albinfo.ch: Më herët keni shkruar për gazeta. A mos jeni penduar që jeni bërë kardiolog?

Dr.Florim Cuculi: Si fëmijë kisha dëshirë të lexoj dhe të shkruaj. Më kanë impresionuar poetë të ndryshëm, sidomos Migjeni. Shpërngulja nga vendlindja me emocionoi shumë, më stimuloi të shkruaj. Dhe si 15-16 vjeçar shkruaja shumë edhe fillova t’i publikoj poezitë në gazetën „Rilindja“ e cila botohej në Zvicër. Pastaj ishte lufta në Bosnjë, në Kosovë – kjo më pikëllonte tepër. E unë këtë e përpunoja duke shkruar. Por në vitin 1998 u regjistrova në mjekësi dhe u fokusova tepër në studime dhe disi u largova nga shkrimet. Para disa viteve u mundova t’i kthehem poezisë por dështova – dhe që atëherë më nuk kam tentuar. „Me ide difuze dhe fjalë të përzgjedhura tentoj kthimin në gjirin e fjalës së shkruar, më mungojnë fjalët. Përdor fjalor. Gjuha e Goethes kërcenon të zëvendësojë gjuhën e Naimit. Çka ndodhi me mua, çka ndodhi me ne“

Albinfo.ch:  A mund t’i ndani pasionin nga profesioni?

Dr.Florim Cuculi: Mjekësia në përgjithësi është fushë racionale, e bazuar në fakte. Unë jam edhe shkencëtar, dmth duhet të jem preciz dhe të punoj me kokë e jo me emocione. Por njëkohësisht kam të bëj me njerëz çdo ditë, me jetë dhe vdekje. Në asnjë profesion nuk je i konfrontuar kaq shpesh me fundin e jetës si në profesionin tim. Dhe për këto momente është mirë të jesh me shpirtin e poetit. Të ndihmon të jesh mjek më i mirë sepse pacientin e ndihmon disa herë edhe me anën emocionale.

Albinfo.ch: Çfarë i ka dhënë Zvicra dhe çfarë i ka dhënë Maqedonia Florimit?

Dr Florim Cuculi: Ahh… pyetje e vështirë, ndoshta më e vështira. Unë jam lindur atje por pasaporta e Maqedonisë nuk zgjon emocione te unë. Kur luan skuadra e Maqedonise futboll unë mbetem i ftohtë. Maqedonia mua si shqiptar më trajton si një njerkë e keqe. A do të isha i pikëlluar në rast se Maqedonia nuk do të ekzistonte më? Jo, aspak. A e dua Zvicrën më shumë se Maqedoninë? Po, patjeter. Zvicra më ka dhënë të gjithë mundësitë, jam edukuar, nuk më kanë diskriminuar, më kanë përkrahur me bursa. Ndaj shtetit maqedonas kam vetem kujtime negative. Ata na e sllavizuan edhe mbiemrin në Cuculoski, ata i kanë burgosur familjarët e mi për një kasetë me këngë patriotike. Ata nuk na lejonin në vitin 1991 të kemi gjimnazin shqip. As sot shteti maqedonas nuk i trajton shqiptarët si duhet.

Albinfo.ch: Kardiologu Florim Cuculi, një emër tashmë i njohur në spitalin kantonal të Luzernit në Zvicër, tash e tutje do të ligjërojë edhe si docent privat (associate profesor) në Universitetin e Bazelit. Si arritët deri këtu?

Dr.Florim Cuculi: Eshtë rrugë e gjatë por jo e rastit. Që kur kreva fakultetin më 2004 qëllimi ishte që para se t`i bëj 40 vjet të jem në një pozicion udhëheqës në anën klinike dhe të jem docent privat. Kryemjek (Leitender Arzt) u bëra me 38 vjet, privat docent me 39 vjet. Domethënë gjithçka ashtu si e kam paramenduar, për këtë jam tepër i lumtur. Eshtë dashur normalisht punë, punime shkencore, orë të tëra nate pa fjetur etj. etj. Por kur arrihet qëllimi, është kënaqesi.

Albinfo.ch: A jeni përballur me vështirësi si një mjek me origjinë të huaj dhe mos keni hasur ndonjëherë në trajtimin me inferioritet nga vendësit?

Dr.Florim Cuculi: Do të genjeja sikur të thosha që tërë kohën kam qenë i balancuar pa ndjenjë inferioriteti. Unë u rrita ketu si shqiptar në kohën kur reputacioni i shqiptarëve ishte katastrofal. Por besoj që i kam tejkaluar të gjitha. Nuk e kam aspak problem të flas në gjuhen shqipe kudo që jam, në spital apo në një shitore. Nuk kam problem të deklarohem shqiptar. Dhe këtu dua të jem shembull edhe për gjitë ata që kanë disi frikë të përdorin gjuhën shqipe. Por unë nuk kam hasur sistematikisht në diskriminim nga zviceranët, kjo duhet përshëndetur. Personalisht kam qenë i trajtuar shumë mirë këtu, sidomos në universitet dhe në spitalet ku kam punuar.

Albinfo.ch: Keni qëndruar 3 vjet në klinikën me renome Oxford Heart Centre në Angli, Çfarë përvojash sollët nga atje?

