Lajme

Edhe pse ka fituar 50.7% të votave, iniciativa e korporatave, humbi: Ja përse

Sistemi votues zviceran kërkon që krahas votave individuale, të arrihet edhe shumica e numrit të kantoneve ku iniciativa përkatëse ka fituar një shumicë

Iniciativa “Për korporatat e përgjegjshme – në mbrojtje të njerëzve dhe mjedisit”, ndonëse me përqindjen e votave do të dilte fituese, ka humbur për shkak të numrit të kantoneve, shkruan sda.ch. Sipas rezultateve përfundimtare, përqindja e votave pro ishte 50.7 për qind. Gjithsej 1.299,173 njerëz kanë votuar për iniciativën dhe 1.261,673, kundër.

Sistemi votues zviceran kërkon që krahas votave individuale, të arrihet edhe shumica e numrit të kantoneve ku iniciativa përkatëse ka fituar një shumicë, shkruan albinfo.ch. Kjo nuk u arrit, gjegjësisht vetëm 8 kantone e gjysmë kanë pasur shumicë votash pro iniciativës ndërsa 14 e gjysmë kantonet tjera, kanë pasur shumicën kundër iniciativës. Me fjalë tjera, ka pasur më pak kantone me më shumë banorë, ku është votuar pro, dhe më shumë kantone me më pak banorë, ku është votuar kundër.

Sipas mediave zvicerane në edicionet e sotme, fushata e gjatë e mbështetësve të iniciativës ka pasur ndikim kryesisht në Zvicrën Latine(frankofone dhe italofone) dhe në zonat urbane të Zvicrës gjermanishtfolëse.

Përqindja e pa votave ishte veçanërisht e lartë në kantonet rurale të Zvicrës gjermanishtolëse. Jo-ja më e qartë është regjistruar në kantonin Schwyz me 68.4 për qind, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa shumica e votuesve në kantonet si: Fribourg (56.6 për qind), Gjenevë (64,2 për qind), Jura (68,7 për qind), Neuchâtel (64,6 për qind), Ticino (54,2 për qind) dhe Vaud (59.8 për qind) si dhe në kantonet urbane të Basel-Stadt (61.9 përqind), Bernë (54.6 për qind) dhe Cyrih (52.8 për qind) kanë miratuar iniciativën e përgjegjësisë së korporatave.

Projekt-ligji i iniciativës së përmendur kërkon që kompanitë me qendër në Zvicër të respektojnë edhe jashtë vendit të drejtat e njeriut dhe standardet mjedisore të njohura ndërkombëtarisht, transmeton albinfo.ch