Dr.Florim Cuculi: Unë e pata fatin të më pranojnë për specializim në kardiologji invazive ne Oxford. Ishte një eksperiencë tepër e mirë. Atje e mësova intervenimin nga qasja radiale (dmth. Koronarografia dhe stentimi nga dora), atje bëra studime të rëndësishme që janë publikuar në zhurnalet më prestigjioze në botë. Kur u ktheva në Luzern nuk bëheshin aspak intervenime nga dora. Sot i bëjmë 95 %. Unë në Luzern po ashtu reformova trajtimin e infarktit të zemrës. Sot mesatarisht koha nga arritja e pacientit me infarkt në spital deri në momentin kur hapet arteria e mbyllur zgjat më pak se 30 minuta, që është një kohë rekord në gjithë Zvicrën.

Albinfo.ch: Jeni të gatshëm të kontribuoni me eksperienecën tuaj në vendin e origjinës?

Dr.Florim Cuculi: Patjetër. Por unë jam i zënë me punë dhe iniciativa duhet të vijë nga vendlindja. Unë kam bërë disa vizita pune në QKUK (Prishtinë) dhe do të jem i gatshëm çdoherë të ndihmoj atje, nuk ka aspak dyshim.

Albinfo.ch: Keni bërë shumë hulumtime shkencore në kardilogji, doktor Cuculi në çka jeni të profilizuar?

Dr. Florim Cuculi: Tema kryesore shkencore ka qenë trajtimi i infarktit të zemrës dhe optimizimi i terapisë. Aktualisht merrem po ashtu shumë me stentat biorezorbues dhe jam i thirrur vazhdimisht të referoj për këtë temë në gjithë botën. Në nëntor do të jem në një konferencë në Krakov kurse në dhjetor do të referoj në Athinë.

Albinfo.ch: A keni një këshillë për studentët e mjeksisë dhe mjekët e rinj? / Cila është sakrifica njerëzore që bën një mjek?

Dr.Florim Cuculi: I këshilloj që ta konsiderojnë privilegj të madh faktin që duan të bëhen mjek. Sipas mendimit tim është profesioni më i mirë. Eshtë tepër i vështirë, kërkon shumë nga ne, mirëpo të jep kënaqësinë më të madhe. Por të jesh mjek domethënë të punosh edhe natën apo vikendet, të bësh ballë që do konfrontohesh me vdekjen e një pacienti të dashur etj. Këto janë sfida që duhet përballur.

Albinfo.ch: Shpesh jeni deklaruar lidhur me situatën e popullatës me prejardhje shqiptare që jeton në Zvicër. Si e shihni atë sot?

Dr.Florim Cuculi: Popullata shqiptare në Zvicër është shumë e madhe. Ne duhet të mbetemi shqiptarë por njëkohësisht të integrohemi në çdo sferë të jetes këtu. Kjo nuk është e lehtë por arrihet. Mirë është të jemi të organizuar, të ndihmojmë njeri-tjetrin duke i hapur dyert, duke këshilluar njëri-tjetrin. Unë i marr shembull çdo herë hebrenjtë e shteteve të bashkuara. Ata janë amerikanë të zellshëm por njekohësisht shtylla më e fortë e Izraelit.

Poeti që u bë mjek

Si 15-16 vjeçar shkruaja shumë edhe fillova t’i publikoj poezitë në gazetën „Rilindja“ e cila botohej në Zvicër. Pastaj ishte lufta në Bosnjë, në Kosovë – kjo më pikëllonte tepër. E unë këtë e përpunoja duke shkruar. Por në vitin 1998 u regjistrova në mjekësi dhe u fokusova tepër në studime dhe disi u largova nga shkrimet. Para disa viteve u mundova t’i kthehem poezisë por dështova – dhe që atëherë më nuk kam tentuar. „Me ide difuze dhe fjalë të përzgjedhura tentoj kthimin në gjirin e fjalës së shkruar, më mungojnë fjalët. Përdor fjalor. Gjuha e Goethes kërcenon të zëvendësojë gjuhën e Naimit. Çka ndodhi me mua, çka ndodhi me ne“

Zvicra të ofron mundësitë ideale për shkollim

Që të bëhesh mjek, në Amerikë apo në Angli të duhet përkrahje e madhe financiare ose duhet të marrësh borxhe deri 200 mijë franga. Në Zvicër arsimi është gratis me një kualitet të mirë. Shanset që i ofron vendi duhet shfrytëzuar. Unë jam i bindur që nuk ka diskriminim në përmasa të mëdha. Nuk them që nuk ka raste të tilla por në përgjithesi unë personalisht kam përjetuar trajtim korrekt që në ditën e parë këtu.

Trajtimi i arteries nga dr. Cuculi, rekord në Zvicër

Unë e pata fatin të më pranojnë për specializim në kardiologji invazive ne Oxford. Ishte një eksperiencë tepër e mirë. Atje e mësova intervenimin nga qasja radiale (dmth. Koronarografia dhe stentimi nga dora), atje bëra studime të rëndësishme që janë publikuar në zhurnalet më prestigjioze në botë. Kur u ktheva në Luzern nuk bëheshin aspak intervenime nga dora. Sot i bëjmë 95 %. Unë në Luzern po ashtu reformova trajtimin e infarktit të zemrës. Sot mesatarisht koha nga arritja e pacientit me infarkt në spital deri në momentin kur hapet arteria e mbyllur zgjat më pak se 30 minuta, që është një kohë rekord në gjithë Zvicrën.